DR. JORGJI KOTE
Pas çeljes më 8 Shtator, Sesioni i 81 i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të zhvillojë dy veprimtaritë e tij më të rëndësishme – Java e Nivelit më të lartë më 18 – 25 Shtator dhe Debatin e Përgjithshëm më 22 – 28 Shtator;; aty do të flasin 98 Presidentë dhe 44 Kryeministra, ndërmjet të cilëve edhe Edi Rama. Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme i Sesionit të 81 është Ministri i Jashtëm i Bangladeshit, Khalilur Rahman. Logoja e këtij sesioni është “Rivendosja e besimit, menaxhimi i transformimit: Një OKB që realizon për të gjithë”
Me këtë rast do të adresohen tematika të nxehta dhe të ngjeshura gjeopolitike; ndërkohë që do të vijojnë procedurat e zgjedhjes së Sekretarit të ri të Përgjithshëm të OKB-së, me shumë gjasa që për herë të parë të zgjidhet më në fund një grua, të cilat do të përfundojnë në muajin Dhjetor.
OKB-ja është mbledhur në momente të brishta dhe jetike gjeopolitike për shkak të gjendjes tejet të rënduar, me dy kryesfidat ushtarake me pasoja të mëdha e të rënda për gjithë planetin – agresioni rus kundër Ukrainës dhe konflikti i zgjatur ushtarak në Lindjen e Mesme, me kriza dhe konflikte të tjera aneambanë botës. Por jo më pak edhe për shkak të përpjekjeve që po bëhen për ta goditur, revokuar dhe zëvendësuar rendin ekzistues ndërkombëtar dhe multilaterizmin të përfaqësuar pikërisht nga OKB-ja. E cila për shkak të mosnjohjes së historisë, misionit të shumëfishtë dhe strukturës së saj, mendohet gabimisht se mund të zëvendësohet apo dhe të çmontohet lehtë.
Mirëpo, mjafton t’i hedhësh një vështrim përvojës së saj 80 vjeçare dhe kushdo e kupton se OKB-në është më mirë dhe më e lehtë ta rinovosh, reformosh dhe çimentosh, se sa ta revokosh, rrënosh dhe çmontosh.
Dihet se ideja për krijimin e OKB-së u hodh më 12 Qershor 1941 në një takim në Londër dhe u realizua më 25 Prill 1945 me çeljen e Konferencës inauguruese në San Francisko. Synimi i saj strategjik ishte të mbante të bashkuara fillimisht 50 dhe më vonë 193 vendet anëtare, të shmangte tragjedi si dy luftrat botërore, të bëhej garante e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në botë.
Falë ndihmesës nga të gjitha vendet anëtare u krijua dhe konsolidua rendi i ri botëror shumëpalësh; tanimë i bazuar jo më në “të drejtën e forcës”, por në “forcën e së drejtës ndërkombëtare”. Përparësitë dhe rezultatet mbresëlënëse të OKB-së shpjegohen me numrin e madh, 193 shtete anëtare, dokumenteve të njohura ndërkombëtarisht të cilave u referohen shtetet e ndryshme, burimet njerëzore dhe financiare dhe imazhit të tyre. Eshtë fakt i padiskutueshëm se asnjë agjenci apo institucion tjetër ndërkombëtar nuk garanton dot paqen dhe sigurinë në botë pa autoritetin detyrues të KS të OKB-së.
Imagjinoni për një çast sa probleme dhe telashe të tjera të mëdha do të ishin krijuar në fushën e ekonomisë, financave dhe tregtisë ndërkombëtare pa Bankën Botërore, FMN-në dhe OBT-në; apo në fushën e projekteve zhvillimore teknike e shkencore pa PNUD-in; ndërsa në luftën kundër krimit të organizuar, narkotrafikut, pa INTERPOL! Po për paqeruajtjen kush mund të japë me shumë garanci se sa “helmetat blu” të dislokuara në pikat valuese të konflikteve kudo në botë? Po sëmundjet dhe epidemitë në botë, si mund të luftoheshin pa ndihmesën e OBSH-së? Po aq e vështirë do të ishte menaxhimi i azilit dhe emigracionit, megjithë problematikat e nxehta pa rolin e IOM-t, i bujqësisë dhe ushqimit pa FAO-n, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore pa UNESCO-n, apo kujdesi ndaj miliona fëmijëve të varfër kudo pa UNICEFI-n! Po në raste ankimesh gjyqësore e juridike, ku më mirë do ta kërkonin dhe gjenin të drejtën palët e ndryshme se sa te Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, atë të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve për Investimet dhe Marrëveshjes Ndërkombëtare të Detit? Mirëpo, shpesh harrohet se të gjitha këto dhe të tjera janë filiale të OKB-së.
Padyshim që OKB-ja me agjencitë e saj kanë patur jo pak dështime e gabime tashmë të njohura në disa fusha. Në shumë raste, nga projekte frymëzuese politike, ekonomike dhe sociale, ato kanë hyjnizuar procedurat burokratike, duke u kthyer, siç thotë politologu amerikan David Graber në “perandori rregullash të ngurta”. Ndërkohë, shtimi i papunësisë kronike, varfërisë, skamjes, dhunës dhe pasigurisë janë pasoja të drejtpërdrejta edhe të sistemit të OKB-së, paaftësisë së tij për t’iu përshtatur situatave të reja dhe shkëputjes nga realitetet e përditshme.
Veçanërisht në këto 20 vitet e fundit, OKB-ja dhe sistemi shumëpalësh që ajo mishëron janë tronditur thellë nga kriza dhe konflikte të shumta dhe serioze tashmë të njohura; për të arritur kulmin me agresionin e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës vitin e kaluar, kriza e përshkallëzuar në Lindjen e Mesme, etj.
Edhe forumi i tij më i lartë, Këshilli i Përhershëm i Sigurimit, është goditur rëndë mbas agresionit rus të 24 Shkurtit 2022, mbasi shkelja e hapur e Kartës së OKB-së vjen nga një anëtar i përhershëm i KS të OKB-së. Për pasojë, Këshilli i Sigurimit është reduktuar kryesisht në një platformë për shpalosjen e qëndrimeve gjeopolitike. Mirëpo, fajin për këto shqetësime dhe dështime nuk e ka thjesht dhe vetëm OKB-ja; se ajo nuk është forum abstrakt, por përbëhet nga shtetet e saj; mbi të gjithë nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të saj të Sigurimit, SHBA-të, Kina, Rusia Franca dhe Britania e Madhe dhe 10 anëtarë të tjerë të përkohshëm të tij. Gjithashtu, kudo në grupimet më të rëndësishme ndërkombëtare, madje edhe brenda SHBA-ve, BE-së, NATO-s, ca më shumë në Ballkanin Perendimor shihen qartë ndarje dhe përçarje.
Ndonëse të bashkuara zyrtarisht, vendet anëtare të OKB-së sot janë më të ndara se kurrë në vlera, parime dhe interesa të ndryshme dhe të kundërta, plot me rreziqe dhe kërcënime serioze për paqen dhe sigurinë planetare. Gjithsesi, ka një konsensus të gjerë se këto mungesa dhe dështime nuk ka pse të çojnë në nënvleftësimin, zëvendësimin, revokimin apo ca më keq në rrënimin e OKB-së. Sepse, padyshim që OKB-ja mbetet tribuna më e suksesshme, më bindëse, më e besueshme dhe më gjithëpërfshirëse në trajtimin e sfidave globale. Ja pse, është shumë më mirë të kemi një OKB, ama të reformuar, ndryshe pa këtë OKB të konsoliduar, të këqiat dhe dështimet do të ishin akoma më të mëdha.
Mjafton të njihesh me strukturat dhe përvojën e saj komplekse, dhe e kupton se asnjë forum tjetër nuk përballon dot sfida të tilla serioze dhe shumëdimensionale. Kjo shpjegohet edhe me disa specifika dalluese të OKB-së. Ndryshe nga Bordi i Paqes për Gazan, krijimi dhe funksionimi i OKB-së kishte karakter gjithëpërfshirës; ajo nuk ishte rezultat dhe shfaqje përjashtimisht e një lideri të vetëm, as marrëveshje e tipit “lere ose merre“ por produkt i një procesi të gjatë mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe konsultimesh nga ekipet diplomatike të vendeve pjesëmarrëse. Themelimi i saj pas 4 vite demarshesh dhe konsultimesh u bë pa improvizime dhe pa ngut; ai u filtrua me kujdes në kanalet diplomatike të të gjitha shteteve palë. OKB-ja u krijua mbi një bazë të qartë kushtetuese dhe ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërsa Këshilli dhe Bordi i Paqes për Gaza-n, vërtet ka një mandat nga KS i OKB-së, por ai është i përkohshëm dhe kufizohet të vendosja e paqes në Gazë dhe aq. Për pasojë, tejkalimi i mandatit ngjan si një trakt ose pamflet propagandistik dhe përbën shkelje të të drejtës ndërkombëtare. Arsye e mjaftueshme kjo për ta refuzuar atë, siç kanë bërë Italia, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Spanja, etj.
Më tej, ndonëse objektivi fillestar themelor i OKB-së ishte paqebërja dhe paqeruajtja, me vonë ajo u angazhua në disa misione të tjera të njohura jetike dhe së fundi Zhvillimin e Qëndrueshëm me Objektivat e Mijëvjeçarit. Ndërkohë, OKB-ja nuk ishte as paralele, as plotësuese dhe as mbivendosje e ndonjë grupimi tjetër të mëparshëm. Kjo po ndodh me Këshillin e Paqes, për të cilin u krijua menjëherë perceptimi i gjerë publik se ai synon sfidimin ose zëvendësimin e butë të OKB-së; deri në atë pikë sa ta konsiderojnë si OKB private/paralele të Donald Trump!
Mirëpo, vetë procedurat e ngutshme të krijimit të saj, pa konsultime paraprake me BE-në dhe vendet që u ftuan të jenë pjesë e tij e përforcojnë këtë imazh, i cili nuk ekziston për OKB-në. Mjafton të shohësh dokumentin e tyre themeltar, Kartën e OKB-së e cila ka 128 faqe, ndërsa ajo e Bordit të Paqes vetëm 8 faqe. Në fakt, perceptimin mbi Këshillin e Paqes si anti-OKB e përforcoi vetë Presidenti Trump kur pak kohë më parë njoftoi largimin nga 31 agjenci të OKB-së të angazhuara në fusha me nevoja dhe ndjeshmëri të mëdha publike, si klima, shëndeti, fëmijtë, varfëria dhe ndihmat humanitare, të gjitha në shërbim të paqes.
Ndërkohë, perceptimit dhe dyshimeve të mësipërme ia “vuri kapakun“ mandati i përjetshëm i kryesimit të tij, i vetos nga Presidenti Trump dhe mungesa e rregullave mbi rolin dhe përgjegjësitë e barabarta mes vendeve deri te kryesimi me rotacion, siç ndodh në OKB, dhe gjetkë. Edhe pagesa unikale 1 miliard Dollarë dhe pa asnjë diferencim për një vend të përhershëm në Këshill i kundërvihet praktikave të OKB-së, ku secili vend paguan një kuotë të caktuar në raport me popullsinë dhe nivelin ekonomik.
Së fundi, kushdo, ca më tepër liderët e vendeve të ndryshme janë në të drejtën e tyre që të kritikojnë dhe të shprehin rezerva dhe kundërshtime parimore ndaj organizatave dhe traktateve ndërkombëtare dhe partnerëve të veçantë; veçse jo duke u larguar, duke zbehur e ca më pak duke çmontuar diplomacinë shumëpalëshe dhe të drejtën ndërkombëtare universale të mishëruar te Karta e OKB-së, por duke e përmirësuar dhe reformuar atë në të gjitha komponentët e saj. Mirëpo, edhe kjo reformë, ndonëse është propozuar qysh 25 vite më parë vazhdon të pengohet pikërisht nga vetë Këshilli i Përhershëm i Sigurimit të OKB-së.
Gjithsesi, lajmi i mirë këtu është se në ceremoninë e inaugurimit të Bordit të Paqes për Gazën më 21 Shkurt 2026 në Uashington, duke vlerësuar përvojën dhe strukturat e saj komplekse planetare, Presidenti Trump e tha qartë se ky Bord nuk synon mbivendosjen dhe as zëvendësimin e OKB-së. Një pohim realist dhe i mirëpritur që premton për të ardhmen e OKB-së dhe reformimin e saj të pandërprerë, si alternativë absolutisht e pazëvendësueshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë.
Për ta mbyllur rikujtojmë thënien e ish Sekretarit emblematik të Përgjithshëm të OKB-së, i ndjeri Kofi Annan, se “ e vetmja alternativë në këtë botë të ndarë është një Organizatë e Vërtetë e Kombeve të Bashkuara”. Këtë bindje e përforcoi më tej në fjalën e tij më 26 Qershor 2026 Sekretari i Përgjithshëm Antonio Gueterres kur u shpreh se “ Karta e OKB-së fillon me tri fjalë të thjeshta: “ Ne popujt” dhe Jo, “ne më të fuqishmit”, jo ne fititimtarët. Por, ne popujt – të gjithë ne, të lidhur nga një bindje e vetme: se jemi më të sigurt, më të fortë dhe më njerëzorë kur qëndrojmë së bashku”
Për këto dhe arsye të tjera, Sesioni i sivjetëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së po përcillet me vëmendje dhe interesim të jashtëzakonshëm nga opinioni publik, politika, media dhe diplomacia kudo në botë, në Ballkan dhe në vendin tonë.
DITA
