Nga DHIMITËR SHTËMBARI*
Me rastin e 10 Korrikut
Çështja e krijimit, e zgjerimit dhe e forcimit të formacioneve luftarake, me synim luftën pa kompromis kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e vendit, Partia Komuniste Shqiptare e ka pasur objektiv themelor që ditën e parë të krijimit të saj.
Në një prej dokumenteve të aktit të themelues të PKSH mëson, se Qemal Stafa caktohej për drejtimin e Rinisë Antifashiste, Koçi Xoxe caktohej sekretar organizativ për celulat, Tuk Jakova – sekretar organizativ për çetat, Gjin Marku – përgjegjës për organizimin e çetave. Ramadan Çitaku – përgjegjës për Teknikën e Partisë, Kristo Themelko – përgjegjës për organizimin e çetave.
Siç edhe shihet, thuajse shumica e të pranishmëve në Mbledhjen Themeluese të PKSH ngarkoheshin posaçërisht me çështje konkrete, që kishin të bënin drejtpërdrejt me krijimin, organizimin dhe shtrirjen e çetave nëpër Shqipëri. Dhe ishte e natyrshme të ndodhte kështu.
Kur pushtuesit fashistë italianë ishin ulur këmbëkryq në vendin tonë, bëhej domosdoshmëri çështja e luftës kundër tyre për çlirimin e Atdheut.
Që në fillimet e Luftës hidhej ideja e krijimit të një Shtabi Madhor…
Në Konferencën I Antifashiste Nacionalçlirimtare, që në histori është futur me emrin Konferenca e Pezës, ajo çka ishte hedhur si ide që në Rezolucionin e Mbledhjes Themeluese të PKSH, u çua edhe më tej.
Në raportin që mbajti Enver Hoxha në këtë Konferencë theksoi, ndër të tjera, edhe nevojën e shtimit numerik të çetave antifashiste dhe të shtrirjes së tyre në tërë gjeografinë e vendit.
Dihet tashmë debati i zgjatur në Pezë, deri edhe i ashpër, me disa nacionalistë lidhur me emërtimin e çetave që do të krijoheshin. Enveri kishte sugjeruar që këto të quheshin çeta partizane, ndërsa luftëtarët të mbanin në kapelet e tyre yllin e kuq. Mirëpo, hajde të dëgjoje disa të tjerë! Nuk pranonin, që nuk pranonin! Atëherë u la që të kishte edhe çeta partizane, edhe çeta antifashiste, ndërsa ylli i kuq të mbahej në kapele në vartësi të dëshirës së atyre që luftonin.
Pikërisht në këtë mbledhje u hodh edhe ideja e krijimit të një Shtabi Madhor, që do të mund të merrej me organizimin e formacioneve partizane dhe koordinimin e veprimeve të tyre në shkallë krahine dhe vendi.
Dhe ky mendim i hedhur këtu me shumë të drejtë do të mbahej mirë parasysh edhe në vazhdim , deri sa në Konferencën e Labinotit, në korrik të vitit 1943, do të krijohej Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare (UNÇSH).
U vazhdua shkallë – shkallë, deri te Komanda e Përgjithshme e UNÇSH
Para disa viteve botuam në gazetën “Kushtrim brezash” një shkrim të përgatitur nga Profesor Xhemil Frashëri, tashmë i ndarë nga jeta.
– Përse ma keni hequr nga shkrimi një goxha kapitull?! – na u drejtua me shumë edukatë.
Si t’i përgjigjeshim. Në fakt e kishim hequr, se na qe dukur si çështje e parëndësishme. Gjithsesi, e gjetëm një “shfajësim”:
– E shkurtuam, se ishte ca i gjatë…
Profesori i nderuar vuri buzën në gaz dhe vazhdoi:
– Ai kapitull bënte fjalë për Shtabet e Qarqeve, për të cilët nuk është shkruar, apo është shkruar fare pak. Ishin Shtabet e Qarqeve që na çuan te Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH.
Po cilët ishin Shtabet e Qarqeve?
Shtabet e Qarqeve ishin organe të drejtimit politiko – luftarak të çetave, batalioneve dhe grupeve partizane të UNÇSH në shkallë qarku. Këto Shtabe u krijuan sipas direktivës së Konferencës I të Vendit të PKSH dhe udhëzimeve të Komitetit Qendror të PKSH të prillit 1943 në ato qarqe, ku kishte më shumë se sa një batalion e disa çeta partizane.
Në fakt, pas formimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH morën formë organizimi edhe më të plotë këto shtabe. Shtabi i Qarkut (i Grupit) përbëhej prej komandantit, zëvendëskomandantit, komisarit politik e zëvendëskomisarit politik, prej adjutantit (person administrativ e specialist ushtarak). Shtabi i Qarkut përbëhej edhe prej shërbimeve të ndryshme; informativ, të ndërlidhjes, të intendencës, të shëndetësisë, të agjitacionit e të propagandës, gjyqit ushtarak dhe nga persona të tjerë me influencë në krahinë.
Shtabe të tillë Qarku u krijuan në qarkun Korçës, Beratit, Elbasanit, Dibrës, në zonën e Pezës, që përfshinte një pjesë të Durrësit e një pjesë të Tiranës. Në qarkun e Vlorës e të Gjirokastrës këtë detyrë e kryente Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokastër.
Shtabet e qarqeve luajtën rol të rëndësishëm për drejtimin e veprimeve luftarake të reparteve partizane të Qarkut, për mobilizimin e popullit në LANÇ, për formimin e brigadave partizane, për forcimin e lidhjeve e të bashkëpunimit të UNÇSH me popullin dhe këshillat ANÇL.
Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm i dha fytyrë evropiane UNÇSH
Ndërkohë që në Shqipëri vepronin formacione të shumta partizane, çeta gjithandej nëpër Shqipëri, por edhe shumë batalione, krijimi i Shtabit të Përgjithshëm ishte një nga kërkesat e domosdoshme me rëndësi të madhe historike për të kaluar në Kryengritjen e Përgjithshme të Armatosur.
Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH u krijua me nismën e Komitetit Qendror të PKSH, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar më 4 korrik 1943 në Labinot të Elbasanit.
Më 10 korrik Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar lëshoi një proklamatë të posaçme, me anën e së cilës njoftoi popullin për këtë ngjarje të rëndësishme. Dhe kjo ditë hyri në histori si dita e themelimit të Ushtrisë Popullore të Shqipërisë.
Me propozim të Enver Hoxhës si Sekretar i Përgjithshëm i PKSH, anëtarë të këtij Shtabi do të zgjidheshin: Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Musafa Xhani, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Dali Ndreu, Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malëshova dhe Bedri Spahiu.
Në mbledhjen e tij të parë ky Shtab zgjodhi komandant të tij Spiro Moisiun, ndërsa komisar Enver Hoxhën.
Po në mbledhjen e tij të parë të 10 Korrikut 1943 ky Shtab zgjodhi edhe një numër sektorësh e komisionesh. Zgjodhi Shtabin Operativ, ku veç Spiros dhe Enverit bënte pjesë edhe Dali Ndreu, si oficer karriere.
Zgjodhi Komisariatin politik, në të cilin bënte pjesë veç Enverit, edhe Ramadan Çitaku.
Komandanti dhe komisari përbënin komandën eprore të UNÇSH.
Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH kishte një strukturë të tijën, që përbëhej nga shtabi operativ, komisariati politik, komisariati ekonomik, seksioni i brendshëm, seksioni i shëndetësisë etj.
Detyrat më të rëndësishme të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH ishin organizimi i UNÇSH,udhëheqja strategjike dhe operative e saj, përpunimi i taktikës së luftës popullore etj.
Mbas shtabeve të Qarqeve, u krijuan Komandat e Qarqeve
Nuk e harroj një diskutim interesant të të ndjerit Bako Dervishi – Gjeneral, me një prej shokëve të vet të kohës së luftës:
– Kjo ka ndodhur kur ishte në veprim Shtabi i Qarkut, – i drejtohej Bakoja.
– Jo, jo; e keni gabim, – ia kthente miku i vet. – Ka ndodhur ne kohën kur vepronte Komanda e Qarkut…
Unë që i dëgjoja e që nuk merrja vesh se ç’ishte Shtabi dhe se ç’ishte Komanda e Qarkut, prisja se si do t’i shkonte fundi këtij muhabeti.
Dhe ata arritën ta kuptonin shumë mirë njëri – tjetrin.
Po në fakt, ç’ishin Komandat e Qarqeve?
Ishin organe të pushtetit ushtarak të prapavijave të UNÇSH. Ato u krijuan në atë qark, apo në atë prefekturë, ku kishte zona të çliruara. Dhe emërtoheshin sipas emrit të qarkut, ose të zonës së çliruar.
Gjatë LANÇ këto komanda luajtën shumë rol. Luajtën rol, sepse, të përbëra nga komandanti, komisari dhe zëvendëskomandanti ato punuan për forcimin e prapavijës së UNÇSH, për mbajtjen e qetësisë e të rregullit në zonat e çliruara, për mbrojtjen e popullit nga kriminelët e kusarët, për zbatimin e drejtësisë popullore etj.
Mbas gushtit të vitit 1944 kjo komandë përbëhej edhe prej oficerit të mobilizimit, oficerit të mbrojtjes, përgjegjësit të qarkullimit dhe intendentit.
Komanda e Qarkut kishte vartësi të dyfishtë; nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, por edhe nga Shtabi i Qarkut. Ca më vonë kjo komandë varej nga nga Shtabi i Zonës Ushtarake të Korparmatës.
Një përgjigje e të të ndjerit Kadri Dingu – historian, drejtuar një të riu pezak
Ndërsa ishim në Pezë në një përvjetor të Konferencës së Pezës, një i ri pezak, në mënyrë të beftë, e pyeti historianin Kadri Dingu, ndarë nga jeta para disa vitesh:
– Im atë di që ka qenë në Komandën e Vendit, por, të them të drejtën, nuk e pata pyetur se ç’ishte kjo Komandë dhe se ç’rol mund të ketë luajtur im atë aty.
Kadriu, ekspresiv siç ishte, iu drejtua me një lloj nervi:
– Nuk ke bërë mirë që nuk e paske pyetur. Sidoqoftë, po jua tregoj unë:
Dhe Kadriu nisi të tregojë:
Komanda e Vendit vendosej në një nga fshatrat ku mund t’i kryente edhe më mirë detyrat e saj dhe kësisoj emërtohej sipas emrit të këtij fshati. Ajo
përbëhej prej komandantit, delegatit politik, ndihmëskomandantit, intedentit dhe rojës partizane vullnetare, në të cilën përfshiheshin 15 – 20 partizanë të përhershëm dhe nga çetat vullnetare të vetëmbrojtjes popullore të fshatrave.
– Tani yt atë është ndarë nga jeta, prandaj pyet të tjerë se ku është aktivizuar ai në këtë Komandë Vendi, – iu drejtua të riut Kadriu.
Dhe vazhdoi:
Komandat e Vendit luajtën një rol të rëndësishëm për ruajtjen e qetësisë në krahinë, për zbulimin e armikut dhe për mbrojtjen e fshatrave e të shtigjeve nga mund të futej armiku, për kapjen dhe dënimin e e elementëve armiq, për sigurimin e zbatimit të vendimeve të këshillave nacionalçlirimtare dhe të gjykatave partizane.
Në situata të veçanta këto komanda të vendit riformonin njësi luftarake dhe viheshin në varësinë e shtabeve të UNÇSH për zbatimin e detyrave luftarake.
Komanda e Përgjithshme e UNÇSH e drejtoi Ushtrinë Partizane deri në fitoren e plotë të Luftës
Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare u krijua në Kongresin e Përmetit më 27 maj të vitit 1944. U krijua me vendim të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar.
Komanda e Përgjithshme u njësua, duke caktuar një Komandant të Përgjithshëm: Enver Hoxhën – Sekretar i Përgjithshëm i PKSH, President i KANÇ, i cili deri në Kongresin e Përmetit ishte komisar politik i Shtabit të Përgjithshëm.
Shef i Shtabit të Përgjithshëm i UNÇSH u emërua Spiro Moisiu, i cili deri në këtë kohë kishte qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.
Me krijimin e Komandës së Përgjithshëm u ngrit në një shkallë më të lartë udhëheqja strategjike e UNÇSH dhe arti ushtarak i luftës popullore për organizimin dhe drejtimin e njësive të shkallës taktike dhe operativo – strategjike; u zhvillua më tej taktika e luftës partizane, duke përdorur me sukses dhe luftën ballore.
Komanda e Përgjithshme udhëhoqi, organizoi dhe drejtoi tërë veprimtarinë politike, ushtarake dhe ekonomike të UNÇSH në bazë të orientimeve të Komitetit Qendror të PKSH dhe urdhrave të Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha.
Sado që të hedhin baltë mbi të vërtetat e LANÇ dhe sido që të përpiqen për të injoruar rolin e Shtabit të Përgjithshëm e të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH, Enver Hoxha, në fitoren e madhe të çlirimit të Atdheut, falsifikatorët e çdo fare nuk do të mund të lenë dot asnjë njollë të zezë.
Shqipëria qe pjesë e pandarë e Koalicionit të madh Antifashist Botëror dhe, si e tillë, ka për të mbetur përjetë aty, në krahun e ish fitimtarëve botërorë.
* Nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Populli Shqiptar “Nderi i Kombit”