Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Ish-frymëzuesi i studentëve në luftë me fëmijët e ish-studentëve
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kryesore > Ish-frymëzuesi i studentëve në luftë me fëmijët e ish-studentëve
Kryesoreopinion

Ish-frymëzuesi i studentëve në luftë me fëmijët e ish-studentëve

Published: October 25, 2026
Shpërndaje

Nga Lorenc Vangjeli

Ky është një portret politik i Edi Ramës, i trajektores së pabesueshme të një individi që e nisi jetën publike si sportist dhe artist. E vijoi si frymëzues i studentëve të Dhjetorit 90-të, që çmonin rebelin antikonformist dhe antikomunist, është rrugëtimi i njeriut që krijoi admirues të shumtë me stilin therrës publicistik në postpluralizëm, që hyri në politikë me një ftesë rastësore, e cila përkoi me një ambicje të hershme personale, që diti të manovrojë me një shkathtësi të habitshme mes katër kryeministrave Nano, Meta, Majko e Berisha duke ju imponuar të katërve në mënyra të ndryshme, që fitoi si askush tjetër më parë katër mandate qeverisëse rresht dhe që tashmë është vënë përballë protestusve të zemëruar që kërkojnë largimin e tij. Historia e tij është një ndërthurrje e habitshme e personalitetit të tij kontravers, e psikologjisë vetjake të dominuar nga narcizizmi i thellë, makiavelizmi, populizmi, bindja se i është dhuruar shqiptarëve si një misionar i vetmuar për ta udhëhequr drejt progresit dhe karizmës së errët me të cilën dominon skenën publike. I aftë të duket i përulur nën peshën e modestisë kur ndjehet në vështirësi dhe përbuzës në ekstrem i gjithëkujt në ditët e tij të mira, kjo është historia e njeriut që personalizoi PS-në, partinë më demokratike e pothuaj liberale në Shqipëri, që i shndërroi institucionet në zgjatime të vullnetit të tij, që zëvendësoi magjinë e demokracisë së balancës dhe ontrollit të pushteteve, por që tani është krejtësisht i vetëm përballë hakmarrjes së vetë sistemit.

-I- Si filloi?

- Publicitet -

Dëshmitë më të hershme të raportit të Edi Ramës me pushtetin, shkojnë që nga fundi i viteve 80’-të. Kolegët e tij universitarë ende e kujtojnë batutën e tij të hershme për t’i zënë vendin Ramiz Alisë. “Pse mos bëhem unë president i Republikës”, i thoshte më shumë se një kolegu të tij, ish-profesori i Akademisë së Arteve kur shëtiste në krah të godinës fqinje të ish-shefit komunist. Ju desh të priste fiks dhjetë vjet që të hynte në korridoret e pushtetit. Tërësisht atipik dhe i ndryshëm në krahasim me klasën e improvizuar politike të postpluralizmit që ruhej nga i ftohti me triko leshi dhe artikulonte me leshra në gojë, ai morri për një rastësi fatlume pikërisht atë që kishte dashur gjithmonë. Ftesën për hyrjen zyrtare në politikë. Fillimisht në postin modest të ministrit të kulturës, ku ai shënjoi diferencën e parë me karizmën e tij. Pastaj erdhi bashkia e me rradhë partia dhe qeverisja.

Më herët, në dhjetor 1990 kishte bërë tentativë vetjake për të marrë kontrollin e lëvizjes studentore, por humbi përballë të singjashmit të tij në gjakimin për pushtet, Sali Berisha. Kardiologu i shtytur nga instikti, e përzuri që andej, i bindur se pullazi i PD-së ishte shumë i ulët për dy gjela kryeneçë në majë. Po e njëjta karizmë e errët, por më e kornizuar dhe sponsorizuar e Berishës, e mposhti profesorin rebel që ju dhanë duart nga Qyteti Studenti për të nisur jetën e dytë në hapësirën publike. Dëshmia tjetër e hershme, tashmë edhe publike, është një regjistrim audio i javës së parë të janarit 1990, kur përballë po Sali Berishës dhe Azem Hajdarit, në incizim dëgjohej zëri i Edi Ramës. I vetmi ndër ta dhe absolutisht më i qarti që fliste për nevojën e marrjes së pushtetit nga komunistët. Rama ishte dukshëm më konkret se folklorizmi i Hajdarit dhe projekti zhurmues i Berishës që fillonte dhe mbaronte në nevojën për njerëz në sheshe.

-II- Ftesa për të “Qërruar baltën nga Shqipëria!”.

Ftesa i erdhi nga Fatos Nano, që në të vërtetë përdori fjalë tjetër dhe më të rëndë se fjala baltë që duhej pastruar nga Shqipëria. Kryeministri dembel ndoshta besonte se do t’i linte Ramës në dorë veglat e luftës me Berishën, ndërkohë që vetë do të jetonte idilin e një princi të llastuar të një populli të traumatizuar nga varfëria, plagët e luftës pothuaj civile të 97-ës dhe mungesës së shpresës. Por më shumë se Nano, ishte Meta që e zëvendësoi atë, që i dha Ramës dhuratën më të çmuar politike. E kandidoi për kryetar bashkie të Tiranës duke i vënë pas PS-në si një makinë elektorale, që ishte e gatshme të mbështeste këdo që i afronte udhëheqja e saj.

Me një fitore të bujshme, Rama e përdori atë pushtet të ri, krejt të padukshëm më herët, në disa drejtime. Së pari si manovër mes dy socialistëve dominues Ilir Meta e Fatos Nano dhe së dyti për të krijuar bërthamën e ndjekësve të kultit të tij që po lindte. Rama, me një ndjeshmëri të thellë për median, krijoi një aleancë të fortë personale me të, pronarët e televizioneve që po lindnin dhe gazetave tradicionale. Të gjithë ata, veç interesit pragmatist si një qendër përfitimeve ekonomike, shihnin tek figura e tij ekstravagante, një model të ndryshëm nga figurat tradicionale të politikës, që edhe pse kishin filluar të vishnin kravata mëndafshi, mbanin ende aromën e sëndukëve komunistë në stil, në shprehje e sjellje. Vetë Rama vinte nga një e shkuar publicisti, ku kishte krijuar gjithashtu një diferencë të fortë me mënyrën tradicionale të gazetarisë me stil të fortë polemik dhe akuzator. Pak më i vjetër në moshë me plejadën e dikurshme të gazetarëve të viteve 90-të që e konsideronin si një nga ata vetë, ai mundi t’i përfshijë pothuaj të gjithë në rrethin e tij. Sot, shumica dërmuese e tyre janë edhe kritikët e tij më të ashpër.

Të gjithë këto vektorë i kulmonte me afishimin dhe vetafishimin si i ngjashëm me Berishën, por me kostum qytetari liberal dhe si i tillë, konsiderohej edhe si propozimi i vetëm që mund t’i dilte atij përballë. Në ato vite, i plagosur rëndë, por ende jo i vrarë përfundimisht, siç ëndërronte masa hakmarrëse socialiste, Berisha mbetej ende edhe mallkimi, edhe bekimi i socialistëve. Ishte noterizuesi i pushtetit të tyre, që po brehej nga sherret e brendshme për pushtet dhe që luhatej sa nga adoleshenca e vonuar e Nanos, tek mungesa e peshës së Majkos dhe tek autoritarizmi i Metës.

Në këtë periudhë, Rama mundi të krijojë një qendër të re pushteti të lidhur me të me interesa ekonomike e kryesisht me ndërtimin në kryeqytet. Kritikët e tij shtojnë në menu edhe fillimin e kontakteve të papërshtatshme me njerëz nga bota e nëndheshme.

Enigmë mbetet ndikimi që ka patur Sorosi dhe projekti i tij fluid politik në Evropën Lindore e më gjerë në karrierën e Ramës, por është fakt i verifikuar që pothuaj gjithkush në Tiranë që ka hyrë në politikë falë Ramës, cuditërisht ka pasur lidhje pikërisht me këtë fondacion misterioz dhe shumë të diskutuar jo vetëm në Tiranë, por edhe në Uashington dhe gjetkë. Ata kanë hyrë në dyert e politikës vetëm falë vullnetit të vetë Ramës, që i peshkonte të singjashmit e tyre edhe nga rezervati njerëzor që krijoi në 11 vjet të drejtimit të bashkisë së Tiranës.

-III- Atdheu i njëshit, fisit e prijësit

Duke bërë balet me shpirt ndër dhëmbë në sallonin e aleancave fluide mes Metës e Nanos, herë me njërin kundër tjetrit dhe anasjelltas, ai e sfidoi Fatos Nanon në kongresin e 2003-shit. Herë mentori e herë gaztori i kryeministrave të tij, herë miku e herë armiku i tyre, Rama ka qenë i papërsëritshëm në aftësinë e veçantë për t’u përshtatur me rrethanat, kur fjala vjen, tallej me Majkon kur e kishte shef në qeveri dhe e merrte seriozisht vite më pas kur e kishte vartës në kabinet. Rama humbi atëherë në atë kongres, por pati kthjelltësinë të shënjojë emrin si alternativë për pushtet. Kjo ishte lëvizja e tij më e rëndësishme, ishte momenti kur ende nuk i leverdiste të fitonte partinë, por kishte nevojë që partia të humbiste në zgjedhjet e ardhshme dhe që të dilte në opozitë. Nuk ka gjasa të përcaktohet pesha që pati vullneti i tij, kryesisht si dëshirë e shprehur fshehurazi dhe veprime të hapura me Mjaft-in në disfatën e soocialistëve, por fakt mbetet që në 2005-ën, ai mbeti oferta e vetme e PS-së për të lëpirë plagët e daljes në opozitë. Vakuumi që la pas një ish-kryetar që po jetonte adoleshencë të vonuar e hokatare u mbush nga kryetari i ri që u premtonte rikthim të shpejtë në pushtet socialistëve të traumatizuar nga rikthimi triumfues e revanshist i gogolit Berisha.

Atëherë Rama ju blatonte miqësi e besë socialistëve të vjetër që e shihnin ende me mosbesim si të huaj, por që besonin me naivitet se mund ta mbanin energjinë e tij nën kontroll. Rama e dinte si pakkush se rruga për në pushtetin qëndror kalonte nga kontrolli i partisë dhe strategjia e tij u përqëndrua pikërisht në këtë drejtim, Për katër vjet rresht, deri në 2009-ën, ju desh të bashkëjetonte me grupin parlamentar të strukturuar nga paraardhësi, çka ja ngushtonte hapësirat për veprim. Gjithçka ndryshoi nga një dhuratë e papritur që ju dha nga armiku i tij më i egër, Një marrëveshje okulte me Sali Berishën solli ndryshimet kushtetuese në 2008-ën, çka i dha të dyve monopolin mbi dy partitë kryesore dhe njëkohësisht, edhe mbi gjithë burimet njerëzore të tyre dhe gjithë pushtetet që do të rridhnin po prej tyre.

Atdheu i njëshit, fisit dhe prijësit tashmë ishte realitet kushtetues. Shqipëria që kishte më pak se dy dekada që ishte ndarë nga një Hoxhë diktator, tashmë kishte dy “profetët” e rinj të fesë së re të demokracisë së saj hibride. Ose ishte me ta, ose ishte jashtë çdo llogarie.

Kontrolli mbi partinë dhe listat e saj për deputetë dhe rezultati i dalë nga zgjedhjet e humbura të 2009-ës, i dha Ramës humbës, triumf të plotë mbi grupin parlamentar, bërthamën e partisë. Bashkëjetesa e detyruar me ishuj socialistësh të mbetur ende nga e shkuara, nuk ishte me domosdo bashkëndarje aksionesh pushteti. Kalimi në qeverinë e djathtë i Ilir Metës, një socialist i zemëruar me Nanon dhe ish-sponsorizues i atij vetë, e bëri shumë më të lehtë këtë projekt. Socialistët kishin humbur një mandat tjetër, por kishin fituar të drejtën të brohorisnin: Mbreti vdiq, rroftë Mbreti!

-IV- Si Lenini, gjithë pushteti sovjetëve

Në 2013-ën, me riafrimin e Metës, ai bashkëndau pushtet me të, por kryesisht duke pritur çastin e divorcit përfundimtar. Pushteti i ndarë dhe i kontrolluar nuk ishte ende synimi i tij përundimtar. Nuk ishte caku. Ishte fillimi. E donte për vete ushtrimin e plotë të tij. Pa kushte. Pa kompromise. Pa debate, por vetëm me imponim. Një aleancë tjetër do të zëvendësonte, spostonte dhe frustronte Metën, socialistin e talentuar, mjeshtrin e fitoreve të betejave të vogla dhe arkitektin absolut të disfatës në luftën finale. Grupi i PS-së, bashkë me një brez të rinjsh “veteranë” socialistë, do të kishte atë legjislaturë edhe deputetë të djegur nga ligji i dekriminalizimit dhe poshtë në bazë, të tjerë sivëllezër të tyre në pushtetin lokal e administratë. Bejlerë të vegjël lokalë, personazhe me ndikim në zona të vogla, shpesh të lidhur me botën e krimit apo biznesmenë me të shkuar të dyshimtë, do të bëheshin karburanti i tij elektoral për të arritur synimin final, të shpallur dikur nga bolshevikët e Leninit: Gjithë pushteti sovjetëve. E realizoi këtë gjë në 2017-ën, kryesisht për shkak të vërtetimit të aksiomës fatale: kur i ke kundërshtarët budallenj, nuk të duhen miqtë e mençur.

Idiotësitë taktike të opozitës së kohës, sherret e saj të brendshme, luhatjet e humorit dhe paranojave të Ilir Metës, lehtësia e padurueshme e Lulzim Bashës, krijuan atë koalicion absurd që i dha fitoren në tepsi Edi Ramës. Dhe bashkë me tepsinë, edhe timonin.

I vetëm në pushtet mbas zgjedhjeve të 2017-ës, Rama zhvilloi dy operacione të njëkohshëm. Të parin, zhveftësimin e opozitës. Duke e korruptuar atë dhe duke i ngushtuar në maksimum hapësirat e lëvizjeve. I ndihmuar dhe nga vetëvrasja politike e saj, e njohur me emrin djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale dy vjet më pas, Rama tashmë mund të ecte përpara me projektin e tij politik. Me krisjen përfundimtare të magjisë së sistemit, balancën dhe kontrollin e pushteteteve dhe kontrollin absolut mbi partinë e tij fituese, institucionet u shndërruan përfundimisht në zgjatime të vullnetit të tij. Njëlloj si Zogu, Hoxha e Berisha, ai u shndërruar në menaxher të shkëlqyer të dobësive njerëzore.

Sidomos nga 2017-ta, Rama u shndërrua në burimin e vetëm të çertifikimit të suksesit, karrierës, hyrjes dhe daljes nga korridoret e pushtetit të çdokujt në mënyrë kapilare. Gjithmonë e më shumë zgjedhjet e tij personale u ngushtuan në identikitin e zyrtarit që e shihte si idhull, funksionarit gjithmonë e më të paaftë, gjithmonë e më të korruptuar e makut, por gjithëherë lojtarë në garën për servilizëm në sytë e kryeministrit. Artisti rebel kishte pësuar tashmë frakturën më të madhe njerëzore. Ndonëse dukej se i përbuzte, Rama u bë i varur nga droga e servilizmit që e ngrinte gjithmonë e më lart piedestalin e mbinjeriut.

Me ngulm milingone dhe zellin e një shefi kuadri komunist, antikomunisti Rama krijoi një ushtri kapterësh që i shërbenin si kllounë në gosti, pa u kujtuar se në ditë betejash nevoja thërret në apel vetëm gjeneralët. Në një operacion ndryshimesh në qeveri në dimrin 2018-2019 pas protestave të para studentore, ai largoi shtresën e fundit të politikanëve socialistë dhe i zëvendësoi me një seri teknokratësh. Socialistët sërish ja pranuan vendimmarrjen e tillë. Magjia e pushtetit nuk e refuzonte dot më edhe lopatën e varrmihësit. Sepse ato akte ishin gropa kolektive ku po varrosej partia tradicionale socialiste dhe nga ku po krijohej projekti i tij totalisht personal. Rilindja u ngrit mbi një parti që kishte vdekur, por paftuar askënd për funeralin e saj. Dhe vetë funerali dukej si festë.

Në mënyrë paradoksale, Rama nuk ka pikën e idesë që edhe mes njerëzve që ka rekrutuar nga hiçi e që ende mbajnë shënim kur flet, ka një shumicë të heshtur që e urren. Madje edhe ata që i nxorri nga boshi dhe asgjëja emocionale dhe intelektuale, edhe nga analfabetët që i shiti për akademikë, edhe nga ezmerët e tij të shumtë që kanë vite që fërkojnë fundshpinën me kosin e berë det nga pushteti. Kapterët qesharakë që i gradoi në gjeneralë tashmë po kërkojnë distancë prej tij. E shohin tashmë jo si helikën që mund t’i ngjiste lart, por si gjylen në këmbë që mund t’i fundosë shumë poshtë.

Njëkohësisht, bashkë me përqëndrimin e pushtetit politik në dorën e tij, Rama u bë edhe CEO-ja autoritar i një numri të kufizuar biznesesh të mëdha, fillimisht jo te lidhur politikisht me të. Shumica e tyre, ishin lindur në dy mandatetet e Berishës. Vit mbas viti, nën qeverisjen e Ramës, 30 koorporatat me të mëdha, përqëndruan deri në 40 për qind të GDP-së në vend duke i shërbyer Ramës edhe si vitrinë për suksesin e Shqipërisë kapitaliste.

Kështu, vit mbas viti, karizma e tij e errët, egocentrizmi, centralizimi ektrem i pushtetit, mungesa e empatisë, ndjesia e madhështisë, shkelja e normave të mirësjelljes konvencionale si dhe korrupsioni endemik dhe lidhjet gjithmonë e më të forta me elementë të botës së krimit, e bënë Ramën njësh të padiskutueshëm të një shoqërie që nuk ka arritur dot kurrë të ndahet nga kulti i individit. Institucionet u zëvendësuan nga egoja e liderit, vetë lideri autotrajtohej si një e mirë që shpesh keqkuptohej nga shoqëria. I bindur në superioritetin intelektual, moral, politik e kulturor, Rama u bë pacienti fatkeq i transformimit politik e psikologjik që afron pushteti i gjatë. Me monologun si mjet komunikimi në vend të dialogut, me urdhërin në vend të kornizave të ligjit, me narcizizmin absolut dhe egoizmin pa fre, me autoritarizmin si religjion e personalizimin e pushtetit si mjet, Rama për paradoks, u bë më më i dobët, më i brishtë dhe më i cënueshëm pikërisht aty ku shumëkush e shihte më të fortë. Madje edhe me shpalljen Non Grata të Sali Berishës.

Peng i sondazheve, që e ndanë nga aroma reale e jetës, rob i lodrës së re me AI dhe Algoritmit, Rama gjithmonë e më tepër e sheh botën me sytë e të tjerëve. Shqipëria e televizioneve dhe medias tradicionale është krejt ndryshe nga sa duket nga brenda salloneve ndërkombëtare të politikës, ku Rama prej kohësh ka zhvendosur veten dhe priorittetet vetjake.

-V- Hakmarrja e sistemit

Mbas zgjedhjeve të 2025-ës, me një shumicë të cilësuar në parlament, Rama u paralajmërua edhe publikisht se vetëm administrimi krejt ndryshe i pushtetit të marrë në mandatin e katërt do të mund t’i jepte shans për të nesërmen. Në të kundërt, Rama u vetëqeveris nga arroganca e tij. Ndërhyrjet e pakuptimta në Theth, marrëzia e luftës me tendat në kryeqytet, xhirroja absurde nëpër bashkitë e vendit në verë, tentativa për të centralizuar kontrollin edhe mbi bashkinë e Tiranës, e mbi të gjitha, fotokopjimi i qeverisë së re me të njëjtat fytyra të vjetra me halle me drejtësinë, dëshmuan se ai vetë kishte lexuar keq rezultatin e zgjedhjeve. Ai rezultat që e kishte parë si triumf vetjak dhe licencë për t’u shndërruar në Emir si vëllezërit e tij në Lindjen e Mesme, ishte momenti i fundit që e dëshmuan atë të gabuar në dy mënyra: Në moskuptimin që pushteti më i fortë është pushteti i ndarë dhe i balancuar dhe në dëshminë se ai nuk ishte më njeri i lirë dhe se diku, një sistem i komplikuar pengmarrësish, i kishin marrë peng edhe lirinë, edhe vullnetin, edhe arsyen.

Tentativat e tij për të marrë nën kontroll një qendër tjetër pushteti, SPAK-un, tek i cili ka pasur ndikim domethënës, i shkaktoi efektin e kundërt. Njëlloj si një njeri që ka rënë në rrjetën e peshkatarit dhe çdo përpjekje për t’u çliruar, e ngatërron edhe më keq.

Ky do të ishte momenti i hakmarrjes së sistemit që ai vetë e ka plagosur shumë rëndë. I gjendur nën presionin e protestave që nisën që në qershor dhe që kulmuan me protestat e tetorit që janë miksuar edhe me luftë të mirëfilltë guerrilje, Rama ende nuk po kupton se njëlloj si në raportin e tij të pushtetit që e ushtron i vetëm, është i vetëm edhe në menaxhimin e krizës.

Ai nuk ka një parlament funksional ku të debatohet.

Nuk ka një opozitë të besueshme që të jetë pjesë e zgjidhjeve politike.

Nuk ka autoritete politike, të cilat të kenë mundësi të japin mesazhe të pranueshme nga shumica e popullsisë.

Nuk ka një shoqëri civile me kredo morale.

Dhe çfarë është më e rëndësishme, në këtë krizë shumështresore institucionale e socialiste, nuk ka as autoritete morale që të afrojnë formula kompromisi të besueshëm. Nuk ka shtresa sociale që ta shohin Ramën si faktor stabiliteti.

Për ironi të fatit, protestuesit kërkojnë simetrikisht burg edhe për kryeministrin, edhe për liderin e opozitës.

I vetëm përballë të gjithëve, Rama i mbushur vetëm me vetveten vazhdon të besojë sinqerisht se edhe në ato momente njerëzore, kur i duhet të shtrydhet në tualet, i afron ambientit shampanjë kur e shkund, depoziton diamantë e flori kur sekreton dhe le pas vetëm aromë parfumi kur del jashtë. I bindur se është viktimë e një aleance që përfshin komplotin ndërkombëtar, politikën zyrtare në Prishtinë, Rusinë, Iranin, antiTrumpistët, Antifa-n, krimin e organizuar, Rama shpreson ende se do ta shohin gjithashtu si viktimë të të suksesit të tij nga zilia e gjithë të tjerëve. Dhe shpreson të vazhdojë të bashkëndajë fatin e tij me dy liderë evropianë Macron e Meloni, vendet e të cilëve ndodhen në sulmin e Antifa-s.

-VI- Të varfërit e zemëruar

Krijimi i pabarazisë kriminale në shpërndarjen e të ardhurave që vijnë nga Shqipëria si pronë e përbashkët e shqiptarëve, mungesa e shpresës, emigracioni i pakontrolluar, tkurrja e popullsisë, rënimi i hierarkisë morale në shoqëri, pranimi i varfërisë si krimin e vetëm të pafalshëm në vend, shpallja e tij mbret i Republikës së ZeqiLandit, janë karburanti kryesor që ushqen zemëratën antiRama. Me njëqind euro nga emigracioni, një pensionist mund të blinte në 2022-shin mallra e shërbime në vlerën e 12 mijë lekëve, sot, për shkak të inflacionit e rritjes së cmimeve, ka në xhep vetëm tetë mijë lekë për të shpenzuar për të njëjtin qëllim. Një shtresë jashtëzakonisht vulnerabël si pensionistët, ju kërcënohet realisht mbijetesa me bukën e gojës dhe ilaçet e trupit, duke vuajtur edhe normën më të lartë të TVSH-së për mallrat e shportës në rajon.

Në harkun e 6-7 viteve të fundiit, cmimet e banesave për metër katror, janë rritur mesatarisht nga 95 deri në 115 për qind në Tiranë dhe 70 deri në 100 për qind në Durrës. Qeratë janë shtrenjtuar nga 80 deri në 100 për qind në Tiranë dhe 50 deri në 70 për qind në Durrës. Përballë tyre paga mesatare është rritur nga 75 në 80 për qind, rritje e cila konsumohet nga inflacioni e rritja e cmimeve. Dhe përtej shifrave mesatarizuese, të varfërit kanë një përgjigje: sot edhe me më shumë para në vlerë nominale, blejnë më pak shërbime se dje.

Turizmi i brohoritur si sukses, ka qenë totalisht i tillë vetëm orgjinë e shifrave dhe një grusht pronarësh, shpesh njerëz të botës së krimit e biznese kriminale të lidhura me to, por ka qenë qederi në një reaksion zinxhir që ka shtrenjtuar jetesën për shumicën dërmmuese të shoqërisë. Asaj pjese që i thuhet se kostoja e jetesës ka si zgjidhje ecjen nën hijen e rëndë të kullave të premtuara si zhvillim urban. Njëlloj si të tentosh të shërrosh lëngatën e një fytyre njerëzore me një operacion ngjyrash make up-i. Njëlloj si vizatosh me ngjyra gotën bosh dhe të pretendosh se është plot me qumësht. Me të njëjtin stil prej kryetari bashkie, pasion e mendësi, nga i cili Rama nuk është ndarë edhe kur duhej të qveriste vendin si kryeministër.

Dhe si të mos mjaftojnë të gjithë këto elementë, korrupsioni endemik i ekspozuar me portretet e njerëzve të tij më të afërt, tashmë i nxjerrë në vitrinë edhe nga hetimet e një tjetër qendre pushteti të cilin ai e ndikon, por nuk e kontrollon dot, si SPAK-u, e bëjnë edhe më të ngushtë dhomën ku ai në një anë nuk duhet të shtypet nga elefanti që ka futur brenda e në anën tjetër e pret përqafimi gjithmonë e më i egër i pushtetit të centralizuar.

-VII- Partnerët ndërkombëtarë, po partnerët ku janë?

Monopolizimi i politikës së jashtme nga një kryeministër fluturues dhe një sërë lëvizjesh të Ramës në politikën ndërkombëtare, kanë ndikimin e tyre në krijimin e stuhisë perfekte. Në 13 vite Rama ka dashur të marrë një rol të spikatur në politikën e jashtme. Duke shfrytëzuar karizmën e tij, lehtësinë e identifikimit për shkak të shtatit dhe formimit si artist e sportist, në kohën e “gallatës”, Rama ishte për një kohë të gjatë mysafiri perfekt në sallonet e politikës evropiane. Rama mundi si askush tjetër në Shqipëri përpara tij, të krijojë një rrjet miqësish edhe personale mes kolegëve të tij. Raporti i tij domethënës me Vuçiç, për shembull, kishte si produkt vetëm një shënim në kancelaritë evropiane e amerikane, të lodhura me sallatën ruse nga Ballkani: shqiptarët e serbët e duhur në pushtet, mund të paqtojnë gjithë rajonin!

Vetë Rama konsideronte kohë më parë se “…tani që jam rritur, të tjerët duan të bëjnë foto me mua”, duke vënë në dukje një rol domethënës për veten në politikën ndërkombëtare. Por njëlloj si të pasurit e vjetër që i shohin gjithmonë me përbuzje të pasurit e rinj, pesha e tij u ridimensionua fort, sidomos me shpërthimin e luftës Ukrainë – Rusi. Në kohë hallesh e dramash, barsaletat, batutat dhe gjestet teatrale nuk dëgjohen me të njëjtën ëndje. Përkundrazi, bëhen të bezdisura. Pesha e Ramës nisi të tkurrej në përpjestim me peshën tërësisht modeste të vendit që përfaqëson. Njëlloj siç ka ndodhur me të gjithë drejtuesit e tjerë të shtetit shqiptar, që kanë besuar se meritojnë të qeverisin shumë më shumë sesa 28 mijë kilometra katror shkëmb e dhe’ kokëfortë. Dhe shumë më shumë sesa disa milion shqiptarësh krenarë e ballkanas tipikë që janë si susta çeliku. Durojnë gjatë një këmbë që i shtyp nga sipër, por në momentin që këmba lëviz pak, kërcejnë përpjetë në çdo drejtim. Kështu ka ndodhur edhe me paraardhësit e tjerë, me shqiptarët e shumtë që kanë qeverisur vise të tëra shumëfish më të mëdha se Shqipëria nën flamurin e perandorisë osmane dhe nën hijen e Sulltanit të rradhës, por pa u kujtuar kurrë për këtë skaj të humbur të ish-perandorisë.

Teori konspirative, por që për momentin nuk mund të kenë konfirmim zyrtar, shënojnë gjithashtu edhe marrëdhënie të dobta me administratën e presidentit Trump. Tirana nuk ka asnjë kontakt me adminstratën republikane që po hyn në vitin e dytë të saj. I obsesionuar nga ideja që Trump duhet ta pranojë dhe bekojë, Rama ende tenton të shlyejë gafën e tij fatale për fyerjet që i bëri atij në CNN gjatë garës presidenciale në SHBA. Shumica dërmuese e gabimeve të Ramës brenda vendit, por dhe lëvizje në dukje të pakuptueshme në politikën e jashtme, kanë për shkak pikërisht këtë obsesion. Edhe projekti në Zvërnec dhe tentativat për t’ju afruar presidentit Trump nëpërmjet familjes, nga ku nisën edhe protestat, ishte gjithashtu një projekt i jashtëzakonshëm, por i helmuar nga politika. Historia me ish-drejtuesin e FBI-së ende nuk dihet se sa e ka pasur dhe mund të ketë faturën. E sigurt është që kjo është një faturë që ende nuk është paguar.

Me vendet e Evropës, kryesisht Britaninë e Madhe, Belgjikën e Hollandën dhe më pak Gjermaninë morale, është problemi i krimit të organizuar dhe trafiqeve të drogës. Vetëm nga Britania vlerësohet se paratë e drogës që mbërrijnë në Shqipëri janë të rendit disa miliardë paund në vit. Ish-perandoria, tashmë dhe një qendër financiare prej vitesh, e ka të pamundur të pranojë në heshtje lumin e para që dalin nga kufinjtë e saj për një pastrim të supozuar në kulla e luks në një vend të varfër si Shqipëria.

Turqia e ish-byrazerit të fortë Erdogan duket se është sedërlënduar nga ish-biri plangprishës. Identifikimi i Ramës me Bibin e Jeruzalemit dhe projekti për shtetin Bektashi në Tiranë, janë dy momentet që marrëdhëniet personale mes dy burrave të fortë nga Ballkani të prishen pikërisht për një arsye tipike ballkanase: Miku i armikut tim është armiku im!

Shërbimet e disa vendeve në Evropën Perëndimore, sistemi i tyre i drejtësisë dhe, edhe mediat e tyre, kanë filluar të kuptojnë rolin dhe peshën gjithmonë e më të fortë të krimit të organizuar shqiptar. Dhe sidomos ndikimin e tij domethënës në trafikun e drogave, që nis që nga vendet e origjinës dhe përfundon në Shqipërinë e kullave, për t’u pastruar dhe magazinuar për t’u rishpërndarë sërish në Evropë.

Nuk përfundon këtu. Raportime jo vetëm vendase, por edhe nga ana tjetër e Atlantikut përmendin Antifa-n si armik të Ramës në këto momente dhe shënojnë dyshime serioze për ndërhyrje nga vende jo miqësore me Shqipërinë, kryesisht Irani e Rusia.

Një bërthamë e egër, me siguri produkt i Antifa-s, si e dalë nga hiçi, dogji me zjarr Tiranën duke e bërë romantik kujtimin e Flamingove në shesh që pastronin bulevardin nga mbeturinat mbasi kërkonin burg për Ramën dhe Berishën.

Me një allternativë tradicionale që është totalisht e kërrusur qoftë nga pesha e të shkuarës, qoftë nga të qenit kaq të gjatë në opozitë dhe sherret e brendshme, me mungesën e një alternative të re, duket se mjetet locale nuk mjaftojnë për ta nxjerrë Ramën nga zyra. Me gjasë dhe kjo pritet të verifikohet, nuk do të ketë një ndërhyrje direkte ndërkombëtarësh në zgjidhjen e krizës. Së paku jo në një të ardhme të afërt të parashikuar. Vështirë të pritet deri në fund të vjeshtës një mision paqtimi i tipit OOSBE, as nga SHBA-ja e as nga BE-ja, cka do ta bëjë ankthin në Tiranën e paaftë të vetëqeveriet edhe më të thellë.

Përgjigja e Ramës është propaganda dhe mbështetja e policisë. Duke krijuar një paralele mes garantimit të rendit dhe pushtetit të tij. I obsesionuar mbas estetikës dhe urryes i kritikës Rama ende nuk i ka hyrë thelbit të shkaqeve që kanë ndezur këtë zemëratë kundër tij dhe gjithë klasës politike në vend. Ai është ende i bindur se komplotin e mban në këmbë konspiracioni i përbashkët mes opozitës dhe krimit nga brenda dhe nga “mercenarë” iranianë a rusë me pasaporta shqiptare nga jashtë. Masat që merr janë në kufinj të zbatimit formal të ligjit. Në vend të reagimit politik gjithmonë e më të kufizuar për manovrim, ai jep përgjigje policore duke e barazuar fatin e tij politik me garantimin e stabilittit të vendit. Dhe tenton të spostojë mërinë tek administrata e tij e lartë. Kërkon dorëheqjen e gjithë hierarkisë së drejtorëve të rëndësishëm në vend, të cilët, në mos me bekimin e tij, nën indiferencën e tij, kanë vite që kanë shpallur një qeverisje tjetër paralele në Tiranë. Të pavotuar, por me shumë pushtet: Republikën e Drejtorëve ku ata sillen si kryeministra.

Ende asnjë reflektim politik. Njëlloj si në kohën kur Flamingot vizatuan portretin ndryshe të shoqërisë dhe që ai ju përgjigj duke i vënë përballë pasqyrën e tij. Kërkesës së tij për dialog nuk po i gjendet partner, ndaj Rama po vazhdon me të njëjtin stil komunikimi me monolog.

Jetëgjatësia në pushtet, ushtrimi i pushtetit si një trill i humorit vetjak, e kanë bërë Ramën të besojë në njehsimin e tij me shtetin dhe stabilitetin. Dhe ta lidhë dhe sinqerisht ikjen e tij që i kërkojnë protestuesit, me cënimin e shtetit dhe stabilitetit. Refuzimi I tij për një pprojekt politik si përgjigje për krizën, ka edhe këtë vektor.

Qeverisja e Ramës ka garantuar stabilitet, por ka cënuar standartet demokratike. Enigma e të nesërmes së tij kalon pikërisht nga ky raport: me stabilitet të cënuar, nuk mund të bëhet fare fjalë për standarte demokratike. E po kështu, kalon edhe nga raporti i numrave në parlament, që janë një realitet që nuk mohohet dot.

Mjetet policore janë shumë të papërshtatshme për të mbajtur epruvetën e brishtë të këtij pushteti, të sulmuar me urrjejtje, sidomos kur shfaqet nga ajo shtresë e shoqërisë që kryeministri nuk e njeh pothuaj fare dhe tek të cilët ka humbur sharmin e dikurshëm: gjenerata Z, e cila tashmë po e sheh atë jo si zgjidhës të problemeve, por si problem për t’u zgjidhur. Janë fiks bijtë e ish-studentëve të tij që ai vetë në Dhjetorin e largët 90-të i frymëzonte me rebelimin e tij.

-VIII- Trajektorja e fatit si kapriçio apo domosdoshmëri

Eshtë shumë e vështirë të vlerësohet nëse Rama është vërtet në epilogun e pushtetit të tij, por tjetër gjë është të qëndrosh në zyrë dhe tjetër gjë është që të qeverisësh. Flakët mund të shuhen, vitrinat e bizneseve, bankat, semaforët, koshat e mbeturinave mund të riparohen lehtësisht. Por administrimi i kësaj urrejtjeje që ka shpërthyer në rrugë është e pamundur të ripaketohet me empati dhe të rikthehet qetësisht në shtëpi.

Magjia me të cilën Rama bindte dikur miq dhe armiq se ai ishte krejt i ndryshëm në politikë, tashmë ka rënë. Ai u soll në formë si evropian dhe me Evropë në gojë, i bindur se ishte misionari që një fat i madh ja fali Shqipërisë, Në 13 vjet Rama ishte i gatshëm ta përdorë shoqërinë dhe Shqipërinë si bojra dhe telajo për vizionin e tij estetik, por po konsumon mandatin e katërt si ballkanas tipik që si qamet të vetëm nga perëndia, sheh vetëm largimin e tij nga zyra. Pa mundur të kuptojë se në këtë botë, e vetmja gjë e përjetshme, është të qenit të përkohshëm!

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Serbia rrëzon Vuçiçin, studentët nga protesta në pushtet
  • Ish-frymëzuesi i studentëve në luftë me fëmijët e ish-studentëve
  • Reagimet e para nga jashtë pas fitores së Listës Studentore në Serbi
  • E FUNDIT: Lista Studentore fiton zgjedhjet në Serbi. Në pushtet nga 2012, Vuçiç pranon humbjen
  • Media italiane: Meloni po konsulton dorëheqjen me aleatët

Komentet e Fundit

  1. Kokpalari 21 janarit on Rama, me “paketë” të re kundër protestave: 500 mijë gjobë të rrish në grup, mësuesit do pushohen, 6 muaj burg për maskë
  2. K R on Rama, me “paketë” të re kundër protestave: 500 mijë gjobë të rrish në grup, mësuesit do pushohen, 6 muaj burg për maskë
  3. Antishqiptari on Media italiane: Meloni po konsulton dorëheqjen me aleatët
  4. Kujtimi on Rama, me “paketë” të re kundër protestave: 500 mijë gjobë të rrish në grup, mësuesit do pushohen, 6 muaj burg për maskë
  5. Emigranti on Rama, me “paketë” të re kundër protestave: 500 mijë gjobë të rrish në grup, mësuesit do pushohen, 6 muaj burg për maskë

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?