Xhelil Aliu
Që nga zgjedhjet e 14 majit të këtij viti e në vazhdim, pothuajse nuk ka edicion lajmesh që të mos flitet për Beler “Beun” e Himarës, i cili tashmë ka marrë pozat e heroit. Më bën përshtypje ‘’trimëria’’ e këtij Beler Beut, i cili ka vite e vite që njihet për armiqësinë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. E ka pohuar edhe vetë se ndjehet krenar si pjesëmarrës në Masakrën e Peshkëpisë ku u vranë në krye të detyrës disa djem nënash … Dhe duket sikur përcjell një ndjenjë të habitshme karshillëku ky trimi për shërbimin me devocion ndaj Greqisë dhe luftën ndaj Shqipërisë.
Ka vite të tëra që këta tipa si ky Beleri i bëjnë karshillëk vendit që i ka mbajtur në gjirin e tij. Nuk thonë kot: “Rrite këlyshin sa të bëhet qen dhe pastaj prit të të kafshojë ku e si të mundet”. Sikur të ishte vetëm një apo disa si këta lloj këlyshësh nuk do çuditej askush, sepse pyll pa derra nuk ka. Por, për fat të keq këta duket sikur shtohen vazhdimisht. Ne i kemi të freskëta skenat me një tjetër antishqiptartë kulluar, siç ishte një Bollan, i cili lehu sa mundi e nuk la gurë pa lëvizur për ta bërë Himarën greke! Ne nuk i kemi harruar thirrjet e tij atëherë kur deklaronte me të madhe: “jam grek, se jam himarjot!”. Nuk kemi harruar as incidentin e ndodhur në zgjedhjet e vitit 2007, kur tre fatkeqë shqiptarë kishin guxuar të thërrisnin në vendin e tyre “Rroftë Kryeministri i Shqipërisë”. Sepse, Bollano dhe shërbëtorët e tij donin që në një miting elektoral shqiptar, jo vetëm të valëviteshin flamuj grekë dhe të mbaheshin fjalime në greqisht, por edhe të brohoritej për Kryeministrin apo Presidentin e Greqisë e jo atë të Shqipërisë!
Përkrah këtyre nuk mungojnë as ca barinj apo druvarë që kanë zbritur nga malet e Labërisë dhe bërtasin me të madhe se Himara nuk është Shqipëri. Madje, e keqja shkon edhe më tej me tipa Çanësh, Çenësh a Qenësh që dalin edhe nëpër ekrane televizive si moderatorë, si gazetarë apo si analistë dhe bëjnë propagandë të hapur kundër vendit të tyre. Tradhtia nuk është e sotme dhe ata që janë njohur si tradhtarë e kanë marrë edhe shpërblimin për një gjë të tillë. Ajo që çudit jo pak është qëndrimi i AMA-s dhe i strukturave të shtetit shqiptar në përgjithësi që i lejon mediat e ndryshme të bëhen megafonë të antishqiptarizmit, duke provokuar nervat e banorëve të këtij vendi. Nuk dua të ngjall urrejtje, nuk dua të vë në sedër ata që besojnë se në dejet e tyre rrjedh ende gjak shqiptari. Por, skenat e shëmtuara që shohim në vazhdimësi, na bëjnë të luajmë vendit dhe t’i vëmë gishtin kokës. Kush do të kujdeset për këtë tokë? Kush do t’i dalë zot këtij vendi, që të mos shohim e dëgjojmë mynxyra të tilla si këta Belerët dhe Bollanot që lehin pa pushim për atë që i paguan e i shpërblen jo pak.
Nuk mundet që këto t’u faturohen qarqeve të caktuara greke, pa patur edhe mbështetjen zyrtare të atij shteti. Blerjet e njerëzve të veçantë me pensione e me peshqeshe të tjera, janë direkt përgjegjësi e shtetit grek. Unë bëj çudi se si pajtohet shteti shqiptar me një logjikë të tillë. Sepse Greqia nuk ka hequr dorë nga ëndrrat e vjetra për helenizimin e të ashtuquajturit Vorio-Epir, ashtu siç bëri dikur me Çamërinë. Është e habitshme se si ajo ka përfaqësuesit e saj në të gjithë jugun e Shqipërisë, të cilët lejohen të veprojnë si struktura paralele me strukturat e shtetit shqiptar. Çfarë u ka mbetur pa bërë ende për t’ia arritur qëllimit, përderisa politikanë e deputetë grekë vijnë ditën për diell dhe çorodisin mendjen e ca gjynahqarëve mu përpara kutive të votimit. Çfarë ka mbetur ende pa bërë, përderisa në krah të këtij Beler beut vjen e mban fjalime vetë Kryeministri i Greqisë?
Kjo është zemërgjerësi tepër e madhe apo është miopi e shtetit dhe shtetarëve tanë, që nuk dinë as gjërat më elementare. Ne e kemi respektuar mikun dhe e kemi hedhur edhe në qoshenë e djathtë, por kurrë nuk ja kemi lejuar vetes që ai të bëhet zot në shtëpinë tonë, qoftë ky edhe miku më i ngushtë.
Nuk ka asnjë dyshim se Greqia kërkon të bëjë helenizimin e të ashtuquajturit Vorioepir. Por ajo duhet ta dijë mirë se jo të gjithë shqiptarët mund të shiten e blihen si Bollanot apo Belerët. Greqia le të shikojë punët e shtetit të vetë, se për Shqipërinë janë vetë shqiptarët që e dinë se çfarë duhet bërë. Edhe kërkesat e vazhdueshme për ta liruar spiunin e tyre Fredi Beleri nga burgu, janë të tepërta dhe ndërhyrje në punët e brendshme të vendit tonë. Nuk është hera e parë që shteti grek vepron kështu. Ne nuk kemi harruar skandalin e varrezave të Kosinës në Përmet, kur konsullata greke ndërhyri në kompetencat e policisë dhe prokurorisë, duke pezulluar procesin hetimor. Dhe të mos harrojmë se ato zhvarrime të vdekurish ishin një skandal e turp i pashoq që lëndonte eshtrat dhe shpirtrat e atyre të ndjerëve që preheshin të qetë në tokën e tyre. Njerëz të paguar nga struktura të caktuara të shtetit grek i nxorën nga varri kockat e atyre pleqve, grave dhe fëmijëve të Kosinës, për t’i regjistruar si ushtarë grekë të rënë në luftë me italianët në vitin 1940. E pra, skandale të tilla kanë edhe frymëzimin dhe mbështetjen e njerëzve të lidhur me politikën zyrtare të shtetit fqinj.
Ish Ambasadori i Greqisë(Kokoshi) atëherë në një intervistë që dha kur filloi punën në Tiranë bëri thirrje që “të hiqet dorë nga nocionet dritëshkurtëra të E. Hoxhës”. Zoti ambasador e dinte që koha e Enverit kishte vdekur. Kur ishte gjallë ai, shqiptarët i çonin bukë popullit grek që vuante nga uria. Atëherë i vihej kufiri te thana kujtdo që guxonte të fuste hundët në punët tona e ta bënte Shqipërinë han pa porta, siç po ndodh tani. Në atë kohë nuk guxonte asnjë Bollan, asnjë Çan apo Beler që të lehte kundër vendit të shqiptarëve dhe ta quante Himarën Greqi. Ishte një kohë kur minoritarët e bënin jetën njësoj si shqiptarët, madje edhe më mirë, pasi ata nuk e njohën tollonin, siç e njohëm ne.
Popujt e dy vendeve tona kanë një histori pak a shumë të përbashkët. Ka jo pak gjëra që na bashkojnë, por janë fare pak ato që na ndajnë, përfshirë këtu edhe politikat që ndiqen për interesa të caktuara. Populli grek hapi dyert dhe zemrat për të gjithë shqiptarët që dolën tutje me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Mes një pjese të mirë të tyre janë krijuar lidhje tepër të qëndrueshme. Por, dihet që nuk ka pyll pa derra. Dhe si kudo, edhe atje ka patur e ka raste që e turpërojnë emrin e shqiptarit. Por kjo nuk i errëson marrdhëniet mes të dy popujve tanë.
I patolerueshëm është qëndrimi i politikës dhe strukturave të caktuara që ushqehen me mbeturina të së kaluarës. Dhe e keqja më e madhe vjen kur këto struktura kanë edhe miratimin dhe mbështetjen e politikës zyrtare të Greqisë.
Interesi i të dy popujve dhe vendeve tona është mirëkuptimi dhe respekti reciprok dhe minoritarët duhet të ndikojnë në forcimin e këtyre marrdhënieve, e jo të bëjnë të kundërtën. Nuk di nëse Belerët, Çanët apo Bollanët janë minoritarë apo shqiptarë të shitur. Por çfarëdo që të jenë, veprimtaria e tyre nuk i bën mirë as minoritetit grek në Shqipëri. S’është çudi që këta dhe të tjerë të ngjashëm me ta t’i gënjejë mendja, se Shqipëria tashmë s’është e zonja as për të mbajtur pantallonat e veta. Atyre duhet t’u bëhet e qartë që Shqipëria, si shtet, mund të jetë e leqendisur. Edhe shqiptarë antishqiptarë, si ata që shiten vetëm për një copë bukë, mund të ketë me shumicë. Por ata janë shumë pak, në krahasim me shqiptarët e vërtetë, të cilët nuk janë tjetërsuar dhe as nuk do të tjetërsohen kurrë, pasi nëpër deje u rrjedh gjaku i tërë patriotëve të këtij vendi që kanë shkrirë jetën dhe pasurinë e tyre për të ruajtur shqiptarizmin. Këtë duhet ta dijë mirë edhe ndonjë çoban injorant, i blerë nga pasardhësit e andartëve grekë, që thotë se “Himara do të merret me kryengritje”, edhe ndonjë tjetër, që thotë se “unë jam grek, se jam himariot”. Këtë duhet ta dijë mirë Beleri dhe tërë ata të blerët prej tij, që hanë bukën e shqiptarit dhe bëjnë duva për grekun.
