Situata në qendër të Tiranës vijon të jetë e tensionuar, ndërsa forcat e policisë kanë ndërhyrë ndaj studentëve dhe protestuesve që ishin grumbulluar te Parku Rinia.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, të rinjtë po qëndronin paqësisht në park dhe nuk po sulmonin apo godisnin efektivët e policisë. Megjithatë, forcat e rendit kanë nisur një ndërhyrje të beftë, duke përdorur masivisht ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba gome për t’i larguar nga zona.
Policia ka arrestuar forcërisht disa prej të rinjve, ndërsa nuk kanë munguar përplasjet mes qytetarëve dhe policëve, duke arritur të shpëtojnë disa prej të ndaluarve nga duart e Shqiponjave.
Përplasjet te Parku Rinia janë pjesë e zhvillimeve të ditës së shtatë të protestës studentore, e cila ka vijuar për më shumë se katër orë në disa zona të kryeqytetit.
Fillimisht, tensionet nisën pranë Ministrisë së Arsimit, për t’u zhvendosur më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku policia përdori ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivët Shqiponja u pozicionuan pas automjeteve të policisë, duke përparuar në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë, një pjesë e protestuesve u zhvendos drejt Parkut Rinia, ku policia kishte dislokuar dhjetëra efektivë.
Pikërisht në këtë zonë ka ndodhur edhe ndërhyrja e radhës. Sipas informacioneve të raportuara, studentët nuk po kryenin veprime të dhunshme në momentin kur policia nisi përdorimin e ujit me presion dhe plumbave të gomës.
Gjatë zhvillimeve të protestës, policia ka shoqëruar dhjetëra të rinj, duke i ndjekur jo vetëm në bulevard dhe rrugët kryesore, por edhe në rrugicat e qendrës së Tiranës.
Përdorimi i plumbave të gomës dhe i ujit me presion ndaj një grupi protestuesish që, sipas raportimeve, nuk po sulmonin policinë, ngre pyetje mbi arsyet e ndërhyrjes dhe proporcionalitetin e forcës së përdorur.
Deri tani, informacionet e paraqitura nuk sqarojnë nëse policia kishte dhënë paralajmërim për shpërndarjen e studentëve, kush e urdhëroi përdorimin e plumbave të gomës dhe nëse ndërhyrja ka shkaktuar persona të lënduar.
Këto janë rrethana që kërkojnë sqarim nga drejtuesit e Policisë së Shtetit, veçanërisht për veprimet e efektivëve te Parku Rinia, ku protestuesit, sipas raportimeve nga vendngjarja, nuk po ushtronin dhunë në momentin e ndërhyrjes.
j.l./ dita
