Allison Guerriero, 52 vjeç, ish-e dashura e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal, i cili është i dënuar për korrupsion, ka ndërruar jetë papritur në shtëpinë e saj në Florida. Sipas Daily Mail, Guerriero ndërroi jetë disa orë pasi publikoi rreth 75 postime në platformën X. Mes postimeve të saj, ishte edhe një video, ku shfaqej duke ecur në rrugë dhe kërkonte që vëmendja të përqendrohej edhe te zyrtarë të tjerë federalë.
“Mirëmëngjes të gjithëve. Miq dhe armiq… sigurisht që jam në mes të gjithë çrregullimit tim post-traumatik të stresit që nga 11 shtatori, por në fakt po marr frymë me lehtësim të madh”, tha ajo.
Më pas ajo iu rikthye çështjes McGonigal.
“Ja ku qëndron problemi me Charles McGonigal. Ti e di emrin e tij, por nuk e dije kurrë më parë. Ti e dije emrin e Jim Comey-t. Ti e dije emrin e Chris Wray-t… të gjithë emrat që i di tashmë, i di. Pse nuk fillon të kërkosh emrat që nuk i di?” tha ajo.
Në një tjetër postim Guerriero shkruante: “E urrej FBI-në”. Postimet ishin pjesë e fushatës së saj disa vjeçare kundër McGonigal dhe figurave të tjera të larta të agjencisë amerikane. Guerriero, e cila ishte gjithashtu një mike e afërt e ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut dhe mbështetësit të Donald Trump, Rudy Giuliani, vdiq diku gjatë mbrëmjes së 27 gushtit, sipas babait të saj.
Guerriero ndihmoi në zbulimin e skandalit McGonigal
Marrëdhënia 18-mujore e Guerrieros me Charles McGonigal, ish-kreun e FBI-së në Nju Jork, luajti një rol të rëndësishëm në zbulimin e veprimeve të tij, përfshirë punën e fshehtë për oligarkun rus Oleg Deripaska. McGonigal po vuan tashmë një dënim prej gjashtë vjetësh në burg. Megjithatë, Guerriero ka deklaruar gjithmonë se dënimi i tij duhet të ishte më i ashpër. Në një intervistë për Daily Mail në vitin 2024, Guerriero e quajti McGonigal “tradhtar”.
Shkaku i vdekjes ende nuk dihet
Babai i Guerrieros tha për Daily Mail se familja ende nuk është informuar për shkakun e vdekjes apo rrethanat e sakta të ngjarjes.
“Nuk e dimë ende. Po presim të kemi qasje në raportin e autopsisë. Besoj se do të lëshojnë një certifikatë vdekjeje brenda ditës tjetër, në mënyrë që ta çojmë në shtëpi dhe ta varrosim. Mund të ketë qenë një aksident. Mund të ketë rrëshqitur. Mund të ketë qenë çdo gjë. Po presim certifikatën e vdekjes që të dimë se çfarë ka ndodhur,” tha ai.
Policia e Boynton Beach tha se nuk duket të ketë shenja të ndonjë vepre të paligjshme në këtë fazë, ndërsa hetimi vazhdon. Guerriero ishte zhvendosur në Florida tre vjet më parë. Ajo kishte kaluar një sërë problemesh të rënda shëndetësore, përfshirë kancerin, si dhe kishte pësuar dëmtime të rënda dhe të përhershme pas një zjarri.
“Ajo kishte armiq”
Megjithëse shkaku i vdekjes mbetet ende i panjohur publikisht, disa burime kanë hedhur dyshime mbi mundësinë që pas saj të fshihen arsye më të errëta. Një burim i tha Daily Mail: “Ajo kërcënohej shumë nga njerëzit në internet për pikëpamjet e saj. Ajo sigurisht që kishte armiq.”
Nga ana tjetër, babai i saj e kundërshtoi këtë teori.
“Ajo tregoi se nuk kishte asnjë shqetësim se dikush po përpiqej ta dëmtonte apo diçka të tillë. Nuk mendoj se kishte ndonjë gjë të dyshimtë, nga sa di unë për këtë. Jam skeptik se mund të ketë ndonjë gjë të ligë këtu. Më besoni, unë jam babai i saj dhe nëse do të kishte, do të isha i vendosur për këtë,” tha ai.
Sipas tij, Guerriero kishte qenë në periudhën më të mirë të jetës së saj që prej zhvendosjes në Florida.
“Që kur u zhvendos në Florida, ajo ka qenë më e lumtura që kam parë ndonjëherë. Ajo po e trajtonte veten shumë mirë. Ajo ecte çdo ditë, bënte ushtrime dhe ushqehej siç duhet. Ajo e shijonte zgjimin në agim dhe shëtitjen në plazh,” tha ai.
Marrëdhënia me McGonigal dhe 80 mijë dollarët
Guerriero ishte ish-nënkryetare e operacioneve amerikane për firmën izraelite të sigurisë Mifram, ndërsa punonte në Nju Jork. Ajo u takua për herë të parë me McGonigal në pranverën e vitit 2017, kur ishte vullnetare për bamirësinë Federal Enforcement Homeland Security Foundation.
Sipas rrëfimit të saj, McGonigal, i cili në atë kohë kishte një pagë prej rreth 200 mijë dollarësh në vit, e joshi gjatë një darke duke pretenduar se ishte duke kaluar një proces divorci nga gruaja e tij, Pamela.
McGonigal ishte emëruar në krye të FBI-së në Nju Jork në vitin 2016 nga drejtori i atëhershëm i FBI-së, James Comey. Gjatë lidhjes së tyre, Guerriero tha se McGonigal e kishte çuar në zyrën kryesore të FBI-së në Manhattan dhe e kishte prezantuar si të dashurën e tij.
Ai gjithashtu udhëtoi drejt Shqipërisë gjatë marrëdhënies së tyre në vitin 2017 dhe, sipas Guerrieros, në një moment i kërkoi asaj ta shoqëronte për të takuar oligarkun rus Oleg Deripaska. Në fillim të tetorit, çifti kishte planifikuar të festonte ditëlindjen e Guerrieros, por festa u anulua pasi drejtori i atëhershëm i FBI-së, Christopher Wray, mbërriti në qytet dhe McGonigal duhej të merrte pjesë në takime.
Sipas dokumenteve të gjykatës, më 5 tetor McGonigal mori 80 mijë dollarë nga një ish-bashkëpunëtor i tij zyrtar i inteligjencës shqiptare, në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Nju Jork. Guerriero tha se nuk kujtonte asgjë nga ajo mbrëmje që të tregonte dorëzimin e parave, por më vonë nisi të dyshonte se festimi i ditëlindjes mund të kishte qenë një “perde tymi”. Sipas saj, McGonigal pretendoi se paratë i kishte fituar duke vënë bast për një ndeshje bejsbolli.
Ndarja dhe denoncimi i McGonigal
Marrëdhënia e tyre përfundoi në prag të Krishtlindjeve të vitit 2018, pasi Guerriero mësoi se McGonigal nuk po divorcohej nga gruaja e tij.
“Ai tha se do të qëndronte i martuar, se unë dhe ai po ndaheshim. Unë thashë, çfarë dreqin po bënim gjatë 18 muajve të fundit?”, rrëfeu ajo.
Tre muaj më vonë, McGonigal doli në pension nga FBI-ja dhe më pas u bë drejtues i sigurisë për një bankë, me një pagë prej rreth 850 mijë dollarësh në vit. Në vitin 2019, pasi kishte reflektuar mbi ngjarjet, Guerriero u dha informacion njerëzve që njihte brenda FBI-së për dyshimet e saj. Sipas saj, akuzat ranë në vesh të shurdhër. Më pas, në janar 2023, McGonigal u arrestua.
“Pasi unë dhe Çarli u ndamë, kisha kaluar një seri javësh dhe muajsh duke menduar për gjithçka. Më kishte shkuar ndërmend se ky djalë është tradhtar. Ai po merrte ryshfete për të ushtruar ndikim. Ai merrte ryshfete për të punuar me Oleg Deripaskën, të cilin më ftoi ta takoja në Vjenë kur ende po dilnim bashkë,” kishte thënë Guerriero.
Ajo pretendonte se kishte tentuar disa herë të fliste me FBI-në për dyshimet e saj, por pa rezultat.
“Sa herë që përpiqesha të flisja me FBI-në për këtë, ata nuk donin të dëgjonin. Ia thashë ish-shefit të tij, ia thashë edhe njerëzve të tjerë brenda shërbimit të tyre të lartë ekzekutiv dhe askush nuk bëri asgjë,” kishte thënë Guerriero.
Sipas Guerrieros, FBI-ja dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë nuk donin të dëgjonin se një prej figurave të tyre të rëndësishme mund të ishte i kompromentuar. Tashmë, ndërsa hetimi për vdekjen e saj vazhdon, shkaku i saktë i vdekjes së Allison Guerrieros mbetet ende i panjohur.
j.l./ dita
