Tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë problematike.
Pas disa paralajmërimesh Bashkimi Europian i ka vendosur sanksione Kosovës, për shkak të mos shtensionimit te konflikteve dhe tensioneve.
Sanksionet evropiane përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat e tjera përfshirë ndalimin e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).
Gazetari gjerman i “Frankurter Algemeine Zeitung”, Michael Martens i ka quajtur absurde sanksionet e BE-së, pasi sipas tij duhet që t’i ishin drejtuar Serbisë.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti i ka quajtur të padrejta sanksionet evropiane kundër Kosovës dhe se nuk mund të bëjnë kompromis me kushtetutshmërinë.
Kurti është shprehur se masat e vendosura janë të padrejta dhe se Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit.
“Këto nuk janë sanksione por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutivi më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra. Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka thënë ai.
Kurti më tej ka thënë se Kosova është e gatshme dhe e interesuar shumë më tepër sesa Serbia për normalizim me njohje de facto në qendër.
“Tryeza e dialogut është për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë dhe gjithashtu për deeskalim. Ne jemi të gatshëm, të interesuar shumë më tepër sesa pala tjetër për normalizim me njohje de facto në qendër, për njohje reciproke, por gjithashtu jemi të interesuar dhe të gatshëm për deeskalimin e gjendjes për çfarë unë kam folur edhe publikisht ë të gjitha gjuhët që i di në mënyrë që të kemi paqe e qetësi në veri të Kosovës, por edhe Kosova e Serbia si dy shtete të ndërtojnë fqinjësi të llojit evropian”, është shprehur Kurti.
j.l./ dita
