Më shumë qytetarë do të mund të përfitojnë nga skema e rimbursimit të barnave përgjatë këtij viti.
Lista e re e barnave të rimbusimit për vitin 2023 do të hyjë në fuqi në datën 1 maj. Kështu, në këtë datë, në të gjitha farmacitë spitalore, si dhe ato të rrjetit të hapur që kanë kontratë me Fondin, do të nisë dhënia e recetave me rimbursim sipas dozave të reja të miratuara për këtë vit. Vendimi me listën e plotë të barnave që do jenë vetëm për përdorim spitalor, si dhe lista për të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur tashmë është zbardhur edhe në Fletoren Zyrtare të Qeverisë.
Lista e rimbursimit përfshin barna të cilat trajtojnë dhe mbajnë në kontroll veçanërisht sëmundjet kronike, të cilat kanë edhe shpeshtësi më të madhe në popullatë, siç janë: diabeti, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare duke ofruar alternativa mjekimi më bashkëkohore, në mënyrë që të shmangen komplikacionet dhe të rritet cilësia e jetesës dhe jetëgjatësisë së pacientëve që përfitojnë. Pjesë e listës edhe për këtë vit janë barnat inovative për trajtimin e disa lloje tumoreve, si: ai i mushkërive, gjirit si edhe alternativa mjekimi për pacientët të cilët vuajnë nga pasojat e koronavirusit. Pacientët e dializës janë një grup tjetër që do të përfitojnë marrjen me rimbursim të medikamenteve me qëllim parandalimin e komplikacioneve të rënda që vijnë nga kjo sëmundje.
Shkalla e rimbursimit edhe për këtë vit do të jetë e plotë, ose e pjesshme, sipas kategorisë në të cilën bën pjesë pacienti. Megjithatë, në asnjë rast nuk mund të jetë më e ulët se sa 50 për qind e vlerës së ilaçit përkatës.
Autoritetet e Fondit të Sigurime të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor bëjnë me dije se masa e rimbursimit të barnave do të jetë e përshkallëzuar nga 50 deri në 100 për qind të çdo medikamenti. Do të mbulohen në masën 100 për qind, barnat e listës për fëmijët 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët, për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës. Përfitimi me rimbursim në masën 100 për qind i këtyre barnave shkon edhe për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozë multiple, talasemisë major, etj.
Ndërsa për pjesën tjetër, barnat do jepen me rimbursim të pjesshëm, por jo më pak se 50 për qind të çmimit. Por, në çdo rast për të përfituar këto barna, pacientët duhet të jenë pajisur më parë me recetën e rimbursimit nga mjeku i tyre i familjes.
Lista e rimbursimit të barnave mbështet më shumë se 410 mijë përfitues, ku më shumë se 60 për qind e përfituesve janë pensionistë, persona me aftësi të kufizuar, duke i mbështetur me trajtimin medikamentoz sipas diagnozave të mjekimit që ata marrin nga mjekët e familjes. /DITA/
LISTA E BARNAVE ME RIMBURSIM PËR VITIN 2023
p.k\dita
