Një vrasje me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Dukagjin të Shkodrës.
Viktimë mbeti shtetasi Aleksandër Koçeku, rreth 40 vjeç.
Mësohet se Koçeku po lëvizte nga Kiri i Dukagjinit drejt Prekalit për në Shkodër, ku në afërsi të fshatit Lin, u qëllua me breshëri plumbash.
Autorët, siç duket e kanë ruajtur viktimën dhe në një segment rrugor malor, ku ka shumë pak lëvizje dhe duke përfituar nga errësira dhe mungesa e kamerave, e kanë vrarë.
Familja Koçeku ishte në gjak dhe këtë e konfirmojnë edhe të afërmit. Viktima është vëllai i Artan Koçekut, i cili është në burg për vrasjen e shtetasit Angjelin Shkambi në dhjetor të vitit 2017.
“Babin e tij e kam djalë xhaxhai. Konfliktin e dinë të gjithë që kemi pasur. Kemi një në burg për atë punë që ka pasur gjak borxh diku. Merrej me punë te shtëpia kryesisht, me një furrë buke, punonte në Shkodër të dhëndri i vet”, tha mes të tjerash, Mark Koçeku, një i afërm i viktimës.
Shkak për vrasjen e Angjelin Shkambit asokohe dyshohet të ketë qenë një borxh prej 40 mijë eurosh, ndërkohë që nga dosja hetimore rezultonte se Angjelin Shkambi kishte krijuar një raport intim me motrën e vëllezërve Koçeku, ndërkohë që, nga ana tjetër, ishte i fejuar me një vajzë tjetër.
Për të kryer vrasjen, Artan Koçeku kishte marrë leje nga burgu i Peqinit, pasi ishte arrestuar për një tjetër vepër penale dhe se i kishte kërkuar Angjelin Shkambit takim nëpërmjet Facebook.
Hetimi në atë kohë tregoi se Shkambi merrej me kultivim të lëndëve narkotike, shpërndante fara hashashi dhe jepte para borxh.
Ndërkohë Policia dhe grupi hetimor kanë shkruar në vendngjarje dhe kanë mbledhur provat për të bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit/autorëve, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
