Stafet akademike dhe ato ndihmës-akademike nuk do të mund të bëjnë pushimet nëse më parë nuk kanë shlyer një sërë detyrimesh. Tashmë janë përcaktuar detyrimet që duhet të përmbushin të gjithë pedagogët dhe punonjësit e tjerë që japin mësim në fakultetet e Universitetit të Tiranës, për të marrë pushimet e këtij viti akademik, i cili është drejt fundit.
Nëpërmjet një urdhri të hartuar dy ditë më parë, Rektorati i Universitetit të Tiranës ka udhëzuar të gjitha fakultetet që janë pjesë e kësaj strukture universitare me detyrimet që pedagogët duhet të kenë shlyer para nisjes së lejes vjetore të paguar për vitin 2022, teksa është përcaktuar edhe kohën e rikthimit në punës para nisjes së vitit të ri akademik.
Sipas urdhrit, personeli akademik që është i punësuar me kohë të plotë në të gjitha njësitë e arsimit të lartë që janë pjesë e Universitetit të Tiranës, do të mund të fillojnë lejen vjetore të paguar për këtë vit, vetëm pas plotësimit të detyrimeve të tilla, siç janë: zhvillimi i provimeve, plotësimi i procesverbaleve dhe evidencave, e ngarkesave mësimore, si dhe plotësimin e çdo dokumentacioni tjetër të detyrueshëm për t’u dorëzuar në strukturat përkatëse. Pedagogët duhet të kenë shlyer edhe çdo detyrim tjetër që mund të kenë me njësinë përkatëse të fakultetit apo njësisë ku janë të punësuar me kohë të plotë.
Sa i takon rikthimit në punë, urdhri konfirmon se pedagogët e të gjitha kategorive do të duhet që të rikthehen në punë në datën 29 gusht. Ndërkohë që për ditët e mbetura nga leja vjetore të cilat nuk janë kryer deri në ditën e rikthimit në punë, bëhet e ditur se ato do të mund të merren edhe gjatë vitit të ri akademik. “Ditët e mbetura nga leja vjetore e paguar për vitin 2022 do të merren (jepen) sipas rastit, pas përfundimit të semestrit të parë, të vitit akademik 2022-2023”, detajohet në urdhrin e firmosur nga Rektori i UT-së, Artan Hoxha, mbi lejen vjetore të punonjësve akademikë me kohë të plotë dhe atyre ndihmës-akademik të kontraktuar nga Universiteti i Tiranës.
Ndërsa për personelin ndihmës-akademik pushimet do të mund të kryhen vetëm me rotacion, kjo pasi këto struktura do të jenë në punë edhe gjatë muajve të verës. Kështu, fakulteteve u është kërkuar që të hartojnë një kalendar të lejeve vjetore për personelin ndihmës-akademik, duke pasur parasysh edhe faktin se çdo strukturë do të vazhdojë punën rregullisht edhe përgjatë muajve të verës. Një kopje e këtij kalendari duhet që të përcillet në rektoratin e Universitetit të Tiranës.
Personeli i strukturave të arsimit të lartë
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë në vend, personeli i institucioneve të arsimit të lartë përbëhet nga personeli akademik, personeli ndihmës-akademik dhe personeli administrativ. Personeli i institucioneve të arsimit të lartë mund të jetë i punësuar me kontratë, me kohëzgjatje të pacaktuar ose të caktuar, si edhe me angazhim me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme. Të drejtat dhe detyrimet e personelit të institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen në statutet dhe aktet e brendshme të tyre, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë, sipas rolit dhe veprimtarisë që kryen, kategorizohet në Profesorë, Lektorë, Asistent-lektorë. Në kategorinë “Profesorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik, titullarë të lëndëve ose moduleve dhe udhëheqës të veprimtarisë kërkimore-shkencore. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie mbajnë titujt akademikë “Profesor” ose “Profesor i asociuar”. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar. Më tej në kategorinë “Lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik, që zhvillojnë veprimtari mësimore dhe kërkimore-shkencore. Kjo kategori përfshin anëtarët e personelit akademik që mbajnë gradën shkencore “Doktor”, kanë së paku tre vite eksperiencë në mësimdhënie para ose pas fitimit të kësaj grade dhe përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Personeli i kësaj kategorie punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar.
Ndërsa në kategorinë “Asistent-lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-kërkimore. Asistent-lektorët duhet të kenë së paku diplomën “Master i shkencave” dhe të përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Asistent-lektori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të caktuar.
Personeli akademik, që angazhohet në mësimdhënie, duhet të ketë së paku kualifikim të ciklit pasardhës. Në kolegjet profesionale të larta, personeli akademik duhet të ketë fituar së paku diplomën “Master profesional”. Ngarkesa e plotë mësimore për personelin akademik në institucionet publike të arsimit të lartë përcaktohet nga institucioni, në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin. Në institucionet jopublike ngarkesa minimale përcaktohet nga vetë institucioni.
Personeli akademik i kategorisë “Lektor” dhe “Profesor”, me miratim të njësisë bazë ku zhvillon veprimtarinë akademike, ka të drejtë të shkëputet nga angazhimet e institucionit, një herë në shtatë vjet, për periudha kohe deri në një vit, për të punuar për përparimin e tij akademik. Mënyra e rregullimit të marrëdhënieve juridike ndërmjet palëve për këtë periudhë përcaktohet në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
Kriteret e punësimit të personelit akademik me kohë të plotë përcaktohen nga njësia bazë, bazuar në nevojat e kësaj të fundit, dhe miratohen nga rektori. Konkursi në institucionet publike të arsimit të lartë drejtohet nga një komision ad-hoc, i përbërë në shumicë nga përfaqësues të njësisë bazë përkatëse. Rregullat dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit adhoc, si edhe të përzgjedhjes së personelit akademik caktohen në statutin e institucionit të arsimit të lartë përkatës.
Personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në një institucion të arsimit të lartë nuk mund të punësohet si personel akademik me kohë të plotë në një institucion tjetër të arsimit të lartë, brenda dhe jashtë vendit. Ai mund të angazhohet me kohë të pjesshme vetëm në një institucion tjetër të arsimit të lartë, me miratimin e drejtuesit të njësisë bazë dhe të rektorit, si dhe në marrëveshje mes institucioneve. Pjesëmarrja e personelit akademik në projekte, konsulenca, botime dhe shërbime që realizohen në institucionin e arsimit të lartë, ku ai është i punësuar me kohë të plotë, nuk konsiderohet si dypunësim brenda institucionit.
Kohëzgjatja e punësimit të personelit akademik
- Personeli akademik, që mban titullin “Profesor”, shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, me përjashtim të rastit kur, me kërkesën e tij, largohet nga detyra. Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
- Personeli akademik, që mban titullin “Profesor i asociuar”, shërben në detyrë deri në moshën 65 vjeç. Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
- Personeli akademik i kategorisë “Profesor” mund të shkëputet përkohësisht nga institucioni i arsimit të lartë, për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh, për t’u angazhuar në detyra të rëndësishme shtetërore dhe politike. Për periudhën e shkëputjes mund të zëvendësohet nga personel akademik i punësuar me kontratë me afat të caktuar. Pas përfundimit të detyrës, me kërkesë të tij, anëtari i personelit akademik rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend të barasvlershëm.
Personeli ndihmës-akademik
- Personeli ndihmës-akademik ndahet në personel ndihmës-akademik me karakter mësimor dhe ndihmës-akademik me karakter administrativ.
- Personeli ndihmës-akademik me karakter mësimor ndihmon në realizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të mësimdhënies dhe/ose të kërkimit shkencor. Ai është pjesë e njësisë bazë dhe shërben për mbështetjen e veprimtarive të kësaj të fundit. Në këtë kategori futen laborantët dhe teknikët, si dhe personel tjetër, sipas përcaktimeve të bëra në aktet e brendshme të institucionit.
- Personeli ndihmës-akademik me karakter administrativ ndihmon në realizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të mësimdhënies ose të kërkimit shkencor dhe të zhvillimit të institucionit të arsimit të lartë në nivel njësie bazë, njësie kryesore ose në nivel institucional. Në këtë kategori bëjnë pjesë personeli i përcaktuar në aktet e brendshme të institucionit.
- Kriteret e punësimit të personelit ndihmës-akademik, me kohë të plotë, propozohen nga njësia së cilës ky personel i shërben, bazuar në nevojat e kësaj të fundit. Konkursi në institucionet e arsimit të lartë drejtohet nga një komision ad-hoc, i përbërë në shumicë nga përfaqësues të njësisë përkatëse. Rregullat dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit ad-hoc, si edhe të përzgjedhjes së personelit ndihmës-akademik caktohen në aktet e brendshme të institucionit të arsimit të lartë.
Personeli administrativ
- Kategoritë e personelit administrativ dhe nivelet e pagave miratohen nga Bordi i Administrimit të institucionit të arsimit të lartë, sipas legjislacionit në fuqi. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në statutin dhe rregulloret e tyre procedurat e vlerësimit të punës së personelit administrativ, politikat e motivimit, shpërblimit, zhvillimit e trajnimit të tij, si edhe procedurat për masat disiplinore.
- Punësimi i personelit administrativ në institucionet publike të arsimit të lartë bëhet me konkurs publik. Kriteret e punësimit përcaktohen në statutet dhe rregulloret e brendshme të institucioneve.