Nga Dorin Xhima
Në botën e financave të larta po ndodh një përmbysje historike. Hong Kongu ka kaluar Zvicrën për herë të parë si qendra më e madhe në botë për pasurinë offshore. Ky ndryshim i madh erdhi si rezultat i një fluksi masiv investimesh nga Kina kontinentale, duke eklipsuar kështu parajsën tradicionale europiane.
Sipas vlerësimeve të fundit nga Boston Consulting Group (BCG), menaxherët e pasurisë në territorin e Hong Kongut administruan plot 2.9 trilionë dollarë asete ndërkombëtare gjatë vitit 2025.Rreth 60% e kësaj shume kolosale rrodhi direkt nga Kina kontinentale.
BCG parashikon se rritja e shpejtë e pasurisë aziatike do të thellohet edhe më tej, duke e zgjeruar hendekun midis Hong Kongut dhe Zvicrës në pothuajse 600 miliardë dollarë deri në fund të kësaj dekade.
Çfarë po e nxit këtë rritje?
Ky hov i Hong Kongut mbështetet në dy shtylla kryesore. E para është rikthimi i tregjeve të kapitalit. Një rigjallërim i bursës dhe aktiviteteve të kapitalit në Hong Kong u ka mundësuar kompanive të mbledhin fonde të rëndësishme jashtë vendit.
E dyta është dominimi industrial i Kinës. Suksesi i jashtëzakonshëm i këtij vendi në sektorët e teknologjisë së lartë, si prodhimi i automjeteve elektrike, ka krijuar valë të reja pasurie.
Megjithatë, ngritja e qytetit aziatik nuk është thjesht një histori lokale. Ajo pasqyron një ndryshim më të gjerë në flukset globale të parave. Sot, klientët e pasur po kërkojnë të shpërndajnë asetet e tyre nëpër juridiksione të ndryshme për t’u mbrojtur nga tensionet gjeopolitike, rreziqet e sanksioneve dhe paqëndrueshmëria politike globale.
”Ky është një fenomen krejtësisht i ri. Nuk kam parë kurrë asgjë të ngjashme,” thotë Michael Pellman Rowland nga Baseline Wealth Management, një menaxher i pavarur me seli në Zvicër që punon me klientë globalë.
“Diversifikimi juridiksional” – Trendi që po ndryshon rregullat
Historikisht, lëvizja e parave jashtë vendit nga klientët e pasur motivohej nga planifikimi i taksave ose strukturat korporative. Por që nga periudha e pandemisë, strategjia ka ndryshuar rrënjësisht. Sot flitet për “diversifikim juridiksional” — shpërndarja e qëllimshme e pasurisë nëpër shtete të ndryshme për të minimizuar rreziqet politike.
Sipas Michael Kahlich, partner në BCG, ky trend ka përforcuar pozicionin e “qendrave të rezervimit” (bankat ku menaxhohet dhe ruhet pasuria e klientëve ndërkombëtarë).
Sot harta financiare e botës po ndahet në dy pole kryesore: Aksi i Azisë: I ankoruar fort nga Hong Kongu dhe Singapori. Aksi i Perëndimit: I formuar nga rivalët tradicionalë dhe të rinj: Zvicra, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe SHBA.
Dilema zvicerane: A po bën mjaftueshëm Cyrihu?
Edhe pse Zvicra mbetet e lidhur ngushtë me pasurinë e pjekur dhe të qëndrueshme të Europës Perëndimore — duke qenë më pak e ekspozuar ndaj flukseve dinamike aziatike — shumë pasanikë nga Azia ende dëshirojnë që një pjesë e parave të tyre të përfundojë në bankat zvicerane. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e bankave të mëdha ndërkombëtare (përfshirë ato zvicerane) kanë hapur operacione të mëdha në Hong Kong dhe Singapor.
Megjithatë, brenda industrisë financiare zvicerane po lindin dyshime nëse vendi po bën mjaftueshëm për të qëndruar konkurrues. Për shembull, banka më e madhe e vendit, UBS, aktualisht ndodhet në një përplasje me rregullatorët vendas për shkak të rregullave të reja dhe më të rrepta mbi kapitalin.
”Pyetja që shtrohet është: A po bën Zvicra mjaftueshëm për të mbrojtur në mënyrë aktive pozicionin e saj, apo thjesht po fle mbi dafinat e stabilitetit të saj tradicional? Unë mendoj se është kjo e dytja,” u shpreh një bankier i UBS me seli në Cyrih.
Dubai dhe Singapori: Rivalët e tjerë në lojë
Në këtë ekuacion të ri nuk duhet nënvlerësuar Dubai. Që nga pandemia, ky emirat ka shërbyer si një urë lidhëse perfekte mes dy poleve të kapitalit (Lindjes dhe Perëndimit). Bankat gjigante si UBS, JPMorgan dhe Deutsche Bank janë zgjeruar me shpejtësi atje, të tërhequra nga taksa zero mbi të ardhurat, stabiliteti politik dhe fluksi i madh i zyrave familjare (family offices) dhe fondeve spekulative nga Rusia, India, Kina dhe Europa.
Megjithatë, me 721 miliardë dollarë asete të rezervuara vitin e kaluar, Dubai mbetet ende larg peshës së Zvicrës apo Hong Kongut, pavarësisht rritjes prej 11%.
Nga ana tjetër, Singapori — një tjetër përfitues i madh i zhvendosjes së kapitalit drejt Lindjes — ka pësuar një ngadalësim të moderuar. Ky rregullim erdhi pasi disa raste të bujshme të pastrimit të parave detyruan autoritetet të nisin një goditje rregullatore dhe të zbatojnë kontrolle shumë më të rrepta ndaj klientëve të pasur të huaj.
DITA

Aaaaaa Kina Popullore,,AaaaaaaaaaKina popullore!Aaaa shoku Li,shoku Li!
Na thoshte shoku Li,qe ne ate kohe..-Ju mbani shume qen.Me grurin,qe ju sjellim NE,ju ushqeni qente.
Mendova se vetem ne shqiperi ka pastrim parash.