Shkruar për Dita: Dr.Ing.Sokol Marku
Ignorantia fallimur, et errata discimus
Latinët nxorën shumë thënie proverbiale një ndër të cilat qëndron në ballë të këtij artikulli. Padija na çon në gabim, por nga gabimi duhet mësuar.
Unë pasi kisha folur në 2018 publikisht duke parashikuar ngjarje të rëndësishme sizmike gjatë vitit 2019, pasi shkrova e fola publikisht gjatë nëntorit të vitit 2019 për çka na ndodhi e për çka duhej bërë, pasi isha organizator kryesor në një konferencë ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave në përvjetorin e parë të fatkeqësisë pa marrë vlerësimet e duhura, vendosa të mos bëhem më “i gjallë” në media të shkruar apo elektronike për këto soj ngjarjesh.
Në fund të fundit, mendova, vendi ynë paska qenë vend gjithologësh. Këta kur u flet, ashtu si ka thënë Konica, të kundërshtojnë për gjëra që nuk i dinë dhe më vonë të kritikojnë e të thonë si nuk e paske kuptuar ti se çfarë u ke thënë atyre. Kur dëgjova për tërmetin e Turqisë në fillim u mjaftova të dërgoj ngushëllime tek kolegët e mij turq për fatkeqësinë që u ra mbi kokë, dhe vazhdova sportin e preferuar kombëtar, të dëgjoja me indiferencë lajmet dhe kryesisht ato për dopio “B” vipin.
Mirëpo profesionalizmi qenka gjë e keqe. Italianët kanë thënë “Benedetta ignoranzia, ti fa star bene nella mente e nella pancia” (Lëvduar qoftë padija, je rehat në trup e mendje). Unë nuk e kam këtë privilegj, sepse hyj te njerëzit që “gjithçka dinë është se nuk dinë asgjë”. Dmth nuk jam anëtar i grupit potent dhe të lavdishëm të mediokërve dhe injorantëve gjithologë.
Shoh shkencëtarë kokëmëdhenj që në emisione televizive flasin për ngjarjen e Antakias duke përfshirë pllaka euroaziatike, përplasje, mbihipje edhe ngelem pa fjale. Pastaj qesh kur shoh disa të tjerë që shtangen nga pyetjet e gazetarëve se nuk dinë çfarë të thonë. Normale, pavarësisht se i kanë thirrur për specialistë e kuptojnë se kanë lidhje me çështjen aq sa ka faturisti i dritave me montimin e linjave të tensionit të lartë.
Ndërkohë gazetarët dinë vetëm të bëjnë pyetjet klishe, a ka lidhje ky tërmet me ne? A pritet një goditje në Shqipëri pas kësaj?
Pra injoranca po na mbytën, injoranca nuk di të shpjegojë, injoranca përhapën panik. Ta zhdukim injorancën, të hedhim pak dritë e të dimë çfarë të mësojmë sa jemi në kohë nga kjo që ndodhi që për fat nuk ishte në tokën tonë.
Së pari të shpjegojmë tërmetin që ndodhi, ku dhe pse. Zona ku ndodhet Antakia është gjeografikisht mes Alepos dhe Erzinkanit. Duke përmendur këto emra, për ata që i njohin ngjarjet sizmike në themel, pra jo për ata tipat që përmenda më lart, ky tërmet me këtë magnitudë nuk ishte fare i pa pritur. Historikisht zona është sizmologjikisht mjaft aktive. Tërmetet historikë që u llogaritet një magnitudë M=7 dhe më e lartë, aty janë regjistruar vazhdimisht. Qyteti i Antokit (sot Antakia) është goditur në shekullin II nga një tërmet me M=7.5, shekullin e VI nga një tërmet me M=7.0, i cili shkaktoi çerek milioni viktima. Ka të dhëna që të paktën dy tërmete me magnitudë M=7.0 dhe M=7.1 kanë goditur Alepon në shekullin e XIII, një tjetër me magnitudë M=7.0 goditi po këtë qytet në vitin 1822, ndërsa më në veri të Antakias tërmeti i vitit 1939 me M=7.8 goditi Erzinkanin.
Tërmeti është renditur si një ndër katër më të fuqishmit e regjistruar, për nga magnitua në shekullin XXI, nga të cilët tre të parët i përkasin unazës së zjarrtë të Paqësorit. Për nga dëmet, tërmeti konsiderohet “ekstrem” me intensitet Io=XI. Por nuk duhej të ishte kaq.
Zona ku ndodhi është kufi bashkimi mes tre pllakave, Afrikane, Arabe dhe Anatoliane. Shkaku i kësaj ndodhie sizmike ka qenë fërkimi mes pllakës Arabike dhe asaj të Anatolisë, si rezultat i zgjerimit të Detit të Kuq. Pra një fërkim dhe jo përplasje, mbihipje apo nënfutje pllakash. Ky fërkim kryhet sipas një linje tektonike të fuqishme të quajtur thyerja e Anatolisë lindore.
Kthehemi tek pyetja nëse ndikon ky tërmet në Shqipëri. Fatkeqësisht, përpara tërmetit të 26 Nëntorit 2019 asnjë shqiptar nuk e mendoi fjalën tërmet. Në përgjithësi ata shqetësoheshin të zinin ndonjë tokë, të ndërtonin një shtëpi pa leje e më keq pa studim gjeologjik, të bënin ndonjë shtesë kati apo dhome anash murit të pallatit, të mbyllnin ballkonet duke tjetërsuar fasadat, aq sa zona urbane shqiptare ngjan sot me një kopsht kërpudhash shumëformëshe ndërsa pallatet si ndërtime obeze. Mbas ditës së tërmetit të gjithë u bënë po aq të ndjeshëm sa minjtë. Kam përshtypjen se celularët pa aplikacionin “a e ndjetë tërmetin e fundit” janë shumë të pakët, dhe çdo lëkundje në çdo cep të globit u ngjall shqetësim dhe ankth njerëzve. Por të trembesh për ndikim të këtij tërmeti në Shqipëri është njësoj si të pyesësh nëse shkakton viktima në Sarandë një aksident automobilistik që ndodh në Shkodër. Pra mos u shqetësoni, jemi shumë larg. Çdo ngjarje sizmike që mund të prekë Shqipërinë, do të ndodhë sepse ndërveprojnë pllakat tona. Ato nuk lidhen as me tërmetin e Antakias, as me shiun, as me borën dhe as me thatësirën.
Por gjithnjë ka një “por”. A duhet të na shqetësojë gabimi turk?
Së pari pse e konsideroj gabim? Nga sa i kam ndjekur kolegët e mi në botë ata çuditen se në një vend si Turqia të ndodhë një shkatërrim i tillë. Aty, ku kodi antisizmik është një ndër më të rreptit pas atij japonez, nuk u shembën ndërtesa, siç ndodhi për shembull tek ne në 2019. Aty u rrafshua gjithçka. Hatai me një popullsi prej 1.6 milionë banorësh ka patur 21 mijë jetë të humbura dhe 24 mijë të plagosur dhe këto nuk janë të dhënat përfundimtare.
Për mendimin tim shkaktari i kësaj fatkeqësie në humbje jetësh njerëzore nuk ishte egërsia e këtij tërmeti por të metat e kodeve sizmike të hartuara nëpër botë. Unë kam mbështetur gjithnjë idenë se kodi antisizmik duhet mbështetur në Vlerësimin Neodeterministik të Rrezikut Sizmik. Ky lloj vlerësimi thotë se përllogaritja e masave antisizmike në një rajon të caktuar duhet të marrë si bazë llogaritjeje ngjarjen më të fortë sizmike që ka ndodhur aty historikisht.
Por kodet antisizmike bazohen në format propabilistike të llogaritjes. E thënë thjesht nëse kemi tre ngjarje me vlera 1, 2 dhe 3, sipas vlerësimit neodeterministik për bazë duhet marrë ajo më e madhja dmth vlera tre, ndërsa metoda propabilistike sugjeron vlerën mesatare që në këtë rast është 2.
Ngjarjet e rënda sizmike, në të vërtetë, nuk janë të përditshme. Kështu vendi ynë ka një aktivitet të moderuar me ngjarje sizmike të përditshme me magnituda të ulëta, ngjarje më pak të shpeshta me magnituda mesatare dhe me ngjarje të rralla por periodike me magnituda shkatërruese. Kështu në Durrës një tërmet aq i fortë kishte një shekull që nuk ndodhte, por nuk ishte i pamundur. Tërmetet janë ngjarje me periodicitet sporadik jo krejt të paparashikueshëm. Ato mund të parashikohen përafërsisht si periudhë dhe si zonë pa qenë të sigurt për vendin dhe kohën e saktë. Prandaj për këtë duhen marrë masa. Shqipëria ende nuk ka një kod sizmik, por pretendon se përdor Eurokodin.
A mund të merret për bazë një kod për tërmetet i shkruar në Europën veriperëndimore ku harta e rrezikut sizmik ka ngjyrë nga e bardha që do të thotë zero rrezik tek e verdha ku do të thotë 0.1 rrezik, për një vend si yni, i cili për nga rreziku renditet mes vlerave 0.5 dhe 0.6, duke ju shpjeguar se vlerat e këtij rreziku për gjithë botën renditen nga 0.0 deri tek 0.6? Në asnjë mënyrë them unë që ashtu si Sokrati “gjithçka që di është se nuk di asgjë”.
Me sa duket kodi antisizmik turk, nuk e paska marrë aspak parasysh historinë sizmike të rajonit të goditur, se po ta kishte ndodhur kjo, masat antisizmike do kishin marrë për bazë tërmetin e 1939 në Erziskan me magnitudë të barabartë me tërmetin e Antakias dhe dëmet do ishin mjaft të ulëta. Unë si studiues i fushës së gjeologjisë mendoj se duhet të na bëhet mësim ky gabim turk. Për këtë imediate është të krijojmë një kod të bazuar në maksimumin e magnitudave historike në Shqipëri. Jo të kopjojmë Eurokodin. Nuk besoj se bën për ne. Gjeologjia është shkencë universale por i shpjegon gjërat rast pas rasti dhe tregon se ato ngjajnë në botë por nuk janë identike, dhe prej kësaj nuk mund të ketë një kod antisizmik unik.
Unë fola, kush ka veshë të dëgjojë. Homeri na thotë se trojanët nuk e dëgjuan Kasandrën, në parimin “profetin nuk e duan në fshatin e tij”. Trojanët në vend të urtësisë së profetit pranuan kalin estetik prej druri dhe sot nuk ekzistojnë më si popull. Ignorantia fallimur, et errata discimus Mbetshi me shëndet.
