Nga Migena Aleksi
A kanë ekzistuar vërtet Adami dhe Eva? A e përjashton shkenca ekzistencën e Zotit? Dhe a është evolucioni në kundërshtim me besimin fetar? Janë disa nga pyetjet më të vjetra dhe njëkohësisht më sfiduese të njerëzimit.
Në njërën anë qëndrojnë tregimet e librave të shenjtë për krijimin e njeriut, në tjetrën zbulimet e biologjisë, gjenetikës dhe antropologjisë, të cilat kanë rindërtuar një histori shumë më të gjatë dhe më komplekse të origjinës sonë.
Por a janë shkenca dhe besimi domosdoshmërisht në kundërshtim? A mund të besosh te Zoti dhe njëkohësisht të pranosh evolucionin? Çfarë na tregojnë ADN-ja mitokondriale dhe kromozomi Y për paraardhësit tanë më të hershëm? Dhe ku mbaron ajo që mund të provojë shkenca e ku fillon fusha e besimit?
Megjithëse ish-pedagogu im Adrian Thano, njihet kryesisht për veprimtarinë e tij në gazetari dhe drejtimin e mediave, interesat e tij nuk kufizohen në zhvillimet politike, shoqërore apo aktualitetin e përditshëm. Ka një kuriozitet të hershëm për shkencën, filozofinë, historinë e ideve, çështjet që lidhen me ekzistencën njerëzore. Nëse e pyet përse, të thotë se ky interes buron, në thelb, nga e njëjta shtysë që duhet të udhëheqë edhe gazetarinë: të pyesësh, të vësh në dyshim bindjet e gatshme, të kërkosh të kuptosh përtej përgjigjeve të zakonshme.
Në këtë bisedë për Manifesti.al, fola me Thanon, duke nisur nga Adami dhe Eva, për të udhëtuar më pas nëpër gjenetikën e origjinës njerëzore, teorinë e evolucionit, kufijtë e dijes shkencore dhe marrëdhënien mes arsyes dhe besimit. Është një udhëtim nga Eva Mitokondriale te mendja e Krijuesit. Për fat të mirë, Thano ka patur përherë talentin të shpjegojë përtej termave që e mërzisin shpejt publikun mesatar.
Sidoqoftë, është një bisedë mes dy njerëzve modestë, që duan të ndajnë me lexues po kaq modestë përpjekjen për të kuptuar deri ku mund të na çojë dija njerëzore dhe cilat janë pyetjet që vazhdojnë ta sfidojnë atë.
PYETJE: A kanë ekzistuar Adami dhe Eva?
THANO: Për shkencën, historinë dhe antropologjinë, Adami dhe Eva nuk kanë ekzistuar si dy individë të vetëm prej të cilëve rrjedh e gjithë njerëzimi. Megjithatë, pyetja ka dy dimensione krejtësisht të ndryshme, atë shkencore dhe atë teologjike/mitologjike.
Këndvështrimi shkencor përfaqësohet nga Biologjia dhe Gjenetika. Nga pikëpamja e evolucionit dhe gjenetikës së popullatave, njerëzimi nuk ka nisur nga një çift i vetëm. Kur flasin për madhësi minimale të popullatës këto të dyja thonë se provat gjenetike dhe fosile tregojnë se Homo sapiens nuk ka rënë kurrë në një numër kaq të vogël sa dy individë. Edhe në periudhat e krizave më të mëdha klimatike apo demografike në histori, popullata njerëzore parahistorike ka qenë gjithmonë e përbërë nga të paktën disa mijëra individë (zakonisht llogaritet një popullatë efikase prej disa dhjetëra mijëra njerëzish). Arsyetimi është që një popullatë prej vetëm dy individësh do të sillte një krushqi të ngushtë ekstreme (inbreeding), duke shkaktuar shkatërrim gjenetik dhe zhdukje të menjëhershme të specit brenda pak brezash.
PYETJE: Në bisedën paraprake ju më folët për ”Adamin Y” dhe “Evën Mitokondriale”. Çfarë janë?
THANO: T’i përmenda sepse këto terma shkencorë i krijojnë keqkuptimet për ata që janë kuriozë mbi këto tema. Eva Mitokondriale është paraardhësja e përbashkët më e afërt nga ana e linjës femërore (nëpërmjet ADN-së mitokondriale) për të gjithë njerëzit e sotëm. Adami i Kromozomit Y është paraardhësi i përbashkët më i afërt nga ana e linjës mashkullore.
Le ti mbajmë dy emrat Eva dhe Adam për lehtësi kuptimore në vijim. Feja thotë se ata kanë jetuar në të njëjtën kohë. Për shkencën që përmendëm më sipër, ata nuk kanë jetuar në të njëjtën periudhë kohore (“Eva” ka jetuar qindra mijëra vjet para “Adamit Y”) dhe ata nuk kanë qenë kurrë çift, e aq më pak të vetmit njerëz në Tokë. Janë individët e vetëm linjat gjenetike të të cilëve mbijetuan deri më sot, ndërsa linjat e të gjithë njerëzve të tjerë u shuan gjatë shekujve. Përsëris që kjo është sipas Biologjisë dhe Gjenetikës.
PYETJE: Kurse sipas fesë kanë jetuar dy njerëz të vetëm në fillim? Për ta thjeshtuar dmth
THANO: Ky është këndvështrimi teologjik dhe historik. Në traditën e feve abrahamike (Judaizëm, Krishterim dhe Islam), Adami dhe Eva përfaqësojnë mitin e krijimit dhe shpjegimin e origjinës së njerëzimit, marrëdhënies me Krijuesin dhe natyrës njerëzore (përfshirë konceptin e gjynahit/mëkatit fillestar). Këto tregime nuk janë konceptuar nga autorët e lashtë si raporte historike apo shkencore, por si narrativa teologjike dhe alegorike për të kuptuar vendin e njeriut në univers.
Megjithatë, edhe brenda vetë teologjisë moderne, shumë dijetarë dhe besimtarë i shohin këto figura jo si persona fizikë që jetuan fjalë për fjalë në një Kopsht Edeni, por si simbole të njerëzimit në raport me Zotin. Pra, si histori e mirëfilltë biologjike, Adami dhe Eva janë një mit. Si trashëgimi kulturore, fetare dhe letrare, ata mbeten ndër figurat më me ndikim në historinë e njerëzimit.
PYETJE: Ta zemë se unë jam ateiste. Si e gjurmon shkenca origjinën e njerëzimit përmes ADN-së mitokondriale dhe kromozomit Y që me sa thatë ju po i quajmë Eva dhe Adami për lehtësi kuptimore? Bëhet fjalë për gjetje, fosile besoj
THANO: Shkenca nuk përdor fosilet e kockave për të gjetur “Adamin” dhe “Evën”, por gjenetikën e popullatave dhe konceptin e njohur si “ora molekulare”. ADN-ja jonë ruan një regjistrim historik të mijëra viteve, të shkruar në mutacionet që ndodhin rastësisht me kalimin e kohës.
Mekanizmi se si shkenca gjurmon këto linja përfshin dy sisteme gjenetike kryesore që trashëgohen pothuajse të pandryshuara nga njëri prind te fëmija:
E para është linja e Nënës ose ADN-ja Mitokondriale (mtDNA). Mitokondritë janë “centralet energjetike” të qelizave tona dhe ato kanë ADN-në e tyre, e cila është e ndarë nga ADN-ja e bërthamës (që vjen nga të dy prindërit).
PYETJE: Si trashëgohet?
THANO: ADN-ja mitokondriale kalon vetëm nga nëna te fëmijët (të dy djemtë dhe vajzat e trashëgojnë nga nëna, por vetëm vajzat ia kalojnë pasardhësve të tyre). Djemtë e kanë, por nuk e transmetojnë te brezi tjetër. N themel është mungesa e rikombinimit. Pra ndryshe nga ADN-ja normale ku gjeni i babait dhe i nënës përzihen (rikombinohen) çdo brez, mtDNA kalon brez pas brezi pothuajse e paprekur, përveç rasteve kur ndodh ndonjë mutacion i vogël dhe i rastësishëm. Kjo gjurmohet prapa në kohë.
PYETJE: Si gjurmohet?
THANO: Duke krahasuar ADN-së mitokondriale të njerëzve nga e gjithë bota, shkencëtarët llogarisin se sa ndryshime janë grumbulluar mes tyre. Duke ditur shifrën mesatare se sa shpesh ndodhin mutacionet (ora molekulare), ata mund të ecin mbrapsht në kohë derisa të gjitha linjat e sotme të bashkohen në një pikë të vetme të përbashkët: Evën Mitokondriale.
PYETJE: Thatë që ka dy sisteme gjenetike kryesore që trashëgohen pothuajse të pandryshuara nga njëri prind te fëmija. Tjetri kush është?
THANO: Është linja e babait, kromozomi Y. Për të gjurmuar linjën mashkullore, gjenetistët përdorin kromozomin Y, i cili përcakton seksin mashkullor. Kromozomi Y kalon ekskluzivisht nga babai te djali. Gratë nuk kanë kromozom Y. Ndaj edhe ky gjurmohet prapa në kohë. Ngjashëm me ADN-në mitokondriale, pjesa më e madhe e kromozomit Y nuk përziet me ADN-në e nënës gjatë pllenimit. Ai trasmetohet nga brezi në brez duke mbajtur vetëm mutacione të vogla rastësore.
Duke numëruar këto mutacione gjenetike te burrat anembanë botës, shkencëtarët mund të llogarisin se kur ka jetuar paraardhësi i fundit i përbashkët mashkullor, dmth Adami i Kromozomit Y.
PYETJE: Thatë “ora molekulare”. Si llogaritet kjo orë, pra si shkohet prapa, si llogaritet koha?
THANO: Sekreti i gjithë kësaj metode qëndron te shpejtësia e mutacioneve. Mutacionet në ADN nuk ndodhin çdo ditë, por statistikisht ato ndodhin me një frekuencë të përafërt dhe të matshme në çdomijëvjeçar. Nëse dy popullata kanë një numër të madh ndryshimesh gjenetike mes tyre, kjo do të thotë se ato janë ndarë nga njëri-tjetri shumë kohë më parë (ka kaluar më shumë kohë që mutacionet të grumbullohen). Nëse ndryshimet janë shumë të pakta, ndarja ka ndodhur kohët e fundit.
PYETJE: Nga kjo del që “Eva” dhe “Adami” nuk jetuan në të njëjtën kohë?
THANO: Kur shkencëtarët aplikuan orën molekulare, rezultatet treguan diçka shumë interesante. Eva Mitokondriale llogaritet të ketë jetuar afërsisht 100,000 deri në 200,000 vjet më parë (zakonisht vendoset rreth 150,000 vite më parë) diku në Afrikë. Adami i Kromozomit Y llogaritet të ketë jetuar në një periudhë tjetër, diku rreth 200,000 deri në 300,000 vjet më parë.
Pra sipas shkencës, ata kurrë nuk janë njohur dhe nuk kanë jetuar si bashkëshortë. Por përfaqësojnë pikat e konvergjencës gjenetike ku të gjitha linjat e tjera mashkullore ose femërore të kohërave të lashta u shuan gjatë rrugës, duke lënë vetëm këta dy individë si mbijetuesit e vetëm të linjave të tyre respektive.
PYETJE: A do të thotë kjo që Zoti nuk ekziston?
THANO: Përgjigjja e shkurtër është: Jo, shkenca nuk mund ta vërtetojë dhe nuk thotë se Zoti nuk ekziston. Përplasja mes shkencës dhe fesë shpesh duket më e madhe seç është në të vërtetë, sepse ato operojnë në fusha krejtësisht të ndryshme të përvojës njerëzore. Shkenca merret me si funksionon natyra, duke matur, testuar, vëzhguar dhe shpjeguar dukuritë fizike (si evolucioni, gjenetika apo fizika kuantike). Shkenca kërkon prova empirike dhe nuk mund të eksperimentojë me koncepte metafizike.
Feja dhe Teologjia merren me përse-në ekzistenciale, me kuptimin e jetës, me moralin dhe me dimensionin shpirtëror që qëndron jashtë kufijve të materies dhe kohës.
Shumica dërrmuese e teologëve modernë (përfshirë edhe udhëheqës të feve të mëdha, si Kisha Katolike) nuk e shohin shkencën si armike të fesë. Për ta, evolucioni, gjenetika dhe shkenca në përgjithësi nuk janë provë e mungesës së Zotit, por mënyra se si Zoti ka zgjedhur të veprojë dhe të krijojë universin. Për shembull, tregimet e krijimit në librat e shenjtë (si Gjeneza) nuk lexohen nga teologët e sotëm si manuale shkencore të biologjisë, por si mesazhe shpirtërore se gjithësia ka një Krijues dhe një qëllim.
Nga ana tjetër, vetë shkenca pranon kufijtë e saj të njohjes. Ajo mund të shpjegojë mekanizmin se si u krijua njeriu përmes evolucionit të miliona viteve, por ajo nuk mund t’i përgjigjet pyetjeve të tilla si: Përse ekziston diçka në vend që të mos ekzistojë asgjë? Nga burojnë ndërgjegjja, ndjenja e drejtësisë apo dashuria?
Për këtë arsye, shumë shkencëtarë të mëdhenj ndër shekuj kanë qenë dhe janë besimtarë. Ata e shohin zbulimin e ligjeve të natyrës jo si një arsye për të mohuar Zotin, por si një mënyrë për të admiruar madhështinë e krijimit të Tij.
E parë kështu, pyetja juaj nëse Zoti ekziston apo jo mbetet çështje e besimit personal, filozofisë dhe përvojës shpirtërore, jo diçka që mund të zgjidhet në laboratorët e gjenetikës.
PYETJE: Si e shpjegojnë shkencëtarët besimtarë harmoninë mes shkencës dhe ekzistencës së Zotit, si i lidhin?
THANO: Shkencëtarët që janë njëkohësisht besimtarë nuk ndjejnë ndonjë përçarje apo kontradiktë mes formulave matematikore, laboratorëve dhe bindjeve të tyre shpirtërore. Për ta, shkenca dhe feja nuk janë dy botë kundërshtare, por dy dritare të ndryshme që shohin të njëjtën të vërtetë: njëra shpjegon mekanizmin, ndërsa tjetra shpjegon kuptimin.
Mënyra se si ata e shpjegojnë këtë armoni bazohet në disa koncepte kyçe. Më i rëndësishmi është koncepti i “Dy Librave” të Krijimit. Kjo është një nga qasjet më tradicionale dhe më të pranuara, e cila daton që nga Shën Augustini dhe u mbështet nga shkencëtarë historikë si Galileo Galilei. Pra është ideja se Zoti është shfaqur përmes dy “librave”: Libri i Natyrës (Shkenca) ku gjenden universi, ligjet e fizikës, biologjia dhe gjenetika. Për ta kuptuar këtë libër, njeriu përdor vëzhgimin, eksperimentin dhe arsyen (shkencën). Dhe Libri i Shkrimit të Shenjtë (Feja), ku gjenden Fjala e Zotit dhe mësimet morale. Për ta kuptuar këtë, njeriu përdor besimin dhe teologjinë.
Sipas këtij vizioni, meqenëse të dy librat kanë të njëjtin Autor, një e vërtetë e vërtetë shkencore nuk mund të bjerë kurrë në kundërshtim me një të vërtetë të vërtetë fetare. Nëse duket se ka konflikt, kjo ndodh sepse njerëzit ose kanë keqkuptuar interpretimin e tekstit fetar, ose shkenca ende nuk i ka zbuluar të gjitha faktet.
PYETJE: Me një fjalë shkenca në vetvete është përpjekja për zbulimin e mendjes së Krijuesit?
THANO: Pyetje e bukur. Shumë shkencëtarë të shquar e shohin vetë punën e tyre kërkimore si një akt adhurimi. Kur zbulojnë simetritë e matematikës, saktësinë e ligjeve të fizikës apo kompleksitetin e ADN-së, ata ndjejnë se po “lexojnë mendimet e Zotit”.
Francis Collins, gjenetist i shquar dhe drejtor i projektit për dekada të tëra të Projektit të Genomit Njerëzor (dhe një i krishterë i devotshëm), shpesh e ka përshkruar ADN-së si “gjuhën e Zotit”. Për të, zbulimi i kodit gjenetik nuk e bëri atë më pak besimtar, përkundrazi, e bëri të admirojë elegancën dhe gjenialitetin e Krijuesit pas atij mekanizmi.
Ndërsa Albert Ajnshtajni (megjithëse nuk kishte një fe tradicionale të organizuar, kishte një ndjenjë të thellë të theksuar të habisë kozmologjike), thoshte shpesh se ligjet e natyrës zbulojnë një “mendje kaq superiore” saqë krahasimi me të e bën çdo mendim njerëzor të duket si një hije e zbehtë.
PYETJE: Teoria e Evolucionit përmendet shpesh nga ateistët. Vlen?
THANO: Për shkencëtarët besimtarë që pranojnë evolucionin (siç bën shumica dërrmuese e tyre sot), evolucioni përmes përzgjedhjes natyrore nuk është dëshmi e rastësisë së verbër që përjashton Zotin, por përshkrimi i mënyrës se si Zoti vendosi që krijimi të zhvillohet. Në vend që ta shohin Zotin si një “skulptor” që krijoi çdo specie manualisht në një çast, ata e shohin Zotin si arkitektin e ligjeve të natyrës që lejon universin të evoluojë vetë, të rritet dhe të krijojë jetë komplekse. Siç thoshte teologu dhe paleontologu i njohur Teilhard de Chardin, evolucioni është vetëm mënyra se si Zoti e bën universin të riprodhohet dhe të ndërgjegjësohet.
Për ta thjeshtuar, le të shkojmë te kufijtë e pyetjeve “Si” kundrejt “Përse”. Për ta mbajtur këtë harmoni, shkencëtarët besimtarë përcaktojnë qartë kufijtë e secilës fushë. Shkencës i bëjnë pyetjen “Si?” (Si u krijuan yjet? Si funksionon qeliza? Si ndodhi evolucioni?). Fesë dhe filozofisë i bëjnë pyetjen “Përse?” (Përse ekziston universi? Cili është kuptimi i vuajtjes? Çfarë është e mira morale?).
Kur pranohet kjo ndarje e roleve, shkenca nuk cenon dot besimin shpirtëror, dhe feja nuk ndërhyn dot gabimisht për të korrigjuar ekuacionet fizike të laboratorit.
Biseda është publikuar në Manifesti.al. VIJON
