Sociologu dhe intelektuali i njohur publik Fatos Tarifa, thotë në këtë intervistë në gazetën DITA se sot kemi një Shqipëri tjetër, “një vend që po ndryshon nga dita në ditë”.
Ai shpjegon pse, sipas tij, “Shqipëria po bëhet”. Me profesor Tarifën bisedoi gazetarja Johana Lubonja.
Profesor Tarifa, a mendoni se Shqipëria do të bëhet?
Shqipëria PO bëhet.
Ç’doni të thoni me këto fjalë?
Kemi pritur shumë gjatë të shohim ndryshimet e dëshiruara në këtë vend. Kemi humbur shumë kohë duke pritur, pa bërë çfarë duhej bërë.
Sot kemi një Shqipëri tjetër, një vend të ndryshuar dhe që po ndryshon nga dita në ditë. Kthejini sytë nga çdo anë dhe do të shihni, ku më shumë e ku më pak, ndryshimet e bëra. Në çdo qytet, nga Tirana e Durrësi në Korçë, nga Shkodra e Peshkopia në Gjirokastër, nga Saranda e Vlora në Pogradec, nga Përmeti e Fieri në Belsh.
I referoheni “rilindjes urbane” të socialistëve gjatë dhjetë viteve të fundit?
Transformimi kryesisht i qendrave të qyteteve tona është vërtetë një rilindje urbane, edhe pse ky tog fjalësh ka kohë që u vret veshin partive oppzitare. Mua jo.
E vërteta është se, gjatë dekadës së fundit, qeveritë socialiste kanë bërë në qytetet e Shqipërisë ndryshime të tilla, që nuk u bënë dot nga partitë që e kanë drejtuar këtë vend e që sot janë në opozitë.
Kur u largova nga Shqipëria në fillim të viteve 1990 (por edhe kur u ktheva në fund të viteve 2000) Tirana ishte një tjetër Tiranë nga kjo që është sot. Familja ime banon në një apartament buzë Lanës dhe fare pranë parkut Rinia dhe sheshit Skënderbej. Në fund të viteve 1990 Lana ishte një xhungël e fëlliqur “urbane”, parku Rinia një nevojtore e madhe në zemër të kryeqytetit dhe sheshi Skënderbej një hapësirë amorfe, e mbushur me kioska, pa jetë e pa gjallëri. Shihini si janë sot. Ju ngjajnë më me ç’mbani mend nga ajo kohë?
Kur pas 20 vitesh e vizitova Gjirokastrën për herë të parë, më 2008, e gjeta qytetin e prindërve të mi të zhytur në errësirë e në varfëri dhe të braktisur në masë. Shiheni Gjirokastrën sot. Kushdo që thotë se nuk ka ndryshur, nuk është ripopulluar e nuk po zhvillohet si një ndër atraksionet turistike kryesore të vendit, është ose i verbër, ose dashakeqës. Po Vlora, Durrësi, Saranda, Korça etj.?
Vetëm qendrat e qyteve? Vetëm në to e shihni ndryshimin e bërë?
Sigurisht që jo. Ato janë më të dukshmet, nuk i shpëtojnë dot syrit të askujt. Por ndryshimet i sheh kudo. Një infrastrukturë shumë më e mirë, vende-vende moderne (rrugë nacionale e lokale të asfaltuara, tunele, ura, një sistem bashkëkohor furnizimi me energji elektrike në mbarë vendin).
Dhe nuk janë vetën objekte apo elementë infrastrukturorë; janë edhe kërkesa të reja për më shumë mirëqenie dhe për një mënyrë jetese më të mirë.
Edhe diçka që s’mund të lihet pa thënë. Më 1989, në aeroportin e Rinasit uleshin jo më shumë se 10 a 15 avionë në javë, 2 fluturine në javë, kryesisht të shoqërive që sot nuk ekzistojnë më: Swissair nga Zurihu, Malev nga Budapesti, Tarom nga Bukureshti, Jat nga Beogradi dhe Interflug nga Berlini Lindor. Sot, në Rinas ulen e ngrihen çdo ditë rreth 120 avionë të rreth 35 shoqërive ajrore dhe nga ky aeroport mund të fluturosh në afro 100 destinacione.
Me sa kuptoj ju e shihni gotën gjysmë plot…
Pse duhet ta shoh gjysmë bosh? Nuk ështe një çështje perceptimi apo bindjeje, është një realitet objektiv, që e sheh, e prek, e ndjen.
Po a nuk është kjo pamje që ofroni ju shumë “rosy”? Shqipëria ka ende shumë probleme dhe mbetet një vend relativisht i varfër, me një shkallë të lartë korrupsioni dhe krimi të organizuar.
Unë nuk i mohoj këto. Dukuri të tilla madje më shqetësojnë shumë. Ju, më mirë se kushdo, e dini se, pikërisht në këtë gazetë, kam qenë vazhdimisht një zë kritik ndaj shumë qëndrimeve të kryeministrit aktual dhe vendimeve të qeverisë së tij.
Unë mendoj se ata duhej të bënin më shumë e më mirë për popullin e ketij vendi, sidomos për shtresat më në nevojë të tij (veçanërisht për pensionistët dhe ata që marrin një pagë mininale) para se (ose në vend që) një vit më parë të dyfishonin pagat e tyre. Etj.
Këto që them, sidoqoftë, nuk më pengojnë të shoh se Shqipëria po ndryshon, se vendi ynë po bëhet. Korrupsioni dhe krimi i organizuar po luftohen seriozisht. Reforma në sistemin e drejtësisë po jep rezultate. SPAK-ut, institucionit më të besueshëm për qytetarët, i tremben politikanët e korruptuar dhe organizatat kriminale. Shumë prej tyre janë sot në duart e drejtësisë.
Mua nuk më impresionojnë shumë samitet që organizon kryeministri në Tiranë, as bravadoja e tij në samitet ku shkon, por ama Shqipëria dhe shqiptarët sot nuk janë më “the black sheep of Europe”, as një “underdog” në kampionatin europian të futbollit këtë vit 😊. Ne jemi europianë dhe si të tillë na shohin gjithnjë e më shumë edhe të tjerët.
Pra, ju thoni se Shqipëria po bëhet. Kush po e bën Shqipërinë?
Njerëzit e thjeshtë, të mençur e të talentuar të këtij vendi me dituritë, përvojën, patriotizmin dhe përpjekjet e tyre, jo kjo klasë politike që kemi.
Mos duhet t’i mbajmë sytë edhe nga diaspora?
Më parë duhet të më thoni për cilën diasporë e keni fjalën?
Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, kryesisht ata që janë larguar në vitet 1990 e më pas.
Nuk besoj se Shqipërinë po e bën, ose mund ta bëjë kjo diasporë që thoni ju. Shqipërinë po e bëjne ata shqiptarë që kanë vendosur të jetojnë e të punojnë në vendin e tyre, jo ata që — për arsyet e tyre — për shumë arsye, e kanë lënë Shqipërinë për të adoptuar një atdhe të dytë, kudo që janë.
Përse mendoni kështu?
Pjesa më e madhe e tyre janë larguar për një jetë më të mirë, për kushte, mundësi dhe oportunitete më të mira, të cilat nuk besonin se mund t’i krijonin në vendin e tyre. Nuk mund të presim ta bëjnë Shqipërinë ata shqiptarë që, të pashpresë se vendi i tyre mund të bëhet “nga brenda”, e kanë lënë Shqipërinë për ta bërë atë “nga jashtë”.
Ka shumë prej tyre që sot mendojnë ndryshe, sepse e shohin progresin e bërë dhe mund të duan të kthehen e të kontribuojnë për vendin e tyre. Ata janë gjithnjë të mitëpritur nga çdo shqiptar që jeton e punon këtu. Në fund te fundit, ata kthehen në atdheun e tyre.
Por a nuk janë remitancat e dhjetëra mijëra emigrantëve shqiptarë për familjet e tyre në Shqipëri një kontribut i rëndësishëm për buxhetin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik të vendit?
Remitancat mundet ta lehtësojnë e përmirësojnë jetesën e dhjetëra mijë familjeve shqiptare që përfitojnë prej tyre, por ekonomia e vendit nuk mundet të mbështetet te remitancat. Remitancat nuk janë investime në ekonomi, remitancat nuk krijojnë (ose mund të krijojnë shumë pak) vende pune, remitancat nuk sjellin rritje të pagave e të pensioneve për qytetarët e këtij vendi, nuk çelin shkolla e spitale dhe nuk e përmirësojnë cilësinë e arsimit e të shërbimit shëndetsor për ta.
Po nëse diasporës i mundësohet e drejta e votës në zgjedhjet parlamentare e ato vendore në Shqipëri, a do të sillte vota e tyre ndryshime rrënjësore në politikën e vendit dhe në jetët e shqiptarëve?
Ky është një subjekt i ndërlikuar dhe, për rëndësinë e meritat që ka, kërkon kohë të trajtohet. Por, me pak fjalë, mund të them sa më poshtë:
(a) Cilitdo shqiptar me banim jashtë vendit, që është shtetas shqiptar mbi 18 vjeç, ligji dhe administrata shtetërore duhet t’u sigurojë realisht mundësinë për të zgjedhur e për t’u zgjedhur në Shqipëri;
(b) Pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë jetojnë në Italinë dhe Greqinë fqinje dhe ky proksimitet gjeografik as i ka penguar, as i pengon të votojnë në Shqipëri. Sigurisht, këta qindra mijë vetë nuk i detyron askush të vijnë të votojnë në Shqipëri, por nëse vijnë nuk humbasin gjë, përkundrazi, do vizitojnë prindërit dhe familjet që kanë këtu e do të çmallen me ta;
(3) Mundësitë logjistike për të përmbushur të drejtën legjitime të emigrantëve për të votuar në vendet ku jetojnë janë. Çështja është se ky kontigjent dhjetramijësh votuesish është kryesisht i panjohur, siç janë të panjohura edhe simpatitë dhe sjellja politike e tyre. Ky realitet i panjohur është shqetësues për kalkulimet elektorale si të partisë që drejton vendin, edhe të partive opozitare. Zgjidhja e kësaj çështjeje varet nga vullneti i tyre. Dhe ato duket se nuk e kanë këtë vullnet.
©Copyright Gazeta DITA
Intervistoi Johana Lubonja. Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
