Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK) është një term që përdoret për të përshkruar sëmundjet e mushkërive. Të dhënat e raportuara nga strukturat shëndetësore tregojnë se gjatë viteve të fundit, jo vetëm në vendin tonë por edhe në botë, është shtuar gjithnjë e më shumë numri i pacientëve që vuajnë nga ndërlikimet në mushkëri. Kjo edhe për shkak të ekspozimit ndaj faktorëve të shumtë të riskut, si dhe neglizhencës në trajtimin e hershëm dhe mbajtjen nën kontroll të simptomave, çka çon në kalimin e ndërlikimeve në stade më të rënduara. Ndonëse kjo sëmundje nuk është e kurueshme, marrja e trajtimeve në kohën e duhur dhe sipas rregullsive të përcaktuara nga mjeku ndihmon jo vetëm në lehtësimin e simptomave të saj, por edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe reduktimit të riskut për pasoja fatale.
Sot në “Ditën Botërore të Sëmundjes Pulmonare Obstruktive Kronike” (SPOK), autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik dhe bluzat e bardha, apelojnë për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës në lidhje me masat që mund të merren për mbajtjen nën kontroll të këtyre sëmundjeve. “Në botë numri i individëve që vuajnë nga këto sëmundje kap shifrën 250 milionë. SPOK është aktualisht shkaku kryesor i vdekjes në botë dhe është shumë i përhapur në vendet me të ardhura të ulëta”, bëjnë me dije autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik.
Simptomat më të zakonshme të janë mungesa e frymëmarrjes, ose prodhimi i tepruar i pështymës dhe kollës kronike. Megjithatë, SPOK nuk është thjesht një “kollë e duhanpirësve” siç vlerësohet rëndom, por një sëmundje e mushkërive kërcënuese për jetën, që mund të çojë gradualisht deri në vdekje, nëse nuk merret kujdesi i duhur mjekësor që në stadet më të hershme. Ndaj nëse përballeni me simptoma të tilla, si: frymëmarrje të shkurtra (të pamjaftueshme) dhe të shpeshta gjatë aktiviteteve të përditshme,si: ecja, shëtitjet ose kur bëni punët e shtëpisë, kollë që zgjat shumë, frymëmarrje e vështirësuar në mot të ftohtë, sasi më të shtuar të pështymës ose gëlbazës, duhet të kërkoni menjëherë ndihmën e specializuar mjekësore. Ju mund t’i keni këto simptoma gjatë gjithë kohës, por ato mund të shfaqen, ose përkeqësohen edhe më shumë kur keni një infeksion, apo edhe kur ekspozoheni në ambiente me tym ose duhan. Gjithashtu, prania e këtyre sëmundjeve mund të sjellë humbje të oreksit, peshës dhe ënjtje të kyçeve të këmbëve.
Faktorët që shkaktojnë SPOK?
Këto sëmundje zakonisht zhvillohen për shkak të dëmtimit afatgjatë të mushkërive nga substanca të dëmshme, siç janë tymi i cigares, apo tymi nga burime të tjera dhe ndotja e ajrit. Punët, në të cilat njerëzit janë të ekspozuar ndaj pluhurit, tymrave dhe kimikateve, gjithashtu mund të kontribuojnë në zhvillimin e Sëmundjes Pulmonare Obstruktive Kronike. Ka shumë të ngjarë të prekeni nga këto sëmundje nëse jeni mbi 35 vjeç; jeni, ose keni qenë duhanpirës, keni pasur probleme me frymëmarrjen në fëmijëri. Po ashtu edhe nëse prindërit tuaj kanë pasur probleme me mushkëritë, atëherë rreziku juaj për t’u sëmurur është më i lartë sesa i individëve të tjerë, të cilët nuk kanë histori familjare.
Testet që duhet të bëni për vendosjen e diagnozës së SPOK
Pas vlerësimit të simptomave, doktori juaj duhet t’ju pyesë për historinë mjekësore dhe duhet t’ju bëjë një ekzaminim fizik. Në këtë rast janë një sërë testesh që mund të bëhen për të zbuluar këtë sëmundje. Kështu, ai mund të kërkojë një ose disa nga testet e mëposhtme: Grafi të thjeshtë me rreze-x dhe/ose skaner të toraksit. Teste të funksioneve pulmonare (të mushkërive) një teknik i sëmundjeve të mushkërive përdor disa teste për të parë sa mirë funksionojnë mushkëritë tuaja. Ndërsa Oksimetri e pulsit është një test pa dhimbje që mat nivelin e oksigjenit në gjak. Po ashtu mund të bëni edhe një analizë të gazit në gjak, që është një test gjaku që mat sasinë e oksigjenit dhe dioksidit të karbonit në gjak.
Krahas trajtimeve mjekësore që rekomandon mjeku, janë edhe një sërë veprimesh të tjera që mund të kryeni gjatë përditshmërisë për të lehtësuar dhe mbajtur nën kontroll zhvillimin e këtyre sëmundjeve, që çojnë në dëmtimin afatgjatë të mushkërive. Këto këshilla kanë të bëjnë me kujdesin ndaj reduktimit sa më shumë që të jetë e mundur ndaj ekspozimit të faktorëve të riskut, ndjekjen e një regjimi të shëndetshëm ushqimor, të qenit aktiv, kryerjen e vaksinës së gripit, etj.
Mos pini duhan!
Trajtimi më efektiv për ndërlikimet e shkaktuara nga kjo sëmundje është të ndaloni menjëherë pirjen e duhanit. Mjeku juaj i familjes dhe profesionistët e tjerë të shëndetit, mund t’ju ndihmojnë me dhënien e këshillave dhe informacionit lidhur me lënien e duhanit, si dhe masave të tjera të nevojshme që mund të merrni në këtë drejtim.
Vaksinohuni për gripin
Sigurohuni që të merrni vaksinën çdo vit për t’ju mbrojtur nga viruset e gripit, që ka të ngjarë të aktivizohen gjatë dimrit. Vaksinimi zvogëlon rrezikun për të zhvilluar komplikacione serioze, siç janë: pneumonia dhe problemet e zemrës, çka mund të rëndojnë edhe më shumë dëmtimet në mushkëri. Ju gjithashtu, mund të shmangni infeksionet duke qëndruar larg njerëzve të prekur, përfshirë fëmijët, të cilët kanë ftohje, grip, infeksione të sinusit ose dhimbje të fytit. Nëse merrni një infeksion, sigurohuni që ta trajtoni sa më shpejt.
Bëhu aktiv
Nëse keni SPOK, të qenit aktiv dhe të ushtruarit fizikisht mund t’ju ndihmojë në përmirësimin e frymëmarrjes, forcimin e muskujve dhe cilësinë e jetës. Nëpërmjet aktivitetit fizik, përveç të tjerave, përmirësohet puna e zemrës, mbahet nën kontroll presioni i gjakut dhe ka më pak të ngjarë të prekeni nga diabeti, dhe osteoperoza. Ushtrimi fizik duhet që të bëhet sipas rekomandimeve të mjekut, bazuar edhe në ecurinë e gjendjes tuaj shëndetësore.
Kujdesi me ushqimin
Ushqehu shëndetshëm dhe mbani një peshë në normë. Është e rëndësishme të mbani një dietë të ekuilibruar, si dhe të keni një peshë në normë. Kjo pasi mbipesha vështirëson frymëmarrjen dhe lëvizjen. Ndaj rekomandohet që të përpiqeni të hani pak dhe shpesh.
Simptomat që shfaqen më shpesh janë:
- Mosmbushja me frymë.
- Shtrëngimi në kraharor.
- Kolla me mukus (gëlbazë) të tepërt, sidomos në mëngjes.
- Fishkëllima në frymëmarrje.
Testet dhe ekzaminimet që duhet të bëni:
- Grafi të thjeshtë me rreze-x dhe/ose skaner të toraksit.
- Teste të funksioneve pulmonare (të mushkërive) – një teknik i sëmundjeve të mushkërive përdor disa teste për të parë sa mirë funksionojnë mushkëritë tuaja.
- Oksimetri e pulsit , një test ky pa dhimbje që mat nivelin e oksigjenit në gjak.
- Analizë e gazit në gjak. Ky është një test gjaku që mat sasinë e oksigjenit dhe dioksidit të karbonit në gjak.

Gjithe shqiptaret duke consumuar alkol dhe duhan dhe normal se mushkerite jane te parat qe preken. If