Mbani rezerva uji, ushqime të konservuara, elektrikë dore, bateri, batanije dhe ilaçe. Ky është mesazhi që qeveritë e disa vendeve europiane po u përcjellin qytetarëve, ndërsa shqetësimet për sulme të mundshme kibernetike, terroriste apo ushtarake po nxisin hartimin e planeve të reja të emergjencës, shkruan Corriere.
Shumë njerëz po e interpretojnë si një 72-orësh pa energji elektrike dhe blackout total, duke nisur kështu të marrin masa përgatitore.
Prej muajsh, një pjesë e konsiderueshme e Europës po përgatitet për situata që mund të ndërpresin furnizimet, komunikimet dhe shërbimet bazë. Rasti më i fundit vjen nga Mbretëria e Bashkuar, ku qeveria u ka bërë thirrje familjeve të mendojnë se si do të vepronin përballë një krize të papritur.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, ministri britanik ngriti disa pyetje konkrete: A janë familjet të përgatitura për pasojat e sulmeve kibernetike ose terroriste kundër kompanive? A mund të përballojnë ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit si pasojë e veprimeve të shteteve armiqësore apo grupeve terroriste? Çfarë do të ndodhte nëse sistemet elektronike të pagesave në supermarkete do të dilnin jashtë funksionit?
Mesazhi përfundimtar ishte i qartë: qytetarët duhet të jenë të përgatitur.
Nisma britanike nuk është e izoluar. Në mars të vitit 2025, Komisioni Europian prezantoi Strategjinë e Bashkimit për Gatishmërinë, një plan që synon të forcojë aftësinë e vendeve anëtare për t’u përballur me kriza të mëdha.
Komisionerja europiane e KE për Barazinë, Gatishmërinë dhe Menaxhimin e Krizave, belgia Hadja Lahbib, e shpjegoi këtë nismë përmes një videoje në rrjetet sociale. Duke përdorur një format të njohur të influencuesve, ajo tregoi përmbajtjen e çantës së saj të emergjencës, e cila duhet t’i mundësojë një personi të përballojë 72 orët e para të një krize.
Në çantë kishte dokumente identifikimi të mbrojtura nga uji, çakmak, shkrepëse, elektrik dore, thikë shumëfunksionale, karikues telefoni, ujë, ushqime të konservuara, ilaçe, radio dhe para në dorë. Lahbib përfshiu edhe një palë letra për të kaluar kohën gjatë një situate të vështirë.
Komisionerja synonte të përcillte një mesazh serioz me një dozë humori, por videoja shkaktoi më shumë kritika sesa mbështetje, veçanërisht në rrjetet sociale. Megjithatë, ajo e përsëriti thirrjen për përgatitje edhe pak ditë më parë.
Në fakt, debati mbi masat e emergjencës kishte nisur prej kohësh të ndante vendet europiane.
Suedia ishte ndër të parat që ndërmori hapa konkretë. Më 18 nëntor 2024, qeveria suedeze shpërndau në rreth pesë milionë familje broshurën me titull “Në rast lufte ose krize”. Dokumenti përmbante udhëzime praktike për rezervat ushqimore, furnizimet dhe sjelljen e qytetarëve gjatë emergjencave, por përcillte edhe një mesazh politik: Suedia nuk do të dorëzohet kurrë.
Finlanda ka forcuar përgatitjen e popullsisë për situata emergjente, ndërsa Norvegjia ka zhvilluar struktura vendore të reagimit ndaj krizave dhe masa për mbrojtjen civile.
Gjermania po punon për zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës së mbrojtjes civile, përfshirë strehimet që mund të përdoren gjatë sulmeve ose emergjencave të mëdha.
Në Poloni, Ministria e Mbrojtjes ka nisur programin e trajnimit vullnetar “Gjithmonë gati”, me synimin për të përgatitur rreth 400 mijë qytetarë. Programi përfshin mësime gjatë fundjavave mbi mbrojtjen civile dhe reagimin në situata krize.
Nisma të ngjashme po zbatohen prej kohësh edhe në Lituani, Estoni dhe Letoni, vende që e konsiderojnë sigurinë kombëtare dhe përgatitjen e popullsisë si përparësi të politikave shtetërore.
Ndërkohë, në vende të tjera europiane, këto masa vazhdojnë të shihen me skepticizëm. Kritikët i konsiderojnë disa prej paralajmërimeve të tepruara dhe shqetësuese për opinionin publik.
Por pas këtij debati qëndron një çështje më e thellë: mënyra se si Europa e vlerëson kërcënimin që vjen nga Rusia dhe presidenti Vladimir Putin.
Vendet e krahut verilindor të kontinentit, nga Suedia dhe Finlanda te shtetet baltike, Polonia dhe Rumania, e konsiderojnë mundësinë e një përshkallëzimi të konfliktit me Moskën si një rrezik që kërkon përgatitje të menjëhershme.
Për këto vende, përballja me Rusinë nuk kufizohet vetëm te mundësia e një sulmi tradicional ushtarak. Ato e shohin veten tashmë të ekspozuara ndaj një konflikti hibrid, ku përfshihen sulmet kibernetike, dezinformimi, sabotimet dhe provokimet.
Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe së fundmi Gjermania po i afrohen gjithnjë e më shumë kësaj qasjeje.
Më 28 tetor, ambasadori britanik në Moskë, Nigel Casey, publikoi në rrjetet sociale një video ku paralajmëronte për nivelin e armiqësisë së Rusisë ndaj vendit të tij.
Sipas diplomatit, Moska e konsideron Mbretërinë e Bashkuar armikun e saj kryesor dhe ndërmerr vazhdimisht veprime që dëshmojnë këtë qëndrim.
Në anën tjetër, në një pjesë të Europës Perëndimore dhe Jugore, veçanërisht në Francë, Spanjë, Itali dhe Portugali, mbizotëron një vlerësim më pak alarmues. Sipas kësaj qasjeje, arritja e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë mund të ulë ndjeshëm rrezikun e një përballjeje të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe vendeve të tjera europiane.
Çfarë thotë një ekspert
Eksperti i tregjeve dhe politikave energjetike, Anduel Cekrezi, sqaron se pas këtij pretendimi nuk qëndron ndonjë plan për fikjen e rrjetit elektrik global. Testimet e sistemeve të alarmit emergjent në SHBA, përfshirë paralajmërimet në telefonat celularë, nuk kanë lidhje me ndërprerjen e energjisë elektrike.
Edhe rekomandimi për të pasur rezerva ushqimore, ujë dhe bateri për 72 orë është pjesë e këshillave të përgatitjes për emergjenca, jo një paralajmërim për një blackout të paralajmëruar.
Por a mund të ndodhë realisht një ndërprerje masive e energjisë? Blackout-et në Gadishullin Iberik dhe në rajonin e Ballkanit kanë treguar se edhe sistemet e zhvilluara energjetike mund të përballen me defekte serioze. Megjithatë, rrjetet elektrike kanë mekanizma mbrojtës që synojnë të kufizojnë përhapjen e avarive.
Një tjetër kërcënim që po merr gjithnjë e më shumë vëmendje janë sulmet kibernetike: a mundet një grup hakerash të paralizojë një central elektrik nga distanca? Sa të mbrojtura janë infrastruktura dhe sistemet energjetike shqiptare? Dhe mbi të gjitha, a ekziston vërtet një buton që mund të fikë të gjithë botën? Anduel Cekrezi ndan faktet nga teoritë që po ushqejnë panikun.
j.l./ dita
