Një ndër patologjitë e shpeshta që prek lëkurën është edhe sëmundja që njihet në gjuhën mjekësore si Psoriaza. Ajo është një sëmundje me natyrë autoimune, kronike e zakonshme e lëkurës, e thonjve dhe e artikulacioneve që nuk ka një shkak të njohur, se pse ndodh. Autoritetet e shëndetit publik bëjnë me dije se kjo sëmundje mund të zhvillohet në forma të ndryshme dhe prek kryesisht të rinjtë e moshave nga 15 deri në 35 vjeç. Në kuadër të Ditës Botërore të Psoriazës (29 tetor), autoritetet e shëndetit publik bëjnë thirrje që të mos neglizhohen shenjat e kësaj sëmundjeje dhe të kërkohet ndihma e duhur mjekësore, me qëllim për të reduktuar dhe lehtësuar dhimbjet dhe parehatinë që shkakton kjo sëmundje.
Ekzistojnë disa lloje të psoriazës më e zakonshmja prej të cilave është psoriaza pllakë. Ajo shkakton njolla të kuqe në lëkurë trashje të saj e shoqëruar me luspa të argjendta, që zakonisht gjenden në bërryla, gjunjë dhe skalp.
Psoriaza shkakton kruajtje dhe acarim, mund të jetë dhe e dhimbshme. Nuk ka ende një kurë për psoriazën, por trajtimi mund të lehtësojë simptomat. Çdokujt mund t’i shfaqet psoriaza, pavarësisht nga mosha. Kjo sëmundje ka më shumë gjasa të shfaqet midis moshës 15-35 vjeç. Si tek meshkujt, ashtu dhe tek femrat ajo zhvillohet me të njëjtin ritëm. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Psoriazës (IFPA), gati 3 për qind e popullsisë së botës ka një formë të psoriazës (mbi 125 milionë njerëz). Organizata Botërore e Shëndetësisë vuri në dukje në vitin 2016, se prevalenca e raportuar e psoriazës në mbarë botën varion midis 0.09 për qind dhe 11.43 për qind, duke e bërë psoriazën një problem serioz global. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo prek rreth 7.4 milionë njerëz. Shkencëtarët ende nuk e dinë, se çfarë saktësisht e shkakton psoriazën, ndërkohë dimë se sistemi imunitar dhe gjenetika luajnë role të mëdha në zhvillimin e saj.
Simptomat dalluese
Psoriaza zakonisht shkakton njolla të lëkurës së trashë dhe të kuqe me luspa të argjendta që kruhen, ose ndjejnë dhimbje. Psoriaza mund të shfaqet kudo: në qepalla, veshë, gojë, buzë, duar, këmbë, thonj. Në raste të lehta, mund të shkaktojë njolla të lëkurës së thatë dhe kruarje të skalpit të kokës.
Në raste të rënda, mund të përparojë duke mbuluar zona të mëdha të trupit dhe të shkaktojë një sërë simptomash të pakëndshme. Prej psoriazës, lëkura e kuqe dhe e ashpër merr pamjen e luspave të argjendta. Lëkura gjithashtu mund të jetë e thatë dhe e plasaritur, gjë që mund të çojë në rrjedhje gjaku. Thonjtë e duarve dhe këmbëve mund të bëhen të trashë dhe me gropa.
Forma më e shpeshtë e zhvillimit të sëmundjes
Psoriaza në formën e pllakës është lloji më i zakonshëm i psoriazës dhe mund të shoqërohet me kruajtje dhe dhimbje. Ajo përbën 80 për qind deri në 90 për qind të rasteve dhe shkakton lezione të kuqe të lëkurës si dhe luspa argjendi që mund të gjenden kudo në trup. Edhe pse të rralla, këto mund të shfaqen edhe në brendësi të gojës, ose në organet gjenitale.
Faktorët që ndikojnë
Shkaku i saktë i psoriazës nuk dihet. Hulumtimet sugjerojnë, se psoriaza mund të jetë një sëmundje autoimmune, megjithëse ende nuk është përcaktuar asnjë autoantigjen që mund të jetë përgjegjës. Asnjë lloj psoriaze nuk është ngjitëse. Ju nuk mund ta merrni psoriazën nga dikush që e ka atë.
Faktorët e rrezikut
Shumë njerëz me psoriazë kanë një histori familjare të sëmundjes. Sipas Fondacionit Kombëtar të Psoriazës, ju keni 10 për qind më shumë gjasa për të patur psoriazë, nëse një nga prindërit tuaj e ka atë. Rreziku juaj është edhe më i lartë deri në 50 për qind, nëse të dy prindërit tuaj e kanë atë. Duhanpirësit kanë një rrezik më të lartë të psoriazës. Pirja e duhanit mund ta përkeqësojë atë. Obeziteti është shoqëruar edhe me psoriazë. Pyetja që shpesh shtohet në këtë drejtim është: A shkakton psoriaza obezitet, apo obeziteti rrit rrezikun për psoriazë?
Trajtimi i Psoriazës
Aktualisht nuk ka një kurë specifike për trajtimin e psoriazës. Por, trajtimi mund të ngadalësojë rritjen e qelizave të lëkurës dhe të lehtësojë dhimbjen, kruajtjen dhe parehatshmërinë. Flisni me mjekun tuaj, nëse keni psoriazë, drejtohuni mjekut tuaj. Ata mund t’ju ndihmojnë të gjeni një plan trajtimi që do të funksionojë për ju.
