Zëvendëskryeministri italian, Antonio Tajani hodhi poshtë të mërkurën pohimet se marrëveshja që qeveria italiane nënshkroi me Tiranën këtë javë për ngritjen e qendrave në Shqipëri për menaxhimin e emigrantëve është e paligjshme.
“Marrëveshja e nënshkruar me shtetin shqiptar është në përputhje me të gjitha ligjet e BE-së”, u tha ministri i Jashtëm gazetarëve në fund të një takimi të ministrave të jashtëm të G7 në Tokio.
“Është shumë ndryshe nga marrëveshjet e tjera që janë arritur nga vendet e tjera. Ajo synon të… sigurohet që personat që nuk kanë respektuar rregullat dhe nuk kanë të drejtë të hyjnë në Itali mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës”.
Komisioni Evropian ka thënë se ka kërkuar më shumë informacion rreth detajeve të marrëveshjes.
Të martën, kreu i Partisë Demokratike (PD) Elly Schlein tha se marrëveshja “duket në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar dhe evropian”.
Seksioni italian i Amnesty International ka thënë se marrëveshja ishte “e paligjshme dhe e pavlefshme.
“Njerëzit që shpëtohen në det nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë strehim në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të transferohen në një shtet tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil dhe situatat individuale”, tha Amnesty.
Të martën, qeveria shqiptare zbardhi Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Kështu bëhet me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia – në dy qendrat e ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.
Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.
Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.
Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.
Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.
Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.
Kufiri maksimal i pritjes së së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.
Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.
Po ashtu, në dokumentin e firmosur përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit dhe mbrojtjes.
Në përfundim të procedurave, sipas nenit 9, është pala italiane që kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria.
Shqipëria do shoqërojë emigrantët me policinë e saj dhe do vërë në dispozicion sipas rastit forcat e armatosura.
j.l./ dita
