“Kush ruan gjuhën e vet, ruan çelësin e përbashkësisë shpirtërore tëkombit”
(Antonio Gramshi)
Akademik Gjovalin Shkurtaj
Këto ditë del nga shtypi libri im më i ri “Kultura e gjuhës sot”. Ky libër vjen mbas shumë librave të mëparshëm: “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran” (1983 dhe botimi i dytë 1988), “Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur” (1998 ); “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës shqipe (2003) “Kultura e gjuhës” (2006); “ Si të shkruajmë shqip”-Nga drejtshkrimi te shkrimet profesionale- (2008, 2012; ”Sociolinguistika” (1999); “Sociolinguistikë e Shqipes”-Nga dialektologjia te etnografia e të folurit-, Botim i dytë, (2009); “Urgjenca gjuhësore”-Huazime të zëvendësueshme me fjalë shqipe-Fjalorth (“ADA”, 2015, dhe “NAIMI”, 2017); Gj.Shkurtaj-M.Shopi “Gjuha, ligjërimi dhe jeta” – Përmbledhje leksionesh, krestomaci dhe ushtrime sociolinguistike” (2018). Prej këtyre librave, prof. as. dr. Meleq Shopi, pedagoge në Universitetin e Elbasanit “A’Xhuvani”, ka përzgjedhur pjesët ose krerët (kapitujt) më të përshtatshëm, si dhe disa artikuj, kumtesa e shkrime të tjera të këtyre viteve të fundit, që mund të jenë si bazë për lëndën “Kultura e gjuhës” që është e domosdoshme (dhe shpresojmë)të futet si lëndë e re në të gjitha degët e shkollave të larta. Nga ky libër, si mbështetje të urimit tim për 10-vjetorin e gazetës “Dita” me pëlqimin edhe të mikut tim Xhevdet Shehu, njërit prej gazetarëve më të njohur e dashamirës të gjuhës shqipe, zgjodhëm pjesën me titull: “Ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim për çdo botim me karakter zyrtar”.
Nëntori për ne shqiptarët ka qenë dhe është muaji i përkujtimit të bëmave, ngjarjeve dhe veprimtarive të rëndësishmekombëtare.Sivjet, krahas festave të mëdha e që i përkujtojmë përvit, si 110-vjetori i Pavarësisë dhe i78-vjetorit të Çlirimit, kemi edhe 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe disa data të tjera të rëndësishme.Për një rastësi të këndshme, në fillim të këtij muaji ishte edhe 10-vjetori i gazetës “Dita”, një prej organeve të shtypit që ka shërbyer e vijon të jetë sinjë dritare e hapur për lajme të aktualitetit, për analiza e shkrimeserioze nga fusha të ndryshme e nga autorë me prurje të vlerësueshme e të rëndësishme. Në faqet e “Ditës” janë botuar edhe plot shkrime për kulturën e gjuhës shqipe si pjesë themelore e të kulturës shqiptare dhe për detyrat që i dalin sot shoqërisë shqiptare për ta ruajtur, mbrojture përpunuar edhe më tej gjuhën tonë të bukur, këtë pasuri të pavdirë që na e kanë lënë të parët e që na dallon e dëfton para botës se jemi shqiptarë.
Bashkohem me urimet, që i janë bërë këto ditë gazetës “Dita”me rastin e 10-vjetorit të saj ngafigura të shquara të letrave shqiptare,si akad.Rexhep Qosja etj.dhe,bashkë me dëshirën që kjo gazetë të jetë edhe më tej e pëlqyeshme nga lexuesit,ashtu si e ka traditë, po lejohemt’u kumtoj lexuesve se këto ditë do të dalë nga shtypi edhe një libër imi“Kultura e gjuhës dhe shoqëria shqiptare sot” nga Shtëpia Botuese “Pegi” e falë bujarisë e dashamirësisë së zonjës Eglantina Berhami, që mundësoi shtypjen e daljen e tij pikërisht në ditët e përkujtimit të Kongresit të Drejtshkrimit e të festave të mëdha kombëtare.
Qëllimi i kësaj përmbledhjeje studimeshështë të shtohet kujdesi për shqipen standarde në përdorimet zyrtare të administratës, të mediave e reklamave,të gazetave e revistave në letër dhe on-line në të gjitha hapësirat shqiptare. Ritheksojmë,në librin tonë, se mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim e peng moral gjithëkombëtar.Japim, natyrisht,edhe shumëçka nga shkrimet tona të mëhershme për kulturën e gjuhës shqipe dhe kundrime sociolinguistike të vlefshme për njohjen e situateës së sotme të shqipes së shkruar e të folur në Shqipëri dhe në të gjitha trojet apo hapësirat etnike shqiptare e që mund t’u vlejnë studentëve dhe masë së gjerë të lexuesve dhe shkruesve të interesuar për t’i zbatuar si duhet rregullat e drejtshkrimit dhe normat gramatikore të shqipes.
Së pari (e kryekreje), në libër theksohet e argumentohet se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, i pasqyron trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme gjeopolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Gjuha e një populli shpreh kulturën dhe i jep atij njësi (unitet) komunikimi, duke e lehtësuar edhe njësinë politike e truallësore (territoriale). Për këtë arsye gjuha e shkruar dhe e folur përbën elementin më të përdorur në identifikimin e popujve e të ndarjes së tyre gjeografike e dialektore. Përfillja e gjuhës si tipar themelor tregues i një populli është gjithandej më e fortë dhe më e plotvlershme sesa kufijtë politikë apo shtetërorë të një vendi. Rasti më i qartë është ai i mospërputhjes së kufijve gjuhësorë të shqipes në trojet shqiptare ballkanike me shtrirjen e shtetit të sotëm shqiptar. Mjerisht, për sherr të synimeve grabitqare të shteteve fqinje, Fuqitë e Mëdha, më 1913, bënë një ndarje shumë të padrejtë të trojeve e të popullit shqiptar, duke i aneksuar përkatësisht ish- Jugosllavisë (d.m.th. Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë) e Greqisë pothuajse gjysmën e popullsisë e të trojeve shqiptare, ku brez pas brezi është folur e flitet shqip dhe ku banorët e mbajnë veten me krenari se janë shqiptarë. Nëpërmjet gjuhës transmetohet në kohë pasuria e përbashkët kulturore e një populli, ruhen traditat dhe zhvillohet më tej kultura kombëtare, duke i dhënë edhe homogjenitetin e duhur bashkësisë etnike e kombëtare përkatëse. Njerëzit janë të interesuar që gjuha dhe kultura e tyre tradicionale të mësohen, të trashëgohen e të mbrohen nga fëmijët e tyre për të siguruar trashëgiminë e kulturës e të traditave të tyre kombëtare në brezat pasardhës. Porse kjo nuk ka qenë kurdoherë dhe kudo e mundshme. Kanë vepruar e veprojnë edhe sot forca e faktorë të hegjemonisë ekonomike, politike, ushtarake, diplomatike etj. dhe, nëpërmjet tyre, edhe kultura e gjuha e popujve të ndryshëm kanë ndjerë e pësuar, kur më shumë e kur më pak, trysninë e kulturave dhe të gjuhëve të pushtuesve, të kolonizatorëve, të misionarëve, tregtarëve etj.
Jam ithtar i thënies urtake të Atë Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë se çdo njeri “mundet me e dredhë g-juhën” sipas rasteve dhe mjediseve të caktuara,nga dialekti në shqipen e njësuar dhe anasjelltas.Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes. Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.Siç shprehej aktori i shquar italian Vitorio Gazman, secili njeri mendon në dialekt, por shprehet në gjuhën e përbashkët e të njësuar. Qysh në lashtësi, ka mbetur proverbi “Caesar non supra gramaticos” (Cezari nuk është përmbi gramatikanët).
Kemi pasur e kemi probleme jo me gjuhën e normat e saj, por me mungesën e kulturës dhe me mungesën e dëshirës për ta nxënë e për ta shkruar e folur si duhet shqipen; ka mjedise që nuk i zbatojnë rregullat e drejtshkrimit e normat morfosintaksore, ashtu si nuk i zbatojnë as rregullat e mirësjelljes gjuhësore. Ngjashëm me shoferët që nuk i zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe dihet se saveta humbin jetën ose gjymtohen për sherr të tyre. Shikojmë e dëgjojmë se çfarë mungesë kulture shkrimore dhe sa shtrembërime e dhunime po i bëhen shqipes në reklamat e televizioneve dhe në emërtimet e rrugëve, shesheve dhe kudo.
Shqipja standarde është etnolekti i të gjithë atyre që shkruajnë e flasin shqip në Shqipëri e kudo në hapësirat e mejdiset shqiptare dhe arbëreshe.
Në krerët apo sythat elibrit tonë shqyrtohen raste të shumta të sinkretizimit (në fakt të varfërimit) të shprehjes në emër të “modernitetit”, si p.sh. fillimi i letrave dhe i “letrave on-line’” (E-mail-eve) me fjalën e paadresuar dhe krejt të përgjithshme: “Përshëndetje”, në vend të asaj game të gjerë të përshëndetjeve të bukura me mbiemra cilësorë, që ka pasur shqipja e shkruar në traditën e saj, qysh kur ka filluar të shkruhet, dhe që janë edhe sot të gjalla në gjuhën e folur: i nderuari, i ndershmi, i dashuri, i paharrueshmi, i përndritshmi, i shtrenjti etj. Gjuha e reklamës po i eklipson fjalët e bukura duke i zëvëndësuar me fjalë të huaja, apo me elemente të zhargonit të pakrehur e të papranueshëm,ku zotërojnë fjalë me kuptime të ndryshuara,si çmime të çmendura, rrëmbej çmimin, rrëmbej medaljen etj. I shqetësuar del në rrugë e menjëherë përballesh me emra lokalesh e reklamash, në pjesën dërmuse në gjuhë huaja, aq sa të krijohet ndjesia se ndodhesh në të njëjtën kohë në shumë vende të huaja.Hap televizorin dhe përballesh me një shqipe që po shndërrohet në një gjuhë që nga dita në ditë po bëhet gjithnjë e më shumë e mbushur me shumë fjalë të huaja e prurje të ligjërimeve sektoriale dhe dialektore të pamira për shqipen standarde.Televizionet të duket se janë vënë në garë kush e kush të zëvendësojë fjalë të bukura shqipe me fjalë të huaja madje të vështira në shqiptim ( aq sa shpesh shqiptohen gabim ).Kishim (dhe e kemi,por padrejtësisht po e shmangim) emrin e një dite përkujtimore për të vdekurit, që del në variante të ndryshme krahinore: të shuarët, të shumat, ndë të dekur (arbëreshët e Italisë). Në vend të saj,me një vrull djallëzor, i janë kapuremërtimit të kësaj dite me termin anglisht Halloween, që shumica e shqiptarëve nuk dinëas ta shkruajnë,as ta shqiptojnë dhe,mbi të gjitha,as se çfarëpërfaqëson, por shohin se si maskohen e vishen me të zeza fëmijë e të rinj, duke bredhur shkallëve të pallateve si të ndërkryer,kurse nëpër televizione reklamat mbushen me figura vampirësh me dhëmbë jashtë e me tërfurqe në duar. Pra,kemi probleme me kulturën,me mungesën e kulturës, me mosnjohjen e vlerave të kulturës shqiptare e të gjuhës shqipe dhe, mbi të gjitha,me raste të shpërfilljese mënjanimit të padrejtë të vlerave të mira etnokulturore e gjuhësore të popullit tonë,gjoja në emër të “modernitetit” e me parapëlqime të pamotivuara e të panevojshme të së huajës.
Në libër sjellim, gjithashtu, fakte dhe shqyrtime të nxjerra nga përvoja dhe praktika konkrete e të drejtuarit me shkrim e studentëve ndaj pedagogëve të tyre, ku shihet qartë se, edhe në mjediset universitare, që duhet të kishin shprehjet dhe mënyrat e të drejtuarit më të zgjedhura e më të bukura, karakterizohen nga prirja e një sinkretizimi varfërues e që duhet të na shqetësojë.
Situata e sotme e kulturës gjuhësore në krejt bashkësinë shoqërore shqiptare nuk është ashtu si duhej të ishte dhe, në disa mjedise e raste, sidomos në ligjërimin e politikanëve dhe të mjaft gazetarëve është vërtet shqetësuese. Ka shumë vjet që është lënë pas dore kujdesi për shqipen e shkruar dhe të folur. Kultura dhe etika e të folurit publik kanë pësuar ”krisje” të dukshme e të rënda.Dhe, në fakt, ka jo pak politikanë e gazetarë, që flasin e shkruajnë si të krisur. Ka mjedise shoqërore dhe institucionale, ku shkruhet e flitet dosido, pa asnjë kujdes për etnografinë e ligjërimit, me shpërfillje të dukshme ndaj traditave dhe normave të etikës së kuvendit e të fjalës publike. Kjo “flamë” gjuhëprishëse prek shpesh si deputetë e zëdhënës të shtypit, politikanë e shtetarë të lartë, ashtu edhe gazetarë e sidomos artikullshkrues të organeve partiake, që ndjekin shembullin e tyre.Pakujdesia dhe papërgjegjshmëria për shqipen e shkruar e të folur shfaqet dukshëm edhe në rendjen e pamotivueshme e të papranueshme pas fjalëve të huaja dhe mënyrave të të thënit të “shartuara” sipas modeleve të anglishtes, por që nuk janë as të pranueshme dhe as të nevojshme.Gjithmonë shqiptarët kanë thënë, p.sh.: pi kafe, ha bukë, ha drekë, ha darkë etj. Tashti “modernët” po thonë gjithnjë e më shpesh: konsumoj një kafe, po konsumoj një drekë apo darkë etj. Dhe, populli i thjeshtë, që motejetë e ka dashur, po edhe e ka ruajtur gjuhën shqipe, pyet me të drejtë: Pse po e prishin etnografinë e të folurit shqip e shqiptarisht disa shtetarë e gazetarë? Pse po ia marrim frymën shqipes me reklamat e shkruara tmerrësisht keq e që po ia zvjerdhin shijen e të folurit shqip shikuesve e dëgjuesve të emisioneve?
E kemi shprehur edhe herë të tjera. Ka shpërthyer një vërshim i pafrenueshëm i fjalëve të huaja të panevojshme, shtimi i termave të huaj në vend të termave shqip që përdoreshin normalisht. Le ta fillojmë me një nga “prurjet” më të freskëta. Gjatëditëve të nxehta të verës, sa herë flitet për zjarret qëbien në Jug e në Veri, thuhet “Të gjithë jemi në alert”. Edhe një emision famëkeq në një nga televizionet ka titullin “Alert”.Gjatë ditëve të pandemisë, sikur të mos mjaftonin frika dhe shqetësimi e dhimbja për sasinë e madhe të njerëzve që ndahen nga jeta prej covid-19, na duhej të durojmë edhe plojën e fjalëve alert, alertohet (në vend të alarm, alarmohet); hospitalizohet (në vend të shtrohet në spital), si dhe i shumë foljeve të tjera të krijuara pa asnjë nevojë, si komisonohet (në vend del para komisionit mjeko-ligjor). Tmerri veshçjerrës i fjalëve fokus, fokusohem e fokusim, si dhe i reklamave ku nuk mungojnëlimit, limtoj, i limituar na shoqëron çdo ditë, qëkur hapim televizorin për të dëgjuar lajmet e deri në emisionet e orëve të vona të mbrëmjes, ku “vringëllojnë shpatat” e analistëve dhe jo pak “analfabetëve me diplomë”, që për fjalët e ndyra dhe zotësinë e sharjeve, ua kalojnë edhe ngjelkave më gojështhurura të lagjeve anësore të qyteteve shqiptare. Gjithandej në rrethet e politikanëve, të analistave dhe të masës së gjerë të shkruesve ka një ”ethe” për të përdorur fjalë të huaja të reja, po edhe për t’u rikthyer në fjalë të huaja të vjetra, të cilat tashmë ishin zëvendësuar me mjaft sukses. Vijon edhe “fushata” e kthimit të fjalëve shqipe ekzistuese në fjalë të huaja, si p.sh. kryetari bëhet president, kryesia- presidencë, pushtuesi-okupator, shtypja-represion, bashkësia-komunitet, lidhja-ligë a legë, qëndresa-rezistencë, ndalimi- arrestim etj.Madje, siç ka vënë në dukje edhe shkrimtari Ismail Kadare, disa politikanë dhe shtetarë, jo vetëm nuk ndreqen, nuk duan t’ ia dinë aspak për dëmin që po i sjellin shqipes, po edhe vazhdojnë të “kërkojnë” për të prurë sa më shumë fjalë të huaja, të reja. Mjaft politikanë, si dhe jo pak gazetarë, artistë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, kujtojnë se pa fjalë të huaja (të pakuptueshme e të panevojshme) nuk mund të quhen “të mençur” e të përgatitur. E kjo, sigurisht, shkon krahas me “garën” e pafrenueshme të fjalëve të huaja të hyra nga anglishtja, që përdoren dendur e pa nevojë në mediat e shkruara e të folura, në titujt e emisioneve radio- televizive dhe në reklamat. Të gjitha kanalet televizive të reja, qysh nga Top-Channel e në vijimësi, emërtohen me formën angleze channel e jo me fjalën tashmë të hershme e të shqiptarizuar kanal.Pyesim me të drejtë e pa asnjë ironizim: Ҫ’e gjeti RAI-n që thotë “cinque canali della RAI?” Po ashtu, është bërë e pandalshme “flama” e shqiptimit të shkronjave të shkurtesave jo sipas shqiptimit shqiptarisht (ABëCë, FëBëI), po sipas anglishtes: ejBiSi, eFBiaI etj. Edhe rubrika a emisione, që kishin emra a togfjalësha shqip, si studio e hapur, u “modernizua” duke e anglishtizuar: OPEN. Sapo është krijuar edhe një emision i ri që titullohet “Wy not”. Pyesim me shumë dashamirësi e pa asnjë cinizëm: Çfarë të keqeje do të kishte po të thuhej shqip: “Pse jo?” Sa mirë është, p.sh. titulli i emisionit “Përputhen”. Çfarë ka më të mirë reklama që thotë nxitoni të bëni blerje në dyqanin x se”sasia është e limituar” në vend të “sasia është e kufizuar”?! Çfarë të mire ka reklama që thotë ejani se se ka “çmime të çmendura” (në vend që të thoshte shqip e qartë: çmime të mira, çmime shumë të lira apo shumë të mira”). Dhe,shikoni lexues të nderuar, sa me ëndje po përhapet gjithandej cilësimi me fjalën i çmendur,apo me foljen rrëmbej(rrëmbeu çmimin) në vend të fitoi, mori.Gjithmonë është thënë e shkruar nga shqiptarët: “merrem vesh, bëj marrëveshje”. Po shohim të shkruar në faqet zyrtare apo në postime on-line, si dhe në ligjërimet e fjalimet zyrtare, foljet dakordësoj, dakordësohem dhe emrat e formuar préj tyre si dakordësim, dakordësi, të cilave u janë qasur me dashuri të donkishoteske gati të gjithë shtetarët shqiptarë, si dhe përsëriten nga mediat e shkruara e të folura. E pse na u dashka që, pa asnjë arsye (as kuptimore, as stilistike) të lëmë pa përdorur flalët shqipe merrem vesh, marrëveshje apo mosmarrëveshje. Për çfarë na duhet folja dakordësohem, kur dihet se shqiptarët që nga Vermoshi deri në Konispol thonë merrem vesh (apo nuk merrem vesh), si dhe emrat marrëveshje e mosmarëveshje. Madje, shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadareja, i cili ka shkruar edhe një libër të tërë me titullin “Mosmarëveshja”, as që e ka ndier nevojën t’i përdorë, qoftë edhe një herë të vetme, “mosdakordësinë” apo “dakordësinë”.
Me tepri dhe kot së koti i janë qepur edhe fjalëssuper shkruesit e teksteve të reklamave: supergrua, superumen etj. Të gjithë njerëzit normalë, të rinj e të moshuar, kur duan të cilësojnë dikë si të parin i thonë, p.sh. je njësh, apo njëshe, për dikë që është i pari i një pune a dukurie. Atëherë i pyesim zotërinjtë që bëjnë reklamat e televizioneve: pse po na tërboni me: “Number one” apo “Unë jam one”, kur shqip duhet thënë: numër një ose i pari apo e para dhe njësh apo njëshe? Na çorën veshët me pasthirrmën “wau” dhe me sa e sa imitime të tjera prej majmunësh, që si kur i dëgjon, ashtu edhe kur i sheh të shkruara, të vjen për të vjellë.Hapeni ndonjëherë Fjalorin e gjuhës shqipe dhe gramatikën, më të cilët keni mësuar në shkollën nëntëvjeçare apo në të mesmen dhe binduni se po e dëmtoni rëndë kulturën e gjuhës shqipe. Dhe, ndoshta, nëse do t’i lexoni këta rreshta, do të përgjigjeni me shprehjen “nuk na plas…”, që aq vrullshëm e për turp ka filluar të përdoret nga shumë gazetarë e analistë dhe që, mesa duket, do të “legalizohet”. Shteti legalizoi gjithato ndërtime pa leje e në kundërshtim të plotë me rregullat e urbanistikës. Dhe njerëzit e thjeshtë nuk ka pse të mos thonë me ironi e frikë: pse të mos legalizohen edhe sharjet e pornoligjërimet e shtetarëve e të njerëzve të medias? Kujt t’i qahemi e kujt t’i drejtohemi? Vetëm nëse ngjallim Pjetër Budin, i cili qysh në kohën e tij, ankohej se shqipja po “bastardohej” e mbushej me fjalë të huaja. Deri kur do të zgjatë kjo frymë gjuhëvrasëse e antishqiptare në burokracinë zyrtare shtetërore, në reklamat, në botimet e shkruara e në postimet në faqet zyrtare në internet? Ndërkaq, nuk mungojnë edhe “profetë” të legalizimit tëpërdorimeve të gabuara e kundër normave të shqipes me të ashtuquajturën “gjuhë në përdorim”, gjoja sipas urtakes latine: ”Usus norma loquendi” (=Përdormi është norma e të folurit). Po, miq të nderuar, latinët e urtë e të mençur kanë përkrahur “usus-in” duke pasur në mendje përdorimin e drejtë, që përhapet nga gjuha e shkrimit e deri poshtë në ligjërimin e zakonshëm, por nuk kanë përligjur shpërdorimet, se përndryshe do të kishin thënë ”abusus norma loquendi”. Përkundrazi, qysh në kohët më të hershme, kur shquhej kujdesi e detyrimi për t’i zbatuar pa ngurrim normat e gjuhës së shkruar thuhej “Caesar non supra gramatikos” (Cezari nuk është mbi gramatikanët), që do të thotë se shtetarët, që nga më i larti e deri të më i thjeshti e kanë për detyrë ta njohin e ta zbatojnë sa më mirë gjuhën zyrtare.
Me keqardhje shohim se është zbehur ose edhe mungon kujdesi apo disiplina gjuhësore e shtetit dhe e institucioneve zyrtare arsimore e kulturore. Në të gjithë botën e qytetëruar, gjuha mbahet gjallë dhe përpunohet nëpërmjet shkollës dhe institucioneve kulturore, ku tradicionalisht kanë luajtur rol të madh letërsia artistike teatri,filmi e, mbi të gjitha, gjuha e zyrave të shtetit dhe institucioneve zyrtare. Edhe tek ne për shumë vjet radhazi në këtë drejtim është punuar dhe ka pasur suksese të ditura. Në kohët e reja, sidomos në fund të shekullit që u mbyll e në ditët tona, rolin e dorës së parë përsa i takon modelit gjuhësor e kanë marrë mediat e shkruara (gazetat, revistat, interneti) dhe të folura (televizioni, radio dhe cd-të). Prandaj, ritheksojmë seruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk janë censurë, por detyrim zyrtar për secilin njeri që shkruan e botondokumente zyrtare, gazeta, revista, libra shkencorë etj.Kjo duhet bërë sidomos në titujt e gazetave e revistave, në përkthimet me shkrim të filmave, në reklamat e faqet popullarizuese etj.Për gjuhën e shkrimit, pas viteve të shkollës, njerëzit kanë si model kryesor atë që gjejnë në gazetat dhe revistat që lexojnë përditë, ndërsa për gjuhën e folur, natyrisht, ndikojnë fuqishëm gjuha e radios dhe e televizionit dhe, viteve të fundit, blogjet e faqet zyrtare on-line. Me fjalë të tjera, mediat, qofshin të shkruara, qofshin të folura, ditë për ditë, me atë që shkruajnë e thonë, o ndreqin o prishin diçka në gjuhë. Kam thënë gjithnjë dhe po e përsëris: shoqëria shqiptare dhe kombi shqiptar u detyrohen mjaft shtypit dhe radio-televizionit për sukseset që kemi arritur në gjuhën letrare të njësuar. RTSH-ja dhe radiot e televizionet private kanë pasur e kanë mjaft folës e redaktorë të mirë, që e kanë shqiptuar e intonuar bukur shqipen dhe kanë dhënë modelin e të folurit të mirë për masën e gjerë të dëgjuesve e shikuesve. Dikur bëhej shumë kujdes nga autorët dhe redaktorët, po kishte edhe një korrektor gjuhësor për çdo gazetë. Edhe fjalimet apo artikujt e raportet më të rëndësishme të personaliteteve politike të asaj kohe, cilido që të ishte autori, përfshirë edhe udhëheqësit kryesorë të Partisë-shtet, po të kishin gabime drejtshkrimore, nuk lejoheshin të dilnin ashtu, por korrektoheshin e ndreqeshin. Periudha ka qenë ajo që e dimë, por përvoja e saj për sa i takon gjuhës ka qenë e mirë dhe nuk ka pse të mos zbatohet. Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh. Koha jonë shtron me ngut edhe shtimin e kujdesit ndaj gjuhës së administratës zyrtare të shtetit dhe mediave, duke i dalë punës përpara, sidomos me përgatitjen sa më të mirë gjuhësore të shqiptarëve, qysh në vitet e shkollimit. Tashti kemi shumë njerëz që i dinë mirë (madje edhe sa s’ka ku të vejë më mirë) gjuhët e huaja. Kjo duhet vetëm të na gëzojë. Por, kemi pak, shumë, shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që mund të shkruajnë e të flasin bukur e pa gabime. Shikoni si flasin dhe si shkruajnë sot pushtetarët, zyrtarët dhe gazetarët tanë! Plot fjalë të huaja të panevojshme, plot shtampa gjuhësh të huaja të pamira e kundër natyrës së shqipes, me dukuri që tregojnë mosnjohje të plotë jo vetëm të gjuhës së njësuar (standarde), po edhe me elemente të çoroditjes së sintaksës së shqipes. Shpesh njoftimet e zëdhënësve të Qeverisë dhe kumtimet (komunikatat) e shtypit duket sikur nuk i shkruajnë shqiptarët. Kjo vlen edhe për shumë nga lajmet në Radio-televizion, si në ato shtetërore ashtu dhe në ato private. Ndërkaq, duhet të pranojmë me zemër të thyer (po edhe me shqetësim të madh qytetar) se shumica e atyre që shkruajnë, botojnë apo flasin në mediat elektronike kanë qenë nxënës dhe studentë në shkollat tona të mesme, pastaj, shumëkush prej tyre, edhe në të lartat. Natyrisht, si kudo, nuk mungojnë edhe doza snobizmi e ksenofobo-shqiptarizmi, por ato nuk do të dilnin dot në plan të parë, po të mos kishim lejuar atë situatë të keqe në mësimin dhe zotërimin e shqipes si lëndë mësimore në shkollën e mesme dhe më tej. P.sh., në qoftë se vemë re që, shumë njohës të mirë të anglishtes, italishtes, frëngjishtes etj., që kanë kryer studimet e larta për gjuhë të huaja nëfakultetet përkatëse, kur përkthejnë dhe botojnë artikuj për gazetat, njoftime për zyrtarët apo edhe libra shkencorë e artistikë bëjnë aq shumë gabime drejtshkrimore dhe morfosintaksore, pa le më fjalë të huaja të panevojshme, kjo do të thotë se kanë përgjegjësi dhe faj, së pari, shkolla e mesme dhe Fakulteti ku ata kanë marrë notat kaluese në lëndën e gjuhës shqipe. Të gjithë ata, që aq keq e flasin dhe e shkruajnë shqipen, siç e thamë, janë njerëz me shkollë, shumica me shkollë të lartë e jo pak sish edhe me grada e tituj shkencorë. Atëherë, po t’i themi gjërat shkoqur, pa rrumbullakime e zbutje, duhet të pranojmëqë: ose nuk kanë marrë formimin e nevojshëm gjuhësor në shkollë, gjë që do të fajësonte pikërisht shkollën dhe programet e planet mësimore, bashkë me tekstet përkatëse; ose, këta njerëz, na qenkan aq antishqiptarë dhe antikombëtarë, apo, në mos tjetër, aq snobë të pandreqshëm, saqë, me qellim, në vend që ta flasin e ta shkruajnë mirë shqipen, e prishin, e përziejnë dhe ia marrin nëpër këmbë bukurinë dhe hijeshinë asaj. Kam përshtypjen se, më fort kemi të bëjmë me mëdyshjen e parë: ka mosnjohje, pastaj edhe mospërfillje të gjuhës. Nuk besoj (ose më saktë: nuk ma ka ënda ta pranoj) se, një njeri që e ka mësuar në shkollë dhe e ka rrënjosur në tru se shqip thuhet, p. sh.: nga unë, nga ti, nga ju, nga ne, tek unë, tek ti, tek ne, tek ju, të shkruajë sistematikisht format e gabuara e të papranueshme në gjuhën shqipe: NGA MUA, NGA TY, TEK MUA, TEK TY?! Për të mos përmendur rrëmetin e padurueshëm e prej analfabetësh të përdorimit të përemrit kushtë shoqëruar me emra (kush ministër, kush profesor, kush djalë, kush student, madje edhe analfabetizma të tilla si kush problem, kush institucion, kush pikturë),kur edhe nxënësit e klasës së parë,po edhe njerëzitnormalë, pa shkollë,por që i thonë vetes shqiptarë, e dinë se përemri kushduhet përdorur gjithmonë pa emra mbrapa dhe vetëm për njerëz.Vetëm injorantët mund t’ia lejojnë vetes të shkruajnë (e të thonë)ashtu si po i lexojmë e dëgjojmë në Kuvend, nga emisionet radio-televizive: kush problem,kush çështje, kush klasë,kush pyetje, kush lagje etj.,që po bëhen aq të dendur e të padurueshëm gati në të gjitha mjediset ku flitet e diskutohet,që nga Kuvendi i Shqipërisë dhe në emisionet e panumërta,ku rëndësi i jepet vetëm pamjes dhe formës, duke lënë krejt mbas dore redaktimin e kujdesin për të folurit shqip.
Gjuha shqipe, ashtu si çdo gjuhë letrare kombëtare e popujve të qytetëruar, është pasqyra më e qartë e kombit, si dhe e kulturës së tij të përbashkët. Siç thotë Rexhep Qosja “gjuha është biografi e popujve, sepse me gjuhën, më mirë se në çdo dokument material ruhet historia e tyre intelektuale, sociale dhe morale”.Bashkohem plotësisht me vlerësimin e akademikut të nderuar dhe të gjithë atyre studiuesve shqiptarë, që jo vetëm e miratojnë zbatimin në ballë të gjerë të gjuhës sonë letrare të njësuar, të përbashkët e të vetme për të gjithë shqiptarët, po edhe që e kanë thënë dhe e thonë bujshëm e pa asnjë ngurrim se gjuha e përbashkët , në të vërtetë, ka qenë dhe është pasuria më e madhe e të gjithë shqiptarëve, prandaj asaj i kemi kushtuar dhe bëjmë mirë t’ i kushtojmë rëndësinë themelore, si mjet themelor për kulturën tonë kombëtare. dua të përmbyll duke shprehur bindjen time (por që s’është e s’ ka si të jetë vetëm e imja) se vetëm një gjuhë e vetme, vetëm një varietet standard me normë të njëjtë drejtshkrimore, të përbashkët për të gjithë bashkëkombasit shqiptarë, dhe me strukturë gramatikore e leksikore të përcaktuar nga norma të gjalla e të studiuara mirë, mund të përballojë nevojat kaq shumë të shtuara të shprehjes dhe të krijimit që u dalin sot shqiptarëve, se vetëm një gjuhë e tillë, e fuqishme dhe e përpunuar, po edhe e mbrojtur përkushtimisht nga rreziqet gjithashtu aq të shumta (po edhe të shtuara dukshëm në ditët tona), mund të shpërfillë edhe ndarjen në shtete, edhe mbylljen e kufijve ndërmjet shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë nga trojet shqiptare jashtë saj në shtetet fqinje apo në diasporë; është pikërisht kjo gjuhë jona e përbashkët që ka treguar e tregon se kombi ynë,kombi shqiptar ka qenë dhe është një dhe i vetëm, qoftë edhe pse i ndarë në disa shtete në Ballkan e në gati të gjithë botën, në formë diaspore. Sa kohë që edhe shqiptarët e shprishur nëpër dhera të tjera vijojnë ta quajnë vetën të tillë (shqiptarë, arbëreshë, arvanitë, arnautë), sa kohë që edhe ata, njësoj si ne, në trojet tona të moçme, ndonëse janë larg me trup, përbetohen e shprehen për shqiptarinë dhe vijojnë t’ i duan gjuhën shqipe e traditat shqiptare, e kemi për detyrë që t’ i përfillim e t’ i lidhim të gjithë sa janë në një fill të përbashkët të komunikimit: në gjuhën shqipe të njësuar e të përpunuar sa më hijshëm.
Tiranë, 7 nëntor 2022

Gjuha eshte e lidhur me ADN ne e familjes. ADN e forte dhe nje gjuhe e forte.
një komb pa gjuhë është një komb pa shpirt
Pershendetje profesor Shkurtaj!
Respekt per punen dhe perkujdesin tuaj te vazhdueshem per Gjuhen Shqipe.
Meqenese banoj jashte Shqiperise, do te kisha nevoje per nje orientim se ku mund ta gjej librin tuaj ( si bashkautor ) ” Gjuha Shqipe per te huajt dhe Shqiptaret jashte Atdheut ” ?
Me respekt
Qazimi