Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Në ditën që e emërua si Drejtor i Përgjithshëm i policisë së Shtetit, pa asnjë dyshim, Gledis Nano ishte figura më e përshtatshme, zgjedhja më e mirë dhe besimi më i plotë ishte te ai. I formuar profesionalisht, pasi kishte kaluar në disa specializime dhe kishte në jetën e tij profesionale detyra të rëndësishme, në të gjithë hierarkinë e Policisë së Shtetit, ai, për më tepër, gëzonte besimin e të gjithë institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe të zbatimit të legjislacionit. Asnjë figurë tjetër nuk ishte më premtuese se sa figura e tij dhe asnjëherë nuk ka pasur më shumë pritshmëri, se sa në rastin e Gledis Nanos.
Sidoqoftë, ai nuk është më tani në postin e tij dhe gjithçka lidhej me të dhe emrin e tij është e përfunduar. Të paktën, tani për tani.
Ai u largua nga zyra e tij 11 muaj pasi e kishin thirrur për të bërë reformën e duhur, pasi, sipas ministrit të brendshëm, “shkarkimi lidhet me mospërmbushje të objektivave në lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që kërkon reagim më të fortë dhe një reagim më efikas të Policisë së Shtetit”.
Gledis Nano tipizonte figurën e një polici ndaj të cilit nuk ishin artikuluar akuza që cenonin figurën e tij dhe ishte shquar në detyrat e caktuara. Me profil të lartë, i vendosur në luftën kundër krimit, strukturë që e kishte drejtuar, i trajnuar posaçërisht, në 11 muajt e drejtimit të Policisë së Shtetit, ai vendosi të bëjë reformën e duhur, më shumë si kërkesë e domosdoshme e kohës, por edhe si synim themelor i institucioneve ndërkombëtare. Reforma tani është në heshtje, lëvizja e tij ka krijuar bindjen se ka ende në shumë struktura qeveritare, por edhe në brendësinë e bandave të krimit të organizuar, të cilat, më shumë se sa qeveritarët, nuk e deshën njeriun që ende nuk e kishin blerë, nuk e kishin vënë nën gjunjët e tyre, nuk e kishin korruptuar, megjithëse e kishin rrethuar me disa nga figurat që shpesh herë, nga dy krahët e politikës, sipas kohës kur kanë qeverisur apo kanë qenë në opozitë, janë shënjuar si pjesë e heshtjes ndaj këtyre bandave.
Kush e largoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë: strukturat e shtetit apo bandat kundër shtetit, por që nuk ia dinë fort për vetë shtetin?
Kjo është enigma e parë e madhe dhe fillesa e degradimit të reformës në polici, që nesër, edhe më shumë se sa sot, do të vrasë dhe po e vret pikërisht besimin në uniformat e policisë.
E largoi qeveria? A është kjo arsyeja e vërtetë e largimit të tij dhe përse ky shkarkim shkaktoi zemërimin, jo edhe aq të heshtur të Ambasadës Amerikane në Tiranë, dhe befasinë e shumë institucioneve jashtë Shqipërisë? Vështirë të besohet se kaq ishte e gjitha. Ngjarjet e ditëve të fundit , në të vërtetë të rënda dhe me profil të qartë mafioz, mund të shërbejnë si alibi e qeverisë, por nuk mund të jenë edhe shkaku real i shkarkimit të tij.
Ka një bindje të përgjithshme, sidomos jashtë strukturave të shtetit, veçanërisht në institucione ndërkombëtare, se ky largim, më shumë se sa rrjedhë e ngjarjeve të rënda të kohëve të fundit, ishte i përgatitur më parë, vetëm pritej koha dhe momenti i duhur për të bërë shpalljen e tij.
Ka disa momente që e saktësojnë këtë. Pak ditë më parë, strukturat e larta qeveritare, vetë shefi i saj, publikuan disa të dhëna krahasuese mbi vrasjet e ndodhura gjatë disa viteve në Shqipëri, duke gjetur edhe qëndrimin politik ndaj tyre. Meqenëse në kohën e qeverisjes së majtë kishte pasur më pak të vrarë – si të kishte vrasja kah politik – pushteti i tanishëm i gëzohej këtyre fakteve dhe e lidhte me punën e Policisë së Shtetit.
Dy ditë para shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm, vetë Ministri i Brendshëm falënderoi publikisht policinë për dy operacionet, në kapjen e turkut të kërkuar gjithandej dhe në arrestimin e vrasësit të dyfishtë në Tiranë. Dalja e ministrit ishte edhe shenja se sukseset do të ndahen nga gabimet, dhe, nëse suksesi do të ishte ministror, dështimi do të ishte policor.
Cilat objektiva nuk realizoi Drejtori i Përgjithshëm dhe cilat objektiva do të realizojë drejtori i ardhshëm, askush nuk e di dhe nuk do e dijë as në të ardhmen.
Zhdukja e të kërkuarit Martinaj, që ka ndezur përplasjet më shumë se sa të ishte zhdukur një funksionar i rëndësishëm i shtetit ndodh në të njëjtën kohë edhe me shkarkimin e drejtorit. Në pamjen e parë lidhja mes dy ngjarjeve nuk është askund, por ndikimi është kudo.
A duhet të jetë e trazuar kaq shumë struktura qeveritare për eliminimin ose fshehjen e një njeriu të njohur për lidhjet e tij të furishme me krimin sa që të bëjë kurban drejtorin e saj të përgjithshëm?
Largimi i zotit Nano ka qenë një kronikë e paralajmëruar, që, si ndodh zakonisht në raste të tilla, nis me përhapjen e mesazhit se i është kërkuar dorëheqja dhe vazhdon me aktin përfundimtar. Ka të dhëna të shumta që bëjnë të qartë se mes titullarit të ministrisë dhe drejtuesit të policisë ka pasur mendim të kundërt e deri përplasje për emërimin e drejtuesve në rrethe, çka përbën një akt të rëndësishëm.
Më shpesh janë vendosur ato që ka dashur struktura e shtetit, se sa ka pasur në mendje organi i policisë. Jo pak herë ata që janë vendosur të drejtojnë policinë në qarqe ishin e vazhdojnë të jenë figura që nuk kanë besimin e duhur, të cilët , edhe më parë kanë qenë drejtues dhe nuk është parë gjë e frytshme.
Ngulimi i Drejtorit të Përgjithshëm për të vendosur njerëz të aftë, të denjë dhe besim plot në realizimin e misionit të tij nuk ka gjetur këndin e duhur, për të mos thënë se nuk ka pasur mbështetjen e duhur.
Nuk mund të drejtosh me ata që vendosen nga lart, pa kaluar në filtrin dhe besimin e Drejtorit të Përgjithshëm. Nuk mund të drejtosh me njerëz, të cilët, më shumë kanë pasur besimin e grupeve mafiozë në qarqe, se sa të Drejtorit të Përgjithshëm. Nuk mund të bësh kauzë me figura të rënduara nga korrupsioni, të cilët kanë në pasurinë e tyre vila dhe pasuri të ndjeshme të patundshme, me drejtues të policisë që më shumë kanë pasur lidhje të nëndheshme me drejtues bandash, se sa me vetë shtetin.
Oficeri Lami është një shembull, i cili nuk u zbulua as nga vetë Policia e Shtetit, as nga Shërbimi Informativ e strukturat e tjera, por nga një kamerë e rastësishme. Sa të tjerë vazhdojnë të jenë ende në polici? Sa vetë i kanë shërbyer Martinajt? Sa të tjerë u shërbejnë bandave të tjera?
Drejtori i shkarkuar i Policisë së Shtetit ishte një nga ekspertët më të mirë në vend, në mos më i miri në vend, në trajtimin e terrorizmit, e jo vetëm kaq. Po të tjerët që po vijnë pas tij? Si është e justifikueshme që shkarkon drejtorin e përgjithshëm dhe zëvendësin e tij e emëron përkohësisht drejtor? Po ata nën kupolën e tij, cilën eksperiencë kanë, çfarë provash kanë dhënë se mund të jenë më të fuqishëm, më të besuar dhe më të zot se sa i shkarkuari?
Ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë iu kërkua fillimisht dorëheqja, pasi vetë qeveria e dinte se vendimi i saj për shkarkim ishte i pa arsyeshëm. Nëse nuk e bëri aktin e dorëheqjes kjo do të thotë se kishte besim se do të mund të bënte shumë më tepër, vetëm se duhej lënë i lirë të punonte.
E keqja që ka hyrë në Policinë e Shtetit tash 32 vite nuk mund të hiqej në 11 muaj, aq më tepër kur rrotat që i ishin vënë atij ishin për mos ecje, pengim e jo shpejtim të procesit.
Synimi i ish drejtorit të përgjithshëm ishte pastrimi i policisë nga njerëzit e saj të lidhur me krimin, militantë partiakë, shërbyes të figurave të njohura të krimit. Mbështetja që kishte ai nga ndërkombëtaret, sidomos nga strukturat e shtetit amerikan ishin një garanci më shumë se, përmes tij dhe veprimeve që do të ndërmerrte, do të kishim më në fund një tablo tjetër në këtë strukturë jetike, për të cilën shteti kujtohet vetëm kur ka përballime demonstratash.
Gledis Nano shkarkohet në një moment kyç të zhvillimeve politike, pikërisht kur opozita ka paralajmëruar se shtatori do të jetë muaji më i nxehtë politik i vitit, ku, përmes demonstrimeve, protestave, dhunës dhe agresivitetit do të shembin qeverinë dhe do të marrin në duart e tyre institucionet e shtetit.
Kujt i është dashur, pikërisht në këtë kohë, largimi i ij dhe ardhja e një grupi policor, që, edhe më parë, janë mësuar të përballojnë, nganjëherë ashpërsisht, demonstrime dhe shpërthime të tilla? Gledis Nano shkeli në të njëjtën kohë në shumë pika të ndaluara për të. Shkeli shumë vetë njëherësh.
Gledis Nanon e emëroi qeveria në postin e lartë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Të dhënat e deri tanishme tregojnë se nuk e shkarkoi qeveria dhe, aq më pak Ministri i Brendshëm.
Më shumë se sa ata, atë e larguan pa shumë ceremoni strukturat e krimit të organizuar, që ishin pjesë e policisë, por, më së shumti, jashtë saj.. Largimi i tij nuk është shenjë e mirë për vetë shtetin, është shenjë se mes tyre dhe strukturave të specializuara ndërkombëtare ka përplasje dhe pa qartësi. Për më tepër mos besim!

