Vegim Përmeti
Ndoshta nuk është dhe aq rastësi që një nga luftëtarët më të mëdhenj antifashistë dhe idealistë të këtij vendi, e ka ditën e lindjes një ditë para asaj që kremtohet si Dita e Veteranit. Nesër organizata e Veteranëve të LANÇ-it feston 65 vjetorin e saj. Pse e meriton që në këtë ditë jubilare të kujtohet edhe Sejfulla Malëshova?
Sejfulla Malëshova u lind më 19 korrik të vitit 1900 në fshatin Limar të Malëshovës së Përmetit. U nda nga jeta në Fier, më 11 qershor të vitit 1971, në moshën 71-vjeçare, i internuar dhe i braktisur, i lënë plotësisht në harresë. Ai do të binte viktimë e luftës absurde të klasave.
Kush ishte Sejfulla Malëshova?
Mësimet e para i mori në vendlindje, në Malëshovë, ndërsa ato të mesmet i vazhdoi në Kolegjin Shën Mitër Korona të Italisë, ku ka dhënë mësim edhe i madhi Jeronim de Rada. Pastaj vazhdoi universitetin në Romë, Fakultetin e Mjekësisë, për të përfunduar në Moskë, ku mbaroi për filozofi në Universitetin “Lomonosov”. Nisur nga rezultatet e shkëlqyera që siguroi, u mbajt pedagog. Pak më vonë u organizua një konkurs për vendin e dekanit të filozofisë, ku u ftuan studentët e shkëlqyer të pesë viteve të fundit nga shumë kombe të botës. I bëjnë ftesë edhe Sejfullait për të konkurruar, ndër gati 150 konkurrentë.
Në mbarim të konkursit doli shpallja: Vendin e Dekanit të Filozofisë e fiton djaloshi nga Shqipëria, Sejfulla Malëshova. Kjo ishte një dhuratë dhe nder që i jepej Atdheut të tij të dashur, Shqipërisë.
Që në të ritë e tij, Sejfulla Malëshova u përfshi dhe u aktivizua gjerësisht në rrethet atdhetare, ku u dallua për shpirtin e tij të zjarrtë atdhetar; pjesëmarrës aktiv në lëvizjen për drejtësi e përparim shoqëror. Ai, vazhdimisht, do të ishte në krahun e vegjëlisë. Edhe pse fare i ri në moshë, u bë një emër shumë i njohur në rrethet patriotike dhe politike të kohës. Krijoi dhe mbajti lidhje të pandërprera me intelektualët më në zë të vendit. Sejfulla Malëshova që kur ishte në bankat e kolegjit, si djalë populli që ishte, i hodhi të gjitha energjitë e tij për të çliruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Në radhët e studentëve shqiptarë në Itali, fjala dhe pena e Sejfulla Malëshovës shquhen aq shumë sa dy mjeshtrit e mëdhenj të gjuhës shqipe, dy nga figurat më të mëdha politike të Rilindjes sonë, Faik Konica dhe Fan Noli, të cilët e konsiderojnë Lame Kodrën (emri letrar i Sejfullait) si dishepullin e tyre me vlerë, si bashkëpunëtor të radhës së parë. Botimet shqiptare, si në Itali ashtu edhe ato të Federatës “Vatra” në Amerikë, dëshmojnë për punët, për inteligjencën e mprehtë dhe për ndjenjat e kulluara të patriotizmit të Sejfulla Malëshovës. Nisur nga përgatitja që kishte, doemos, edhe nga aftësitë që zotëronte, ish-kryeministri i vitit 1924, Fan Noli, e mori në kabinetin e tij qeveritar si kryesekretar të Kryeministrisë.
Së bashku me Avni Rustemin, si dhe me intelektualë të tjerë përparimtarë të asaj kohe, Sejfulla Malëshova luftoi për një Shqipëri demokratike të vegjëlisë. Revolucioni i Qershorit, përpjekja dhe lufta për të përmbysur regjimin e bejlerëve dhe të agallarëve, të feudalëve, e kishin nxjerrë Sejfulla Malëshovën në paraskenën e politikës shqiptare. Atëherë, ishte vetëm 23 vjeç. Fjala dhe pena e tij qenë trumbetë lufte për të gjithë demokratët e asaj kohe.
***
Sejfulla Malëshova, duke punuar dhe luftuar për Shqipërinë dhe për popullin, zgjodhi rrugën e tij, formon bindjen dhe besimin e tij se vetëm populli, me forcat e veta, duke mobilizuar e organizuar të gjitha energjitë e tij, materiale dhe morale, do të sigurojë një Shqipëri të pavarur dhe demokratike.
Në dhjetor të vitit 1924, siç dihet edhe nga historia, Ahmet Zogu, i ndihmuar nga forcat serbe dhe ato bjellogardiste, rrëzoi me dhunë qeverinë e Fan Nolit. Në këto kushte, me qindra patriotë, me qindra demokratë shqiptarë, morën rrugën e arratisë dhe atë të mërgimit. Në mes tyre është edhe Sejfulla Malëshova. Ishte një largim i detyruar, mbasi mund ta pësonin, siç e pësuan shumë të tjerë, që i vrau Zogu në netët pa besë.
Por edhe në emigracion, në Itali, Austri, Francë dhe në kuadrin e Kominternit, Sejfulla Malëshova luajti një rol me shumë rëndësi me fjalët e tij, me shkrimet dhe punën e tij.
***
Që nga Moska, kryeqyteti i madh i botës socialiste, Sejfulla Malëshova shkruan, mediton, inspiron, punon për Shqipërinë e re dhe për popullin shqiptar. Me eksperiencën e madhe, të fituar në Moskë, ndriçohet gjithë aktiviteti politik i Sejfulla Malëshovës. Aty mësoi “Materializmin Historik” se si duhet luftuar më mirë për liri, për demokraci dhe për atdhe. Filozofia revolucionare bëhet një armë lufte në kokën e Lame Kodrës, poetit rebel; ajo e lidh për vdekje me të ardhmen dhe me përpjekjet vigane të popullit shqiptar për liri. Për të realizuar këtë aspiratë, Sejfulla Malëshova kryen edhe studime të larta politiko -ushtarake. Ai mbrojti disa grada shkencore, duke qenë bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave të Moskës, ku dha edhe leksione filozofie. Në Moskë, Sejfulla Malëshova mbajti pranë vetes shumë patriotë shqiptarë.
Më 1938 emigroi në Perëndim, fillimisht në Paris. Gjatë qëndrimit në Paris dhe në Lion, u njoh me shumë emigrantë politikë dhe ekonomikë, u miqësua me ta, sidomos me dr. Ymer Dishnicën, vëllezërit Gogo dhe Kozma Nushi, Ali Kelmendin, Qeriba Derrin, Halim Xhelon, Abaz Shehun dhe shumë patriotë e atdhedashës. Në Francë Sejfullai bashkëpunoi me shtypin që botonin emigrantët. Nga tribuna e shqiptarëve të Francës, që nga “Sazani”, Sejfulla Malëshova hedh parullën e bashkimit të popullit shqiptar në luftën kundër rrezikut të një okupacioni ushtarak nga ana e Italisë fashiste. Këtë kushtrim ai e hodhi veçanërisht me vjershën e tij “Vlora” po në atë vit, 1938. Sejfulla Malëshova i shkroi vjershat e tij rne pseudonimin Lame Kodra e që u bë i njohur nga të gjithë. Shkrimet dhe fjala e Sejfulla Malëshovës në atë kohë qenë busull lufte për lirinë dhe pavarësinë shqiptare, gjithë emigrantët e “Federatës së shqiptarëve të Francës”, e çmonin se ç’vlerë dhe rëndësi kishte fjala dhe shkrimet e Sejfulla Malëshovës në atë kohë. Që gazeta “Sazani” dhe “Federata e shqiptarëve të Frances” hodhën parullat e Luftës sonë Antifashiste nacionalçlirimtare, kjo i dedikohet, në radhë të parë, Sejfulla Malëshovës, zotësisë dhe inteligjencies së tij politike. “Që nga viti 1938 e deri në vitin 1943, Sejfulla Malëshova mund të quhet pa frikë lider i pakontestueshëm i përpjekjes sonë në emigracion dhe inspiratori i drejtpërdrejtë i luftës sonë”, – shprehej dr. Ymer Dishnica, shok lufte dhe ideali me Sejfulla Malëshovën si në emigration edhe gjatë luftës për çlirimin e Shqipërisë.
Në ballë të luftës për liri
Shqipëria u pushtua më 7 prill 1939 nga fashistët italianë. Luftën e lavdishme të popullit shqiptar kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, Sejfulla Malëshova, si bir i popullit që ishte, e çmoi drejt me bashkimin e luftës sonë me koalicionin e madh antifashist, të udhëhequr nga Fuqitë e Mëdha: Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Bashkimi me këtë koalicion ishte i domosdoshëm, sepse kështu sigurohej pavarësia e popullit tonë, si një popull i vogël që jemi, dhe, për më tepër, mes fqinjëve shovinistë. Duke ndjekur nga larg atdheut luftën që po bënte për çlirim, biri i Malëshovës atdhetare nuk mund të qëndronte indiferent. Ai kthehet në Shqipëri dhe lidhet me këtë luftë heroike. Madje, pa takuar nënën dhe motrën e vetme, të cilat kishin pritur prej 20 vjetësh. Por i takoi më vonë, ilegalisht (kjo edhe për masa sigurie, sepse armiku e gjurmonte). Kthimi i tij në Shqipëri, pas 20 viteve, ishte veprim i një patrioti të madh, që e donte me shpirt popullin e tij. Pati edhe emigrantë të tjerë, por që nuk u bënë merak për fatet e popullit e të atdheut; këta pseudopatriotë qëndronin kafeneve të Europës, duke bërë pazare në kurriz të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Sapo erdhi në Shqipëri, Sejfulla Malëshova nuk shkoi salloneve ku bëhej “politika e madhe prej baballarëve të kombit” dhe në bashkëpunim me nëpunësit fashistë. Pa as më të voglin hezitim, Sejfulla Malëshova shkoi atje ku kërciste pushka partizane, në male, ku bijtë e thjeshtë të popullit luftonin me vetëmohim dhe heroizëm për çlirimin e atdheut.
Nisur nga përgatitja e tij politike dhe intelektuale e një niveli të lartë, si dhe nga kontributi që kishte dhënë deri në atë kohë në dobi të atdheut të vet, Sejfulla Malëshova zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. U bë menjëherë njëri nga kuadrot e lartë dhe të shquar të luftës. Veprimtaria e tij politike dhe organizative kontribuoi në zgjerimin dhe intensifikimin e luftës kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Fjala e mençur dhe shkrimet me frymë patriotike, si dhe vjershat e tij, u bënë burim frymëzimi për zemrat e fshatarëve, të punëtorëve dhe të rinisë së Shqipërisë liridashëse. “Në vjershat e Lame Kodrës shprehet fuqishëm aspirata shekullore për lirinë e popullit tonë. S’ka gëzim më të madh për një poet kur shikon se krijimet e tij ndezin zemrat e një populli për liri. Ai jetën e tij ia ka kushtuar popullit dhe ka sakrifikuar çdo gjë, që historinë ta bëjë vetë populli dhe jo rrethet e ngushta të të “zgjedhurve”, – është shprehur Dr. Selaudin Toto.
Nuk shkruhet fare per fundin tragjik te tij. Nuk mjafton vetem “lufta e klasave” si shprehje, sepse nuk vjen si fatkeqesi natyrore. Eshte veper e nje njeriu, me emrin Enver Hoxha. Pra Maleshova, ky njeri i madh i letrave, eshte nje nga viktimat e xhelatit komunist.
Po të ishte vërtet aq i madh, sa përshkruhet në këtë përpjekje të lodhëshme, sefulla allahallah lame kodra marshalla, do t’i kishte vënë përpara me hu të gjithë “armiqtë” me në krye Enver Hoxhën, por e kundërta e këtyre lëvdimeve del e vërtetë: sefyllafyelli meritat e studimeve të tij dhe përpjekjet për Shqipërinë demokratike i la nën efektin e fodullëkut, pëshpësheve dhe xhelozisë vetiake…
Keni dëgjuar ju për te Madhin Ali Asllani? Ishte diplomat i zogut (mender mbretit), por e rrudhi gjuhën, kur kohët ndryshuan, kur zogji “mbathi opëngat e doli malit” në arrati më 6 prill 1939 dhe kur çlirimtarët erdhën më pushtet. Ai hodhi në letër vepra poetike të pavdekshme dhe në fund u nda nga jeta si njeri dhe intelektual i nderuar…
Me te lumte Vegim PERMETI..sjelle kete KREATYRE NJERZORE se PARI- Sejfulla Malshova -kranari ju vetem i PERMRTIT e Mashoves se Tij-vndlindie,po mbare atdheut MEME Ai-Sejfulla Malshova-nder te rrallet Udheheqes qe nga lufta N.Cl, perkushtuar nje jete-Atdheut,*persekutuar*padrejtesissht nga koha qe jetoi.! I perjetshe Kujtimi i Jetes dhe VEPRES TIJ-Nje vertet i TALENTUAR Njeri !.
Me prane,mbi 100 *Pasues veterane*,mes Torontos,ju pershenders une,86 vjecari-*Pasues veteran*.
Per te treguar”Patriotizmin” e komunisteve, mjafton te permendim nje shprehie qe perdorte me krenari, vete organizata kriminale komuniste “ATDHEU I KOMUNISTEVE ESHTE MOSKA” Per komunistet nuk kish “MEMEDHE SHQIPERI” por “MEMEDHE RUSI”Vete simboli partizan ishte “YLLI SLLAV” e jo “SHKABA DY KRENARE ARBERORE”