Nga Orgen Peci
Deklaratat e fundit të Donald Trump, i cili duke shprehur pakënaqësinë ndaj Norvegjisë pse nuk mori Çmimin Nobel, përdori gjuhë fyese ndaj vendit, bënë bujë në të gjithë botën. Përgjigjja norvegjeze erdhi përmes qetësisë dhe një ironie të matur, në kontrast të fortë me gjuhën vulgare të presidentit amerikan.
Përtej sjelljes qesharake të Trump me Norvegjinë, ky episod nxori në pah një kontrast domethënës. Mënyrën si një nga shoqëritë më të suksesshme dhe më të qëndrueshme në botë përballon situata të tilla. Çfarë e bën realisht Norvegjinë një vend kaq të zhvilluar? Cili është sekreti i mirëqenies së saj?
Norvegjia renditet prej vitesh ndër vendet e para në botë për standardin e jetesës, zhvillimin njerëzor, besimin te institucionet dhe transparencën. Pas këtij suksesi nuk qëndron vetëm pasuria natyrore. Qëndron mënyra se si ajo është administruar.
Burimi më i madh i pasurisë norvegjeze nuk është vetëm nafta dhe gazi i zbuluar në Detin e Veriut, por vendimi strategjik për të mos e trajtuar këtë pasuri si një mundësi për konsum të menjëhershëm apo përfitime të përkohshme politike.
Norvegjia krijoi Fondin Sovran të Pasurisë (Oljefondet), i cili sot është një nga fondet më të mëdha të investimeve në botë, me një vlerë që ka kaluar disa trilionë dollarë. Ai investon në mijëra kompani ndërkombëtare, në aksione, prona dhe instrumente financiare në tregjet globale.
Ky fond nuk është një arkë që qeveria mund ta hapë sipas dëshirës për të financuar interesa elektorale apo për të mbuluar shpenzime arbitrare. Ai është ndërtuar si një pasuri kombëtare, që duhet t’u shërbejë jo vetëm qytetarëve të sotëm, por edhe brezave që do të vijnë.
Norvegjia ka vendosur një rregull fiskal që synon të kufizojë përdorimin e kësaj pasurie. Në terma afatgjatë, shpenzimet e financuara nga fondi duhet të jenë në përputhje me kthimin real të pritshëm të investimeve, aktualisht të vlerësuar në rreth 3 për qind të vlerës së fondit në vit.
Pra, nuk shpenzohen fitimet apo kapitali sipas nevojave të momentit politik, por ndiqet një parim që mbron qëndrueshmërinë financiare të vendit.
Por modeli norvegjez nuk mbështetet vetëm te fondi i naftës. Ai është produkt i një demokracie sociale, ku taksat relativisht të larta financojnë shërbime publike cilësore dhe një rrjet të gjerë sigurie sociale. Arsimi, shëndetësia, kujdesi për fëmijët, mbështetja për familjet dhe mbrojtja sociale janë pjesë e një marrëveshjeje të gjerë mes shtetit dhe qytetarëve.
Pabarazitë ekonomike mbahen relativisht të ulëta, institucionet janë të forta dhe transparenca publike është e lartë. Korrupsioni nuk është i panjohur, por është shumë i ulët dhe kontrolli institucional funksionon.
Ky është ndoshta mësimi më i rëndësishëm i Norvegjisë: pasuria natyrore nuk e bën automatikisht një vend të pasur dhe as nafta nuk garanton mirëqenie. Gjithçka varet nga institucionet, rregullat dhe vullneti politik për ta trajtuar pasurinë kombëtare si pronë të përbashkët.
Rrufjanëve të sotëm që kanë mbushur qeveritë e botës, një model i tillë mund t’u duket utopi ose një mënyrë tepër e lodhshme për të qeverisur. Por historia e Norvegjisë dëshmon të kundërtën: mirëqenia e vërtetë ndërtohet duke ndërtuar institucione që e detyrojnë pushtetin t’i shërbejë shoqërisë.
Dallimi nuk qëndron te fakti se Norvegjia ka naftë dhe të tjerët jo. Qëndron te fakti se ajo e trajtoi naftën si pasuri të brezave, ndërsa në shumë vende të tjera pasuria natyrore është kthyer në privilegj për ata që qeverisin.
DITA

Po merr boten ne qafe…. Mbase iken