Elona Paluca
Në 2017, gjetja e një bombe britanike 1.8-tonësh të Luftës së Dytë Botërore në Frankfurt detyroi evakuimin e më shumë se 65,000 banorëve — aksioni më i madh evakuues në Europë që nga viti 1945. Edhe sot, dekada pas përfundimit të luftës, qytetet gjermane vazhdojnë të përballen me zbulimin e rregullt të minave dhe bombave të paplasura gjatë punimeve ndërtimore.
Më shumë se shtatë dekada pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania vazhdon të përballet me një nga trupat më të rrezikshëm “të fjetur” në nëntokën e saj: miliona tonë municione dhe bomba të paplasura.
Episodi më masiv në historinë moderne europiane mbetet ai i shtatorit të vitit 2017 në Frankfurt, kur zbulimi i një bombe britanike 1.8-tonësh (HC 4000, e njohur ndryshe si “Blockbuster”) detyroi evakuimin e mbi 65,000 banorëve. Kjo përbënte evakuimin më të madh në Kontinentin e Vjetër që prej vitit 1945.
Por sipas të dhënave të autoriteteve gjermane, çdo vit në vend zbulohen mesatarisht më shumë se 2,000 tonë municione të paplasura.
Gjatë viteve 1939–1945, forcat aleate (kryesisht RAF britanike dhe forcat ajrore amerikane) hodhën rreth 1.5 deri në 2.7 milionë tonë bomba mbi Europën.
Ekspertët vlerësojnë se rreth 10% deri në 15% të këtyre bombave nuk shpërthyen për shkak të defekteve teknike apo goditjes në tokë të butë, duke mbetur të ngulura deri në 6 metra nëntokë.
Në nxitimin e rindërtimit pasluftës, shumë ndërtesa u ngritën drejtpërdrejt mbi këto mjete shpërthyese. Sot, me zhvillimin e kantiereve moderne të ndërtimit dhe gërmimeve të thella, infrastruktura gjermane po përplaset vazhdimisht me këtë të kaluar të rrezikshme.
Rasti i Frankfurtit në vitin 2017 nuk ishte i izoluar. Në Këln (Qershor 2025) më shumë se 20,000 banorë u evakuuan nga qendra e qytetit pasi u zbuluan tre bomba amerikane gjatë punimeve në bregun e lumit Rrajn. Në Mynih (2021) katër persona u plagosën pasi një bombë e mbetur nga lufta shpërtheu gjatë punimeve gërmuese pranë stacionit qendror hekurudhor. Në.Koblenz & Hanover, evakuime që prekin nga 20,000 deri në 50,000 banorë janë kthyer në rutina gati vjetore për skuadrat e xhenios.
Sfida e çaktivizimit
Çaktivizimi i këtyre bombave bëhet më i rrezikshëm me kalimin e kohës. Detonatorët kimikë dhe mekanikë po pësojnë gërryerje nga lagështira e nëntokës, çka i bën ato jashtëzakonisht instabile dhe me rrezik të lartë shpërthimi spontan.
Për këtë arsye, sa herë që zbulohet një predhë e madhe, autoritetet vendosin rreze sigurie deri në 1.5 kilometra, duke evakuuar spitale, azile, shkolla dhe zona banimi, përpara se skuadrat e specializuara të ndërhyjnë për çmontimin e sigurt.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo “trashëgimi e padukshme” e Luftës së Dytë Botërore do të vazhdojë të mbetet pjesë e përditshmërisë gjermane edhe për disa dekada të tjera.
DITA
