Nga Fatos TARIFA
Botuar në Dita
A family affair
Në familjen tonë jemi dy vëllezër e dy motra, të gjithë të lindur në Shqipëri, mes viteve 1949-1958. Prej nesh, vetëm tre jetojmë në Shqipëri; njëra motër jeton prej 24 vitesh në Kanada.
Nga martesat e ne të katërve janë lindur 7 fëmijë, që janë djemtë e mi, mbesat dhe nipërit e mi nga motrat dhe nga vëllai. Prej tyre, vetëm 3 jetojnë në Shqipëri; 4 jetojnë në Kanada, në Shtetet e Bashkuara dhe në Hollandë.
Të shtatë janë martuar (dy me shtetase të huaja) dhe, së bashku, i kanë dhënë familjes sonë 10 fëmijë, nipër e mbesa, prej të cilëve, vetëm 3 janë lindur në Tiranë; të tjerët janë lindur përtej Atlantikut: 2 në Toronto, 2 në New York, 2 në Alaska dhe 1 në Hagë (Hollandë).
Nga ata të dhjetë, vetëm 3 jetojnë në Shqipëri; 7 jetojnë në Kanada, në Shtetet e Bashkuara dhe në Hollandë; 2 prej tyre nuk i kam parë as edhe një herë të vetme, pra, nuk kam mundur t’i njoh.
Kjo është, me pak fjalë, historia e familjes sonë në këta 30 vitet e fundit. Nga 21 pasardhës (fëmijë, nipër, mbesa, stërnipër e stërmbesa) të prindërve të mi, që përbëjnë familjen tonë “të orientimit”, nëse përdor këtë koncept sociologjik, vetëm 9 (më pak se gjysma) jetojmë në Shqipëri; 12 janë larguar nga vendi pas vitit 1998, ose janë lindur në një vend të huaj.
Një dukuri e përgjithshme
Edhe nëse rasti i familjes sonë mund të mos jetë tipik në Shqipërinë e sotme, ai është, në shumë aspekte, i ngjashëm, në mos edhe i njëjtë, me fatet e dhjetëra mijëra familjeve shqiptare që kanë njohur e vazhdojnë të përjetojnë të njëjtën dukuri “shpërbërjeje” gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit. Shembujt e mëposhtëm i përkasin rrethit më të ngushtë të të afërme dhe shokëve të mi.
Ime shoqe ka dy motra; të treja bashkë kanë 5 fëmijë, prej të cilëve, vetëm 2 jetojnë në Shqipëri; 3 jetojnë prej kohësh në Shtetet e Bashkuara dhe në Hollandë. Njëri prej tyre, i martuar me një shtetase të huaj, ka lindur në Shtetet e Bashkuara 2 fëmijë, asnjërin prej të cilëve unë nuk e njoh. Motra e tij, martuar edhe ajo me një shtetas të huaj, ka lindur, po në Shtetet e Bashkuara, një fëmijë, të cilin gjithashtu nuk e njoh.
SGj, shoku im më i ngushtë që nga fëmijëria, ka një motër; nga martesat e tyre ata kanë 3 fëmijë, prej të cilëve vetëm njëri jeton në Shqipëri; dy të tjerët jetojnë në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara.
EK, njëri prej shokëve të mi më të ngushtë, ka dy fëmijë, njëri prej të cilëve jeton prej vitesh, martuar me një shtetas të huaj, në Gjermani.
I ndjeri MZ, një ndër miqtë e mi të afërt, ka lënë pas tre fëmijë, prej të cilëve asnjëri nuk jeton në Shqipëri; të martuar me shtetas të huaj, ata jetojnë prej kohësh përkatësisht në Hollandë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Vështirë se mund të gjesh sot familje në vendin tonë që të mos kenë një ose më shumë anëtarë të larguar, ndoshta përgjithmonë, nga Shqipëria, për të krijuar një jetë, një karrierë ose një familje të re në një vend tjetër, kryesisht në Perëndim.
Shqipëria, një rast i pashembullt?
Realiteti shqiptar i këtyre 32 viteve të fundit nuk është i pa precedent në historinë moderne të Europës. Ka pasur edhe raste të tjera eksodesh masive nga vende europane (duke filluar nga vendet skandinave, Gjermania e deri te ato mesdhetare (kryesisht Italia dhe Greqia) në drejtim të Amerikës apo në drejtime të tjera.
Në periudhën mes viteve 1880-1914, rreth 1.3 milion suedezë, afërsisht 1 në çdo 4-5 vetë prej popullsisë 5.7 milionëshe të Suedisë në prag të Luftës së Parë Botërore, shumica e të cilëve vajza dhe djem të rinj e të shëndetshëm, emigruan në Shtetet e Bashkuara, duke krijuar atë komunitet diasporik që njihet si Svenskamerika (apo Swedish America—Amerika suedeze).
Po në të njëjtën periudhë, më shumë se 4 milionë italianë, ose afërsisht 1 në çdo 9 ose 8 banorë të Italisë në prag të Luftës së Parë Botërore, e lanë vendin e tyre për Botën e Re, duke u vendosur kryesisht në zona që u bënë etnikisht homogjene, të ashtuquajturat Little Italies, në qytetet kozmopolitanë të Amerikës—kryesisht në Chicago, në New York, në Boston, në Philadelphia, në San Francisco, ose në Providence), si dhe në Kanada (kryesisht në Toronto dhe në Motreal), por edhe në Australi (Sydney), apo në Argjentinë (Buenos Aires)— dhe kryesisht për shkak të asaj çka Robert Harney e quante “Italofobi e botës anglofone”. Kjo u përsërit edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur 1 në çdo 8 ose 7 italianë e lanë vendin e tyre duke emigruar në Shtetet e Bashkuara. Brenda një shekulli, nga viti 1870 deri më 1970, numri i emigrantëve italianë kudo në botë arriti shifrën 26 milionë.
Në periudhën mes viteve 1890-1914, thuajse 1 në çdo 6 grekë lanë vendin e tyre për t’u vendosur kryesisht në Shtetet e Bashkuara, duke krijuar atë që njihet si Hellenic Diaspora në atë vend. Në vitin 1925, përsëri, 1 në çdo 4 ose 3 grekë meshkuj të moshave 15-45 vjeç e lanë Greqinë për t’u vendosur në Amerikë (kryesisht në New York, në Boston dhe në Chicago). I njëjti eksod masiv i grekëve u përsërit edhe pas Luftës së Dytë Botërore kur, në periudhën nga viti 1950 deri më 1974, mbi 1 milion grekë u shpërngulën në vendet më të zhvilluara të Europës Perëndimore (kryesisht në Gjermani), si dhe në Shtetet e Bashkuara, në Kanada dhe në Australi.
Shqiptarët si mërgimtarë dhe diasporë
Edhe pse largimi i shqiptarëve nga vendi i tyre gjatë këtyre 32 viteve të fundit mbetet një dukuri sociologjike thuajse tërësisht e pastudiuar, disa prej arsyeve që e shpjegojnë këtë dukuri kanë qenë e janë po ato që kanë motivuar edhe largimin e gjermanëve (komuniteti etnik numerikisht më i madh i vendosur në SHBA nga Europa), të suedezëve, të italianëve e të grekëve 150 apo 130 vite më parë, madje edhe pas Luftës së Dytë Botërore: varfëria, pakënaqësia ndaj kushteve dhe gjendjes së jetesës së tyre, dëshira dhe shpresa për një jetë më të mirë dhe, për disa, edhe një sens aventurizmi.
Me shumë interes është libri best seller i gazetarit dhe shkrimtarit të njohur italian Gian Antonio Stella, Dyndja: Kur shqiptarët ishim ne (L’orda. Quando gli albanesi eravamo noi), botuar në vitin 2002, të cilin ma solli ndër mend miku im Pëllumb Xhufi. Historia e eksodit shqiptar në fillimin e viteve 1990 nuk është e huaj për italianët dhe as për popujt e tjerë të Europës, përfshirë pothuaj edhe të gjithë popujt e Ballkanit.
Ndonjërit prej jush, lexues të nderuar, mund t’i kujtohet një film i regjisorit italian Gianni Amelio, titulluar “Lamerica”. I prodhur në fillimet e viteve 1990, pra rreth 30 vite më parë, ai film u përpoq të pastyronte eksodin e parë të shqiptarëve drejt Italisë më 1991. Në fakt, vetë Amelio ka deklaruar në një rast se, “Lamerica” nuk është një film për shqiptarët, por për italianë. Ai film bën një lidhje të qartë mes Shqipërisë në fillimin e viteve 1990 dhe Italisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Shprehje e qartë e një paralelizmi të tillë është vetë titulli i filmit, i shqiptuar si një fjalë e vetme—Lamerica, jo L’America—që i ngjan shqiptimit të një emigranti italian të pashkolluar në Amerikë, në kohën kur brezi i gjyshit të Amelios emigroi nga Italia pas Luftës.
Shqiptarët e sotëm, sidoqoftë, nuk e lënë vendin e tyre për disa nga shkaqet që i shtynë miliona europianë në shekullin e 19-të për t’u shpërngulur në Amerikë, të tilla si, persekutimi për shkak të besimit fetar, mungesa e lirive politike, ose rendja për të gjetur ar në Perëndimin e largët.
Nuk marr përsipër të shpjegoj sociologjikisht në këto pak radhë shkaqet, pasojat dhe tendencat e eksodit masiv të shqiptarëve nga fillimi i viteve 1990 e këtej, pasi kjo do të kërkonte studime të thelluara, madje jo nga një studiues i vetëm. Jam i ndërgjegjshëm, gjithashtu, se shumë ndër ata që mund t’i lexojnë këto radhë, do më gjykojnë për mendimet që shpreh, pasi kjo është një temë që nuk lë askënd të painteresuar. Për më tepër, një dukuri dhe një subjekt i tillë janë politizuar sot në atë shkallë, sa e bën të vështirë një analizë objektive.
Nga ana tjetër, eksperiencat njerëzore, sidomos të atyre që kanë emigruar në Perëndim, por edhe të atyre që, për arsye të ndryshme, nuk e kanë bërë këtë, janë kaq të larmishme dhe kaq personale, saqë kushdo e ka të lehtë ta gjykojë tjetrin për mendimet që ai shpreh dhe të mos pajtohet me të.
Vetë autori i këtyre radhëve nuk e ka provuar jetën e emigrantit, edhe pse për 18 vite me radhë ka jetuar e punuar larg Shqipërisë. Sidoqoftë, gjatë atyre viteve kam pasur rastin të njoh nga afër e të miqësohem me shumë emigrantë shqiptarë dhe me familjet e tyre, në Hollandë, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada, në Meksikë e gjetkë. Nga përvoja personale me ta kam kuptuar shumë mbi shkaqet pse shqiptarët kanë emirguar dhe emigrojnë në vende të huaja, si dhe mbi shanset që ata kanë pasur e kanë për një më të mirë në Perëndim.
Këto shkaqe, sidoqoftë, janë më të shumta e më komplekse sesa ato që kam mundur të konstatoj unë përmes përvojës sime të drejpërdrejtë nga njohjet dhe ndërveprimi me dhjetëra e qindra familje shqiptare të emigruara në ato vende ku kam jetuar e punuar. Njohja e plotë e tyre kërkon statistika të sakta dhe studime empirike serioze, të mbështetura në fakte të besueshëm. Studime të tilla, siç vura në dukje më sipër, mungojnë, ndërsa statistikat zyrtare mbi shqiptarët që janë larguar nga vendi gjatë këtyre 32 viteve të fundit dhe mbi vendndodhjen e tyre janë, në rastin më të mirë, episodike, ose hamendësime.
Pavarësisht hartimit vitet e fundit të një strategjie kombëtare për diasporën (e cila duket se ka dështuar), njohuritë tona mbi diasporën shqiptare në botën e sotme mbeten fragmentare e sipërfaqësore, ndërsa lidhjet dhe marrëdhëniet me të politikisht klienteliste.
Me këtë pohim nuk dua në asnjë mënyrë të mohoj përpjekjet që kanë nisur të bëhen për ta njohur disporën shqiptare dhe për të bashkëpunuar me të, por të theksoj vështrësitë e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme për interesat kombëtare të vendit tonë, si dhe nevojën e një përpjekjeje gjithpërfshirëse, pjesë e së cilës, përveç—dhe më shumë se sa—një grupi burokratësh të administratës shtetërore, duhet të bëhet komuniteti akademik shqiptar në Shqipëri dhe në diasporë, sidomos ata që fushë studimi kanë sociologjinë, demografinë, ekonominë, antropologjinë dhe historinë.
Cilët largohen dhe kur?
Pavarësisht mungesës së burimeve statistikore, studimeve dhe informacioneve zyrtare të besueshëm, imagjinata sociologjike na mundëson të shohim përtej asaj që zakonisht vëmë re, përtej fjalëve që themi ose dëgjojmë në jetën e përditshme mbi emigrimin e shqiptarëve në ditët tona.
Shkaqet pse njerëzit emigrojnë janë sociale, por motivet që i shtyjnë ata ta lënë vendin e tyre janë kryesisht individuale, ose familjare. Me fjalë të tjera, arsyet pse një pjesë e shqiptarëve zgjedhin të emigrojnë janë shkaqe sociale të përjetuara subjektivisht nga individi ose nga pjesëtarë të familjes së tij. Nëse shkaku ekziston, por motivi mungon (motiv mund të jetë edhe vetë mundësia për të emigruar), ose ai nuk është një motiv i fortë, bindës, individi ka pak gjasa ta lerë vendin e tij dhe gjithçka që e lidh me të.
Vendimi për t’u larguar nga vendi tënd nuk është asnjëherë dhe për askënd një vendim i lehtë, as i papritur. Me të lidhen dilema të shumta, që kanë të bëjnë si me kushtet e jetesës dhe gjendjen aktuale—pronësore materiale, familjare e shpirtërore—të individit, ashtu dhe me të shkuarën e tij, por sidomos me pritshmëritë për një të ardhme më e mirë se sa gjendja aktuale. Sepse, të emigrosh do të thotë të ndahesh (ndoshta përgjithmonë) nga një e kaluar dhe nga një gjendje e caktuar e kushteve ekzistenciale të qenies tënde—si individ, por edhe në raport me të tjerët—për t’u bërë pjesë e një komuniteti njerëzor të ri, e një habitati kulturor të ri dhe e një realiteti ekonomik e shoqëror të ri, përgjithësisht të panjohur dhe me shumë të papritura e pasiguri.
Të emigrosh kërkon guxim. Këtë jo të gjithë e kanë. Edhe nëse rrethanat politike, ekonomike ose shoqërore e justifikojnë largimin e dikujt nga vendi i vet, nëse mungon guximi për ta ndërmarrë këtë hap individi nuk largohet, ose e ka shumë të vështirë të vendosë largohet. Çështja qëndron ndryshe nëse rrethanat dhe gjendja politike në vendin tënd—lufta dhe pasojat e saj, si ato që kemi parë vitet e fundit në Siri dhe në Ukrainë; genocidi, si ai në Ruanda, në Bosnje, në Kosovë apo në Darfur— represioni politik dhe varfëria ekstreme e bëjnë absolutisht të pamundur qëndrimin dhe, prandaj, nëse largohesh, ti nuk ke se ç’të humbasësh, edhe pse nuk ke asnjë siguri për atë që mund të fitosh në një shoqëri krejtësisht të huaj për ty.
Për ata, të cilët, për shkaqe të tjera nga këto që përmenda më sipër, pavarërisht arsyeve që i motivojnë, e lënë vendin e tyre, shumëçka varet nga ajo se Çfarë përfaqësojnë ata si individë— arsimi që kanë marrë, shkalla e njohurive, aftësitë profesionale apo teknike, veçanërisht talenti që zotërojnë në një fushë ose në një profesion të caktuar, aftësi të tjera në jetë, vullneti, vendosmëria dhe kurajua për të vepruar e për t’ia dalë mbanë edhe në kushtet më të disfavorshme, sociabiliteti i tyre (çka nënkupton edhe aftësinë për t’i akulturalizuar në një mjedis të ri social e kulturor), mosha, njohjet që kanë ose që mund të kijojnë, aftësitë për të kuptuar e shfrytëzuar çdo shans që mund t’u paraqitet dhe shumë faktorë të tjerë.
Ku janë vendosur dhe ku shkojnë shqiptarët?
Pa as më të voglin dyshim, një faktor shumë i rëndësishëm për suksesin ose jo të një indivi që emigron është vendi që ai zgjedh të adoptojë si atdheun ose vendbanimin e tij të ri. Jo çdo vend u ofron emigrantëve të huaj mundësi të mira për të jetuar, për të punuar, për t’u integruar në shoqëri, për t’u zhvilluar e për të pasur sukses.
Vala e parë e emigrantëve shqiptarë pas vitit 1990 kishte si destinacion vendet fqinjë (Italinë dhe Greqinë), si dhe vende të tjerë të zhvilluar në Europë, kryesisht Gjermaninë, Zvicrën dhe Austrinë. Me kalimin e kohës, harta e diasporës së re shqiptare u zgjerua në tërë kontinentin europian, nga Finlanda dhe Suedia në Spanjë e në Portugali, nga Qipro dhe Malta në vendet e Beneluksit, në Britaninë e Madhe e deri në Islandë.
Në disa vende europiane emigrantët shqiptarë formojnë sot komunitete relativisht të konsiderueshëm, që numurojnë dhjetëra mijëra vetë, ndërsa në Greqi e në Itali numri i tyre është shumë herë më i madh. Sidoqoftë, ndërsa Greqia ishte, por nuk është më një destinacion i preferuar për shqiptarët që emigrojnë jashtë vendit (ndërsa Italia, për shumë arsye, vijon të jetë një destinacion i përlqyer), ëndrra e pjesës më të madhe të shqiptarëve potencialisht emigrantë ka qenë dhe mbetet Amerika.
Pse Amerika
Si një vend “me tokë, liri, oportunitete dhe bollëk” (Thomas Bender), Amerika ka një aftësi joshëse universal; pavarësisht problemeve që ka, Amerika ende përfaqëson një ëndër për miliona njerëz kudo në botë. Siç shkruan Patrick Laude në një ese brilante të titulluar Botë e re, njerëz të vjetër, “Ëndrra amerikane” nuk është vetëm një “formulë retorike për politikanët”, ose një iluzion njerëzor i “parajsës tokësore, Kalifornia e ëndrrave dhe e vetkënaqësisë”, por është, gjithashtu, “një princip i një projeksioni të pafundëm me të gjitha vlerat dhe ambicjet e tij të fuqishme”.
Sipas këtij autori, “Nuk ka ndoshta asnjë vend dhe asnjë kulturë tjetër veç Amerikës, që të jetë kaq i diversifikuar nga pikëpamja etnike e fetare, dhe asnjë vend që synon thyerjen e kufijve e të kufizimeve të çdo lloji, duke i tejkaluar kufijtë e së mundshmes me një kreativitet shumë herë madje të ngjashëm me përpjekjet e Prometeut. Amerika është, për vetë natyrën e saj, një farë ripërsëritjeje dhe konkludimi i të gjitha mundësive njerëzore. Kjo nuk mund të thuhet për Europën, e cila, shpesh herë, bëhet pengesë për forma të ndryshme të kulturës, as për Azinë, ku kufijtë etnikë vazhdojnë të jenë të ndarë në mënyrë strikte. Amerika është, në të vërtetë, një vend demiurg. Amerika është gjithçka për çdo njeri, në një mënyrë të tillë, që dikush edhe mund ta refuzojë atë dhe të thotë çfarë të dojë për të. Shprehje klishe, të tilla si “ëndrra amerikane”, “kufiri i vetëm është qielli”, ose “tokë e njerëzve të lirë”, dëshmojnë pikërisht sensin e mundësive të pakufizuara me të cilat e lidhim ne Amerikën në përfytyrimin tonë”.
Emigrimi i shqiptarëve (kryesisht nga krahinat e Shqipërisë së Jugut) në Shtetet e Bashkuara, siç dihet, ka nisur qysh në fundin e shekullit të 19-të. Më ka rënë rasti të lexoj ose të dëgjoj të thuhet se shqiptari i parë që mbërriti në Amerikë ka qenë ky apo ai person në vitet 1870. Çdo informacion i këtij lloji është anekdotik. Për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara emigrantët që mbërritën në atë vend nga Europa Perëndimore dhe ajo Lindore filluan të inspektohen, të procesohen e të regjistrohen në vitin 1892, kur Ellis Island, në portin e New York-ut, u hap si një qendër procesimi dhe karantinimi për emigrantët e ardhur nga Europa. Vetëm prej vitit 1892 e në vijim janë dokumentuar me saktësi të gjithë emigrantët që kanë hyrë në Amerikë përmes Atlantikut.
Ajo që mund të thuhet me siguri është se shqiptarët e parë që emigruan në Amerikë u vendosën në ata qytete ku ishin formuar ndërkohë komunitete me emigrantë italianë ose grekë, pra në qytete ku ata do të gjenin dikë apo diçka të ngjashme me tipare kulturore, tradita dhe besime të ngjashme me ato të vendit të tyre—në Boston, në Philadelfia, në New York dhe, me vonë, në Chicago. Shqiptarët që do të emigronin në SHBA më vonë u vendosën kryesisht në po ata qytete ku tashmë ishte krijuar komunitete shqiptarësh dhe ku mund të gjenin fillimisht mbështetje dhe ndihmë.
Ç’po ndodh sot?
Thuajse e njëjta gjë ndodh sot me shqiptarët që emigrojnë në Kanada ose në Britaninë e Madhe. Vala e parë e emigrantëve shqiptarë në Kanada (dhjetëvjeçari që nisi me fundin e viteve 1990), mblodhi në atë qytet kryesisht emigrantë nga Tirana, Elbasani dhe Shkodra. Sot, përbërja e emigrantëve shqiptarë në Toronto, në qytetet e tjerë të Kanadasë, si dhe në çdo njërin nga të pesëdhjetë shtetet e Shteteve të Bashkuara, është shumë heterogjene nga pikëpamja e qyteteve ose e krahinave të Shqipërisë nga vinë, edhe pse në Massachusetts vojojnë të “dominojnë” emigrantët e ardhur nga Korça, në Philadelphia ata të ardhur nga Fieri, në Florida ata të ardhur nga Tirana, Durrësi e Vlora.
Në Mbretërinë e Bashkuar, shumica e emigrantëve shqiptarë janë nga të njëjtat rajone të Shqipërisë së Veriut. Kamarieri që shërben në lokalin pranë shtëpisë sime është më i vogli ndër tetë vëllezër nga Hasi i Kukësit, të cilët, të gjithë, janë zhvendosur në Manchester. “Shumë shpejt do u bashkohem edhe unë vëllezërve të mi”, më tha ai një ditë.
Pse largohen shqiptarët sot? Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje shterruese, as një përgjigje që mund t’i kënaqë të gjithë. E para gjë që mund të them, sidoqoftë, është se unë jam kundër politizimit të çështjes, siç bënë opozita e sotme. Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë një shoqëri shumë e polarizuar. Për një pjesë të mirë të popullsisë gjendja ekonomike ka ardhur duke u përkeqësuar, por shqiptarët nuk largohen sot nga vendi i tyre thjesht, ose kryesisht për shkak se nuk u pelqen qeverisja e socialistëve apo Edi Rama, ashtu sikurse mijërat e shqiptarëve që e kanë lënë vendin e tyre deri 10 vite më parë nuk janë larguar për shkak se nuk u pëlqente qeverisja “demokratike” e Sali Berishës, apo ajo socialiste e Fatos Nanos. Unë vetë, u ktheva nga Shtetet e Bashkuara kur kryeministër i vendit ishte Berisha, edhe pse kisha qenë për vite me radhë një kritik shumë vokal i politikave të tij.
Shqiptarët sot nuk largohen për shkak se kanë humbur besimin te qeveria socialiste dhe shpresat për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre. Ata që largohen nuk janë vetëm kundërshtarë të Partisë Socialiste dhe të qeverisë së saj; shumë prej tyre janë simpatizantë të PS-së dhe kanë votuar për këtë parti.
Po kështu, jo të gjithë ata që largohen janë të papunë, ose të varfër; shumë prej tyre (nëse jo shumica) janë të punësuar; një pjesë vijnë nga shtresat e mesme të popullsisë, por kërkojnë punë më të mira, punë të paguara më mirë dhe kushte më të mira jetese diku tjetër. Këto janë arsye dhe synime universale, jo vetëm shqiptare. Arsye të tilla kanë motivuar dhe motivojnë emigrantë nga e gjithë bota—kushte më të mira ekonomike, shërbime më të mira, ribashkim familjar. E drejta e lëvizjes së lirë e bën sot më të mundur realizimin e këtyre synimeve.
Emigrimi i shqiptarëve sot nuk është emigrim politik, i detyruar nga shtypja dhe represioni në vendin e tyre, pa çka se opozita e sotme, në mënyrë krejt spekulative, e quan qeverisjen e sotme një regjim autoritarist, antidemokratik. Një e dhënë e fundit e qeverisë britanike dëshmon se, ndër ata mijëra shqiptarë që kanë kërkuar azil politik në Britani vitet e fundit, 87 për qind janë gra dhe fëmijë. Këta kurrësesi nuk mund të jenë viktima të represionit politik; ata janë familjarë të atyre burrave që aplikojnë për azil duke u ofruar autoriteteve britanike tri gënjeshtra të mëdha, siç janë, gjoja, rreziku për jetën per shkak të gjakmarrjes në vendin e origjinës, represioni politik nga çdo qeveri shqiptare pas rënies së komunizmit dhe diskriminimi si homoseksualë, edhe nëse janë meshkuj macho që vrasin për “nder”.
Emigrimi i shqiptarëve sot nuk motivohet as nga pasiguria dhe frika e luftës. Ai nuk ndodh as për shkak të përkeqësimit të klimës dhe të degradimit të mjedisit në këtë vend. Emigrimi i shqiptarëve është pjesë integrale e migracionit global.
Nga ky këndvështrim, pavarësisht perceptimit tonë, Shqipëria nuk dallon shumë nga vende të tjera europiane. Vetëm pak ditë më parë, Euronews raportonte se, në shtatë vitet e fundit, nga viti 2015 deri më sot, popullsia e Italisë është pakësuar me 1 milionë banorë. Ky trend do të vijojë dhe, po sipas këtij burimi, në 20 vitet e ardhshëm popullsia e Italisë pritet të pakësohet me 6.5 milionë banorë, veç të tjerash edhe për shkak të italianëve që e lënë vendin e tyre.
Po kështu, rreth dy javë më parë, The Guardian vinte në dukje faktin se në të gjitha vendet e Europës Lindore popullsia po pakësohet me ritme të shpejta dhe se, vetëm nga Letonia, qysh nga viti 1990, është larguar një e treta popullsisë së saj. Përse e lënë Italinë italianët? Përse largohen nga vendi i tyre letonezët? GDP për frymë e këtij vendi (20,600 USD) është mbi tri herë më e madhe sesa ajo e Shqipërisë (6,500 USD), por duket se nuk është thjesht shkalla e zhvillimit ekonomik dhe as kushtet apo standardet ekonomike të jetesës ato që e shpjegojnë emigrimin e letonezëve apo të shqiptarëve sot. As thjesht politika e vendit, sepse Letonia është një vend anëtar i Bashkimit European.
***
Kjo analizë, siç vura në dukje edhe më sipër, është e paplotë. Por unë mendoj se problemi më i madh demografik me të cilin përballet Shqipëria sot dhe që do të ketë një ndikim shumë negativ për zhvillimin e saj në të ardhmen nuk është emigracioni, por rënia e ndjeshme e numrit të lindjeve në vend, një dukuri që, padyshim, ndikohet negativisht edhe nga shkalla e lartë e emigrimit të moshave të reja.