Nga Orgen Peci
Pabarazia ekstreme është bërë themeli mbi të cilin funksionon sistemi global, duke transferuar pushtet politik dhe ekonomik nga shumica drejt një elite të vogël të pasur dhe kjo po shkakton erozion serioze të demokracisë dhe të drejtave të shumicës.
Raporti i ri i organizatës Oxfam, me titullin “Në humnerën e Pabarazisë: Si të dalim dhe të ruajmë Demokracinë”, paraqet një tablo shqetësuese të botës sonë. Pabarazia ekonomike nuk është më thjesht një efekt anësor i sistemit global, por është bërë themeli mbi të cilin funksionon ai.
Përqendrimi ekstrem i pasurisë
Në vitin 2025, pasuria e më shumë se 3,000 miliarderëve ka arritur një shifër rekord prej 18,300 miliardë dollarë. Ky është niveli më i lartë në historinë moderne.
Kjo rritje në pasuri (rreth 2,500 miliardë dollarë vetëm në një vit) është thuajse e barabartë me pasurinë totale që zotëron gjysma më e varfër e njerëzimit, pra rreth 4,1 miliardë njerëz.
12 personat më të pasur në botë zotërojnë më shumë pasuri se gjysma më e varfër e popullsisë globale. Me fjalë të tjera: një grup shumë i vogël njerëzish ka më shumë se sa miliarda njerëz të tjerë së bashku.
Pabarazia shndërrohet në pushtet politik
Pasuria e madhe nuk qëndron thjesht në banka. Ajo shndërrohet në pushtet të jashtëzakonshëm politik dhe social:
Sipas Oxfam, një miliarder ka rreth 4,000 herë më shumë gjasa të zotërojë një funksion politik sesa një qytetar i zakonshëm.
Përmes financimit të partive, lobimit dhe mbështetjes së fushatave, elita e pasur mund të përcaktojë agjendën ligjore dhe ekonomike.
Në shumë vende, pasuria e madhe përdoret për të kontrolluar mediat ose për të formuar opinionin publik. Është fakt që tashmë edhe mediat e mëdha amerikane janë pronësuar nga miliarderë si Elon Musk apo Jeff Bezos.
Kjo do të thotë se ekonomia dhe demokracia janë duke u zhvendosur drejt një skeme ku ligji i më të pasurit dominon mbi zërin e shumicës.
Rreziku për demokracinë
Pabarazia ekstreme ka pasoja serioze për jetën politike dhe shoqërore: Në nivel global, vetëm rreth 3 nga 10 njerëz jetojnë në demokraci funksionale sot. Kjo është një rënie e ndjeshme nga dy dekada më parë.
Vendet me pabarazi të lartë janë deri në 7 herë më të rrezikuara nga shfaqja e regjimeve autokratike sesa ato më të barabarta.
Pabarazia çon në humbje besimi në institucionet shtetërore, ul pjesëmarrjen politike të shtresave më të cenueshme dhe rrit polarizimin social.
Këto tendenca e bëjnë demokracinë më të brishtë dhe më pak të aftë të përfaqësojë interesat e shumicës.
Jetë e vështirë për shumë njerëz
Ndërsa pasuria e pakicës rritet pafund:
Shumë njerëz vazhdojnë të përballen me varfëri, pasiguri ushqimore dhe mungesë shërbimesh themelore.
Që nga viti 2021, çmimet e ushqimit, energjisë dhe banesave janë rritur më shpejt se pagat, duke rënduar më tej sistematikisht jetesën e të varfërve.
Mijëra njerëz mund të përballen me pasoja fatale për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor ose aronien të mjaftueshëm ushqim.
Çfarë propozon Oxfam?
Raporti thekson se pabarazia nuk është e pashmangshme. Ajo është rezultat i politikave specifike. Për të sfiduar këtë trend, propozimet përfshijnë:
– Taksa më të larta dhe progresive mbi pasuritë e mëdha
– Luftë kundër monopoleve dhe rregullim më të fortë të tregjeve financiare
– Mbrojtje më të madhe të të drejtave të punës dhe zgjerim të shërbimeve publike
– Ristrukturim apo falje të borxheve të vendeve të varfra për të çliruar fonde për shëndetësi dhe arsim
– Forcim të hapësirës civile dhe konsumimit të mediave të pavarura
Qëllimi është të kthehet barazia dhe demokracia në qendër të politikave ekonomike globale.
