Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar edhe më tej tonet në debatin për pagat e gjyqtarëve dhe mënyrën e zbatimit të rritjes së kërkuar prej tyre.
Në një tjetër reagim në platformën X, Rama ka kundërshtuar pretendimin se gjyqtarët mund të marrin drejtpërdrejt nga Thesari i Shtetit fondet që lidhen me pagat e tyre, duke e cilësuar këtë si një qasje të papajtueshme me mënyrën se si funksionon shteti.
“Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu!”, shkruan Rama, duke shtuar se “historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat”.
Kryeministri e konsideron veçanërisht problematik edhe argumentin se fondet janë krijuar nga puna e vetë gjyqtarëve.
Sipas tij, një logjikë e tillë do të mund të aplikohej edhe nga doganierët, tatimorët, policët dhe inspektorët, të cilët mund të kërkonin fondet që kanë mbledhur nga taksat dhe gjobat.
“Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari?”, shprehet Rama.
Reagimi i Kryeministrit Edi Rama:
Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu!
Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo “i kemi mbledhur vetë” është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit.
Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat!
Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari?
Dhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që krahasimisht me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3.8 herë më shumë ose një pagë 280% më të lartë. Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë.
Kryeministri ndalet edhe te diferenca mes pagave të gjyqtarëve dhe profesioneve të tjera në sektorin publik. Ai argumenton se, nëse do të pranohej rritja e kërkuar pa një vendim të ri ligjor, një gjyqtar fillestar do të merrte 3.8 herë më shumë se një mësues, mjek apo ushtarak, ose një pagë 280 për qind më të lartë.
Ky është reagimi i radhës i Ramës në kuadër të përplasjes së fundit mbi pagat e magjistratëve. Gjatë ditëve të fundit, kryeministri ka publikuar disa reagime ku ka kundërshtuar mënyrën e kërkimit të rritjes së pagave dhe ka argumentuar se fondet e Thesarit të Shtetit nuk mund të vendosen në dispozicion përmes një vendimmarrjeje të pushtetit gjyqësor.
Rama ka insistuar se çdo ndryshim në pagat e gjyqtarëve duhet të bëhet përmes procedurave ligjore dhe vendimmarrjes së Kuvendit.
Debati është përshkallëzuar pas vendimit të Gjykatës Administrative për zbatimin e rritjes së pagave të magjistratëve, ndërsa qeveria dhe përfaqësues të sistemit gjyqësor kanë qëndrime të ndryshme mbi mënyrën se si duhet të zbatohet vendimi dhe mbi efektet financiare të tij.
j.l./ dita
