Shtyhet për në maj provimi i kualifikimit për të gjithë arsimtarët që konkurrojnë këtë vit, për të fituar titujt “Mësues i kualifikuar” dhe “Mësues specialist”. Ndonëse ishte parashikuar që provimi me shkrim për këto dy kategori arsimtarësh, të zhvillohej në datën 29 prill, autoritetet e arsimit kanë konfirmuar shtyrjen, duke konfirmuar datën 6 maj si ditën dhënies së këtij provimi.
Rezultatet pozitive të këtij testimi me shkrim janë vendimtare edhe në rritjen e pagës që do të sigurojnë mësuesit, sipas kategorisë së kualifikimit që do të fitojnë në procedurat e këtij viti. Për mësuesit që fitojnë kategorinë e tretë “Mësues i kualifikuar”, rritja e pagës do të jetë me 5 për qind, ndërsa për arsimtarët e kategorisë së dytë “Mësues specialist”, rritja do të jetë me 10 për qind.
Data e re kur do të zhvillohet provimi
“Provimi me shkrim për mësuesit e kategorisë së dytë dhe të tretë të kualifikimit në sistemin arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2022-2023, do të zhvillohet në datën 6 maj në orën 10:00-12:30 në Tiranë, në mjedise të planifikuara nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP)”, bën me dije zyra vendore e arsimit të Tiranës. Shkresa për ndryshimin e datës së provimit tashmë u është dërguar të gjitha strukturave rajonale të arsimit parauniversitar. Provimi do të zhvillohet në Tiranë për të gjithë mësuesit në vend, të cilët këtë vit janë bërë pjesë e garës për marrjen e njërës prej tre kategorive të kualifikimit.
Në provimin me shkrim do të përfshihen të gjithë arsimtarët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të aplikimit me dosje. Fushat kryesore në të cilat testohen njohuritë dhe aftësitë e mësuesve, janë të tilla, si: dokumentet zyrtare të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë mësimore, edukative të mësuesve, standardet dhe programet e lëndës në të cilën janë profilizuar dhe zhvillojnë mësim, aspekte të pedagogjisë dhe të metodologjisë së mësimdhënies dhe të të nxënit, aspekte të etikës dhe të komunikimit, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si dhe përmbajtja shkencore e kurrikulës së lëndës që japin mësim. Për të orientuar mësuesit në lidhje me zhvillimin e këtij provimi, më herët janë shpallur edhe programet orientuese me tematikat kryesore ku mësuesit duhet të ndalen rreth përgatitjeve për provimin me shkrim.
“Provimi do të quhet i kryer me sukses nëse kandidati ka siguruar të paktën 40 për qind të pikëve për secilën pjesë të testit”, përcaktohet në udhëzimin e miratuar më herët nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për fitimin e shkallëve të kualifikimit për vitin 2023.
Kandidatët për kualifikim janë të gjithë punonjësit e institucioneve arsimore parauniversitare publike dhe private, të cilët kanë një diplomë në fushën e mësuesisë, ose zotërojnë diplomë të arsimit të lartë të ciklit të parë dhe të dytë të barasvlershme me to, të ngjashme ose të përafërta me fushën përkatëse të mësimdhënies në arsimin parauniversitar, si dhe kandidatët që japin lëndën e muzikës, të arteve pamore, kërcimit dhe edukimit fizik, të cilët kanë plotësuar edhe vjetërsinë e duhur të punës për secilën nga tre shkallët e kualifikimit.
Për shkallën e kualifikimit kanë të drejtë që të përfshihen të gjithë mësuesit që deri në mbyllje të dhjetorit të vitit 2022, zotërojnë të paktën pesë vite pune në arsim. Kjo kategori mësuesish kualifikohet për kategorinë e tretë që është “Mësues i Kualifikuar”, teksa mësuesit me vjetërsi pune 10-vjeçare dhe më shumë, do të testohen për kategorinë e dytë, që është “Mësues i Specialist”.
Risia për kategorinë “Mësues mjeshtër”
Ndërsa mësuesit me vjetërsi pune 20 vjeçare dhe më shumë do të kualifikohen për kategorinë e parë, që është edhe më e larta “Mësues Mjeshtër”. Ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, për 2023-shin, për herë të parë, kualifikimi për mësuesit e kategorisë më të lartë nuk do të bëhet më nëpërmjet provimit me shkrim sikundër ndodh me kategorinë e dytë dhe të tretë.
Faza e dytë e konkurrimit për titullin “Mësues mjeshtër”, do të zhvillohet nëpërmjet orës mësimore të hapur, e cila do të organizohet në shkollën përkatëse, ku mësuesi jep mësim. Ndërkohë që do të jetë vetë ai që do të zgjedhë klasën, me të cilën do të kryejë këtë orë.
Zyra vendore e arsimit në bashkëpunim me përfaqësuesit e rrjeteve profesionale, harton kalendarin e orëve mësimore të hapura dhe e miraton atë për të gjithë kandidatët, sipas periudhës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ora mësimore e hapur për procesin e kualifikimit ndërtohet sipas planifikimit ditor, duke përfshirë risi metodologjike, për realizimin e rezultateve të të nxënit, si dhe risi në procesin e të nxënit. Këto orë do të jenë sipas profilit të lëndës ku mësuesi jep mësim. Drejtuesi i rrjetit profesional do të sigurojë pjesëmarrjen e anëtarëve të rrjetit profesional në orën mësimore të hapur të zhvilluar nga kandidati mësues për kategorinë e parë të kualifikimit. Pjesë e kësaj ore mësimore do të jetë edhe drejtuesi i shkollës, si dhe përfaqësuesit e këshillit të prindërve. Në përfundim, ora mësimore e hapur do të vlerësohet sipas niveleve të vlerësimi.
Marrja shkallëve të kualifikimit për 2023
Referuar skemës së përcaktuar në udhëzimin e posaçëm të MAS, vlerësimi përfundimtar i çdo kandidati që garon për shkallën e kualifikimit përgjatë këtij viti do të bëhet me sistemin e 100 pikëve, të cilat mblidhen nga portofoli i mësuesit (30 pikë), si dhe pikët e testit me shkrim (70 pikë).
Ndarjen e plotë të pikëve për secilin element të portofolit profesional e gjeni në tabelat bashkëngjitur shkrimit, së bashku me planin se si do të vlerësohet zhvillimi i orës mësimore për mësuesit që janë në garë për kategorinë më të lartë të kualifikimit “Mësues mjeshtër”.
Kandidati vlerësohet me 5 shkallë që janë: A-Shkëlqyeshëm, B-Shumë mirë, C-Mirë, D-Mjaftueshëm, si dhe E-Dobët.
Mësuesit që japin testin e kualifikimit por që janë të pakënaqur me rezultatin mund të aplikojnë sërish përgjatë viteve në vijim për të përmirësuar rezultatin. Në përfundim të këtij procesi kandidati merr edhe certifikatën përkatëse që konfirmon shkallën e kualifikimit të fituar. Mësuesit që nuk arrijnë të sigurojnë pikët kaluese përgjatë këtij viti, kanë të drejtë që të testohen sërish për të fituar shkallën përkatëse të kualifikimit përgjatë vitit të ardhshëm, çka do të thotë se rezultatet negative nuk penalizojnë mësuesin me humbje të vendit të punës.
p.k\dita