Pavarësisht nëse jemi të shtyrë nga nostalgjia për ‘ditët e mira të vjetra’, dëshira për t’u dalluar dhe për t’u rebeluar kundër tendencave të modës, ose jemi thjesht të tërhequr nga estetika retro, shumë prej nesh nuk mund t’i rezistojnë një rikthimi. Nga mënyra se si dëgjojmë muzikë, tek ato që veshim dhe si i dekorojmë shtëpitë tona, stili retro është ende një stil i preferuar.
Pra, çfarë saktësisht është ajo që i emocionon njerëzit për silin retro?
Stilet e përjetshme
Në një shoqëri që sillet rreth tendencave gjithnjë në ndryshim, është një lehtësim të zotërosh disa pjesë që e di se do t’i rezistojnë provës së kohës. Veshjet vintage dhe retro janë ndërtuar që të zgjasin. Mund të durojnë valët e ndryshimit të tendencave të modës. Pavarësisht se sa veshje sezonale ju tërheqin, xhinset tuaja klasike dhe xhaketat me kuadrata nuk do të shkojnë askund.

Krahas veshjes, edhe dekori i shtëpive po imiton stilet e vjetra amerikane dhe jo vetëm. Që nga mobilimi, ngjyrat, tek stilet e elektroshtëpiakeve duket se nostalgjia për të vjetrën mbizotëron kudo. Madje edhe në bare, pube dhe restorante. Për të mos përmendur vlerat marramendëse që kanë sot makinat retro.

Një eksperiencë nostalgjike
Nuk është vetëm bota e modës që përqafon pamjen retro; njerëzit më shpesh zgjedhin vinyl-et në vend të transmetimit të muzikës në internet, shfaqje të filmave të vjetër dhe videolojërave retro. Nga Sonic te The Smiths, çdo gjë retro po ringjallet dhe mund të jetë diçka e lidhur me të gjithë përvojën nostalgjike.
Nese do të ndalemi veç te muzika, viihet re në fakt se këngët e viteve 70-80-90 vazhdojnë të dëgjohen. Nga The Clash, The Beatles, Pink Floyd deri tek Elvis Presley, Michael Jackson e Dolly Parton, hitet mbeten në ‘playlist-et’ e të rinjve edhe sot.
Pranojeni, ka diçka të re në lidhje me nxjerrjen e një disku vinyl nga një raft i pluhurosur dhe vendosjen e saj në pllakën retro. Cilësia e zërit mund të jetë e krisur, por disi kjo i shton ambientit diçka unike. Për më tepër, ky stil dëgjimi ju inkurajon të ngadalësoni shpejtësinë dhe të dëgjoni një album të plotë në vend që të hidheni mes këngëve të përziera në Spotify. Gjatë vitit të kaluar, gjithsej 4,2 milionë albume vinyl u shitën në Mbretërinë e Bashkuar, një rritje prej 1,6 për qind krahasuar me vitin 2017.

E njejta gjë vlen edhe për kinematografinë. Filmat klasikë apo ata bardh e zi mbeten edhe sot të preferuar dhe të veshur githnjë me petkun e nostalgjisë.

Shihni p.sh. serialin më të ndjekur të momentit në Netflix, Stranger Things. I gjithë prodhimi është realizuar në atmosferën e viteve ’80, me produktet, ushqimet, skenat dhe veshjet autentike të asaj kohe, Do ju bëjë përshtypje edhe një kanaçe e thjeshtë e Coca-Colës, thjesht sepse është vintage! Pas këtij serali, njerëzit duket se kanë përqafuar stilin e veshjes frymëzuar nga personazhet, i gjithi i viteve 80-90.

Cilësi më e lartë për çmime më të ulëta
Me industrinë e modës së shpejtë, shumë blerës tani po zgjedhin ose të blejnë artikuj të përdorur, retro, ose të investojnë në pjesë me cilësi më të lartë që do të zgjasin. Kjo është një tjetër arsye pse stili retro po lulëzon. Përfitimi i veshjeve vintage dhe retro është se ato janë ndërtuar për të qëndruar, me material më të fortë dhe një stil të përjetshëm. Prandaj, ato kanë një ndotje mjedisore shumë më të vogël.
Fotografia
Nostalgjia është sigurisht një dëshirë për t’u rikthyer në një të kaluar në të cilën njeriu nuk mund të kthehet kurrë. Është nostalgjia ajo që i tërheq njerëzit drejt artikujve vintage. Edhe pse teknologjia sot ka avancuar shumë, shihet një prirje për t’u kthyer drejt fotografisë analoge dhe efekteve retro.
Fotografitë dixhitale mund t’i përgjigjen nostalgjisë sonë për kohët e kaluara duke u dukur më shumë si Polaroide të vjetra dhe printime të tjera fizike sesa si ato dixhitale. Instagrami dhe aplikacione të ndryshme e bëjnë sot pikërisht këtë, duke shtuar gërvishtje, zbehje dhe ngjyra hiper-reale fotografive për të imituar fotot që gjetëm në kutitë e këpucëve dhe albumet në shtëpitë e gjyshërve tanë. Madje fotografë të mëdhenj kanë lënë menjanë aparatet e sofistikuara dixhitale dhe shkrepin me analogë, për një eksperiencë që vetëm në kohët e kaluara mund të provohej.

Përkthyer nga DITA
j.l./ dita
