Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kosovë
  • Kuriozitet
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Tregu i pronave ofron ende potenciale për rritjen e kreditimit
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kosovë
  • Kuriozitet
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kosovë
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Ekonomi > Tregu i pronave ofron ende potenciale për rritjen e kreditimit
Ekonomi

Tregu i pronave ofron ende potenciale për rritjen e kreditimit

Published: 19 Prill, 2025
Shpërndaje
Shpërndaje

Intervistë me Bledar Shella, drejtor i përgjithshëm i Bankës OTP Albania

 

Tregu i pasurive të paluajtshme ofron ende një tablo pozitive.

- Publicitet -

Bledar Shella, drejtor i përgjithshëm i Bankës OTP Albania, thotë për “Monitor” se, i parë nga këndvështrimi i bankave, tregu i pronave të paluajtshme është një sektor i nënfinancuar në raport me madhësinë e tij.

Z. Shella mendon se ka ende potencial për rritje, veçanërisht në kreditë hipotekore.

Megjithatë, ai thekson se ka nevojë për kujdes të veçantë në kredidhënie dhe në investime, për veçoritë që ka ky treg.

Kërkesa dhe oferta, sipas tij, janë të sfazuara në kohë, kjo bën që shpesh kërkesa të perceptohet më e lartë se sa është në realitet.

Një kërkesë e vogël në sasi, por e ardhur papritur (për shembull nga emigrantët), nuk mund të plotësohet për një kohë të shkurtër dhe ajo fryn të gjithë çmimet, duke nxitur masivisht ndërtime të reja.

Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të Bankës OTP Albania gjatë vitit të kaluar dhe cilat ishin, në këndvështrimin tuaj, zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në përgjithësi?

Strategjia e Bankës OTP Albania për një rritje të ekuilibruar në paralel të një angazhimi të palëkundur ndaj stabilitetit financiar, gjeneroi arritjet më të larta historike në aspektin tregtar, financiar dhe jo vetëm.

Fitimi neto arriti në nivelin 50 milionë euro ose 22% mbi pritshmëritë për vitin 2024, niveli më i lartë i njohur në historikun e bankës sonë, falë strategjisë sonë për të qenë një promotor në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet financimeve në Korporatë dhe Individ, duke mos lënë mënjanë cilësinë e shërbimit dhe kënaqësinë e klientit.

Mjedisi i qëndrueshëm makroekonomik dhe politikat monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, veçanërisht në semestrin e dytë të 2024, mbështeti rënien e normës bazë të interesit, duke ulur kostot e kreditimit dhe duke rritur kërkesën për financim, e cila gjeneroi rritje të lartë të tregut në kredidhënie në dekadën e fundit, me rreth 15%.

OTP Bank njohu nivele të reja kreditimi përtej pritshmërive dhe mbi nivelin e tregut me rreth 16% rritje në portofolin e kredive, duke u pozicionuar qëndrueshëm në vendin e tretë në kredidhënie duke synuar të arrijë shumë shpejt në bankën e dytë më të madhe në vend për financimin e ekonomisë.

Kultura korporative e OTP Bank ka si pjesë thelbësore të saj eficiencën dhe për vitin 2024, raporti Kosto ndaj të Ardhurave arriti në nivelin më të ulët historik prej 42%, duke e pozicionuar si një prej aktorëve kryesorë në treg për eficiencën më të lartë.

Strategjia për rritje të qëndrueshme u reflektua edhe në raportin e mbulimit të kapitalit, i cili arriti në nivelin 21%, përtej minimumit të vendosur nga rregullatori prej 12%.

Cilësia e aktiveve u përmirësua ndjeshëm kundrejt një viti më parë, duke rënë në rreth 2%, falë një kulture të fortë rreziku në kredidhënie, por edhe punës cilësore të bërë në drejtim të përmirësimit të portofolit.

OTP Bank Albania gjatë 2024 u vlerësua për herën e tretë radhazi nga revista prestigjioze “The Banker”, pjesë e grupit të mirënjohur “Financial Times”, si “Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2024”, tregues thelbësor i strategjisë afatgjatë që OTP Bank ndjek në tregun shqiptar.

Viti 2024 vendosi një standard të ri për OTP Bank Albania, vit i cili do të shërbejë si një gur themeli ku do të ndërtohen rezultate edhe më të larta për vitet e ardhshme.

Sektori bankar në Shqipëri, gjatë 2024-s, gjithashtu pati zhvillime shumë cilësore dhe thelbësore në aspekte kyçe të performancës.

Kredidhënia, siç është përmendur edhe më sipër, arriti nivele rekord të larta, përfitueshmëria pati rritje të ndjeshme kundrejt një viti më parë, kapitalizimi u rrit pavarësisht rritjes së portofolit të kredisë.

Integrimi në SEPA është një hap shumë i rëndësishëm për sektorin bankar, por veçanërisht për konsumatorin final të produkteve bankare.

Njehsimi me sistemin europian të pagesave pritet të sjellë tarifa më të ulëta në produktet e transfertave dhe gjithashtu, edhe rritje të volumeve që qarkullojnë nëpërmjet sistemit bankar.

Dixhitalizimi në fokus prej bankave ka mundësuar rritjen e numrit të terminaleve të POS te rreth 28%, ndërsa ATM janë rritur te 9.3% kundrejt 2023.

Kërkesa në rritje për përdorimin e kartave, e nxitur kjo dhe nga niveli i jashtëzakonshëm i turizmit, ka mundësuar qarkullimin e më shumë se 6.5 trilionë lekëve, ose 5% më shumë se 2023 nëpërmjet kanaleve dixhitale.

Këto volume përkthehen në mënyrë direkte në përfitim për ekonominë shqiptare.

Pavarësisht kësaj, sfidë për bankat mbetet investimi në edukimin financiar të konsumatorit, për të zhvilluar më tej aksesin dhe përdorimin e kanaleve dixhitale.

Gjatë vitit 2024, u regjistrua një rritje e shpejtë e kreditimit, veçanërisht për financimin e pasurive të paluajtshme dhe në segmentin e biznesit të madh, ndërsa Banka e Shqipërisë vendosi të aplikojë për herë të parë shtesën kundërciklike të kapitalit. Besoni se ka vend për shqetësim në lidhje me rritjen e ekspozimit të sektorit bankar në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në shtimin e ekspozimeve të mëdha në segmentin e korporatave?

Është në natyrën e punës së bankave që të “shqetësohen” edhe kur gjërat funksionojnë mirë, pasi përgatiten për skenarët më pesimistë të mundshëm.

Për sa i takon sektorit të pasurive të patundshme, vëzhgojmë një realitet miks të zhvillimeve pozitive dhe negative, por e përgjithshmja është ende pozitive, si nga ana e bankave (nuk janë regjistruar kredi të dështuara), ashtu dhe në atë të sipërmarrësve, me përjashtime të vogla.

Sidoqoftë, ka nevojë për kujdes të veçantë në kredidhënie dhe në investime për veçoritë që ka ky treg. Kërkesa dhe oferta janë të sfazuara në kohë, duke bërë që shpesh kërkesa të shfaqet më e lartë se sa është në realitet.

P.sh. një kërkesë e vogël në sasi, por e ardhur papritur (emigrantët) nuk mund të plotësohet për një kohë të shkurtër dhe fryn të gjithë çmimet, duke nxitur masivisht ndërtime të reja.

E parë nga këndvështrimi i bankave, tregu i pronave të patundshme është një sektor i nënfinancuar në raport me madhësinë e këtij tregu.

Personalisht, shoh një potencial për rritje, veçanërisht në kreditë hipotekore.

Kreditimi për zhvilluesit ka gjithashtu potencial shumë të lartë, nëse rregullat e lojës qartësohen dhe rreziku mitigohet, por kjo është temë e gjerë që vlen të analizohet posaçërisht.

Lidhur me shtimin e ekspozimeve të mëdha është shumë interesante për t’u trajtuar gjerësisht, por shkurtimisht do të thosha se përqendrimi shkon në trendin e ekonomisë.

Për arsye të madhësisë së tregut, ekonomia shqiptare është përqendruar në kompani të mesme e të mëdha për rreth 47% të saj.

Shto faktin që kompanitë e vogla kanë më pak akses në financim për mungesën e sofistikimit në menaxhim dhe plotësimit të nevojave me kursimet familjare, etj.

Si rrjedhojë, financimi për kompanitë e mesme dhe të mëdha përfaqëson afro 85% të kredive për biznes. Sidoqoftë, bankat e mitigojnë rrezikun e përqendrimit të riskut, duke vendosur limite financimi sipas sektorëve dhe për huamarrësit më të mëdhenj në bankë.

Ky fenomen është strukturor në ekonominë shqiptare dhe mitigimi (diversifikimi) vjen si rezultat i rregulloreve të bankave apo rregullatorit.

Duhet kujdes!

Sidoqoftë, ka nevojë për kujdes të veçantë në kredidhënie dhe në investime për veçoritë që ka ky treg. Kërkesa dhe oferta janë të sfazuara në kohë, duke bërë që shpesh kërkesa të shfaqet më e lartë se sa është në realitet. P.sh. një kërkesë e vogël në sasi, por e ardhur papritur (emigrantët) nuk mund të plotësohet për një kohë të shkurtër dhe fryn të gjithë çmimet, duke nxitur masivisht ndërtime të reja.

Cilat mendoni se do të jenë çështjet dhe sfidat kryesore për sektorin bankar për vitin 2025?

Situata gjeopolitike do të jetë një nga faktorët më të rëndësishëm këtë vit. Ai luan një rol thelbësor në formësimin e rritjes ekonomike të vendit dhe turizmi, si një prej shtyllave kryesore të ekonomisë shqiptare, ka ndikim të drejtpërdrejtë.

Mjedisi i huaj karakterizohet nga pasiguri të shumta dhe ato mund të ndikojnë dhe tek ekonomia jonë.

Gjithsesi, pritshmëritë tona për të ardhmen mbeten pozitive dhe trendi i turizmit do të njohë nivele të reja për vendin tonë.

Një situatë e qetë gjeopolitike transmetohet edhe në sistemin bankar, duke ndikuar në qëndrueshmërinë financiare, norma inflacioni brenda targetit të rregullatorit dhe një sjellje konsumatore e prirë ndaj konsumit.

Ndërtimi ka qenë sektori primar i rritjes ekonomike të vendit, veçanërisht në pesëvjeçarin e fundit dhe ka njohur një lulëzim të jashtëzakonshëm.

E rëndësishme do të jetë ecuria e këtij sektori gjatë vitit 2025. Pritshmëritë për vitin 2025 janë për një rritje të moderuar dhe një stabilitet të çmimeve në Tiranë.

Për sa u përket zonave bregdetare, ndërtimi do të vazhdojë të jetë në trend shumë pozitiv, në linjë me nevojën për kapacitete akomoduese në rritje të nxitur nga turizmi.

Sektori bankar gjendet përballë nevojës së vazhdueshme për investime në IT dhe dixhitalizim, me qëllimin kryesor për të qenë një aktor konkurrues në treg, për të përmbushur kërkesat e klientëve që janë gjithmonë në zhvillim, për të ofruar platforma dhe shërbime të sigurta, për të akomoduar kërkesat rregullatore, por mbi të gjitha për të qenë eficientë.

Zhvillimi teknologjik po shpalos mundësi dhe mënyra të reja të të bërit biznes.

Inteligjenca Artificiale, edhe pse në hapat e parë në Shqipëri, do të ofrojë mundësi të jashtëzakonshme në modus operandi të bankave, duke ofruar vendimmarrje më të shpejtë, bazuar në të dhëna, parashikime të sjelljes konsumatore, në përmirësimin e shërbimit të klientëve, gjenerimin e alerteve për rreziqet potenciale, etj.

Megjithëse këto investime në afatshkurtër ushtrojnë presione ndaj marzheve të bankave, në terma afatgjatë mbeten prioritare për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bankar.

Integrimi në Bashkimin Europian, gërshetuar me zhvillimet teknologjike dhe evoluimi gjeopolitik dhe makroekonomik përkthehet në një kuadër rregullator për bankat gjithmonë e më sfidues dhe kërkues.

Ndryshimet ligjore në rregullatorët dhe palët e interesuara të sektorit bankar kanë gjithashtu ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën e funksionimit të bankave.

Si rrjedhojë, bankat kanë një përgjegjësi të shtuar për të përmbushur nevojat rregullatorë, në mënyrë paralele me kreditimin e ekonomisë, ofrimin e shërbimeve korrekte ndaj klientëve, pa cenuar përmbushjen e objektivave strategjikë.

Rritja e kërkesave për kapital është gjithashtu një sfidë tjetër për sektorin. Mirëkapitalizimi i sektorit bankar është synimi kryesor i Bankës së Shqipërisë, në mënyrë që të përballohet me sukses çdo situatë e stresuar në treg, megjithatë kërkesa në rritje gjeneron kosto të larta për bankën, të cilat në fund transmetohet te konsumatori final.

Në këtë këndvështrim, njehsimi i praktikave europiane është i domosdoshëm, për të shmangur ndryshime potenciale në modelin e biznesit të bankave.

Monitor

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Zbardhet vrasja e shqiptarit në Greqi! Shkak konflikti për një shtëpi, autori…
  • Komuniteti LGBTIQ+ marshon në Tiranë, u bashkohet dhe ambasadori i BE
  • Zgjedhjet e 11 majit| KQZ miraton rezultatet në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan
  • Përplasi për vdekje të moshuarin, arrestohet 36-vjeçari në Përmet
  • Fiber, platforma që po zëvendëson me ritme të shpejta TikTok: mbi 200 mijë shkarkime në pak ditë

Komentet e Fundit

  1. Marko Bollano në Eksperimenti që zhyti në terr Spanjën, zbulohet shkaku i shkëputjes së energjisë
  2. capi në “Më ka zënë belaja me kolegët”, Rama komenton triumfin në zgjedhje: Ndoshta fitoj, sepse nuk jam një socialist i mirë
  3. Erdogan në Lufta II Botërore tregoi se paqja është një arritje që kërkon bashkim
  4. Pelioni në “Një buallicë…” Deputetja e re 29-vjeçare e PS i kthehet analistit: Bullizues i frustuar
  5. Phoenix në “Më ka zënë belaja me kolegët”, Rama komenton triumfin në zgjedhje: Ndoshta fitoj, sepse nuk jam një socialist i mirë
Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara

Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?