Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka drejtuar një letër me tone ironike Belinda Ballukut, duke iu referuar asaj si drejtuese e Qarkut Fier dhe duke i kërkuar ndërhyrje për të mundësuar kryerjen e një operacioni në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes.
Në letër, Veliaj shkruan se prej një muaji po qëndron në izolim në IEVP Fier, pavarësisht se ka këmbën e thyer dhe ka nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale.
Ai shprehet se kërkesat e tij deri tani nuk kanë marrë përgjigje, ndërsa ironizon duke iu referuar pretendimeve se vendimet në qeveri nuk merren më nga kryeministri, por se për zgjidhjen e çështjeve duhet t’i drejtohen Ballukut.
“Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se ‘Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim’ dhe se ‘hallin tënd e zgjidh veç Bela’. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike”, shkruan Veliaj.
Në përfundim të letrës, ai i kërkon Ballukut të miratojë kryerjen e operacionit në Tiranë, duke e mbyllur mesazhin me firmën ironike: “Socialisti me duar të lidhura”.
Znj. Balluku – Dr. e Qarkut Fier,
Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është “sekret”.
Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”.
Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.
Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.
Socialisti “me duar të lidhura”.
Erion Veliaj
