Shënim redaksional
New Left Review është një revistë dymujore me reputacion të madh ndërkombëtar dhe që botohet prej viteve 1960. Revista prej fillimit të saj mbledh rreth vetes mendimtarë dhe teoricienë politikë të lidhur me të Majtën e Re britanike e cila tenton të adresojë problemet strukturore të zhvillimeve globale por edhe të vetë teorive të majta.
Disa nga emrat më të ndërlidhur me revistën janë Stuart Hall, Perry Anderson, Nancy Fraser etj.
Rashid Khalidi është profesor emeritus i Studimeve Moderne Arabe në Universitetin e Kolumbias dhe ish-drejtues i katedrës Edward Said në të njëjtin universitet. Ka qenë kryeredaktor i Revistës Studime Palestineze dhe President i Shoqatës së Studimeve të Lindjes së Mesme.
Po ashtu, ka shërbyer si këshilltar i delegacionit palestinez në Madrid dhe Uashington në negociatat për paqe arabo-izraelite nga tetori i vitit 1991 deri në Qershor 1993.
Ndër shumë botime të tij, ka shkruar librin The Hundred Years’ War on Palestine: A History of Settler Colonialism and Resistance, 1917- 2017 (2020).
Intervista e mëposhtme përshkruan gjithë historinë moderne të Palestinës dhe të asaj të ndërlidhur me të nga fundi i shekullit të XIX deri në ditët e sotme. Temat prekin lindjen e sionizmit, qeverisjen britanike të kolonive dhe trashëgiminë e saj në lindjen e shtetit të Izraelit, mënyrën e tij të qeverisjes, implikimet e luftërave antikoloniale, dinamikat e brendshme të lëvizjes palestineze për çlirim dhe marrëdhënien e saj me lëvizje në vendet e tjera arabe, historinë e negociatave për përfundimin e konfliktit dhe përpjekjen e Izraelit vitin e fundit – të cilësuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si përpjekje që, sipas të gjitha gjasave, përbën gjenocid ndaj popullit palestinez – për çlirimin e pengjeve të marrë nga Hamasi pas sulmit të 7 Tetorit 2023 dhe për zhdukjen e këtyre të fundit.
– Le të fillojmë me të tashmen, jo vetëm në kuptimin e tmerreve që po shkaktohen ndaj Palestinës tani, por të tashmen si pjesë e të kaluarës ende-të-gjallë të Palestinës. Shtypja brutale anglo-sioniste e Revoltës së Madhe Arabe të viteve 1936-39 u pasua nga Nakba1 e vitit 1948, Lufta Gjashtëditore në vitin 1967, rrethimi i Bejrutit në vitin 1982, i udhëhequr nga Ariel Sharon dhe masakrat në Sabra dhe Shatila, dy Intifadat dhe terrori i vazhdueshëm i lëshuar nga Izraeli që atëherë. Megjithatë, gjenocidi pas 7 Tetorit duket se ka pasur një ndikim më të madh global se ndonjëri prej këtyre.
Po, diçka është lëkundur globalisht. Nuk jam i sigurt pse këto episode historike nuk e patën efektin e ndryshimit të plotë të narrativës – në veçanti narrativës popullore. Nuk dua të spekuloj për gjëra si mediat sociale. Por ky ka qenë gjenocidi i parë që një brez dëshmon në kohë reale, në pajisjet e tyre. A ishte ky i pari [gjenocid] i kohëve të fundit në të cilin ShBA-ja, Britania dhe fuqitë perëndimore qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, ndryshe nga të tjerët, si në Sudan apo Mianmar? A ishin përpjekjet e përkrahësve pro-palestinezë, gjatë një brezi ose më shumë, ato që gatitën njerëzit për këtë? Nuk e di. Por ju keni të drejtë që, si rezultat i tmerrit që është shkaktuar mbi Gazën për tetë muaj të pandërprerë dhe që ende po shkaktohet tani, ka ndodhur diçka e re. Zhvendosja e tre të katërtave të një milion njerëzve në vitin 1948 nuk prodhoi të njëjtën bujë. Revolta Arabe e viteve 1936-39 është pothuajse tërësisht e harruar. Asnjë prej këtyre ngjarjeve të mëparshme nuk pati efekt të tillë.
Revolta Arabe gjithmonë më ka mahnitur si një nga episodet madhore të luftës antikoloniale, e cila ka marrë shumë më pak vëmendje se ç’meriton. Filloi si një grevë [e përgjithshme], u bë një seri grevash, pastaj u shndërrua në një kryengritje të madhe kombëtare që mbajti forcat britanike të ngërthyera për më shumë se tre vjet. A mund të na japësh një shpjegim të origjinës, zhvillimit dhe pasojave të saj?
Revolta Arabe ishte në thelb një kryengritje popullore, në një shkallë masive. Udhëheqësit tradicionalë palestinezë u kapën në befasi, ashtu si Arafati dhe udhëheqja e OÇP-së [Organizata për Çlirimin e
1 Shënim red. Nakba (arabisht: اﻟﻧﻛﺑﺔ, që do të thotë “Katastrofa”) i referohet ngjarjeve të vitit 1948. Me përfundimin e mandatit britanik mbi Palestinën në 14 maj 1948, forcat sioniste shpallën shtetin e Izraelit dhe po ashtu nisi lufta Izraelito-Arabe. Si pasojë e politikave të dhunshme dhe zbuese të Izraelit të paktën 750.000 palestinezë u shpërngulën me dhunë nga shtëpitë dhe vendbanimet e tyre. Forcat izraelite morën në kontroll 78% të territorit, teksa pjesa e mbetur u nda midis Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor. Palestina ka qenë pjesë e territoreve të Perandorisë Osmane deri sa u mor në kontroll nga Britania e madhe në fundin e Luftës së Parë Botërore. Lidhja e Kombeve vendosi që Britania të kishte mandatin mbi të deri sa popullsia vendase të cilësohej si e zonja për të themeluar një shtet të pavarur. Mirëpo, mandati britanik kishte një vizion izraelit për territorin, të koordinuar me fuqitë e mëdha të kohës dhe ato rajonale, pavarësisht se hebrenjtë përbënin më pak se 10% të popullsisë vendase. “Deklarata e Balfurit” e ilustron këtë vizion. Në një letër të 2 nëntorit 1917, sekretari për marrëdhënie me jashtë i Britanisë, Arthur James Balfour, i zotohet L. W. Rothschild-it, nga figurat kryesore të komunitetit anglo-hebre, për mbështetjen e themelimit të një shteti amë për popullin hebraik në Palestinë. Përgjatë mandatit të saj, Britania e ka mbështetur dhe lehtësuar migrimin e hebrenjve europianë drejt Palestinës. Si pasojë e kësaj mbështetjeje, popullsia hebraike u rrit rreth 10-fish duke arritur rreth 700 mijë hebrenj në vitin 1948 dhe po ashtu u intensifikuan edhe përplasjet dhe konfliktet me popullsinë palestineze vendase. Në shkurt 1947, Britania kishte deklaruar se do ta përfundonte mandatin e saj mbi Palestinën. Në nëntor, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kaloi rezolutën e Ndarjes së Palestinës në dy shtete, një hebre (55% e territorit) dhe një arab (45% e territorit), me Jerusalemin nën administrim ndërkombëtar. Vendet arabe nuk e pranuan planin, ndërsa forcat paramilitare hebreje filluan sulmet ndaj vendbanimeve palestineze duke dëbuar me mijëra deri në nisjen e një lufte të plotë në vitin 1948 mes forcave izraelite dhe atyre arabe, pas përfundimit të mandatit britanik. Që prej asaj periudhe, palestinezët e dëbuar janë shndërruar në refugjatë të cilët e kanë të pamundur të kthehen në shtëpitë e tyre nga politikat e Izraelit që e pamundësojnë një gjë të tillë, edhe pse e drejta e rikthimit njihet nga ligjet ndërkombëtare. Kjo ngjarje shënohet çdo 15 maj nga palestinezët në të gjithë botën, teksa tashmë përfaqësojnë problemin më të gjatë të pazgjidhur të refugjatëve në botë.
Palestinës] u befasuan nga Intifada e Parë2 në vitin 1987. Të dyja kryengritjet u shkaktuan nga incidente të vogla; në rastin e Revoltës Arabe, qe vdekja në betejë e Sheik ‘Iz al-Din al-Qassam-it në nëntor të vitit 1935, i vrarë nga forcat britanike. I lindur në vitin 1882 në Jableh, në bregdetin sirian, al-Qassam ishte dijetar fetar, i trajnuar në Al-Azhar dhe militant anti-imperialist, që luftoi kundër të gjitha fuqive perëndimore në rajon, duke filluar me italianët në Libi në vitin 1911, pastaj me forcat e mandatit francez në Siri në vitet 1919–20. Përfundoi në Palestinën e Mandatit britanik, ku jetoi dhe punoi kryesisht mes fshatarëve dhe të varfërve urbanë. Vrasja e al-Qassam-it pati një amplitudë shumë të madhe, saqë brenda pak muajsh ndihmoi në shpërthimin e grevës më të gjatë të përgjithshme në historinë koloniale të periudhës midis dy luftërave. Përshkrimi më i mirë i kësaj është bërë nga Ghassan Kanafani, shkrimtari i madh palestinez, i vrarë nga izraelitët në vitin 1972; ky do të bëhej kapitulli i parë i veprës së tij mbi historinë e përpjekjes palestineze, e papërfunduar në momentin e vdekjes së tij.3
Analiza e Kanafanit mbetet e vlefshme edhe sot. Ndër të tjera, ai nënvizoi ndikimin ekonomik mbi klasat popullore për shkak të rritjes së migrimit hebre në Palestinë në vitet 1930, pasi Hitleri erdhi në pushtet; shpunësimin e punëtorëve arabë nga fabrikat dhe kantieret, në përputhje me politikën e Ben-Gurionit4 për “Punë vetëm për hebrenjtë”; dëbimin e 20 mijë familjeve fshatare nga fushat dhe pemishtet e tyre, të shitura kolonëve sionistë nga pronarë të papranishëm; rritjen e varfërisë. Këto soj revoltash popullore shpërthejnë kur njerëzit arrijnë në një pikë ku thjesht nuk mund të vazhdojnë më si më parë dhe, në këtë rast, zemërimi shoqëror u kombinua me ndjenja të fuqishme kombëtare dhe fetare. Palestinezët u ngritën kundër fuqisë së plotë të Perandorisë britanike – e cila, në një shekull e gjysmë, nuk qe detyruar të jepte pavarësi për asnjë koloni, përveç Irlandës në vitin 1921. Revolta Arabe u shtyp nga ajo që ende ishte perandoria më e fuqishme në botë, por palestinezët luftuan për më shumë se tre vjet, me ndoshta një të gjashtën e popullsisë së rritur mashkullore të vrarë, të plagosur, në burg ose në mërgim. Në analet e periudhës midis dy luftërave, kjo ishte një përpjekje e paprecedentë për të përmbysur sundimin kolonial. Ajo u shtyp vetëm pas dislokimit të 100 mijë trupave dhe forcës ajrore të Britanisë, RAF. Kjo është një faqe e harruar në historinë palestineze.
A nuk çoi kjo disfatë gjithashtu në një demoralizim brenda masave palestineze, asisoj që kur filloi tamam Nakba në 1947-n, ata ende nuk ishin mëkëmbur nga terrori i viteve 1936–39?
Disfata e Revoltës Arabe krijoi një trashëgimi të rëndë që preku popullin palestinez për dekada. Siç shkruan Kanafani, Nakba, “kapitulli i dytë i disfatës palestineze” – nga fundi i vitit 1947 deri në mesin e vitit 1948 – ishte jashtëzakonisht e shkurtër, sepse ishte vetëm përfundimi i këtij kapitulli të gjatë dhe të përgjakshëm që kishte zgjatur nga prilli i vitit 1936 deri në shtatorin e vitit 1939.5 Ajo që bënë britanikët
2 Shënim red. Intifada (arabisht: اﻻﻧﺗﻔﺎﺿﺔ, që do të thotë “kryengritje”) i referohet dy kryengritjeve të popullit palestinez kundër pushtimit izraelit: e para (1987–1993) dhe e dyta (2000–2005). Intifada I (1987-1993) nisi si mosbindje civile paqësore dhe u përshkallëzua në sulme të armatosura si pasojë e përgjigjes brutale të forcave izraelite duke shkaktuar rreth 2 mijë vdekje me raportin palestinezë-izraelitë 3 me 1. Kryengritja përfundoi duke hapur rrugën për marrëveshjen e Oslos dhe negociatat për paqe midis OÇP-së dhe Izraelit përgjatë viteve ’90. Si pasojë e dështimit të negociatave për paqe dhe avancimit të Izraelit në territoret palestineze filloi Intifada II (2000-2005) e cila ishte më e dhunshme se e para duke përfunduar me vdekjen e 4 mijë e 300 personave në raportin palestinezë-izraelitë 3 me 1.
3 Ghassan Kanafani, The Revolution of 1936–1939 in Palestine: Background Detailsand Analysis, Nju Jork 2023 [1972].
4 Shënim red. David Ben-Gurion (1886) ishte kryeministri i parë i shtetit të Izraelit dhe konsiderohet si babai i kombit izraelit.
5 Kanafani, The Revolution of 1936–1939 in Palestine, f. 60.
U kopjua më vonë në pothuajse çdo imtësi nga udhëheqësit sionistë, që nga Ben-Gurioni e këtej. Qoftë për këtë arsye, ia vlen të kujtojmë koston për shoqërinë palestineze. Të paktën dy mijë shtëpi u hodhën në erë, të mbjellat u shkatërruan, mbi njëqind rebelë u ekzekutuan për posedim armësh. E gjithë kjo u shoqërua me shtetrrethim, burgim pa gjyq, ekzil të brendshëm, torturë dhe praktika si lidhja e fshatarëve përpara lokomotivave të avullit, si mburojë ndaj sulmeve nga luftëtarët e lirisë. Në një popullsi arabe prej rreth një milionë banorësh, 5 mijë u vranë, mbi 10 mijë u plagosën dhe mbi 5 mijë të burgosur politikë u lanë të kalben syrgjyn në burgje koloniale.
Gjatë shtypjes së Revoltës Arabe, britanikët u dhanë forcave sioniste që punonin me ta një trajnim të vlefshëm antikryengritës.
Po. Sionistëve u mësuan çdo teknikë të fshehtë koloniale nga ekspertët e antikryengritjes, si Orde Wingate dhe specialistë të tjerë në tortura dhe vrasje. Britanikët importuan veteranë nga India, si Charles Tegart, Shefi famëkeq i Policisë në Kalkutë, i cili ishte subjekt i gjashtë tentativave për vrasje nga nacionalistët indianë. Të njëjtat fortesa dhe kampe burgimi të ndërtuara nga Tegart janë ende në përdorim nga Izraeli sot. Ata sollën njerëz nga Irlanda dhe vende të tjera të Perandorisë, si Sudani, ku zuri fill karriera Wingate dhe ku kushëriri i babait të tij, Reginald Wingate, kishte qenë guvernator i përgjithshëm dhe më parë një oficer inteligjence.
Orde Wingate, një emër i harruar prej kohësh. Dyshoj nëse shumë lexues madje kanë dëgjuar për këtë figurë të çmendur, për të cilin Montgomery tha se gjëja më e mirë që bëri ishte që ndodhej në aksidentin e avionit që e vrau në Burma në vitin 1944. Kush ishte ai dhe a kishte ndonjë lidhje të veçantë me forcat sioniste? Më kujtohet vagullt një serial televiziv i BBC-së për të në vitin 1976, ku ai paraqitej si hero.
Ai ishte një vrasës gjakftohtë kolonial, që përfundoi si gjeneral major, i cili përçmohej nga shumë njerëz të vetë radhëve të tij, siç sugjeron komenti i Montgomery-t; Montgomery gjithashtu e përshkroi Wingate-in si “mendërisht të paqëndrueshëm”. Churchill, që nuk i mungonte asnjëherë shkathtësia për të shkaktuar vuajtje mbi popullsitë nën sundim, e quajti Wingate-in “tepër të marrë për të udhëhequr”. Wingate lindi në Indinë britanike, në një familje të devotshme të Vëllezërve Plymouth. Një fundamentalist i krishterë dhe literalist biblik, ai promovonte versionin e Dhiatës së Vjetër për shëlbimin hebraik. Ai mbërriti në Palestinë si kapiten i inteligjencës ushtarake, pikërisht kur po fillonte kryengritja e vitit 1936. Dinte arabisht, mësoi hebraisht dhe u bë një figurë kyçe në stërvitjen e luftëtarëve të Haganah-ut si “Skuadra të veçanta të natës” – me fjalë të tjera, skuadra vrasësish – për të shënjestruar dhe vrarë fshatarët palestinezë nëpër male, siç bëjnë sot ushtarët dhe kolonët izraelitë. Nami i tij i keq ishte aq i madh saqë, kur shpërtheu lufta europiane në vitin 1939, personalitetet arabe kërkuan që Wingate të dëbohej nga rajoni. Dhe u dëbua. Pasaporta iu vulos, duke ia ndaluar kthimin. Puna e tij kishte përfunduar. Ai kishte stërvitur shumë nga njerëzit që u bënë komandantë të Palmach-ut dhe më vonë të ushtrisë izraelite, si Moshe Dayan dhe Yigal Allon. Disa vende në Izrael mbajnë emrin e tij dhe me të drejtë konsiderohet themeluesi i doktrinës ushtarake izraelite.
Ai i mësoi mirë ata.
Po. Ajo që dikur ishte një specialitet kolonial britanik u bë një specialitet kolonial izraelit. Gjithçka që kanë bërë izraelitët e kanë mësuar nga britanikët – përfshirë edhe ligjet, si Rregulloret e Emergjencës të
Mbrojtjes të vitit 1945, për shembull, që britanikët i përdorën kundër Irgun-it. Të njëjtat ligje janë ende në fuqi, tani të përdorura kundër palestinezëve. E gjithë kjo vjen nga manuali kolonial britanik.
Një fitore – ose edhe një barazim – për Revoltën Arabe do të kishte shtruar themelet e një identiteti kombëtar palestinez dhe do të kishte fuqizuar forcat e tyre për betejat që i prisnin përpara. Ashtu si Kanafani, ju keni argumentuar se luhatjet e udhëheqjes tradicionale palestineze luajtën një rol kyç në disfatë, duke iu servilosur mbretërve kolaboracionistë arabë, të cilët ishin vendosur në fron nga britanikët, siç ndodhi në Konferencën e Shën Xhejmsit, për shembull?
Atëherë, ashtu si tani, udhëheqja palestineze ishte e përçarë. Ata kishin ngecur nga paaftësia e tyre për të rënë dakord për një strategji të përshtatshme – për të mobilizuar popullsinë dhe për të krijuar një forum përfaqësues kombëtar, një asamble popullore ku këto çështje do mund të diskutoheshin. Ndryshe nga India, Iraku dhe pjesë të Afrikës, britanikët u mohuan palestinezëve çdo qasje politike në shtetin kolonial. Kështu argumenti për një asamble popullore që të thyente përfundimisht strukturat e kontrollit kolonial ishte shumë i rëndësishëm.
Një tjetër kusht në sfond për Revoltën ishte ngritja e fashizmit në Europë.
Nga momenti që nazistët morën pushtetin, e gjithë situata ndryshoi për hebrenjtë në marrëdhënien e tyre me botën dhe me sionizmin. Kjo është krejt e kuptueshme. Si pasojë ajo solli ndryshime edhe në Palestinë: midis viteve 1932 dhe 1939, përqindja hebraike e popullsisë u rrit nga 16 ose 17 për qind në 31 për qind. Sionistët papritmas kishin një bazë demografike të qëndrueshme për të marrë nën kontroll Palestinën, të cilën nuk e kishin në vitin 1932.
Palestinezët u bënë viktima indirekte të Judeocidit europian.
Absolutisht. Palestinezët po paguajnë për gjithë historinë e urrejtjes ndaj hebrenjve në Europë, që nga kohërat mesjetare. Eduardi I i dëboi hebrenjtë nga Anglia në vitin 1290, dëbimet franceze në shekullin pasues, dekretet spanjolle dhe portugeze në vitet 1490, pogromet ruse nga vitet 1880 dhe, në fund, gjenocidi nazist. Një dukuri kjo historikisht tipike europiane dhe e krishterë.
Po sikur të mos kishte ndodhur Judeocidi në Europë dhe fashistët gjermanë të kishin qenë fashistë të zakonshëm, pa obsesionin për të shfarosur hebrenjtë?
Oh, një goxha çfarë do mund të kishte qenë. Por shikoni situatën në vitin 1939. Ekzistonte tashmë një projekt sionist, me mbështetje të fuqishme nga Perandoria britanike, për arsye që nuk kishin fare të bënin me hebrenjtë apo sionizmin, por me interesa strategjikë. Deklarata e Balfurit u bë nga njeriu përgjegjës për kalimin e ligjit më antisemit në historinë parlamentare britanike, Akti i të Huajve i vitit 1905. Klasa sunduese britanike nuk deshte t’ia dinte sidomos për hebrenjtë. Mund të kenë pasur interes për interpretimin e tyre të Biblës, por ajo që u interesonte më shumë ishte rëndësia strategjike e Palestinës dhe Lindjes së Mesme si portë për në Indi, shumë përpara vitit 1917. Ky ishte shqetësimi i tyre, fund e krye. Kur u detyruan të largoheshin në vitin 1948, ata mundën ta bënin këtë sepse sakaq kishin hequr dorë nga India në vitin 1947 dhe nuk ia kishin më të njëjtën nevojë Palestinës. Edhe sikur Hitleri të ishte vrarë, prapë do të kishte një projekt sionist, me mbështetje nga perandoria britanike. Sionizmi do të kishte tentuar gjithsesi ta merrte të gjithë vendin, çka ishte gjithmonë objektivi i tij, dhe do të kishte tentuar të krijonte një shumicë hebraike përmes spastrimit etnik dhe imigracionit. Nuk do mund të spekuloja përtej kësaj.
Por a nuk kishte rryma anti-sioniste edhe brenda komuniteteve hebraike?
Sigurisht që kishte komunistë hebrenj, asimilacionistë hebrenj. Shumica dërrmuese e popullsisë hebraike të persekutuar në Europën lindore zgjodhi emigrimin në kolonitë e të bardhëve: në Afrikën e Jugut, Australi, Kanada, Zelandë të Re dhe, mbi të gjitha, në Shtetet e Bashkuara; disa shkuan edhe në Argjentinë dhe vende të tjera të Amerikës Latine. Kjo qe shumica dhe aty u vendos pjesa më e madhe e popullsisë hebraike në botë, përveç atyre që qëndruan në Europë. Anti-sionizmi ishte një projekt hebre, deri në ardhjen e Hitlerit. Para kësaj, sionistët ishin një pakicë dhe programi i tyre vihej thellësisht në pikëpyetje në komunitetet hebraike. Por Holokausti prodhoi një lloj uniteti të kuptueshëm në mbështetje të sionizmit.
Disfatat zakonisht kanë efektin e ndalimit të gjithçkaje për një kohë; pastaj rezistenca ngrihet përsëri, në forma të ndryshme. Por në rastin e viteve 1936–39, disfata u pasua menjëherë nga shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore – e cila filloi në Kinë, megjithëse shumë e quajnë lufta europiane. Cili ishte qëndrimi i udhëheqjes palestineze në atë periudhë? Në Indonezi, Malajzi, Indi dhe në pjesë të Lindjes së Mesme, disa pjesë të lëvizjes nacionaliste thoshin: armiku i armikut tonë është miku ynë, qoftë përkohësisht. Meqë armiku ynë është Perandoria britanike, kjo do të thotë gjermanët ose japonezët. Në librin e tij për Egjiptin, Anouar Abdel-Malek tregon se si, kur dukej se Rommeli mund të merrte Egjiptin, turma të mëdha u mblodhën në Aleksandri duke thirrur: “Përpara, Rommel, përpara!” Ata donin këdo tjetër përveç Britanisë. Cili ishte qëndrimi në Palestinë?
Qëndrimi në Palestinë ishte thellësisht i ndarë. Një fraksion i pakicës në udhëheqje u rreshtua me gjermanët, duke ndjekur Muftiun e Madh. Ai pati një karrierë të jashtëzakonshme gjatë luftës: francezët e dëbuan nga Bejruti, britanikët e ndoqën të dilte nga Iraku kur e rimorën atë në vitin 1941, pastaj e ndoqën nga Irani. Ai u përpoq të shkonte në Turqi, por turqit nuk e lejuan të qëndronte, kështu që përfundoi në Romë dhe më pas në Berlin. Por shumica e palestinezëve nuk shkuan në atë vazhdë. Shumë u bashkuan me Ushtrinë britanike dhe luftuan me forcat Aleate. Natyrisht, shumë udhëheqës ishin vrarë nga britanikët, qoftë në fushëbetejë apo me ekzekutim. Të tjerë u çuan në ekzil. Britanikëve u pëlqente të ekzilonin kundërshtarët e tyre nacionalistë në territoret ishullore: Maltë, Sejshelle, Sri Lanka, Andaman. Xhaxhai im u dërgua në Sejshelle për disa vite, së bashku me udhëheqës të tjerë palestinezë dhe më pas u mërgua në Bejrut për disa vite të tjera. Kështu, pjesa më e madhe e udhëheqjes e kuptoi që Britania nuk mund të ishte kurrë miku i tyre. Mund të lexoni kujtimet e xhaxhait tim – ai u bë një anti-britanik tmerrësisht i hidhur. Ai gjithmonë kishte qenë një nacionalist dhe anti-britanik, por grada në të cilën Revolta ndryshoi pikëpamjet palestineze është mbresëlënëse. Më parë, udhëheqja ishte përpjekur gjithmonë të pajtonte britanikët, në vazhdën e shumë elitave të përzgjedhura koloniale. Kjo ndryshoi me shpartallimin e Revoltës.
Në fund, disfata e Revoltës dhe më pas Lufta e Dytë Botërore i lanë palestinezët të papërgatitur për atë që do të vinte më pas, kur dy superfuqitë e reja – ShBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik – mbështetën sionizmin, ndërsa në terren britanikët bashkëpunuan me sionistët dhe jordanezët për të parandaluar ngritjen e një shteti palestinez. Palestinezët nuk ishin të organizuar sa duhet për të përballuar sulmet e forcave sioniste, që filluan në nëntor 1947, muaj para përfundimit të mandatit më 15 maj 1948, kur rezoluta e OKB-së për Ndarjen supozohej të hynte në fuqi dhe ushtritë arabe u përfshinë në përleshje. Deri atëherë, forcat sioniste kishin marrë Jaffën, Haifan, Tiberiasin, Safadin dhe dhjetëra fshatra, duke dëbuar rreth 350 mijë palestinezë dhe kishin pushtuar tashmë pjesën më të madhe të asaj që do të
kishte qenë shteti arab sipas Planit të OKB-së për Ndarjen. Kështu palestinezët sakaq ishin mposhtur përpara se të shpallej Shteti i Izraelit dhe të fillonte e ashtuquajtura Luftë Arabo-Izraelite.
Do të dalim edhe te roli i Shteteve të Bashkuara në të gjitha këto. Por si e shpjegoni mbështetjen e Bashkimit Sovjetik për sionistët, duke i furnizuar ata me armë çeke për të vazhduar luftën?
Stalini ndryshoi qëndrim shumë shpejt, siç e dini. Nga një fuqi e fortë anti-nacionaliste dhe anti-sioniste, Bashkimi Sovjetik papritur u bë mbështetës i një shteti hebre. Kjo erdhi si tronditje e madhe për partitë komuniste të botës arabe. Mendoj se kishte disa arsye për këtë. Sigurisht, ishte një përpjekje për të tejkaluar Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta kishte një ndjesi se ky [shtet i ri] do mund të bëhej një vend socialist që do të rreshtohej me Bashkimin Sovjetik. Stalini gjithashtu dëshironte të minonte britanikët në Lindjen e Mesme. E mbani mend që Stalini e kaloi rininë duke luftuar në jug të asaj që do të bëhej Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës Civile ruse, kur britanikët ishin mbështetësit kryesorë të të Bardhëve – duke i financuar, armatosur dhe trajnuar ata. Ata i mbështetën me trupa dhe flota nga Balltiku deri në Detin Kaspik dhe Detin e Zi. Qysh herët, Stalini zhvilloi një armiqësi të madhe ndaj Britanisë dhe një obsesion për kërcënimin që paraqiste pushteti britanik në jug të BRSS-së. Dhe tani ai e pa këtë si një moment kur Bashkimi Sovjetik mund të dëmtonte regjimet kukulla arabe të Britanisë në rajon.
Ishte një katastrofë si ndërhyrje politike. Por nuk zgjati shumë.
Nja dy vite. Por, po, absolutisht. Nëse e shikoni votimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pa Bashkimin Sovjetik dhe votat e tij nga Bjellorusia dhe Ukraina, si dhe nga vende nën ndikimin e tyre, amerikanët do ta kishin të vështirë të kalonin rezolutën e Ndarjes. Ndoshta mund t’ia dilnin, por mund të kishte çuar në një rezultat të ndryshëm. Dhe marrëveshja për armatimet çeke ishte vendimtare për fitoret e Izraelit kundër ushtrive arabe në fushëbetejë.
Kjo na çon tek elitat arabe – monarkitë dhe principatat e sheikëve të vendosura nga Britania pas rënies së osmanëve – bashkëpunimi i tyre me britanikët dhe dështimi i tyre për të ndihmuar në mposhtjen e këtij entiteti që Perandoria britanike kishte krijuar.
Monarkitë egjiptiane, jordaneze dhe irakiane luajtën rolin më të rëndësishëm këtu. Ato gjendeshin nën trysni të ndryshme, nga lart dhe nga poshtë. Nga njëra anë, britanikët nuk kishin absolutisht asnjë dëshirë të shihnin një shtet palestinez. Edhe pse kishin filluar të kishin një armiqësi ndaj sionistëve për shkak të fushatës së përgjakshme që u zhvillua kundër tyre nga Irguni, Banda Stern dhe Haganahu në fund të Luftës së Dytë Botërore, ata ende kishin një armiqësi të madhe ndaj palestinezëve. Britania abstenoi në rezolutën e OKB-së për Ndarjen. Një shtet hebre do të themelohej dhe nuk kishte asgjë që do mund ta parandalonte këtë. Por ata shpresonin që, përmes regjimeve të tyre klienteliste, të kundërpeshonin fuqinë e tij dhe të mbanin ndikimin që kishin në një pjesë të Palestinës, falë Emir Abdullahut të Transjordanisë, ushtria e të cilit komandohej nga oficerë britanikë.
Nga ana tjetër, ishte trysnia e opinionit publik. Bota arabe prej kohësh ishte e shqetësuar për sionizmin. Kur po e hulumtoja këtë çështje, gjeta qindra artikuj të hershëm gazetash për Palestinën nga Stambolli, Damasku, Kajroja dhe Bejruti. Kishte vullnetarë nga Siria dhe Egjipti që luftonin në Palestinë gjatë Revoltës Arabe. Kështu që këto regjime fqinje u vunë nën trysni popullore për të bërë diçka për gjëmën që po shpalosej në Palestinë gjatë viteve 1947–48, teksa sionistët fituan shpejt epërsi dhe refugjatë të varfër po fillonin të shfaqeshin në kryeqytetet arabe. Sigurisht, britanikët donin që jordanezët të hynin në lojë – me synimin për të aneksuar Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor për
veten e tyre. Egjipti dhe vendet e tjera arabe u detyruan nga popullatet e tyre që të ndërhynin. Por këtë e bënë në mënyrë gjysmake dhe vetëm pasi britanikët ishin tërhequr.
Kjo pati një efekt të madh radikalizues mbi oficerët e rinj arabë që u angazhuan, përfshirë Abdel Nasserin.6 Ai shkroi në kujtimet e tij: nuk na u dhanë mjetet për të luftuar dhe teksa po luftonim kundër izraelitëve, mendonim për monarkinë e korruptuar të kontrolluar nga britanikët në shtëpi. Së bashku me dy kolegë të ngushtë në grupin nacionalist të Oficerëve të Lirë, Abdel Hakim Amer dhe Zakaria Mohyedin, Nasser u vendos në Gaza dhe Rafah dhe vëzhgoi nga afër zemërimin e ushtarëve të thjeshtë ndaj Komandës së Lartë në Kajro. Ai citon një ushtar që përsëriste vazhdimisht me çdo urdhër të kotë të ri: “Turp, turp për ne,” me intonacionin e zgjatur sarkastik të fshatit egjiptian.7 Lufta rriti popullaritetin e Oficerëve të Lirë dhe përfundimisht çoi në përmbysjen e monarkisë në vitin 1952. Kjo ishte e vërtetë edhe me irakianët dhe sirianët. Pothuajse sapo mbaroi lufta, ndodhën një seri grushtesh shteti në Siri, pasuar nga revolucioni i vitit 1952 në Egjipt dhe më pas në Irak në 1958-n. Oficerët ushtarakë të përfshirë kishin luftuar të gjithë në Palestinë.
Pra, Palestina u nda, por jo sipas planit të dakorduar nga Kombet e Bashkuara.
Ben-Gurion dhe udhëheqësit sionistë dëshironin ta merrnin të tërën, thjesht nuk kishin mjetet në atë kohë. Kështu që u kënaqën me 78 për qind.
Ka pasur luftë pothuajse të pandërprerë që atëherë. Vala e parë e refugjatëve mbërriti në Gaza pas Nakbës në vitin 1948, përfshirë shumë nga miqtë tanë. Ata kurrë nuk kishin jetuar më parë në Gaza.
80 për qind e popullsisë së asaj që sot është Rripi i Gazës janë pasardhës të refugjatëve, shumica e të cilëve mbërritën në 1948-n. Ka popullata nga Negevi dhe zona të tjera që u dëbuan edhe më vonë. Por 80 për qind e popullsisë së Gazës fillimisht erdhën nga vende të tjera.
Ashtu si shumë nga brezi im, unë mësova për herë të parë për përmasat e Nakbës palestineze — katastrofa— në vitin 1967, pas Luftës Gjashtëditore. U dërgova për të vizituar refugjatët nga Fondacioni për Paqe Bertrand Russell, i cili dëshironte që të prodhonim një raport hetimor — ashtu si kishim bërë në Vietnam për Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve të Luftës që Russell dhe Sartre kishin thirrur. Gjatë atij udhëtimi takova kushëririn tënd, Walid Khalidi, në shtëpinë e tij në Bejrut, çka nuk do ta harroj kurrë. Ai më uli dhe më tha: “A e di çfarë ndodhi?” Më tregoi për masakrën e Deir Yassin në prill të vitit 1948. Sytë më dolën nga vendi. As nuk mund ta besoja që nuk e kisha ditur!
A e mban mend kur ka ndodhur kjo?
Mendoj se duhet të ketë qenë korrik, një muaj pas luftës së vitit 1967. Takova refugjatë në kampe në Jordani, jashtë Damaskut, në Egjipt, si dhe politikanë dhe intelektualë. Ironikisht, përkthyesi ynë ishte një anglez mysliman, Faris Glubb, babai i të cilit, Gjeneral Sir John Glubb, kishte qenë komandanti i Ushtrisë Transjordaneze. Faris ishte një mbështetës i patundur i kauzës palestineze. Walid-in e guduliste shumë ky fakt. Ai ishte i pari që më dha një leksion të vërtetë për historinë palestineze.
6 Shënim red. Gamal Abdel Nasser ishte oficer i ushtrisë egjiptiane, më pas Kryeministër i Egjiptit (1954-56) dhe President (1956-70).
7 “Memoirs of the First Palestine War”, të përkthyera në anglisht nga Walid Khalidi për revistën Journal of Palestine Studies, Dimër 1973, janë një rrëfim magjepsës mbi kaosin dhe mungesën e qëllimshme të planifikimit nga Komanda e Lartë e korruptuar në Kajro.
Është shumë i mirë në këtë gjë. Për pak mbush 99 vjeç, inshallah, në korrik.
Nuk do ta harroj kurrë atë pasdite në Bejrut. Dhe nëse njerëz si unë, që u rritëm në një familje të majtë, pro-arabe, pro-Nasser, nuk dinin për Nakbën në atë kohë, atëherë një numër i madh i njerëzve nuk mundet që t’ia kishte idenë.
Absolutisht. Më irriton gjithmonë fakti se sa keq e kanë bërë palestinezët reklamimin e përbotshëm të kauzës së tyre, duke filluar nga viti 1917 dhe duke vazhduar përtej vitit 1967. Vetëm me gjeneratën e tanishme ka pasur një lloj përparimi. Dhe kjo nuk ka ardhur nga udhëheqja politike, por nga shoqëria civile – organizata si PACBI, grupi që bën thirrje për Bojkot, Tërheqje Investimesh, Sanksione, ose Instituti për Studime Palestineze që Walid-i themeloi, që ka punuar për dekada. Më në fund po fillojmë të shohim rezultatet. Por kjo ka ndodhur përkundër mungesës së ndonjë përpjekjeje kompetente zyrtare. OÇP-ja filloi punën informuese dhe diplomatike në vitet 1970 dhe në fillim të viteve ‘80, megjithëse ishte ende e pamjaftueshme. Përpos kësaj, rezultati ka qenë i zymtë.
Si e shpjegoni dobësinë e vazhdueshme të udhëheqjes moderne palestineze? E di që njerëzit më të mirë u vranë.
Kjo është pika e parë e rëndësishme. Vrasja e liderëve palestinezë u bë specialitet i Izraelit. Një autor izraelit, Ronen Bergman, ka një libër lemeritës për këtë, Ngrihu dhe vrit i pari. Titulli thotë gjithçka. Kanë qenë shumë të kujdesshëm në pikasjen e atyre që duan të eliminojnë. Së bashku me disa regjime arabe, duhet thënë: izraelitët janë ndihmuar në përpjekjet e tyre nga vrasës prej Libisë, Irakut dhe Sirisë. Dhe izraelitët e dinin kë kishin në shënjestër. Kur shkuan për të vrarë Abu Jihadin në Tuniz, kaluan mu përpara shtëpisë së Mahmoud Abbas-it. Nuk e konsideronin këtë të fundit si rrezik – përkundrazi – kështu që e lanë të gjallë dhe e kanë përdorur që atëherë. Edhe ky ishte një specialitet britanik.
Por problemet e udhëheqjes palestineze shkojnë më thellë. Në vitet 1930, këto probleme ishin pjesërisht produkt i strukturës klasore palestineze – një elitë e zbarkuar nga lart dhe e shkëputur nga realiteti, me pikëpamje të frenuara ose naive për mënyrën se si të merreshin me britanikët. Që nga vitet 1960, mungesa e një pamjeje globale nga ana e gjeneratave të njëpasnjëshme të liderëve palestinezë ka qenë problem madhor. Nëse shikon lëvizjet e tjera anti-koloniale – irlandezët, algjerianët, vietnamezët ose indianët – ata janë udhëhequr nga njerëz me një kuptim të sofistikuar të ekuilibrit global të fuqive, të mënyrës se si veprojnë fuqitë imperialiste dhe se si të arrijnë tek opinioni publik në metropol. Nehru, Michael Collins, de Valera e kuptonin këtë. Udhëheqja algjeriane e kuptonte Francën. Ajo që ata e quanin wilaya ose provinca e shtatë e FLN-së [e Frontit Nacional-Çlirimtar] ishte në Francë. Irlandezët fituan në vitin 1921 sepse e kuptonin politikën britanike dhe amerikane dhe kishin operacione të gjera politike dhe të inteligjencës atje. Udhëheqja palestineze kurrë nuk ka pasur të njëjtat njohuri apo aftësi. Më vjen keq ta them, tingëllon nënçmuese ndaj vetes, por është e vërtetë.
Si do ta përshkruanit elitën palestineze në atë periudhë të hershme? Në The Hundred Years’ War on Palestine, ju jepni një përshkrim të shkëlqyer të këtyre klaneve palestineze, Khalidi-t dhe Husseini-t. Familja juaj ishte më intelektuale, më akademike, ndërsa e Husseini-t kishte tendencën të merrte role udhëheqëse praktike. A ishte kjo lloj strukture klasore specifike për Palestinën, apo ekzistonte në ndonjë formë edhe në pjesë të tjera të botës arabe?
Termi që përdorte mësuesi im, Albert Hourani, ishte të nderuarit – politika e të nderuarve [notables].8 Ai fliste për familje dhe jo për klane; këto nuk ishin popullata fisnore. E njëjta strukturë shoqërore mbizotëronte në të gjitha provincat arabe të Perandorisë Osmane; ato ishin elita urbane, të përfshira në fe, ligj dhe qeverisje; gjithashtu, në shumë raste, ishin pronarë tokash dhe të përfshirë në tregti. Kjo shtresë ishte shumë e shkëputur nga klasat popullore, duke e përçmuar punën fizike dhe, në shumë raste, edhe tregtinë. Ajo ishte e ngërthyer në politikën osmane për shekuj me radhë dhe, para kësaj, në Perandorinë e Mamlukëve. Anëtarët e familjes sime ishin të përfshirë në gjyqësorin e Mamlukëve në shekujt XIV dhe XV. Kjo elitë ishte shumë e përshtatshme për llojin e administratës që kishe nën mogulët, safavidët dhe osmanët. Disa u përshtatën me epokën moderne. Në vend të trajnimit fetar, ata shkuan në Maltë ose Stamboll, ose në institucione misionare amerikane. Fituan një arsim modern; në vend që të mbanin turban ose qeleshe, filluan të mbanin kapele. Por ishin tërësisht të papërshtatshëm për t’u përballur me britanikët.
Kjo strukturë shoqërore u shkatërrua plotësisht në vitin 1948. Baza materiale e klasës që kishte dominuar shoqërinë palestineze për shekuj me radhë u zhduk. Pronarët e tokave humbën tokat e tyre, tregtarët humbën bizneset dhe kështu me radhë. Dhe, me përjashtime të rralla, asnjë nga këto elita nuk u rishfaq pas vitit 1948. Shoqëria palestineze në thelb u revolucionarizua, në të njëjtën mënyrë si shoqëritë e tjera arabe nga revolucioni shoqëror – në Irak, Siri, Egjipt, ku elitat e vjetra dhe klasa e pronarëve të tokave u përmbysën në vitet 1950. Dinasti të tilla si Azmët në Damask u zhdukën nga politika. E njëjta gjë ndodhi në Palestinë për shkak të Nakbës. Në një farë mënyre, kjo u hapi derën atyre që vinin nga klasa e mesme e arsimuar. Udhëheqja e OÇP-së nuk përbëhej nga njerëz të familjeve të vjetra të nderuara. Përjashtimi i vetëm që mund të kujtoj është Faisal Husseini; ai ishte i vetmi udhëheqës i shquar palestinez pas vitit 1948 që vinte nga klasa e vjetër elitare dhe ishte djali i një udhëheqësi të spikatur ushtarak që u vra në betejë në vitin 1948.
Çfarë ndodhi me familjen tuaj në atë moment?
Familja u hapërda. Disa u traumatizuan nga përvoja dhe të tjerë u mobilizuan. Gjyshërit e mi humbën shtëpinë familjare në Tal al-Rish, pranë Jaffës, dhe u shndërruan në refugjatë. Xhaxhallarët, hallat dhe kushërinjtë e mi përfunduan midis Jeruzalemit, Nablusit, Bejrutit, Amanit, Damaskut dhe Aleksandrisë. Si rezultat, kam kushërinj në të gjithë botën arabe dhe të tjerë në Europë dhe ShBA. Megjithatë, anëtarët e familjes sime ishin ndër ata me fat dhe të privilegjuar, pasi kishin marrë një arsim të mirë falë gjyshit tim dhe disa prej tyre ndërtuan karriera si profesorë, si kushërinjtë e mi Walidi, Usama dhe Tarifi, ose si shkrimtarë dhe përkthyes si halla ime Anbara, ose kushërira ime Randa. Prindërit e mi, të cilët kishin planifikuar të ktheheshin në Palestinë pasi babai im të përfundonte doktoraturën në Columbia, përfunduan duke qëndruar në ShBA dhe për këtë arsye unë linda këtu në Nju Jork, në vitin 1948. Babai im më pas punoi për Kombet e Bashkuara.
Ku shkuat në shkollë?
Unë shkova në Shkollën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe po ashtu në shkollë në Kore. Kam studiuar histori në Yale dhe kam bërë doktoraturën në Oksford, me Albert Houranin. Pra, u edukova në tre vende të ndryshme.
Dhe Palestina mungonte në të gjitha këto vende.
8Albert Hourani, “Ottoman Reform and the Politics of the Notables” te WilliamPolk dhe Richard Chambers, eds,
Beginnings of Modernization in the Middle East:The Nineteenth Century, Chicago 1968, ff. 41–68.
Po. Kam jetuar në Palestinë vetëm për periudha të shkurtra, gjithsej nja dy vite. Kam jetuar në Libi për disa vite kur isha shumë i vogël dhe kam jetuar në Liban për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, në vitet 1970 dhe 1980, duke dhënë mësim në Universitetin Amerikan të Bejrutit. Kam jetuar në vende të tjera, por pjesa më e madhe e rinisë sime dhe më shumë se gjysma e jetës sime ka kaluar në Shtetet e Bashkuara.
Të rikthehemi te ndryshimet radikale të viteve 1940: siç thatë, struktura e klasës ndryshoi në të gjithë botën arabe.
Me një përjashtim kategorik: monarkitë që mbetën. Rendi i vjetër shoqëror në Marok nuk ka ndryshuar, as në Jordani apo Arabinë Saudite. Të paktën, nuk ndryshoi në të njëjtën mënyrë.
Britanikët i mbajtën monarkitë kudo që mundën. Churchill në veçanti i adhuronte ato dhe madje diskutoi mundësinë e krijimit të një mbretërie për provincën indiane të Panxhabit.
Kolonialistët britanikë kishin qejf të riprodhonin aristokracinë dhe sistemin e tyre. Ata gjenin zotër tokash në vende që nuk e kishin njohur kurrë diçka të tillë. Francezët parapëlqenin republikat koloniale.
Një tjetër pasojë e këtyre trazirave të klasës së mesme të radikalizuar ishte që borgjezia e vogël urbane fitoi qasje në ushtri, veçanërisht në Egjipt, Siri dhe Irak. Kjo ishte baza e lëvizjeve revolucionare nacionaliste – në Indi, trupa e oficerëve vendas ishte e kufizuar te bijtë e dytë të klasës së lartë me tokë. Si u shtjelluan këto transformime në komunitetet palestineze, në diasporë dhe në Palestinë? Nasser ishte një hero i madh për brezin pas Nakbës. Dhe ai u përpoq, për hir të së vërtetës – nuk është se nuk u përpoq. Më kujtohet që i thashë këtë një palestinezi në Egjipt, i cili u përgjigj me një shaka: “Po, Tarik, ai u përpoq, por e di, është si një orë e prishur. Ora bën tik-tak dhe lëviz përpara. Nasseri thotë tak-tik dhe lëviz prapa.” Sipas mendimit tim, brezi i ri i udhëheqësve palestinezë u afirmua pas Luftës Gjashtëditore, kur kuptuan se asnjë shtet arab nuk do t’i mbronte dhe se u duhej të luftonin për veten e tyre. Çfarë do të thoshit për këtë?
Pikëpamja ime për Abdel Nasser-in do të ishte disi e ngjashme; një nga ish-studentët e mi më kritikoi kohët e fundit për kritikat e mia ndaj tij. Por pika që duhet theksuar është se nuk mendoj që Palestina ishte ndonjëherë prioritet për Nasserin, madje as në vitin 1948. Nëse lexon kujtimet e tij, të cilat janë shkruar nga të tjerë, është e qartë se obsesioni i tij ishte Egjipti. Ai ishte një nacionalist egjiptian, gjë që është e kuptueshme. Palestina ishte e rëndësishme, por nuk ishte kurrë prioriteti.
Por për të adresuar pyetjen tjetër që shtroni: si u shfaq ky brez i ri i prijësve të rezistencës palestineze? Kjo kishte filluar të kristalizohej para vitit 1967, por trauma e Luftës Gjashtëditore pati një ndikim të jashtëzakonshëm. Siç e thoni ju, ajo betonizoi kuptimin se shtetet arabe nuk do të ndihmonin. Mendoj se shumë njerëz besonin se Nasser-i do të ndihmonte – dhe kjo ishte pika e fundit që mbushi kupën. Humbjet e njëpasnjëshme të viteve 1948, 1956 dhe 1967 treguan se shtetet arabe nuk kishin mjetet për të mposhtur Izraelin, pavarësisht nëse kishin vullnetin për ta bërë këtë.
Nismat që po zienin në shoqërinë palestineze çuan në marrjen e Organizatës për Çlirimin e Palestinës, të cilën Nasser-i e kishte krijuar në vitin 1964 për të bashkuar dhe kontrolluar valën në rritje të entuziazmit kombëtar. Në vitin 1968, OÇP-ja u mor nga grupet e pavarura palestineze, të pakënaqura me kontrollin egjiptian. Fatah ishte grupi më i madh nga këta dhe Arafati shpejt u bë kryetar i OÇP-së. Edhe një herë, kjo ishte një lëvizje nga poshtë kundër elitave të përzgjedhura, si Ahmad Shukeiri dhe të tjerë, që fillimisht drejtonin OÇP-në. Shukeiri, meqë ra fjala, ishte një tjetër anëtar i klasës së vjetër
sunduese. Por nga ky çast e tutje, pati një brez të ri liderësh palestinezë – Arafat, Hawatmeh, Habash, Abu Jihad dhe të tjerë – që përfaqësonin një klasë tjetër, një identitet tjetër nga gjithçka që kishte ardhur më parë.
Një nga sloganet më të rëndësishme të Arafatit ishte al-qarar al-Filistini al-mustaqil – fuqi vendimmarrjeje të pavarur palestineze. Këmbëngulja e tij për autonominë dhe vetëvendosjen palestineze ishte thelbësore për popullaritetin e tij në këtë periudhë të hershme: “Regjimet arabe nuk na kontrollojnë.” Ky ishte një nga sukseset e tij relativisht të pakta, por madhore: ruajtja e pavarësisë së OÇP-së nga fuqitë arabe që donin të kontrollonin lëvizjen palestineze, ashtu siç kishin tentuar të bënin që nga vitet 1930. Gjatë Revoltës së Madhe, në Konferencën e Shën Xhejmsit të vitit 1939, në debatin mbi rezolutën e OKB-së për ndarjen apo vendosjen e OÇP-së – regjimet arabe tentuan në mënyrë konsistente të dominonin çështjen palestineze, për përfitimet e tyre; dhe në garë me njëri-tjetrin, natyrisht. Ende po përpiqen ta bëjnë këtë, edhe teksa kundrojnë pa emocion dhe nuk bëjnë absolutisht asgjë ndërsa Gaza sakrifikohet.
Ju përmendët një figurë tjetër të spikatur nga ky brez, Ghassan Kanafanin. Ju shkruani për të në një formë që të prek në librin Lufta njëqindvjeçare në Palestinë. E takova një herë në një konferencë në Kuvajt në vitin 1966 dhe mbeta i mahnitur.
Ai ishte tejet karizmatik. Kur e lexon tani, karizma e tij pothuajse gëlon prej faqes. Por nëse e takoje… E kam takuar vetëm nja dy herë. Ky njeri ishte i jashtëzakonshëm.
Nuk i kujtoj fjalët e tij të sakta, të cilat më pas janë bërë të famshme, por e pyeta: “A ka ndonjë mundësi për një zgjidhje të negociuar me këta maskarenj?” Dhe ai tha – nuk do ta harroj kurrë zërin apo buzëqeshjen e tij – “Tarik, më shpjego si qafa mund të negociojë me shpatën.” Qesha shumë. Thashë, kjo është një analogji e shkëlqyer. Ai ishte i madh, si intelektual, si shkrimtar, si udhëheqës politik. Ishte e dukshme që ai përfaqësonte një kulturë të tërë. Dhe ndaj e vranë. Mossadi e hodhi në erë, ndërsa udhëtonte me mbesën e tij.
Saktësisht. Veprat e tij letrare jehojnë edhe sot. Djali im, Ismaili, përshtati romanin e tij Kthimi në Haifa për ta vënë në skenë, së bashku me Naomi Wallace. Është e pamundur të marrësh një teatër të madh në ShBA që ta shfaqë atë, megjithëse premierën e bëri në Londër, në Teatrin Finborough. Përshtatja u porosit nga Teatri Publik në Nju Jork, por bordi refuzoi ta prodhonte – duke thënë se Kanafani ishte “terrorist”. Megjithatë, pavarësisht nga censura e vendosur nga institucionet, vepra e tij është kudo. Deri më sot, romanet e tij janë ende duke u botuar, si edhe dramat, poezitë dhe shkrimet e tjera të tij, si në arabisht ashtu edhe në përkthime. Bashkë me Mahmoud Darwish-in dhe Edward Saidin, mendoj se ai është intelektuali më i rëndësishëm palestinez i shekullit XX.
Kjo është ajo që thamë më herët: ata e dinë kë duhet të vrasin.
Dhe kë nuk duhet të vrasin.
Çfarë çoi që Arafati dhe ekipi përreth tij të vendosnin më në fund të dorëzoheshin në Oslo, në vitin 1993? Miku ynë Edward Said e quajti atë një “Versajë palestineze” – një paqe ndëshkuese.
Edwardi kishte të drejtë, por nuk e dinte sa shumë kishte të drejtë. Në fakt, ishte shumë më keq se Versaja. Pika e kthesës ishte në vitin 1988, kur ekipi i Arafatit në Këshillin Kombëtar palestinez në thelb kapitulloi përballë kushteve të amerikanëve për të hyrë në dialog dypalësh – palestinezët duhej të hiqnin
dorë nga dhuna – gjë që izraelitëve nuk iu kërkua kurrë ta bënin – dhe të pranonin ndarjen, duke pranuar Rezolutën 242 të OKB-së, e cila kufizonte çështjet në rezultatet e Luftës së vitit 1967. Kjo rezolutë e OKB-së u hartua nga Arthur Goldberg, Abba Eban dhe Lord Caradon: autorët e saj ishin fuqitë e mëdha imperialiste dhe klienti i tyre izraelit, megjithëse u miratua nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së nga Bashkimi Sovjetik. Në fakt, izraelitët nuk donin që OÇP-ja të dorëzohej në atë moment. Ata nuk ishin të interesuar të flisnin, pavarësisht se çfarë pranonte OÇP-ja. Këta të fundit mund ta pranonin rezolutën 242 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të pranonin “zgjidhjen me dy shtete”, të hiqnin dorë nga dhuna – dhe izraelitët prapë nuk do të flisnin me ta; derisa Rabini më në fund theu tabunë në vitin 1992.
Pas kthesës së OÇP-së qëndronte rezultati i Luftës së Tetorit të vitit 1973, kur regjimet egjiptiane dhe siriane bënë të qartë se interesat e tyre kufizoheshin në territoret e tyre të pushtuara në vitin 1967, Sinain dhe Lartësitë Golan. Përtej kësaj, ata nuk ishin të interesuar. Dhe kjo iu bë e qartë udhëheqjes palestineze. Pashë disa prej tyre tek ktheheshin nga Kajroja. Në atë kohë jetoja në Bejrut dhe përktheja për një delegacion palestinezo-amerikan. Ata flisnin për përvojën e tyre në Kajro me Sadatin dhe si ai ua bëri të qartë se “ky është fundi”. Për kaq jemi futur dhe vetëm për kaq. Ju duhet të kujdeseni për veten. Nuk e tha këtë kaq troç, por…
Por kjo ishte çfarë ai nënkuptonte dhe këtë bënë.
Kjo ishte ajo që udhëheqësit e OÇP-së kuptuan. Dhe nga ai çast e tutje, filluan të largohen nga lufta e armatosur dhe çlirimi i Palestinës drejt negociatave për një të ashtuquajtur zgjidhje me dy shtete. Në vitin 1974, në Këshillin Kombëtar Palestinez (KKP), shtynë ndryshimin e parë të formulimit. Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës (FPÇP)9 dhe pjesa më e madhe e anëtarësisë së Fatahut e kuptuan shumë mirë se çfarë po gatuhej dhe e kundërshtuan. U deshën vite që udhëheqësit të arrinin pikën ku ishin në gjendje të fitonin miratimin e qartë të KKP-së për këtë program – për të zhvendosur OÇP-në nga një pozicion për çlirimin e gjithë Palestinës, me një shtet laik-demokratik për myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë ku të gjithë janë të barabartë, në një zgjidhje me një shtet plus Bantustane të shumta, që është në praktikë nënkuptimi i zgjidhjes me dy shtete e ndërmjetësuar nga ShBA-ja. Kjo është ajo që izraelitët na kanë dhënë, copëza të vogla të ndara nga breza të tërë kolonësh, vendbanimesh ilegale izraelite. Udhëheqja e Arafatit ndoshta e pranoi këtë në parim në vitin 1974 dhe më pas kaloi, ngadalë por e sigurt, në bërjen për vete të opinionit publik dhe lëvizjes palestineze.
Ditët e fundit, Hillary Clinton hyri në këtë mes, duke shtuar gurin e saj në malin e gënjeshtrave që është ngritur rreth “procesit të paqes”. Ajo në thelb tha: “Ne u ofruam palestinezëve gjithçka në Marrëveshjet e Camp David-it në vitin 1979, por ata na refuzuan. Ata mund të kishin pasur shtetin e tyre deri tani.” Ti e njeh këtë fazë në imtësi.
Një nga studentët e mi, një studiues i quajtur Seth Anziska, shkroi librin më të mirë mbi ndikimin afatgjatë të Camp David-it.10 Unë u përqendrova në negociatat e Madridit dhe Uashingtonit në Brokers of Deceit. Pika kryesore është se shtetësia dhe sovraniteti palestinez, si dhe fundi i okupimit dhe dyndjes së kolonive, nuk kanë qenë kurrë në tryezë, asnjëherë, asgjëkundi, në asnjë fazë, nga asnjëra palë, qoftë Shtetet e Bashkuara apo Izraeli, apo kushdo tjetër. Në Camp David në vitin 1979, u ofrua “autonomia”; në Madrid dhe Uashington, në vitin 1991, ne u lejuam të negocionim vetëm për “autonomi”, ose
9 Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, një organizatë revolucionare socialiste e krijuar nga George Habash dhe të tjerë pas Luftës së 1967-s.
10 Seth Anziska, Preventing Palestine: A Political History from Camp David to Oslo, Princeton 2018.
vetëqeverisje nën sovranitetin izraelit; gjithçka që na u tha ishte se “çështjet e statusit përfundimtar” do të përfshinin diskutime për këto gjërat e tjera. Por e dimë se cili ishte rezultati përfundimtar. Rabini na e tha. Në fjalimin e tij të fundit në vitin 1995, pak para se të vritej pse shkoi shumë larg, ai shpjegoi se sa larg do të shkonte në fakt. Ai tha: ajo që po ofrojmë për palestinezët është më pak se një shtet dhe ne të mbajmë kontrollin e sigurisë mbi Luginën e Jordanit. Me fjalë të tjera, asnjë vetëvendosje, asnjë sovranitet, asnjë shtetësi. Një zgjidhje me një shtet plus një shumësi “Bantustanesh”.
Kjo ishte oferta e Izraelit. Dhe ajo kurrë nuk ndryshoi. Rabini u vra – mund të spekulohet se ai do kishte ndryshuar nëse nuk do ta kishin vrarë. Por kjo është ajo që ai tha në fjalimin e tij të fundit para Knessetit. Dhe ky ishte thelbi, tek e fundit, edhe për Ehud Barakun në vitin 2000, i cili negocioi me OÇP-në, ndryshe nga shumica e udhëheqësve të tjerë izraelitë. Rabini, Baraku dhe më vonë Olmerti ishin në fakt të gatshëm të negocionin – ata ishin të gatshëm të vendosnin shpatën në qafë, në shprehjen e pashoqe të Kanafanit. Por çfarë po ofronin? Asnjë shtetësi, asnjë sovranitet, asnjë vetëvendosje, as fund të okupimit dhe as heqje të vendbanimeve. Për sa i përket Clinton-it: një nga gënjeshtaret më të mëdha në politikën amerikane dhe e përfshirë në krime të shumta lufte. Ajo tha se studentët nuk e kuptojnë historinë. Epo, çfarë ajo po përhap me siguri nuk është histori. Është një narrativë krejtësisht e shtrembëruar dhe e rremë në pothuajse çdo aspekt.
Le të kthehemi tek Hamasi. A është e saktë të thuhet, siç ngulmojnë shumë nga kundërshtarët e tij në OÇP, se u krijua nga Izraeli?
Jo. Le të jem shumë i qartë. Hamasi doli në vitet 1987–88, në situatën që sapo folëm. Doli prej lëvizjes islamiste në Gaza, si një zgjatim i veçantë palestinez i Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit. Kjo ndodhi pikërisht në momentin kur Fatah dhe OÇP u larguan nga qëllimi i çlirimit të të gjithë Palestinës, si shtet laik-demokratik, duke pranuar kushtet e vendosura nga amerikanët dhe izraelitët në UNSC 242, duke lënë armët dhe duke rënë dakord për një shtetuc të ndarë palestinez përkrah Izraelit. OÇP-ja e pranoi zyrtarisht këtë në vitet 1987–88, pikërisht kur Hamasi u shfaq si syth i shkëputur nga lëvizja islamiste.
Tani, a janë inkurajuar nga izraelitët? Po, sigurisht që janë inkurajuar. Izraeli e pa OÇP-në si kundërshtarin e tij kryesor nacionalist, si rrezikun kryesor. Çdo lëvizje disidente që minonte mbështetjen e gjerë të palestinezëve për OÇP-në ishte e mirëseardhur për shërbimet izraelite të inteligjencës. Natyrisht që ishte kështu. Dy specialistë izraelitë, Shaul Mishal dhe Avraham Sela, kanë shkruar një libër të mirë mbi Hamasin që flet për këtë.11 Ka patur gjithashtu një artikull të shkëlqyer nga Reuters, i cili detajonte se si shërbimet izraelite të inteligjencës manipulonin dhe mbështesnin lëvizjen islamiste në Gaza. Gjithçka tjetër ishte mbyllur – çdo shprehje e identitetit palestinez, madje edhe Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze – por jo islamistët. Ata operonin lirisht. Kur izraelitët kishin nevojë për dikë për të rrahur demonstruesit e OÇP-së në kampusin e Birzejit, në Bregun Perëndimor, ata dërgonin islamistë nga Gaza përmes Izraelit, të pajisur me shufra hekuri dhe shkopinj, për të rrahur mbështetësit e OÇP-së. Miqtë më kanë treguar për fëmijë që u janë thyer krahët nga këta njerëz. Islamistët lejoheshin të vepronin pa u arrestuar, pa u ndërhyrë, ndryshe nga çdo organizatë tjetër e shoqërisë civile palestineze.
Kur Hamasi u shfaq, autoritetet izraelite të okupimit ishin të dyzuara në fillim, sepse Hamasi prodhoi kartën e tij famëkeqe antisemite dhe nisi operacione kundër ushtarëve dhe kolonëve izraelitë në Gaza, pas fillimit të Intifadës në dhjetor 1987. Kishte një debat brenda inteligjencës izraelite dhe ushtrisë: a duam vërtet të vazhdojmë të mbështesim këta njerëz apo jo? Por në kohë të ndryshme, ata, nëse nuk
11 Shaul Mishal dhe Avraham Sela, The Palestinian Hamas: Vision, Violence and Coexistence, Nju Jork, 2000.
qenë të mbështetur, të paktën u lejuan të vepronin, për arsye të përça-e-sundo, nga shërbimet izraelite të inteligjencës që kontrollonin Rripin e Gazës. Sapo pashë një film të mrekullueshëm të quajtur Gaza Ghetto nga Joan Mandell të 1984-s, i cili flet për atë që ishte Rripi i Gazës nën okupimin izraelit deri në atë pikë. Autorja jetonte në Palestinë në atë kohë. Okupimi izraelit kontrollonte gjithçka, ashtu siç kontrollon gjithçka në Bregun Perëndimor sot. Kishte përpjekje për rezistencë, natyrisht, disa prej të cilave ishin të suksesshme, të tjera jo. Por me kalimin e kohës, Hamasi u shndërrua në një lëvizje rezistence dhe paskëtaj izraelitët nuk ishin aq të kënaqur me të. Por ata u rikthyen ta mbështesin atë në vitet e fundit, nën Netanjahun, sepse mendonin se mund ta përdornin Hamasin për të paqësuar Rripin e Gazës, me para të thata që vinin nga vendet e Gjirit, sidomos Katari.
Por kjo doli të mos ishte rasti.
Nuk funksionoi aq mirë për ta.
Tani kemi ironinë që e ashtuquajtura OÇP sekulare-demokratike është 100 për qind ose 99.9 për qind kolaboracioniste me izraelitët, që nuk ekziston asnjë “Autoritet” palestinez dhe në fakt IDF-ja (Forcat e Mbrojtjes të Izraelit) jep urdhrat, ndërsa Autoriteti Palestinez i drejtuar nga Fatah i zbaton ato. Ndërkohë, organizata islamiste e stilit të Vëllazërisë Myslimane, Hamasi, është bërë udhëheqja e asaj që ne duhet ta quajmë dhe që është në fakt, rezistenca e sotme palestineze.
Ironia e tmerrshme është se çka bënë Arafati dhe kolegët e tij duke pranuar Marrëveshjet e Oslos – dhe duke lëvizur pothuajse të gjithë lëvizjen kombëtare në një burg të kontrolluar nga izraelitët në territoret e okupuara – ishte, para së gjithash, të boshatisnin vetë OÇP-në. Sot, OÇP në të vërtetë nuk ka, përveçse si një guaskë bosh. Ajo udhëheqje tani vepron përmes këtij Autoriteti Palestinez kuisling, që është një nëpunës i okupimit. OÇP-ja nuk ka ekzistencë të pavarur. Nuk ka asnjë autoritet, asnjë juridiksion dhe asnjë sovranitet. Thjesht është një krah i okupimit, një ndër disa të tillë. Udhëheqja e Arafatit dhe Abbasit e zbrazën atë që dikur ishte bërthama e lëvizjes kombëtare, që ishte OÇP-ja. Tani efektivisht nuk ka më OÇP. Ekziston një AP, një Autoritet Palestinez, një burokraci që ka fuqi qeverisëse mbi jetët civile të palestinezëve në një pjesë të Bregut Perëndimor, megjithëse vetëm një pjesë të vogël. Pjesa më e madhe e Bregut Perëndimor, e ashtuquajtura Zona C, kontrollohet drejtpërdrejt nga ushtria izraelite. Në rastin më të mirë, Autoriteti Palestinez ka prani në 20–30 për qind të Bregut Perëndimor, për sa i përket përgjegjësisë për arsimin publik, shëndetësinë dhe kështu me radhë. Por Izraeli është fuqia sovrane mbi të gjithë Bregun Perëndimor të okupuar dhe Jerusalemin Lindor të okupuar. Ai është fuqia pushtuese. Ai është fuqia e sigurisë. Ai kontrollon regjistrin e popullatës, hyrjen dhe daljen, gjithçka që ka të bëjë me fondet e financimin. Ai kontrollon shërbimet e sigurisë të Autoritetit Palestinez. Këta të fundit bëjnë ç’do Izraeli. Populli palestinez dëshiron të mbrohet nga okupimi dhe kolonët, por njerëzit e Autoritetit Palestinez funksionojnë si agjentë të okupimit. Ata i shërbejnë armikut. Pra, po: kjo është një tragjedi për elementët sekularë-demokratikë – që s’janë të Vëllazërisë Myslimane – të lëvizjes kombëtare palestineze.
Pas Oslos, NLR-ja përshkroi trajektoren e Fatahut si një kthesë nga maksimalizmi fantastik në minimalizëm të fëlliqur, pa përpjekje për të përkufizuar dhe luftuar për një zgjidhje të barabartë ndërmjet këtyre.12 Akoma ka disa në OÇP që rezistojnë. Hanan Ashrawi ka qenë më e fortë se të tjerët dhe jam i sigurt se duhet të ketë të tjerë që presin për ndonjë alternativë.
12Perry Anderson, ‘The House of Zion’, NLR 96, Nov–Dec 2015.
Ka shumë njerëz, përfshirë ata të angazhuar në OÇP/Fatah dhe madje disa të përfshirë me Autoritetin Palestinez, megjithëse jo shumë, që ende kanë një qëndrim të pavarur dhe që kundërshtojnë natyrën kolaboracioniste të Autoritetit Palestinez. Mund ta shihni shumë qartë nga një seri sondazhesh të opinionit publik se sa gjerësisht përçmohet Abu Mazen (Mahmoud Abbas), sa shumë urrehet Autoriteti Palestinez. Kjo pavarësisht nga fakti që ai siguron pagat për një pjesë të madhe të popullsisë në territoret e okupuara. Janë dhjetëra mijëra trupa sigurie, dhjetëra mijëra punonjës qeveritarë, mësues, njerëz në sektorin e kujdesit shëndetësor, të cilët janë në listën e pagave të Autoritetit Palestinez dhe varen plotësisht prej tij për jetesën e tyre. Megjithatë, Autoriteti Palestinez është i urryer nga shumica dërrmuese e popullsisë. Kjo është shumë e qartë.
Gjithashtu, popullariteti i Hamasit nuk ka qenë gjithmonë aq i madh sa mendojnë disa njerëz, qoftë në Gaza, ku ata po bëheshin gjithnjë e më të papëlqyer para 7 Tetorit, apo edhe në Bregun Perëndimor, ku ata janë më të popullarizuar thjesht sepse njerëzit nuk janë qeverisur prej tyre. Por shumë nga ata që janë nën sundimin e tyre në Rripin e Gazës kishin një mendim të keq për Hamasin. Varet nga sondazhi, kush po pyet dhe kë po pyesin. Sentimenti publik nuk është statik; ai ngrihet e ulet, me kalimin e kohës. Por çështja e shkallës së mbështetjes popullore të Hamasit duhet të pyetet me më shumë kujdes sesa është bërë. Njerëzit supozojnë se, ngaqë shumë të rinj u përfshinë nga entuziazmi pas 7 Tetorit, kjo është ende pikëpamja e shumicës së njerëzve sot, tetë muaj më vonë. Nuk mendoj se është medoemos kështu. Hamasi shihet sikur ka meritë për shkaktimin e një humbjeje ushtarake ndaj Izraelit, të cilën kurrë nuk e kishte pësuar më parë. Izraeli u mposht në disa beteja në 1948-n dhe pësoi një goditje të madhe ushtarake në fillim të luftës së vitit 1973, para se amerikanët t’i vinin në ndihmë. Por që nga viti 1948, Izraeli kurrë nuk ka luftuar për ditë me radhë në territorin e tij. U deshën katër ditë për të rimarrë bazat ushtarake dhe komunitetet e shumta që u vërshuan nga Hamasi dhe aleatët e tij më 7 Tetor. Kjo nuk kishte ndodhur më parë. Numri më i lartë i të vdekurve civilë izraelitë që nga viti 1948 u shkaktua nga sulmi i 7 Tetorit. (Propaganda e Izraelit pretendon “më e larta që prej Holokaustit”, por kjo nuk është e vërtetë; dy mijë izraelitë civilë dhe katër mijë trupa vdiqën në 1948-n.) Por Izraeli nuk ka pësuar kurrë një dështim të inteligjencës të kësaj përmase, qoftë në vitin 1973. Ka shumë njerëz që e vlerësojnë Hamasin për këtë, megjithëse ata mund të kenë rezerva për të në çështje të tjera.
Izraelitët e dinin ç’po ndodhte në 1973-shin. Amerikanët po ua tregonin.
Ata e dinin, ose e zbuluan disi me vonesë, por nuk reaguan mjaftueshëm shpejt, për shkak të arrogancës ose mendjemadhësisë. Ata kishin spiunë në Egjipt. Ata kishin spiunë kudo. Ata kishin njerëz që u thoshin, “Prisni, prisni, thjesht po bëjnë stërvitje.” Edhe nëse viti 1973 ishte një tronditje e madhe, me Sirinë që mori Lartësitë e Golanit, nuk pati viktima civile izraelite. Kjo duhet të thuhet përsëri dhe përsëri për 7 Tetorin: përveç mizorive, të cilat patjetër ndodhën, numri më i lartë i të vdekurve civilë që Izraeli ka pësuar ndonjëherë që nga viti 1948 ndodhi në ato katër ditët në fillim të këtij sulmi. Kjo është diçka që palestinezët duhet ta pranojnë, nëse duan të kuptojnë pse Izraeli është kaq i egër në ndëshkimin kolektiv të Gazës. Nuk është vetëm për humbjen ushtarake dhe dështimin e inteligjencës. Nuk ka të bëjë vetëm me rivendosjen e nderit të dëmtuar dhe “frenimin” e shkërmoqjes së Ushtrisë. Është një dëshirë nga barku për hakmarrje, për shpagim për vuajtjet traumatike të një numri të madh të civilëve izraelitë. Jo vetëm ata që u vranë ose u kapën: komunitete të tëra u zbrazën dhe ende nuk janë ripopulluar, tetë muaj më vonë. Kjo është thelbësore nëse duam të kuptojmë çfarë motivon egërsinë e sjelljes së Izraelit. Ka një logjikë nga pas që na çon deri te nisja e projektit sionist. Çdo projekt kolonizues duhet të sillet egërsisht për të themeluar e ngritur veten në kurriz të popullsisë autoktone. Por ajo që kemi parë gjatë tetë muajve të fundit është në një shkallë të paparë më parë, madje as në 1948-n.
Jemi plotësisht të vetëdijshëm se, që nga 7 Tetori, të paktën 25 herë më shumë palestinezë janë vrarë sesa izraelitë, me një përqindje të madhe prej tyre civilë, gra, fëmijë, të moshuar, punonjës mjekësorë dhe humanitarë, gazetarë, akademikë. Bota tani është plotësisht e vetëdijshme për traumën që kjo po shkakton. Por disa ende nuk kanë kuptuar plotësisht shkallën në të cilën shoqëria izraelite është prekur nga ndikimi i atyre katër ditëve të para që iu deshën ushtrisë izraelite për të liruar selinë e rrethuar të Divizionit të Gazës, për të rimarrë pikën e kalimit të Erezit, bazat e shumta ushtarake që ishin kapur dhe një duzinë komunitetesh përgjatë kufirit me Gazën. Kjo u mori kohë deri më 10 tetor. Tronditja për Izraelin do të zgjasë për një kohë shumë të gjatë, ashtu si trauma e asaj që po bëhet tani në Gaza do të ndikojë te palestinezët kudo për shumë vite të ardhshme. Jo vetëm ndër gazanët, ose njerëzit si unë dhe miqtë dhe studentët e mi që kanë familje në Gaza, ose njohin njerëz atje. Çdo palestinez ndikohet nga kjo traumë dhe shumë të tjerë përveç tyre.
Siç kemi diskutuar, asnjë nga tragjeditë e mëparshme të historisë palestineze nuk kishte këtë ndikim në opinionin publik në nivel global, sigurisht jo në Shtetet e Bashkuara. Dhe megjithatë, është tronditëse të shohësh kampet që po ngrihen në mbi njëqind universitete amerikane. Dëgjova fjalimin tënd të shkëlqyer para studentëve protestues në Columbia një ditë më parë. Është sikur 7 Tetori të ketë sjellë një ndryshim brezash, sa i përket Izraelit dhe Palestinës. Një shtresë e rëndësishme e të rinjve, përfshirë mijëra të rinj hebrenj, si ata që pushtuan Stacionin Grand Central në Nju Jork, nuk duan të kenë asnjë lidhje me këtë entitet përbindësh që të vret aty për aty. Njerëzit shohin çfarë po bën Izraeli dhe po thonë, është e tepruar, është e papranueshme, është gjenocid. Dhe kjo po shqetëson mediat kryesore dhe politikanët. Mendon se kjo do të zgjasë?
Dhe, e lidhur me këtë, si do ta shpjegoje pse Uashingtoni është bërë kaq tejet i mefshtë? Në Brokers of Deceit, ti ofron një analizë të qartë dhe të mprehtë të rolit të ShBA-së në Lindjen e Mesme, veçanërisht nën Clintonin dhe Obamën, duke treguar se ndërsa Uashingtoni pretendon të jetë një ndërmjetës i paanshëm, që mëton të çojë përpara një “proces paqeje” të drejtpeshuar, në fakt është shumë i anuar, duke vepruar si “avokat” i Izraelit dhe përkrahësi i tij kryesor. Megjithatë, kur interesat amerikane ishin në lojë, administratat e mëparshme ishin të gatshme të kërcisnin kamzhikun. Truman mbajti një embargo armësh kundër të gjitha palëve luftuese në vitin 1948; pas Suezit, Eisenhower i tha Ben-Gurionit të largohej nga Gaza dhe Sinai brenda dy javësh ose do të përballej me sanksione; në gusht 1982, Reagan i bërtiti Beginit që të ndalonte bombardimin e Bejrutit; Bush, i madhi, kërcënoi të ndalte 50 miliardë dollarë për të detyruar Izraelin të ulej në tavolinën e negociatave. Shtresa aktuale, si demokratët ashtu edhe republikanët, nuk tregojnë fare vullnet për të ushtruar trysni. Biden – “Xho Gjenocidi”, siç e kanë damkosur studentët – është akoma më keq. Trump nuk do të jetë më mirë. Sekretari i Shtetit Blinken kërcen si majmun i zbutur si t’i bjerë fyellit Netanyahu. A është bërë majmuni klaniterist rrugësh? Pse dhe si ka shkuar kaq larg?
Në fakt është një pyetje e vështirë për t’i dhënë përgjigje. Ne e lodhim mendjen duke u përpjekur të kuptojmë shkallën në të cilën ata janë bërë më keq sesa bashkëpunëtorë në krim. Ata janë bërë megafonë për çdo dokërr propagande sioniste. Presidenti dhe zëdhënësit e tij të tmerrshëm, Admirali Kirby dhe Matthew Miller i llahtarshmi, tingëllojnë si ateshetë e shtypit të Netanyahut – si propagandistët më të këqij izraelitë, që mbështesin hapur një narrativë izraelite pikë për pikë. Sot e pranuan që ShBA-ja po ndihmon izraelitët të ndjekin dhe vrasin udhëheqjen e Hamasit, që ShBA-ja ka
ofruar inteligjencë për shpëtimin e pengjeve, në të cilin u vranë gati 300 palestinezë. RAF-i (Royal Air Force, forca ajrore e Mbretërisë së bashkuar) ka kryer pothuajse përditë misione vëzhgimi mbi Rripin e Gazës. Amerika dhe Britania – ndihmësi i saj i përgjakur – po marrin pjesë drejtpërdrejt në kërdi, jo vetëm duke furnizuar me armë, financim dhe veto në OKB, por duke bërë edhe punën e inteligjencës dhe propagandës për këtë gjenocid. Përdorët fjalën “mefshtë”. Kjo është më keq se kaq. Ka fjalë në arabisht për këtë që s’mund t’i përkthej. Shkalla në të cilën kjo administratë ka përvetësuar një perspektivë izraelite, nga Biden, te Blinken dhe deri te Sullivan, spikat.
Është e vërtetë që në nja dy pozicione të larta udhëheqëse, ka njerëz që njëmend nuk e përsërisin këtë retorikë. Sekretari i Mbrojtjes, Austin, dhe Burns, kreu i CIA-s, nuk e kanë bërë këtë; as të tjerë, që dinë më mirë se të përlyhen. Por ata nuk kanë ndikim brenda administratës mbi këtë çështje. Do të supozoja që shumica e profesionistëve me karrierë që shërbejnë në Departamentin e Shtetit, në ushtri dhe në të ashtuquajturin komunitet të inteligjencës – seç e dua këtë term, “komuniteti i inteligjencës” – e dinë shumë mirë se çka po bën Izraeli është si e kotë ashtu dhe e dëmshme për interesat amerikane; madje, edhe se sa e dëmshme është për çdo kuptim racional të interesave të Izraelit. Por ata nuk kanë zë në administratën e Biden-it.
Një pjesë e kësaj ka të bëjë me ndasinë midis brezave që përmendët. ShBA-ja sot qeveriset nga një klikë e moshuar, një gerontokraci, që u indoktrinua në vitet 1960 dhe 70 me mitin e lidhjes midis Holokaustit dhe themelimit të Izraelit. Schumer, Pelosi, Biden, Trump; këta janë njerëz të mplakur. Ndërgjegjja e tyre u formua gjatë kohës së luftës së 1967-ës. Që nga ajo kohë, nuk i kanë hapur më mendjet, nuk kanë pasur kurrë qasje në asgjë përpos një narrative të hidhur që e pikturon Izraelin me ngjyrat më të ndritshme dhe palestinezët me tonet më të errëta – ideja që Izraeli është gjithmonë në rrezik ekzistencial, kozakët janë gjithmonë në prag të derës; se Holokausti mund të përsëritet, që Izraeli shëmbëllen me një lule të qytetërimit perëndimor në një shkretëtirë të barbarizmit arab – një mori gjepurash raciste që Izraeli – dhe më parë lëvizja sioniste – i mbolli me sukses nëpër Perëndim. Biden nuk ka shprehur asnjë ndjenjë keqardhjeje për 14 mijë fëmijët palestinezë që janë vrarë nga bombat amerikane. Ai nuk ka asnjë ndjenjë turpi, asnjë ndjesi të përmasave të gjenocidit të lemeritshëm që ai dhe administrata e tij po ndihmojnë të kryhet. Dhe njerëzit rreth tij e pasqyrojnë këtë, natyrisht. Ata janë izoluar.
Sa gjatë mund të vazhdojë kjo? Nuk e di. Nuk shoh asnjë shenjë që do të ndalet. Ata tani kanë filluar vagullt të kuptojnë se Izraeli po dëmton interesat e veta dhe të tyre dhe po përpiqen t’i ngadalësojnë. Por nuk kanë asnjë ndikim tek izraelitët deri tani. Dhe nëse unë do të isha Netanyahu dhe mbijetesa ime politike do të varej nga vazhdimi i luftës, lutjet dhe kërcënimet e dobëta të amerikanëve për të vonuar një apo dy dërgesa armësh nuk do të ishin arsye për ta ndalur luftën. Ai do të vazhdojë për sa kohë të dojë, duke vlerësuar saktë se amerikanët më shumë lehin se sa kafshojnë dhe se çfarëdo kafshimi prej tyre do të ishte çukitje pa dhëmbë. ShBA-ja do mund të thoshte: do të ndalojmë të gjitha dërgesat e armëve, nëse Izraeli nuk pranon planin për armëpushim që shefi i CIA-s, Burns, ka hartuar për ta. Mund të sponsorizojë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që kërkon një armëpushim sipas dispozitave specifike të Çarterit, e cila do ta detyronte Izraelin të ndalte luftën nesër. Ata nuk do ta bëjnë këtë. Për t’u kthyer te çfarë thatë: kjo ishte diçka që edhe vetë Reagani ishte i gatshëm të bënte, në gusht të vitit 1982. Izraelitët ndaluan bombardimin e Bejrutit vetëm sepse Reagan i bërtiti Beginit dhe gjysmë ore më vonë ata e lanë. Ne ishim aty në Bejrut, nën bombardimin izraelit dhe papritur ai ndaloi, në thelb për shkak të një telefonate nga presidenti amerikan te kryeministri izraelit. Biden nuk e ka bërë këtë.
Mearsheimer dhe Walt u përdhosën për librin e tyre mbi lobin izraelit, u quajtën antisemitë dhe të tjera.13 Por çështja që ata parashtruan mbi mënyrën se si drejtohet politika e jashtme amerikane në atë nivel duket mjaft e fortë sot.
Gjëja interesante është që, pavarësisht gjithë shpifjeve dhe fyerjeve, The Israel Lobby and U.S. Foreign Policy u bë menjëherë një bestseller dhe vazhdon të shitet shumë mirë. Unë i njoh autorët, të dy janë miq të mi; besoj se me luftën e fundit ka pasur një rritje të shitjeve, një dekadë e gjysmë pas botimit të tij. Mendoj se ishte një analizë e shëndoshë. Nuk mendoj se ishte mjaftueshëm gjithëpërfshirëse sepse fliste vetëm për grupet e lobit në Capitol Hill, si dhe për sionistët e krishterë dhe neokonët [neo-konservatorët] dhe për rojtarët e lobit që monitoronin në media dhe akademi, ndërkohë që ekziston një ekosistem i tërë që është shtrirë në elemente të rëndësishme të sektorëve ushtarakë, teknologjikë dhe biomjekësorë të Amerikës, të cilët janë të integruar ngushtë me homologët e tyre izraelitë. Pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të ekonomisë amerikane janë të ndërlidhura me këta sektorë në Izrael dhe ato janë forca të fuqishme në shoqërinë amerikane. Ato zotërojnë Kongresin, në kuptimin që kontributet e tyre i mbajnë politikanët e zgjedhur në pushtet – sidomos në Silicon Valley, bioteknologji, financë dhe në sektorin ushtarak. Ndërthurja e kompleksit të sigurisë ushtarako-industriale të ShBA-së me atë të Izraelit është gati sa nuk e kupton ku fillon njëra e mbaron tjetra, ashtu si edhe ndërthurja e rrjeteve të mbrojtjes dhe inteligjencës së Izraelit me ato në Indi, Emiratet dhe disa vende të tjera. Nuk mendoj se kjo është shpërfaqur plotësisht në librin The Israel Lobby, pjesërisht ngase disa nga këto zhvillime kanë dalë në pah pas botimit të librit të tyre.
Të kalojmë te çështja e elitave aktuale arabe, të cilat vazhdojnë të rrinë në krye si më parë por edhe më sheshit se pas Nakbës. Para 7 Tetorit, sauditët ishin në prag të njohjes së Izraelit.
Ata ende janë.
Po, ende janë. Dhe shtetet e Gjirit mbeten si stacione karburanti të imperialistëve, me sasi të stërmëdha parash. Jordania ka qenë protektorat i ShBA-së dhe Izraelit prej shumë kohe. Masat egjiptiane u mposhtën brutalisht nga ushtria. Mendoja se mund të kishte më shumë protesta në botën arabe – dhe e vetmja gjë që do mund të ndryshonte humorin atje do të ishin kryengritjet masive. Por përveç Jemenit, s’ka patur aq. Ka pasur demonstrata pro-Gazës, por deri tani jo në shkallën e zemërimit të shfaqur në Britani dhe ShBA.
Mendoj se janë të paktën dy gjëra për t’u thënë këtu. E para është se ekziston – dhe gjithmonë ka ekzistuar – një simpati e thellë për Palestinën mes popujve arabë, në të gjithë botën arabe, nga Gjiri deri në Atlantik. Kjo nuk ka ndryshuar. Ka pasur ndonjë ulje-ngritje, por nuk është zhdukur. Por këta njerëz përballen me çështje të tjera kritike.
Nëse jeton në një shtet që është shpartalluar – si Libia, Siria, Iraku, Jemeni, Sudani, Libani – nga lufta civile ose ndërhyrja e fuqive imperialiste dhe klientëve të tyre, ke shqetësime të tjera. Iraku ende nuk ka energji elektrike 24 orë, 21 vite pas pushtimit amerikan – një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Palestina është e rëndësishme, por të rëndësishme janë edhe energjia elektrike e të mos vritesh nga regjimi ose nga ndonjë fraksion ushtarak. Kjo është situata në nja gjashtë shtete arabe: në faza të ndryshme të luftës civile që bëhet luftë e tërthortë, ku të gjitha fuqitë e mëdha janë të mpleksura.
13 John Mearsheimer dhe Stephen Walt, The Israel Lobby and U.S. Foreign Policy, New York 2007; libri zgjeron argumentet e paraqitur në ‘The Israel Lobby’, London Review of Books, 23 March 2006.
E dyta është se, pothuajse pa përjashtim, nga Gjiri deri në Atlantik, nuk ke regjime që e lejojnë opinionin publik të shprehet. Ka diktatura të ashpra, një pushtet të centralizuar në Algjeri, monarki absolutiste si ato të Luigjit XIV, që nuk lejojnë pothuajse asnjë kundërshtim përveç një hapësire shumë të vogël dhe, nëse e kalon atë, do të torturohesh, do të arrestohesh dhe familja jote do të vuajë. Prandaj keni të drejtë, asnjë protestë në botën arabe nuk ka arritur në nivelin e asaj që kemi parë në Londër dhe Nju Jork, ose në disa pjesë të Jugut Global, në Indonezi e Pakistan. Kjo ndodh pjesërisht sepse masat arabe janë trembur nga goditjet dhe torturat që iu ndërsyen që nga e ashtuquajtura Pranvera Arabe. Ato u rivunë në rend nga klientët e Amerikës, sidomos nga sauditët dhe emiratët, me infuzione të mëdha parash dhe mbështetje për masat më të ashpra të sigurisë. Nuk mund të fajësohet plotësisht populli që nuk ndihet gati të ngrejë kryet më lart se një farë pike për këtë çështje.
Në disa vende, megjithatë, situata është kritike – në Jordani, për shembull, dhe në disa vende të tjera, nën sipërfaqe. Por nuk shoh që kjo të çojë në tranzicione demokratike, të cilat do të ishin të nevojshme që këto vende të luanin një rol aktiv dhe pozitiv. Sundimtarët e tyre janë më të shqetësuar për atë që mund të thonë Uashingtoni dhe Tel Avivi sesa për popullin e tyre. Ata nuk përfaqësojnë aspak pikëpamjet e popullit të tyre. Ata janë të lidhur me Izraelin me një shumësi litarësh, të dukshëm e të padukshëm. Mbrojtjet kundër raketave që kanë Emiratet janë ofruar nga një degë izraelite e Raytheon, që do të thotë se mbikëqyrja kundër-raketore ndaj Iranit e Izraelit është në Jabal Ali, në Abu Dabi, jo në Jabal al-Sheikh (Malin Hermon), në Lartësitë e pushtuara të Golanit. Emiratet varen plotësisht nga Izraeli për sigurinë e tyre kundër sulmeve me raketa. Ka variante të kësaj marrëveshjeje në Jordani, Egjipt dhe vende të tjera arabe. Në Marok, truprojat mbretërore janë trajnuar nga Mossadi për pesëdhjetë ose gjashtëdhjetë vitet e fundit, që nga koha e mbretit Hassan II. Rrjeti i mbrojtjes i Izraelit është tashmë i moçëm disa breza në rastin e Jordanisë, Marokut dhe Egjiptit – dhe është i mirëkonsoliduar në disa vende të Gjirit dhe në nja dy të tjera po ashtu.
– Në fillim sikur pati ca shpresë se Hezbollahu, me mbështetjen e heshtur ose publike të regjimit iranian, ndoshta hapte një front të dytë dhe lehtësonte trysninë mbi Hamasin. Por kjo nuk ndodhi.
Mendoj se Hamasi e kishte gabim që pati këtë pritshmëri. Ata me siguri prisnin reagime shumë më të qëndrueshme nga palestinezët e tjerë në territoret e pushtuara dhe shpresonin që Hezbollah, si dhe milicitë e tjera të lidhura me Iranin dhe ndoshta vetë Irani, do të reagonin shumë më vrullshëm ndaj kundërpërgjigjes së Izraelit për 7 Tetorin. Është shembull i përkryer se sa pak kuptojnë nga bota. Për gjithë mprehtësinë e tyre në aspekte të tjera, liderët që organizuan këtë sulm kanë atë që unë do ta quaja “vizion tunel”. Mendoj se ata me të vërtetë besuan që do të kishte një kryengritje përgjatë botës arabe. Nuk kam shumë prova për këtë pohim, por ata me siguri u zhgënjyen nga reagimi. Dhe përgjigjja e Hezbollahut ka qenë ajo që unë do ta quaja “performative”. Ka pasur një efekt domethënës mbi Izraelin: ka vrarë të paktën pesëmbëdhjetë ushtarë izraelitë dhe njëmbëdhjetë civilë izraelitë, sipas burimeve izraelite, dhe ka çuar në evakuimin e gjithë rajonit të kufirit – dhjetëra mijëra janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Por megjithëse ende mund të shpërthejë në një luftë të plotë, deri tani ka qenë një lojë ndëshkimesh të ndërsjella, shumë e matur dhe e kontrolluar. Kjo vjen në funksion të asaj që kushdo që ka sy për të parë mund t’u thoshte djemve nëpër tunele, pra që Irani nuk investoi në ndërtimin e kapaciteteve të Hezbollahut për hir të Hamasit. E bëri këtë për të krijuar një mjet frenimi për të mbrojtur Iranin nga Izraeli; kjo është arsyeja e vetme. Ideja që Hezbollahu dhe iranianët do të përdornin çdo armë në arsenalin e tyre për të mbështetur Hamasin, në një luftë që ky i fundit e nisi pa paralajmëruar aleatët e tij – është e pabesueshme që dikush mund të mendonte se kjo do të ndodhte. Irani është një shtet-komb që ka interesa kombëtare, të cilat kufizohen në mbrojtjen e regjimit, vetëmbrojtje dhe raison d’état. Mund të flitet për islamin, ideologjinë dhe “boshtin e rezistencës” derisa të mos kesh më frymë. Por unë do të të them: raison d’état, mbrojtja e regjimit – kjo është ajo që ata kanë në mendje dhe për këtë arsye mbështetën zhvillimin e kapacitetit të Hezbollahut. Dhe nuk do ta zbrazin arsenalin për të mbështetur Hamasin. Nuk kishte fare mundësi, asnjë rrethanë, që ata të vepronin kështu për të mbështetur Hamasin. Nëse, larg qoftë, shpërthen një luftë e plotë, kjo do të jetë për shkak të një keqllogaritjeje, një aksidenti, ose një lëvizjeje irracionale nga Netanyahu, jo nga një vendim i Hezbollahut.
Hezbollahu është një parti libaneze. Ka një sponsor iranian, por është shumë i vetëdijshëm për faktin se publiku libanez do të kthehet kundër tij nëse operacionet e tij kundër Izraelit provokojnë një kundërpërgjigje masive kundër Libanit – e cila nuk do të drejtohej vetëm kundër Hezbollahut, por edhe, si në luftën e vitit 2006, kundër infrastrukturës së Libanit. Izraelitët gjithmonë kanë ndëshkuar vendin bartës për ta shtrënguar që ky të detyrojë ndalimin e aktivitetit të rezistencës. Ata bombarduan Jordaninë, bombarduan Sirinë, për t’i detyruar këto regjime të ndalonin palestinezët. Nuk po përpiqeshin të ndalonin vetë palestinezët, por të ndalonin cilindo vend arab që i priste dhe i mbështeste ata. Ata do të mund ta bënin këtë me Libanin, për ta detyruar të ndalojë Hezbollahun. Dhe Hezbollahu e di këtë dhe libanezët po ashtu. Nuk e kuptoj se si udhëheqësit e Hamasit nuk e kuptuan këtë.
Kjo shpërfaq një shkëputje nga realiteti dhe një orientim të çaluar strategjik, çka është me të vërtetë shqetësuese. Që nga 7 Tetori ata e kanë përmbysur në mënyrë dramatike status quo-n e ndenjur në Palestinë dhe janë treguar tejet të aftë të zhvillojnë luftë guerile – me një çmim të papërshkrueshëm, duhet thënë. Por në fund të fundit, lufta është një zgjatim i politikës me mjete të tjera dhe ata nuk kanë projektuar një vizion të qartë, strategjik dhe të bashkuar politikisht për Palestinën ndaj botës. Nuk mendoj se njerëzit po i thonë këto gjëra, sado të vështira që janë për t’u thënë. Por duhet t’i thonë. Duhet t’i thonë.
– Jam plotësisht dakord me ju. Duke u kthyer tek e ardhmja, cili është plani i Izraelit për Gazën? A po përpiqen ata të krijojnë një tjetër Nakba, pra të shkatërrojnë shiritin, t’ua shesin atë njerëzve të tyre dhe të shndërrojnë akoma më shumë palestinezë në refugjatë? Kjo duket se është situata. Apo do të ndërhyjë dikush e ta ndalojë këtë të ndodhë? Amerikanët me siguri nuk do të ndërhyjnë, kjo është bërë shumë e qartë.
Ndryshe nga momente të tjera kritike në historinë e saj, Izraeli nuk ka një elitë të bashkuar dhe nuk ka një pozicion të qartë për këto çështje sot. Në vitin 1948, Ben-Gurion dominonte politikën izraelite; madje edhe në 1956-n, ai triumfoi mbi Sharett-in dhe bëri atë që deshi në nisjen e luftës së Suezit. Episod pas episodi, qoftë mirë a keq, ata të paktën e dinin çfarë donin të bënin. Kishte një ndjenjë të bashkuar dhe kohezive për interesat e Izraelit, madje edhe pas luftës së vitit 1967, kur nuk mund të vendosnin qartë — a duhet t’i mbajmë të gjithë territoret? — por kishin një udhëheqje të bashkuar. Udhëheqjet ushtarake dhe politike bashkëpunonin në pjesën më të madhe të historisë së Izraelit. Kjo nuk është e vërtetë sot. Nuk mendoj se ekziston një vizion i qartë izraelit për atë që duhet bërë. Netanyahu ka shumë pak ide se çfarë dëshiron strategjikisht. Ajo që ai dëshiron personalisht është një vazhdim i luftës pa strategji të qartë për përfundimin e saj. Kjo i shërben interesit të tij të ngushtë politik: të qëndrojë në pushtet, të mos ketë zgjedhje elektorale dhe të mos shkojë në gjyq.
Fraksione të tjera brenda qeverisë së tij kanë pikëpamje të ndryshme. Ngrehina ushtarake dhe e inteligjencës nuk është kohezive. Së fundmi, një ish-shef i shtabit doli dhe tha se lufta duhet të përfundojë. Nuk ke pasur kurrë ish-shefa të shtabit që ta thonë këtë në kohë lufte; Aviv Kohavi sapo e tha këtë. Gjeneralë dhe ish-shefa të tjerë të inteligjencës kanë thënë gjëra të ngjashme. Elita izraelite është e përçarë – dhe me arsye të mira – mbi çështjen e si të përfundojë lufta dhe çfarë të bëjnë në Gazë ditën pas, nëse ajo ditë vjen ndonjëherë. Në fillim, ishte e qartë se ata shpresonin se mund të mbaronin Nakbën dhe të dëbonin një numër të madh njerëzish për në Egjipt dhe ndoshta edhe nga Bregu Perëndimor për në Jordani. Dhe ata dërguan çirakun e tyre, Blinkenin, për t’ua bërë punën e ndyrë për ta – shkoi tek egjiptianët, jordanezët dhe sauditët dhe duke iu përgjëruar, ju lutem, a mund të lejoni që kjo të ndodhë?
Pjesëmarrja e qeverisë amerikane në një plan izraelit për të kryer një pastrim të mëtejshëm etnik në Palestinë është një nga episodet më të neveritshme në historinë amerikane. Kjo do të jetë një damkë turpi për Blinken dhe Biden për shumë kohë. Në vitin 1948, Uashingtoni nuk e donte pastrimin etnik, megjithëse Trumani e lejoi të ndodhte dhe nuk bëri asgjë për të mbështetur rezolutën e Ndarjes së Kombeve të Bashkuara, për të cilën ai kishte shtyrë e shtrënguar kaq shumë njerëz. Tani është ndryshe dhe shumë më keq. Tani kemi Uashingtonin që aktivisht mbështet Izraelin në gjenocid dhe përpiqet aktivisht të bëjë sekserin e pastrimit etnik prej Izraelit të një pjese të Palestinës.
Por nëse udhëheqja izraelite do të kishte një vizion të qartë për atë që dëshironte në fillim – shkatërrimin e Gazës dhe të përmbushë Nakbën – nuk mendoj se ata kanë një vizion të qartë tani. Ajo që duket se ka gjasë të ndodhë është një formë e okupimit izraelit, një rezultat që askush, përfshirë edhe vetë izraelitët, nuk duhet ta dëshirojë. Unë nuk do të doja të pushtoja Gazën nëse do të isha në vendin e tyre. Okupimi i tyre i fundit, deri në vitin 2005, nuk ishte dhe aq i suksesshëm. Mendo çfarë u është dashur të përballojnë atëherë, nga Hamasi i viteve 2000 dhe grupet e tjera me kapacitete shumë më të vogla se ato që kanë sot. Nuk mendoj se ka ndonjë mundësi të mirë zgjedhjeje, për të qenë i sinqertë, nga perspektiva izraelite. Nuk besoj se ka pasur një vendim të qartë të udhëheqjes për këtë. Mund të jem i gabuar, por kjo është mbresa ime nga jashtë, me aq sa lexoj nga shtypi izraelit. Pavarësisht fuqisë së tyre të madhe, ata e kanë vendosur veten në një situatë strategjike të pashpresë.
– Një ironi e tmerrshme historike. Pas Luftës Gjashtëditore në 1967-n, Isaac Deutscher dha një intervistë për New Left Review.14 Ai ishte shkëputur përfundimisht nga Izraeli dhe i kishte dërguar një mesazh Ben-Gurionit, të cilin e njihte, duke e paralajmëruar për një katastrofë nëse okupimi nuk përfundonte. Ai i përshkroi izraelitët si prusianët e Lindjes së Mesme – një varg fitoresh që mëkojnë një mbështetje të verbër në fuqinë e tyre ushtarake, arrogancë shoviniste dhe përbuzje për popujt e tjerë – dhe rikujtoi mësimin që gjermanët nxorën nga përvoja e tyre: “Man kann sich totseigen!” Njeriu mund ta shpjerë veten me triumf deri në vdekje.
Epo, Ben-Gurioni e mësoi këtë. Ai ishte i shqetësuar pas Luftës së vitit 1967 se Izraeli do të përkundej në triumfalizëm dhe do të dështonte të shfrytëzonte mundësinë që ofroi lufta për të arritur një zgjidhje të favorshme për Izraelin dhe sionizmin. Sigurisht, ai kishte të drejtë. Gjëja e trishtë për shumë nga këta udhëheqës është se mësojnë tepër vonë. Kështu kemi Ehud Olmert-in që flet për gjëra që kurrë nuk i përmendi kur ishte Kryeministër, ose Ben-Gurionin që thoshte gjëra në pleqëri që kurrë nuk i tha më parë, ose ish-gjeneralë izraelitë apo kryetarë të Mossad-it dhe Shin Bet-it, plot me urtësi pasi kanë dalë në pension. Kam pasur një takim të mrekullueshëm me Yehoshafat Harkabin, shefin e inteligjencës ushtarake izraelite në vitet 1950, i cili shkroi dy libra thelbësorë që ishin plan-projekte për demonizimin e OÇP-së. Ai nuk ishte vetëm shefi i inteligjencës ushtarake, ai ishte propagandisti kryesor në Perëndim për një vizion negativ të OÇP-së. Kur e takova në pleqëri, kishte ndryshuar krejt si njeri dhe kishte shkruar një
14 Isaac Deutscher, “On the Israeli–Arab War”, NLR I/44, korrik–gusht 1967, ff. 38–9.
Një sërë librash që kritikonin Izraelin. Kjo ndodh shpesh shumë vonë me këta njerëz. E njëjta gjë me Jimmy Carter-in. Pse nuk i the këto gjëra kur ishe President?
– Pikërisht.
Presidenti më i mirë pas largimit nga detyra që kanë pasur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara. Por dua të përfundoj përgjigjen për pyetjen tënde të parë, çfarë ka ndryshuar dhe çfarë jo. U rrita në një botë, siç thashë, ku narrativa sioniste ishte e vetmja histori në qarkullim dhe besohej verbërisht nga pothuajse të gjithë. Ky nuk është më rasti sot, siç e diskutuam. Ka një debat të ashpër mbi narrativën sioniste, sidomos brenda komunitetit hebre, me një ndasi interesante brezash. Kjo është krejt e re – dhe shumë e rëndësishme.
Ajo që nuk ka ndryshuar dhe me të cilën nipërit dhe mbesat tona prapë do t’u duhet të përballen është mbështetja e pandërprerë e sunduesve të fuqive imperialiste për projektin sionist. Veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Britania, që nga Lufta e Parë Botërore e më tej dhe Franca e Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo, sipas mendimit tim, është në shumë mënyra problemi më i madh. Nëse pranon kornizën analitike të kolonive dhe dyndjes e ngulitjes së vendbanimeve, atëherë metropoli është po aq i rëndësishëm sa kolonia e ngritur. Izraeli nuk është një koloni tipike, aspak; ai është edhe një projekt kombëtar, me një përmasë të konsiderueshme biblike dhe një strehëkërkues prej persekutimit. Asnjë koloni tjetër e ngritur nuk ka qenë strehë prej persekutimit në këtë shkallë – puritanët dhe disidentët e tjerë fetarë, si kuakerët, të cilët erdhën në Amerikën e Veriut, përjetuan sigurisht shtypje, por jo në të njëjtën gradë. Thënë shkurt, ky kombinim karakteristikash është unik për projektin izraelit. Por bërthama e tij, bërthama koloniale, lidhet me një metropol. Dhe elitat në atë metropol, për fat të keq, kanë ndryshuar shumë pak që nga koha kur unë isha fëmijë. Brezat e rinj do të duhet të merren njëmend me këtë.
– Një sërë studiuesish dhe arkeologësh izraelitë, përfshirë Israel Finkelstein-in, kanë treguar se historitë heroike të Dhiatës së Vjetër – eksodi, linja mbretërore e Librit të Mbretërve – ishin më së shumti një “traditë e shpikur”, huazime që u ndërtuan si një ideologji oborri në një periudhë më të vonshme. Botimet hebraike të librave të Shlomo Sandit, The Invention of the Jewish People dhe The Invention of the Land of Israel, kanë qenë bestsellera në Izrael. Por kjo ka pasur një ndikim të papërfillshëm mbi kapjen që ka ideologjia kombëtare mbi shumicën e popullsisë.
Sa i përket nacionalizmit, Gellner, Hobsbawm dhe Benedict Anderson kishin të drejtë: nuk ka rëndësi cilat qenë realitetet historike, ajo që ka rëndësi është çka njerëzit besojnë. Finkelstein dhe arkeologë të tjerë izraelitë të shkëlqyer kanë shkatërruar shumë nga bazat biblike të sionizmit, me shumë pak efekt politik. Mendoj se duhet ta shquajmë fuqinë e këtyre miteve biblike, pavarësisht nga mungesa e bazës historike dhe arkeologjike të tyre – jehona e tyre ndër breza, për shekuj me radhë dhe jo vetëm midis hebrenjve. Po aq e rëndësishme është që ato kanë rezonuar edhe midis të krishterëve. Protestantët britanikë janë përfundimisht përgjegjës për Deklaratën e Balfurit, e rrënjosur në besimin e tyre në këto mite. Lord Shaftesbury ishte sionist në vitet 1830, para sionistëve të parë hebrenj, për arsye fetare.
– Por barbarizmi izraelit, siç po e shohim tani, po fillon të gërryejë disa nga këto mite, apo jo?
Mund të ketë një njehsim. Sionizmi i krishterë në fjalë është kryesisht dukuri protestante; është shumë më pak i përhapur midis popullatave katolike. Ai lexim i Biblës – “mbledhja e Izraelit” si pararendës për Ardhjen e Dytë dhe Gjykimin e Fundit, Zbulesa e Shën Gjon Hyjnorit – është në thelb një lexim protestant. Dhe në shumë prej denominimeve protestante më liberale në ShBA, ka një kuptim në rritje për rrezikun e këtij leximi dhe për sa i rremë është në lidhje me vlerat e krishtera. Shikon një zhvendosje paralele midis hebrenjve, të cilët thonë se kjo nuk ka të bëjë fare me traditën hebraike që duam të mbajmë. Ne nuk duam të shpartallojmë njerëzit siç izraelitët shkatërruan Amalekun. Nuk besojmë në versionin e judaizmit që frymëzon shumë nga kolonët dhe krahun e djathtë të spektrit politik izraelit – që shtrihet nga e djathta ekstreme deri te e majta qendrore, meqë ra fjala. Ata besojnë në këto gjëra, për shkatërrimin e amalekitëve si armiq të Izraelit. Netanyahu ka përqafuar në mënyrë cinike këtë logjikë shfarosëse, në një lexim fjalë për fjalë të Librit të Salit – “Kujto çfarë të ka bërë Amaleku.” Një shumicë e Knessetit, 64 anëtarë, po mbështesin një qeveri të kryesuar nga një njeri që e ka përsëritur këtë vazhdimisht. Megjithatë, kjo nuk është ajo që një pjesë e madhe e komunitetit hebraik në ShBA beson.
– Tani, në mbarim, të kthehemi tek universiteti juaj, Columbia.
Ai nuk do të jetë më universiteti im kur të dal në pension në fund të qershorit.
– Por ende do të jeni i lidhur me të në një farë mënyre.
Do të jem vetëm një ish-anëtar i fakultetit, duke dhënë disa kurse si një jo-anëtar i fakultetit – ose si “fakultet i përkohshëm”, siç kemi filluar t’i quajmë.
– A mund të venitet fare ngjyrimi “terrorist” për titullin akademik të Edward Saidit?
Nuk kam asnjë ide se çfarë do të ndodhë me të. Ka donatorë dhe pasardhës të donatorëve që do të kërkojnë, mendoj unë, që të ketë ende një katedër dhe që dikush i kualifikuar ta mbajë atë. Nuk ia kam idenë. Fushata në Shtetet e Bashkuara kundër Studimeve të Lindjes së Mesme në përgjithësi dhe studimeve për Palestinën në veçanti, është e dhunshme dhe shtrihet në tërë spektrin politik. Dhe tani kemi Departamentin e Policisë së Nju Jorkut që i bashkohet politikanëve pa parime në tymnajën e tyre që u bëjnë jehonë ankesave të turpshme të administratorëve të universiteteve, për agjitatorë të jashtëm dhe nxitje nga anëtarët e fakultetit, përfshirë edhe mua. Pra, nuk e di se çfarë do të ndodhë. Kur njerëzit më shtrojnë këto lloj pyetjesh, unë them se përshkrimi i punës së një historiani nuk përfshin parashikimin e së ardhmes.
– Ju ia dedikuat librin tuaj të fundit nipërve tuaj, gjë që zakonisht bëjmë ne të moshuarit. [Qeshje]
Le të regjistrohet që të dy po qeshim me të madhe.
Shprehët shpresën që ata të shohin një botë më të mirë. Cila është ndryshimi më i madh midis botës në të cilën jeni rritur ju dhe botës në të cilën po rriten ata?
Unë jam rritur në një botë ku nuk kishte zë palestinez – në botën arabe, në sferën publike në Perëndim; fare, nuk ekzistonte. Palestinezët nuk ekzistonin. Katër nipërit e mi po rriten në një kohë kur ka zëra shumë të fuqishëm për Palestinën, anembanë botës. Ky është një element që ka ndryshuar për mirë. Unë jam rritur në një botë ku narrativa sioniste ishte krejtësisht hegjemone dhe Izraeli përshkruhej me plot gojën si “dritë për kombet”. Tani nuk është më kështu. Sot ai shihet gjerësisht dhe me të drejtë si një shtet i pabesë për shkak të veprimeve të tij gjenocidale. Këto janë disa nga gjërat e pakta të mira që kanë ndodhur në këto kohëra shumë të këqija.
Rashid Khalidi është intervistuar nga Tariq Ali. Kjo intervistë është botuar në numrin 147 të revistës New Left Review Maj – Qershor 2024. Përkthyer dhe publikuar te Nyje.al dhe DITA me autorizim paraprak nga New Left Review. Për ripublikimin e saj në gjuhën angleze duhet të dërgohet një kërkesë me shkrim në redaksinë e New Left Review-s, ndërsa për këtë version të përkthyer te New Left Review dhe Nyje.al
Shqipëroi Genc Shehu
___________________
Nje mendimin
dhe
nje propozim
____________________
Ketu behet fjale,
per nje
“Liber te Vogel”
qe duhet lexuar,
me shprese se do
mund nxiret ndonje
konkluzion I dobishem.
Ne se ka ndonje reviste me titull
“NEW RIGHT REVIEW”, qe flet per
te njejtin problem, do ishte e
dobishme te botohesh, per te pare
perplasjen e ideve , pjesereisht
apo plotesisht kontradikorete,
qe ta vene trurin plotesisht ne levizje.
Ne mjaft raste qe shikojme cdo dite,
shohim me shume perplasje interesash
personale, se sa konkurence idesh per
ta cuar perpara interesin e Shqiperise.
Shkrimi (e lexova te gjithe) eshte marre kopy-paste nga revista e permendur ne fund te shkrimit, duke i nxjerre keshtu citimet e fund-faqeve te revistes ne mes te shkrimit qe jepet me lart; kjo e ngaterron pak leximin. S.d.q., ne 99% te fakteve te permendura ato njihen, nga librat dhe emisionet televizive, keshtu dhe personazhet e permendur, pervec tre-kater emrave, angleze e arabe. Profesori palestinez i intervistuar ka disa mangesi dhe kontradita ne lidhje me veprimet e fundit te Hamasit dhe Hizbullahut, duke mos kuptuar cfare donte te arrinte ne fund te fundit Hamasi ne Gaze dhe Izrael me sulmin e 7 tetorit, apo edhe ne gjeo-politiken e Lindjes se Aferme! Fati palestinez eshte per te ardhur keq; ashtu dhe qendrimi i Shqiperise ndaj Izraelit duhej te ishte me i qarte! I gjati e ka futur vendin e tij pa pike pergjegjsie ne mes zonash te nxehta e me vende armike te njera-tjetres! Dhe per cudi, si nje amfib pa shtylle kurrizore ka arritur deri tani te rreshqase si ngjale, kudo e kurdohere!