Kastriot Kotoni
Si vetëtima u përhap lajmi i hidhur për humbjen e plakut të Shqipërisë, Ismail Qemalit, jo vetëm në Shqipëri po në të gjithë anët e botës. Ky lajm ishte si rrufeja dhe një nga më të mëdhatë goditje për kombin shqiptar, se Shqipëria humbi burrin më të madh që kishte nxjerrë pas Skënderbeut, humbi diplomatin e madh të famshëm, humbi shtyllën e çelniktë të programit kombëtar, humbi Atin e kombit, i cili e shpëtoi nga rreziku, humbi luanin që dërmoi zinxhirat e robërisë, që ngriti flamurin e Skënderbeut dhe proklamoi vetëqeverimin e Shqipërisë. Mjerisht vdekja e pamëshirt na e rrëmbeu me nxitim kur atdheu kishte varur shpresat e mëdha në mendjen e shkëlqyer të Plakut dhe burrit të madh të Shqipërisë, Ismail Qemali. Po balta mundi të mbulojë trupin se … shpirti i Plakut të Shqipërisë kurrë nuk mund të vdesë, se ai rron dhe do të rrojë sa të jetë bota, duke i treguar brez pas brezi pritmjes shqiptare cili ishte Ismail Qemali dhe duke i këshilluar që të përpiqen si ai për idealin e shenjtë të programit kombëtar.
Kudo që të kërkosh në historinë e Shqipërisë një përcaktim të tillë për Ismail Qemalin, siç shkruan patrioti Mihal Grameno në gazetën “Koha”, 1919, nr.134, nuk do ishte ndoshta më i ndjerë e më i drejtë e më i saktë.
Djali i vogël i një prej familjeve më të dëgjuara të Vlorës, Ismail Qemali e kaloi fëmijërinë në Turqi e më pas u shkollua në Zosimenë e famshme të Janinës. Në këtë shkollë përvetësoi kulturën e gjerë evropiane , sidomos humanizmin antik greko-romak si dhe humanizmin modern. Mësoi disa gjuhë të huaja dhe i mëkuar me atdhedashurinë për atdheun, falë aftësive të tija u sistemua me punë në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë Osmane. Që në rini u bashkua me rilindasit e mëdhenj dhe mori pjesë në shoqëritë e para shqiptare të Stambollit, që vepronin në klandestinitet.
***
Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar në Shqipëri u prit me një entuziazëm të madh, terreni ishte përgatitur qysh më parë nga rrethet patriotike brenda vendit. Këto rrethe kishin vendosur lidhje midis tyre dhe kishin caktuar Vlorën si qendër ku do të bëhej mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar. Kalendari i ngjarjeve të grupit të kryesuar nga Ismail Qemali fillon më datën 21 nëntor dhe arritën në Durrës dhe më datën 25 nëntor mbërritën në Vlorë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi, -shkruan I.Qemali në kujtimet e tij, -kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”. Në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë ndonëse nuk kishim arritur akoma përfaqësuesit e disa krahinave , vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar. Më 28 nëntor 1912, në orën 14 u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar, në të cilin merrnin pjesë vetëm 37 delegatë. Kuvendi zgjodhi kryetar Ismail Qemalin, i cili foli mbi të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin otoman dhe mbi luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuar nga lufta ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”. Qysh ditën e parë të pavarësisë së Shqipërisë dhe të zgjedhjes së tij si kryetar i qeverisë së përkohshme Ismail Qemali zhvilloi një veprimtari të dendur politike dhe diplomatike. Ai i njoftoi shpalljen e pavarësisë fuqive të mëdha dhe shteteve ndërluftuese dhe kërkoi prej tyre ta njihnin ndryshimin në jetën politike të kombit shqiptar. Në telegramin drejtuar fuqive të mëdha thuhej ndër të tjera : “Shqipëtarët që kanë hyrë në familjen e popujve të Evropës Lindore, prej të cilëve krenohen se janë më i vjetri, ndjekin vetëm një qëllim: të rrojnë në paqe me të gjitha shtetet ballkanike dhe të bëhen një element ekuilibri”.
Në mesazhet e 28 nëntorit 1912, drejtuar Fuqive të Mëdha dhe aleatëve ballkanikë, I.Qemali u deklaronte atyre asnjanësinë e Qeverisë së Vlorës në konfliktin ballkanik. Ismail Qemali me qeverinë e tij ia njohën vetes me vetëdije të plotë atributet e pushtetit më të lartë qendror. Kjo duket në letërkëmbimin e tij me bashkitë , me kumunat dhe me krerët e parive të vendit, si edhe marrëdhëniet e tjera hirarkike që shpreheshin nëpërmjet vendimeve, urdhëresave, udhëzimeve etj, që ajo dërgonte. Ismail Qemali orintohej nga modelet evropiane të organizimit të shtetit. Sipas tij “në qoftë se Shqipëria nuk do të tregohet karshi Evropës e zonja të jetojë si një shtet perëndimor, ajo nuk do të mund të mbahet në këmbë në Gadishullin e Ballkanit”. “Të gjithë sa jemi shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, pleq e të rinj,- bënte thirrje Ismail Qemali duhet të bashkohemi e ta çojmë vendin përpara në rrugën e qytetërimit e të përparimit, duke i treguar Evropës se shqiptari ka mbetur përherë evropian në gjak dhe se nuk dëshiron tjetër veçse të formojë kombësinë e tij dhe të qytetërohet.
Diplomati Renzo Falaschi i martuar me zonjën Nermin Vlora në librin e tij kushtuar figurës së Ismail Qemal bej Vlorës në dokumentat italiane ndër të tjera thekson: Të duash të ilustrosh gjeninë diplomatike të Ismail Qemal Vlorës, do të thotë të pasqyrosh gjithë jetën e tij. Sepse, në të vërtetë, asnjë nga veprimet e tij nuk ka të përjashtuar aspektin diplomatik, qoftë kur ishte në shërbim të Perandorisë Osmane , qoftë kur luftonte për pavarësinë e vendit të tij. Mjaft mirë e përcaktoi ai vetveten kur , gjatë një interviste të botuar nga “Giornale d’Italia” ( Gazeta e Italisë) më 25 qershor 1909 deklaron: “ ajo që është më e shenjtë , është pastërtia e bindjeve të mia liberale dhe e ndjenjave për lirinë”. Gjenia politike e Ismail Qemalit përmblidhet e gjitha në një nga dokumentet e fundit që shkroi para se të vdiste. Është fjala për një memorandum drejtuar kryeministrit Italian Vittorio Emanueli Orlando, që po nisej për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Ja këtu, më poshtë një tekst që zbulon një aftësi diplomatike dhe një dashuri të madhe për atdheun. Në të shprehet hidhërimi për pamundësinë për të folur me Orlandon dhe, duke shërbyer nga ky episod, nënvizohet shpresa për mbështetje të vleshme në favor të Shqipërisë., si dhe pjesmarrjen e saj në Konferencën e Paqes dhe, së fundi argumentohet e drejta historike dhe etnografike e Shqipërisë për pretendimet e saj. “Përveç ndjenjave të mia të admirimit personal, cilësisë sime të përfaqësuesit të idealeve shqiptare, realizimit tët të cilave i kam kushtuar gjithë jetën time, ndjej për detyrë t’ia besoj shpresat e mia për lirinë e vendit tim mbështetjes dhe kujdesit të madh të Italisë, martirizimi i gjatë i së cilës përgjatë historisë së saj të lavdishme ka qenë po aq i madh dhe fitorja e luftërave të saj mbinjerëzore u ka siguruar përgjithmonë lirinë popujve të shtypur. Duke qenë ngarkuar më anë të një akti formal nga komuniteti shqiptar i Amerikës me cilësinë e delegatit në mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe pretendimeve të saja territoriale në Konferencën e Paqes dhe duke përfituar nga ftesa e mirësjellshme që m’u komunikua nga ambasada italiane në Madrid, pasi u njoftova me ata që më dërguan dhe u rekomandova atyre besim të plotë , shpejtova të nisem për Romë, me qëllim që të vihem në dispozicion të Qeverisë Italiane dhe të përcaktojmë qëndrimin tonë në përputhje me planet e saja të larta. Në Romë i thanë se kryeministri dhe ministri i jashtëm nuk ndodheshin në qytet. Më tej shkruan Renzo Falaschi, më 22 janar të vitit 1919, ja çfarë do të shkruante Ismail Qemali “sot është dita vendimtare për Shqipërinë: do të rilindim ose do të vdesim”. Por fati i keq e këputi befasisht jetën e mrekullueshme dhe intensive të patriotit të madh, në varfëri absolute dhe larg nga kombi të cilit i kishte kthyer dinjitetin e pavarësisë. Ai e kuptoi se kjo ishte një dredhi dhe nuk u mbajt dot dhe bërtiti “Më hëngrën me të pabesë”.
Sot në 104 vjetorin e vdekjes së këtij patrioti të madh shqiptarët mund të duken më afër se kurrë pranë ëndrrës së atyre që firmosën aktin e pavarësisë, sepse projektin që ata firmosën vazhdon. Aplikacionet në internet e knë bërë këtë botë më të hapur e më përçuese të vlerave dhe idealeve kombëtare dhe evrpiane. U desh një flamur në një stadium që të shprehej e gjithë bota mbarëshqiptare se nuk e kish harruar flamurin Imail Qemalit dhe të Skënderbeut e kur sheh xhestin simbolik të shqiponjës me pesë gishta të cilin e bëjnë me kënaqësi të gjithë miqtë e shqiptarëve ndihesh krenar që je shqiptar. Kjo është koha e shqiptarëve duan apo nuk duan të tjerët ta pranojnë, ata e kanë një busull që i orienton, është platforma kombëtare që projektoi Kuvendi i Vlorës. Nuk do shpikim një Ismail Qemal të kohës së internetit, me celular dhe t’u bëj thirrje shqiptarëve si dikur ai i pari, “kur u kërkonte gjithë shqiptarëve të shkolluar kudo që ishin nëpër botë të ktheheshin në atdhe”. Po të kish këto salltanete plaku i Vlorës, sot shqiptarët do ishin 30 milion në të gjithë botën e jo të kërkonin tokën e premtuar për disa paund, dollarë apo euro. Ka plasur mjekra si e atij që ngriti flamurin në Vlorë, medemek duan të thonë se ja jemi ne stërnipërit e tija, po të ngrihej nga varri Ismail bej Vlora do bërtiste e ulëriste “ku janë shqiptarët ku venë në detërat e botës” e do tu lutej këtyre që mbajnë peng këtë popull prej 32 vjetësh “Amani ore mos më qani e mos vajtoni me lot krokodili për Shqipërinë”, se ata nga Bangladeshi apo Tajlanda e me kuç e me maç, që do të popullojnë Shqipërinë, nuk do ta mësojnë hymnin kombëtar shqiptar edhe sikur me flori t’i paguani e jo më të më kujtojnë mua.
