Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: “Ai kaloi si një kometë” / In memoriam, në 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të lljaz Rekës
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Histori > “Ai kaloi si një kometë” / In memoriam, në 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të lljaz Rekës
Histori

“Ai kaloi si një kometë” / In memoriam, në 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të lljaz Rekës

Published: December 26, 2025
Shpërndaje

Nga Prof. Dr. Xheladin Çeka

Për nga origjina, e kam njohur shpejt historinë e Pezës, gjegjësisht dhe të Brigadës XXII-s, që në themelim më 18 shtator 1944 në Pezë të Madhe. E kam ditur me kohë, që drejtuesi i Rinisë së Brigadës ishte i riu durrsak, Iljaz Reka.

Kam mësuar gjithashtu për Iljaz Rekën, vite më pas kur kam patur fatin të njoh dhe të kem shoqe të kursit në studimet universitare në Fakultetin e Mjekësisë dhe më pas kolege në këtë fakultet të bijën, Lindën.

- Publicitet -

Dhe së fundi angazhimi në kuadër të SHPK “Myslim Peza”, për të njohur figurat e shquara të Pezës së LANÇ-it apo atyre që luftuan dhe dhanë kontibute të shquara deri dhe jetën, në luftën për liri në Pezë. Punimi monografik me kujtime: “Nderim për Iljaz Rekën”, ishte një mundësi e mirë që për të gjitha këto të mund të shkruaja për një nga figurat e shquara të luftës në Pezë, por jo vetëm, për Iljaz Rekën.

*****

Lindi më 06.12.1924 në Rekë të Dibrës së Madhe dhe ndërroi jetë më 27.12.1975, në Lushnjë. Familja e tij u vendos në Durrës më 1934. U aktivizua në radhët e luftëtarëve të lirisë, që fare i ri ku u shqua për trimëri dhe aftësi të larta organizative; i zgjedhur deri në rangjet më të larta të drejtimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare.

Në kohën e themelimit të Brigadës XXII-s në Pezë, Iljaz Reka u caktua drejtues i Rinisë së Brigadës. Në moshën 25 vjeç, e gjejmë Iljaz Rekën Kryetar të Komitetit Ekzekutiv të Qarkut të Durrësit; nga viti 1948 deri më 1965, Iljaz Reka punoi në Tiranë. Bujqësia, si zëvendësministër dhe ministër, e bëri të njohur dhe e ktheu në specialist të mirfilltë.

Në vitin 1965 shkoi në Durrës dhe në harkun kohor prej 10 vitesh 1965 -1975, do të kthehej në triumfin madhështor që t’ia lartësonte emrin në kufijtë e përjetësisë Iljaz Rekës. Në vitet 1973-1975, ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, duke qenë për 26 vite deputet i këtij kuvendi. I diplomuar shkëlqyeshëm në Fakultetin e Ekonomisë dhe për një farë kohe, nënkryetar i Komisionit të Planit të Shtetit.

Nëntë muajt e fundit të jetës, ia kushtoi funksionit të Sekretarit të Parë të Rrethit të Lushnjes, derisa mbylli sytë papritur!
Qytetar Nderi i Durrësit; një rrugë mban emrin e tij në Durrës. Skulptori Nelo Nakuçi e ka gdhendur në gur bustin e tij, ndërsa poeti Bardhyl Agasi ka thurur vargje të ndjera për Iljaz Rekën.

Koha ia praroi emrin

Personaliteti i shquar shumëpërmasor Moikom Zeqo, do të shprehej: “Koha ose i ndryshk, ose i praron emrat e njerëzve. Kjo është prova e përjetësisë e patjetërsueshme e kohës, dueli midis harresës dhe kujtesës. Kësaj i nënshtrohen të gjithë, pa përjashtim. Askush nuk mund t’i shmanget dhe as t’i dredhojë dot. Kjo ide dlirësuese është shpëtimtare për të vlerësuar personalitetet e vërteta të një vendi.

Në këtë optikë, koha e ka praruar emrin e Iljaz Rekës, jeta dhe vepra e tij ka qenë në thelb një shërbim i pakushtëzuar vetëm ndaj popullit të tij. Iljaz Reka ishte dhe mbeti njeri i mirë, një figurë njerëzore me tipare të shëmbëlltyrës, të punës së jashtëzakonëshme, të vizionit humanist të sendeve dhe rrethanave, një kulturëpërhapës, një njeri që zotëronte një ide teorikisht madhështore të së ardhmes, pavarësisht deformimit të saj në praktikën e asaj periudhe, që sot e quajmë “socializëm totalitar”.

Ai me trupin e tij të drejtë prej gjimnasti, me pamje të hijëshme, shoqëruar me një ecje të lehtë, thuajse nuk e prekte tokën, të gjendej pranë me përshëndetjen e këndshme, shoqëruar me buzëqeshjen e zakonshme, duke të shtërnguar dorën miqësisht, do të shprehej miku i tij, Mentor Përmeti.

Ishte një burrë i hijëshëm, – thotë Astrit Deliallisi, – elegant dhe me shprehi të buta plot ëmbëlsi e buzëqeshje që në momente të duhura shoqërohej me një humor shumë të zgjedhur e të goditur.

Çka në thelb kishte të bënte me dashurinë dhe përkushtimin në punë, përgjegjësinë dhe seriozitetin në kryerjen e detyrave. Ai ishte një burrë i zgjuar, inteligjent, me vision të qartë që të zgjidhte të gjitha problemet që i paraqiteshin. Ishte një organizator i përsosur. Në moshë të re, 27 vjeç kur ishte ministër, dallohej për një pjekuri dhe përvojë të lakmueshme.

Për të cilin studiursi Nasho Jorgaqi do të shprehej: “Iljaz Reka kishte një pamje të hijëshme, me fytyrë nordike e sidomos me sytë e gjallë e plot dritë, që gjithnjë rrezatonin te të tjerët mirësi dhe energji. Krejt njerëzor, pa asnjë pozë, i dashur dhe i thjeshtë, ai të bëhej menjëherë i afërt dhe ti ndjeheshe i lirë dhe i barabartë, me dëshirën për të biseduar.

Dhe, e veçanta te Iljazi ishte se ai, duke qenë bartës dhe zbatues i vijës politike dhe ideologjike të Partisë, dinte ta përcillte dhe ta vinte në jetë, në mënyrë krejt të vetën. Komunizmi i tij kishte frymë huame, që nuk kishte të bënte me etikën zyrtare dhe sloganet, me diktatin dhe hijen e pushtetit.

Te Iljazi harmonizohej natyrshëm njeriu fisnik me njeriun e pushtetit, që vihet në shërbim të së drejtës dhe të përparimit. I mençur dhe i urtë, i thjeshtë dhe komunikues, ai kishte dhuntinë e rrallë që t’i dëgjonte me vemendje njerëzit e të dialogonte me ta, pavarësisht nga lartësia e pozitës.

Iljazi ishte njeri i fjalës dhe i veprimit, me prirjen e përherëshme për t’i ndihmuar të tjerët, duke parë tek qytetari në radhë të parë njeriun, atë njeriun në kontekst human, mundësisht larg faktorëve politikë”.

Kolegët që e kanë njohur dhe kanë punuar me Iljaz Rekën në Ministrinë e Bujqësisë apo në Komitetin Ekzekutiv të Durrësit, sjellin në kujtesë atë djaloshin e kujdesshëm e të hijshëm, sa të shkathët dhe energjik, po aq edhe të qetë, të përmbajtur që nuk i shkonte as moshës që kishte. I papajtueshëm me të dy estremet: sektarizmin dhe oportunizmin.

Ai personifikonte thjeshtësinë, cilësi kjo që e bënte të komunikonte me të gjithë njerëzit, pa dallim funksioni. Ai njëherësh ishte i papajtuesëhm dhe nuk i mbronte kurrë shpërdoruesit, neglizhentët, mashtruesit etj, të kësaj kategorie. Por mbronte njerëzit e ndershëm edhe kur gabobin; ishte mjeshtër i vërtetë në trajtimin e problemeve. E kujtojnë atë si shumë dinamik, të papërtuar, tepër të aftë, gojëmbël, të dashur me të gjithë dhe veçanërisht me njerëzit e “pambrojtur”.

Iljazi kishte aftësi të rralla për t’u orientuar me shpejtësi me problemet që shtroheshin për zgjidhje, kujtojnë ata.
Si prokuror në Durrës, – tregon Myrteza Bimi, – pata mundësi të krijoja bindjen se Iljaz Reka ishte dhe mbetet pa dyshim një personalitet dhe burrë shteti i madh në tërë gjërësinë e këtyre fjalëve. I donte me gjithë zemër njerëzit e thjeshtë, hallexhinjtë e shumtë, sidomos të Durrësit, që e shihnin si perëndi dhe ai përpiqej t’i ndihmonte, t’ua zgjidhte hallet, t’ua lehtësonte dhimbjet.

Drejtonte një rreth të madh dhe me shumë probleme siç ishte Durrësi, por kurrë nuk ndërhyri për hatëre e padrejtësira. Personalitete të tilla lindin rrallë! Dhe janë nder i kombit. Ndërsa Themie Thomai do të shprehej: “E kam njohur Iljaz Rekën në vitin 1975, kur ai erdhi me detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të qytetit të Lushnjes dhe unë isha e ngarkuar e detyrën e Kryetares së Kooperativës Bujqësore në Këmishtaj, të rrethit të Lushnjes.

Për mua Iljaz Reka mbetet një njeri i madh dhe i tillë mund të jetë ai që ka zemrën e madhe. Ishte njeri me kulturë të gjërë, fisnik i vërtetë, talent në drejtimin e punëve që i ngarkoheshin; i pastër në shpirt dhe me shumë takt kur kritikonte për punën.

Ai hynte midis nesh si një dritë…

Liri Belishova tregon: “Për Iljaz Rekën më ka folur Nako Spiru, i cili kishte shumë simpati për të dhe e vlerësonte si kuadër të aftë, të përkushtuar, shumë aktiv. E kam njohur dhe vetë kur ai punonte me rininë, sekretar i parë në Durrës dhe pastaj zëvendësministër i Bujqësisë.

Për Iljazin më ka folur shumë edhe Maqo Çomo, që e ka pasur zëvendës kur punonte si Ministër i Bujqësisë. Nga sa e kam njohur vetë, nga vlerësimet e Nakos, Maqos dhe shumë shokëve të tjerë, kam pasur dhe ruaj për Iljazin konsideratë të lartë. Nga vlerat kryesore të Iljaz Rekës është patriotizmi, dashuria për Atdheun e popullin dhe vendosmëria për t’i shërbyer me përgjegjësi, përkushtim e vetmohim të jashtëzakonshëm.

Ishte ky patriotizëm i flaktë që e frymëzoi gjatë Luftës titanike kundër okupatorëve të luftonte me trimëri, pa kursyer as jetën; të përballonte egërsinë e armiqve, acarin e dimrit, privacionet e urisë, që me gjithë moshën e re të formohej e shquhej si organizator e drejtues i rinisë në Durrës dhe deri përgjegjës i rinisë në Divizion e anëtar i seksionit politik. Po këtu e kish burimin frymëzimi dhe puna aq e përkushtuar dhe e palodhur në detyrat e rëndësishme që iu ngarkuan pas çlirimit të Shqipërisë”.

Shokët durrsakë të fëmijërisë sjellin kujtime të vyera, që nga koha kur ishin nxënës në shkollën fillore dhe përfaqësonin shkollat e tyre në volejboll e basketboll, pasi ishin nxënës të klasave të pesta dhe të gjashta, të së njëjtës shkollë, apo në shkolla të ndryshme. Ata tregojnë se Iljaz Reka në kohën e luftës ishte një nga drejtuesit e organizatës së të rinjve antifashiste BEF (Bashkim E Fuqi) që organizonte aktivitete sportive.

Ai ishte i shkathët me një trup të derdhur. Kishte një të folur të zjarrtë e plot dinamizëm, por edhe shumë i ëmbël. Nxënës shumë i mirë në mësime; inteligjent dhe me vullnet të fortë; dallohej për aftësi krijuese. Mësuesit e donin shumë, ishte i respektueshëm me mësuesit dhe të rriturit, i thjeshtë dhe i sinqertë. Ai hynte midis nesh si një dritë, – shprehen shokët e tij, – qeshte, na përqafonte, na gjallëronte.

Ne bashkënxënës me të, nuk e ndajmë dot rininë tonë nga figura e Iljazit. Ai ishte nga nxënësit më të shquar në mësime, gëzonte respekt të madh tek mësuesit dhe nxënësit e shkollës. Ishte një autoritet i pranuar nga të gjithë, ndaj ishte ai që i mbronte interest e nxënësve në drejtori.…

Më pas, në gjysmën e viteve ‘70, Iljazi ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Durrësit, ku u prezantua si njohës i mirë i fushës së bujqësisë dhe ekonomisë, por që njihte shumë mirë edhe problemet e arsimit.

Ta mbushte mendjen me dijet dhe mençurinë…

Zeqi Agolli tregon: “Iljazin ma prezantoi Nako Spiru, i cili në atë kohë jetonte ilegalisht në shtëpinë tonë. Në tetor Nakua më njoftoi se duhej të nisesha për në Dibër të Madhe, ku Komiteti Qëndror i Rinisë më kishte ngarkuar detyrën e sekretarit politik të Rinisë së Dibrës së Madhe.

Do të merrja edhe një grup të rinjsh komunistë dibranë që jetonin në Tiranë dhe do të vinte me ne, edhe një grup të rinjsh nga Durrësi me në krye Iljaz Rekën. Detyra jonë ishte të mobilizonim rininë dibrane në luftën nacionalçlirimtare. Brenda muajit u ngrit batalioni i parë i rinisë që mbajti emrin e Nazmi Rushitit. Një meritë të veçantë pati Iljaz Reka, i cili u shqua për shpirtin organizativ. Në dy betejat e zhvilluara më 31 tetor dhe 16 nëntor 1943 me nazistët gjermanë bashkë me forcat e parisë reaksionare dibrane, Iljaz Reka u shqua për trimëri dhe qëndresë burrërore.

U takuam në Okshtun dhe Operacioni i Dimrit 1943-1944 na ndau, Iljazi kaloi me Divizionin e Parë deri në Bosnje-Hercegovinë më detyrën e përgjegjësit të rinisë së Divizionit dhe si anëtar i seksionit politik të Divizionit…”
Ndërsa luftëtari i çetës së Pezës, Myslim Çelmeta kujton: “Me Iljaz Rekën jemi njohur në fillim të vitit 1944, kur erdhi në Grupin e Pezës dhe u zgjodh përgjegjës i rinisë së Çetës. Takoheshim shpesh. Ishte shumë i komunikueshëm me luftëtarët apo pezakët e thjeshtë. Ta mbushte mendjen me dijet, me mençurinë dhe thjeshtësinë e tij.

Këto nuk janë vetëm përshtypje të mijat. Kështu fliste e gjithë Çeta. Të gjithë e donin dhe e nderonin shumë sepse ai ishte i dashur, i respektueshëm, gojëmbël, i drejtë dhe trim. Ai kishte vetitë më të mira të një njeriu të edukuar. Ishte me shumë horizont, na bënin përshtypje dituritë dhe përgatitja e tij që e shquanin mes të tjerëve. Këto cilësi bënë që të ngarkohej me detyra të ndryshme të rëndësishme.

Kur u krijua Brigada XXII-s u zgjodh përgjegjës i rinisë së Brigadës, më pas u ngarkua me detyrën e përgjegjësit të rinisë së Divizionit” “Aty nga fundi i vitit 1944, pas çlirimit të vendit, – vazhdon Thoma Deliana, – u transferova në seksionin politik të Divizionit të VIII-të. Arrita në Peshkopi në prag të vitit 1945 dhe aty u takova me dejtuesit e Divizionit, Nexhip Vinçani, Arif Hasko, shokun tim të Normales, Myqerem Fuga, si dhe me një të ri simpatik që e shihja për herë të parë.

Ky ishte Iljaz Reka, me të cilin do të na lidhte një miqësi e gjatë, deri sa ishte gjallë. Ai ishte përgjegjësi i Rinisë së Divizionit. Ishte një i ri shumë aktiv, kalonte nga një brigadë në tjetrën, duke çuar kudo optimizmin që e karakterizonte, shumë i domosdoshëm në ato kohëra të vështira, në zonat ku vepronin bandat e armatosura. Aty nga fundi i marsit të vitit 1945, kur u shkrinë Divizionet dhe u krijuan Forcat e Mbrojtjes Popullore, u caktova me punë në Elbasan ndërsa Iljazi në Durrës…”.

Ai ishte njerëzor, i thjeshtë e dashamirës…

Kolegët që kanë punuar me Iljaz Rekën, tregojnë se ai ishte durrsaku më i përkushtuar për përparimin e qytetit. Në vitin 1945, ishte ngarkuar me detyrën e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Qarkut të Durrësit. I ri dhe pa përvojë ai përballoi me nder përgjegjësinë e madhe.

Më 1947, kur ishte vetëm 25 vjeç, u ngarkua me detyrën e zëvendësministrit të Bujqësisë, më 1950, Ministër i Bujqësisë, detyra që i kreu me përgjegjësi e aftësi të mëdha dhe që atëherë bujqësia u bë pjesë e pandarë e jetës dhe interesave të tij; Iljaz Reka u bë një ekspert i padiskutueshëm i zgjidhjes së problemeve komplekse të bujqësisë të asaj kohe. Për një kohë të gjatë dha kontribut me vlerë në bujqësi, në këtë sektor kryesor të ekonomisë sonë, ku mbeti një nga autoritetet e rëndësishëm, njohës pasionant i kësaj dege.

Ka qenë nismëtar dhe është përpjekur për transformimet e duhura në teknologji, ka përkrahur çdo dukuri që nxit zhvillimin e progresin. Çdo rritje prodhimi mbante edhe kontributin e Iljazit. Ai ishte një mendimtar i thekur; gjërësia e njohurive të tij u bë e çmueshme si në fushën e bujqësisë ashtu edhe në fushat e tjera të mendimit shkencor.

Njohja e thellë dhe e gjërë e problemeve në fushën e prodhimit bujqësor e kishin pozicionuar në një pikë referimi për gjithë kuadrot e tjerë, edhe pse mjaft prej tyre ishin në moshë më të madhe. Ndonëse ata tregojnë se kurrë urrë nuk kanë dëgjuar nga goja e Iljaz Rekës fjalë urdhëruese “të urdhëroj të bësh këtë apo atë punë”…, jo anjëherë!

E kam takuar për herë të parë Iljaz Rekën në verën e vitit 1948, në kooperativën e Maminasit, – tregon Sali Tola. – Ishte kooperativa e dytë që u ngrit në vendin tonë pas asaj të Krutjes. Ditën e parë që e njoha, ishte i veshur me një palë rroba civile, të qepura sipas trupit, të pastra, të hekurosura edhe pse kishte ardhur me shërbim në fshat. Kravata e kuqe që kishte vënë atë ditë ishte lidhur hijshëm dhe jaka e këmishës ishte e bardhë si bora.

Kjo më befasoi dhe krijova një respekt të veçantë për të. Më pas, nga bisedat me Iljaz Rekën mësova shumë dhe mendova me vete se ky njeri, ashtu siç ishte i rregullt në veshje e në paraqitje ashtu ishte edhe i zgjuar, i ditur dhe i mençur. Dinte të dëgjonte. Ai kujdesej dhe e ruante edhe një kuadër të thjeshtë, i respektonte dhe i dëgjinte vartësit. Ishte kurdoherë i drejtë në gjykime, dinte të ndërtonte punën dhe marrëdhëniet me njerëzit.

Aq sa ishte i papërtuar në punë, aq dhe ishte një njeri i qetë. Asnjëherë nuk e kam parë të nevrikosur ose duke iu bërtitur vartësve të tij. Shquhej për thjeshtësinë dhe ndershmërinë, ishte armik i mendjemadhësisë dhe e luftonte atë tek secili që e vërente. Kurrë nuk mbante distacë me vartësit, bënte humor dhe kënaqej me batutat.

Ishte shumë i vemendëshëm ndaj të tjerëve, në marrëdhënie shoqërore me ta hynte si një shok i barabartë në mes të barabartëve. Sqimëtar në veshje. E kishte edukatë paraqitjen e jashtëme. Gjithnjë i hekurosur. Çdo gjë shndriste në veshjen e tij. Ishte i hijshëm, elegant. Njëherësh, ishte jashtë shabllonit burokratik e teknokrat. Dinte të bënte shaka të kripura, me një humor të lehtë dhe të këndshëm. Ishte njerëzor, i thjeshtë, dashamirës.

Është e njohur mirë, që prej kohës kur punoi dhe drejtoi Iljazi, se ai ka qenë një specialist i zoti i bujqësisë. Në zgjedhjen e kuadrit ishte një përzgjedhës i përkryer. Ai ishte njëherësh përkrahes i rinisë, i lojërave sportive, i lëvizjes artistike; spikaste tek ai shpirti i iniciativës. Kishte dhe krijonte besim të çiltër te kuadrot, punonjësit dhe vartësit. Ishte mjeshtër i komunikimit dhe bashkëpunimit.

Kur Iljazi shkoi Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Durrësit, i dha një impuls zhvillimi të ndërmarrjeve prodhuese në Durrës. Punonte shumë, ditë e natë, me grupe pune e punë personale drejtimi. “E takoja shpesh, – tregon Sali Kubati – dhe bisedonim hapur për hallet dhe problemet e Durrësit.

Një ditë, për ta larguar nga tymi i duhanit dhe lodhja e madhe në punë, trokita në derën e zyrës së tij. I thashë se kisha një problem shumë urgjent në fermë dhe kërkoja ndihmën e tij. Në moment e la mbledhjen, porositi një nga vartësit që ta drejtonte dhe dolëm për të parë grurin, misrin, perimet etj. Më pyeti se çfarë kisha. I thashë se e kisha bërë që të shlodhej. Qeshi dhe më tha: – Eja më shpesh dhe vepro kështu si bëre sot, se po e ndjej veten më të shlodhur dhe më mirë se sa në mbledhjet dhe diskutimet pa fund”.

Ai shquante për thjeshtësinë e tij, mënyrën se si i ndërtonte marrëdhëniet me njerëzit. E ndjeje veten komod dhe të nderuar kur bisedoje me të, sikur ta kishe mik të vjetër kur e kishe veçse epror. Si i thonë: “Nuk bën më nëna si ai”.

Thoma Deliana e përshkruan bukur: “Me Iljazin, në qytetin e Durrësit, me pasuri të mëdha arkeologjike, një nga qytetet më të vjetër e më të mëdha të rajonit, u bënë gërmime të mëdha si në amfiteatrin e Durrësit ashtu dhe në shumë vende të tjera. Me kujdesin e Iljazit në Durrës u ndërtua pallati i Sportit “Punëtori”, një pishinë ku organizoheshin garat e notit, u ndërtua stadiumi i qytetit, shumë shkolla e objekte kulturore në Dyrrës, Kavajë, Shijak, Rrogozhinë dhe shumë punë të tjera të mira që lanë gjurmë në Durrës”.

Populli i Durrësit e shpalli Qytetar Nderi. Pasi u rikthye në poste të larta drejtuse në Durrës, nuk shkoi shumë dhe u ndjenë ndryshimet që ai solli me punën e tij të zellëshme. Në mes të tjerave ai luftoi për ndërtimin e plazhit të Currilave, të cilin e njihte mirë, që i vogël qe larë shpesh në atë vend që quhej “plazhi i durrsakëve”.

Përveç kësaj u muar shumë me ndërtimin e parkut afër Vilës së Mbretit dhe Teatrit veror. Edhe kur u transferua në Lushnje, sapo shkoi u fut mes njerëzve dhe iu përvesh punës; ai shumë shpejt fitoi dashurinë e lushnjarëve. Por Iljaz Reka ka qenë gjithashtu sportdashur dhe njëherësh i angazhuar me ndihmë konkrete për zhvillimin e sporteve në qytetin bregdetar edhe në mabrë vendin.

Në vitin 1966, tregon Mihal Dalani: “Iljazi erdhinë Durrës, kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe atëherë kontaktet e tij me punonjësit e fermës që drejtoja, ishin më të shpeshta. Por Iljaz Rekës zor se mund t’i bëje fjalën dysh, sepse respekti ynë kundrejt tij ka qenë i jashtëzakonëshëm, jo për postin që kishte por për zemrën e tij bujare dhe gojën e ëmbël, me të cilën të bënte për vete”.

Më pas, – tregon Themie Thomai, – , Iljazi punoi vetëm 9 muaj në Lushnje, por për aq pak kohë sa ishte, nuk la pëllëmbë të rrethit pa e shkelur me këmbë dhe dha kontributin e vet që rrethi i Lushjnes të radhitej në rrethet më të përparuara të Shqipërisë.

Punë, ndershmëri, miqësi

Iljaz Reka për mua përmblidhet në tri fjalë, thotë Dr. Rushen Golemi: “punë, ndershmëri, miqësi” Kolegët mjekë tregojne se ai nuk kishte nevojë për “zbutës”, që të mos dilte nga natyra e tij thellësisht njerëzore. Puna tejet intensive e konsumoi, ia këputi Iljazit fillin e jetës në kulmin e forcave e të përvojës. Ai vdiq pak ditë pasi mbushi të pesëdhjetat. Por ai ishte personaliteti publik i kohës me një qëndrim njerëzor të spikatur, i cili la gjurmë si drejtues i aftë e popullor.

Për të cilin, në të gjithë kohën që jetoi e punoi në Durrës, kujtimet janë të shumta dhe tepër prekëse. Ai dinte t’ua zbuste “plagët” njerëzve hallexhinj te të cilët mirënjohja dhe nderimi për kujtimin e tij, janë me efekt çudibërës shërues.
Familjari, vëllai, prindi i përsosur…
Iljazi përveçse një intelektual i aftë e moderator, ishte edhe një familjar, vëlla dhe prind i përsosur.

Unë kam kam pasur fatin të njoh shumë prej motrave dhe vëllezërve të tij dhe kam parë se sa shumë e donin dhe e respektonin ata Iljazin. Ai bashkë me Krisavgjinë fomuan një çift ideal bashkëshortësh, lindën dhe rritën dy fëmijë, u transferuan atyre vlerat më të mira prindërore.

Kur takohem me Fatosin, vërej fytyrën e tij hijeshi e bukuri të përzier nga Iljazi dhe Krisavgjia dhe pa dashje humbas në reminishencat e mia për shefin, por edhe shokun e mikun tim të dashur, tregon Astrit Deliallisi. Ku pa dyshim, një vend të veçantë në familjen e Iljaz Rekës, ze bashkëshortja e tij, Krisavgjia, mjeke e zonja, nga pediatret me emër në Durrës, vajzë nga një familje shumë e mirë dhe e shquar në Durrës, nga familja Kazanxhi, grua me qytetari të spikatur, do të shprehej Dr. Flamur Tartari, për të cilën Liri Belishova kujton:

“E kam njohur Krisavgjinë gjatë LANÇl, kur ajo, megjithëse e vogël, ishte shumë ktive në rezistencën antifashiste në Durrës pastaj në Tiranë. Po me të njëjtin përkushtim punoi shumë vjet si mjeke e aftë, përballoi me dinjitet fatkeqësinë e madhe të humbjes së Iljazit kaq para kohe dhe i rriti siç duhet të dy fëmijët”.

Të njëjtin mendim ndajnë edhe Feruz Mataj, kur shprehet: “Iljazi ka qenë një familjar i mrekullueshëm, në vështrimin kompleks të kësaj fjale. E donte të shoqen, Krisavgjinë, i dashuruar me të në kohë të rinisë, apo Dritëro Agolli, i cili për një nga vizitat në shtëpinë e Iljaz Reka do të shprehej: “në mbrëmje na priti jashtë pragut të derës Krisavgjia, e shoqja e tij, një grua që ishte pak t’i thoshe e pashme, pasi ajo ishte e bukur…”, dhe Koço Bihiku, kur thotë “Iljaz Reka ishte bashkëshort dhe prind shembëllor, rriti dhe edukoi dy fëmijë të mbarë, Fatosin dhe Lindën, brumosi tek ata virtyte të spikatura morale e qytetare, i drejtoi e ndihmoi në jetën e tyre të pavarur”.

Duhet të shkosh në shkollë…

E bija, Linda tregon: “Kujtimet për babain tonë janë të shumta, por do të veçoj ditën e fundit me të. Ishte 27 dhjetori i vitit 1975. Unë nuk e pashë në mëngjes, por vetëm folëm (se ai ishte në kuzhinë e unë në koridor). Atë ditë kisha dëshirë që të mos shkoja në shkollë sepse ishte dita e fundit e semestrit, por ai me vendosmërinë dhe në të njëjtën kohë me butësinë dhe ëmbëlsinë që e karakterizonte më tha se duhej të shkoja në shkollë dhe …, vetëm kaq. Menjëherë u bëra gati për të shkuar në shkollë, ndërkohë ai doli nga shtëpia për në punë dhe ne nuk folëm më…”.

Shenjti, Iljaz Reka, edhe fare pak orë para se të ndahej nga jeta, i jep mesazhin e fundit vetëm me pak fjalë së bijës, atë që kurdoherë ajo të ishte korrekte me detyrën! Që e bija e ndoqi njësoj si ia përcolli i Ati, që nga ajo ditë e fundit që për ta ishte një ndarje pa ndarje, e deri më sot, teksa ajo në këtë përvjetor të 50 të ndarjes nga jeta e të Atit, ka formuar figurën e saj të pakontestueshme, si një Iljaz i vërtetë, por tashmë në gjininë femër!

Themie Thomai kujton: “Atë ditë fatkeqe, ne ishim në një mbledhje që nuk arritëm ta mbaronim, me gjithë sforcimet që bëri Iljazi për ta çuar në fund mbledhjen e nisur. Pastaj ndodhi ajo që nuk pritej dhe që nuk imagjinohej nga asnjëri: Iljazi u nda përgjithmonë nga jeta! Se ajo zemër fisnike e “tradhëtoi” Iljaz Rekën vetëm atë ditë kur pushoi së rrahuri”.

Bashkëkohësit tregojnë se në ceremoninë mortore aq të dhimbshme, shihje lumë njerëzish, burra e gra, të të gjitha moshave, me mijëra e mijëra, thua se e gjithë Lushnja e Durrësi, me gjithë fshatra, kishin “pushtuar” të dy anët e rrugës, duke i “braktisur” qendrat e banimit. Ajo që ishte e pranishme ishte dhimbja që shfaqej në fytyrat e secilit, për këtë humbje të madhe.

Një funeral që nuk di të jetë përsëritur më Lushnja kish dalë e gjitha për ta përcjellë, po ashtu Rrogozhina dhe fshatrat rreth saj, Kavaja kish dalë me të madh e të vogël, Durrësi gjithashtu. Nga Lushnja ku mbylli sytë deri në Durrësin e dashur ku do të prehej, kortezhin e shoqëruan turma njerëzish të thjeshtë që i kishin lënë punët e përditëshme dhe po përcillnin me lot në sy e dhimbje në zemër për në banesën e fundit, Iljazin e dashur.

Ai iu shmang “politikës së madhe”…

Liri Belishova tregon: “Iljazi, ashtu si shokët e tij idealistë, u lidh me komunizmin fare i ri, kur kjo ideologji ishte një ëndërr e bukur, duke besuar se kjo ishte rruga për një Shqipëri të lirë e të qytetëruar. Çfarëdo të ketë menduar ndër vite, aq sa jetoi Iljaz Reka, mendoj se me atë mendje e shpirt që kishte, nuk mund të pajtohej me të keqen.

Ai zgjodhi rrugën që të punonte sa më shumë për zhvillimin e bujqësisë, të bënte, brenda mundësive, sa më shumë të mira dhe iu shmang “politikës së madhe”, nuk i kundërshtoi haptazi ato që do i jenë dukur të padrejta, por nuk u bë flamurtar i luftës së klasave dhe i stalinizmit”.

Unë e njoh këtë model drejtuesi të pushtetit të kohës që lamë pas. Ishte tepër i rrallë për të qenë i natyrshëm, bënte diferencën.

Për Iljaz Rekën mund të thuhet çdo gjë e mirë. Nga sa janë shprehur mjaft nga kolegët e tij dhe që e kanë njohur nga afër për shumë kohë. Besohet se tipari themelor i tij ishte shpirtmadhësia. Ai ishte shumë i dashur. Kurdoherë shihte motivin e punës tek njerëzit dhe jo “kleçkt” biografike. Iljazi, mbi të gjitha kishte formim qytetar, çka kishte një ndikim të madh në kryerjen e detyrave të tij shtetërore dhe partiake.

Problemi i “luftës së klasave” edhe për të qe një “gur prove”. Në këtë kuptim, tek ai merrte përparësi, si principi i botës së tij të brendëshme, vlerësimi profesional i njerëzve ndaj të cilëve do të jepte gjykimin e tij. Që me siguri i kushtoi!

Tamam: Fisnikut Iljaz Reka, ish-përgjegjës i rinisë së Brigadës XXII S, drejtues i shkëlqyer i sektorit të bujqësisë, por që nuk u pa e arsyeshme të zgjidhej as kandidat i KQ, iu desh të përballonte mjaft raste antihumanitare të natyrave të ndryshme. Kjo është arsyeja që ky burrë i shquar disa hisa herë nuk u pa me sy të mire, sepse merrte në mbrojtje njerëz të thjeshtë, gjë që ia shkurtuan jetën!

Se ndryshe nuk mund të shpjegohet ironia e fatit, që të implikohej emri i Iljaz Rekës me insinuata qe e lidhnin atë me origjinën nga Reka afër Dibrës së Madhe, me miqësinë me Nako Spirun. Ish-zëvendësministri e ministri i Bujqësisë, ish-sekretari i parë dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv në rrethet e Durrësit e Lushnjes, e gjithashtu deputeti dhe kryetari i Kryesisë së Kuvendit Popullor të Shqipërisë, bënte vdekje të papritur më 27 dhjetor 1975 me diagnozë: “infarkt akut i miokardit”, gjatë mbledhjes së Plenumit të Komitetit të Partisë së rrethit të Lushnjes!

Dhe çudia ishte se vetëm pak orë më parë, pa asnjë njoftim, prokuroria i kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte sekuestruar një aparat televizori, të cilin ia kishte dhënë drejtoria e URT-së, brenda normave ekonomike të kohës, siç u kishte dhënë edhe disa funksionarëve të tjerë, për t’i testuar, para futjes së tyre në prodhimin në seri (D. Kaloçi, Xh. Çeka). Po bëhej qameti: sistemi po rrezikonte nga vetadministrimi! Absurd!

Por ky ishte pushteti i kohës! Që personalitetin e shquar, i cili falë aftësive të tij të jashtëzakonëshme humane dhe kapaciteteve drejtuese të rralla, u lartësua në nivele që “u bënte hije” të mëdhenjve; u ngjit aty ku “perënditë” kishin pushtetin e tyre! Dhe e “detyruan” kuadrin dhe drejtuesin “eksperimental” për kohën, të kishte “vesin” e vetëm të punonte pa pushim, gati natë e ditë; deri në kufijtë e mbinjerëzores!

Shtuar këtu dhe stresin e jashtëzakonëshëm që kaluan kuadrot e këtij modeli, ndonëse fare të rrallë në numër, për të realizuar detyrat e funksionit që kryenin. Besohet, që Iljaz Reka të ketë punuar në kushte të një terrori psikologjik të kohës! Përfshirë dhe atë armikun e kurdoherëshëm dhe të cilitdo që “miqësohet” me të, sasinë e madhe të cigareve të duhanit që besohet të ketë konsumuar gjatë jetës së tij.

Me idenë për të “lehtësuar” stresin, që në fakt duhet të ketë qenë thjesht një ndër faktorët që iu shtua atyre të mësipërm!
Puna tejet intensive e konsumoi, ia këputi Iljazit fillin e jetës në kulmin e forcave e të përvojës! Sistemi të “bluante”! Them unë.

Iljaz Reka ishte një personalitet i plotë me cilësi të jashtëzakonëshme, një shëmbull që do të donim ta ndiqnim. “Ai ishte si ato kometat që rrallë duken në qiejt e kombeve”, e mbyll vlerësimin e tij piktori i njohur shijakas, Agim Faja. Që më tingëllon si ta kem gjetur unë këtë metaforë.

Por së paku do të jetë titulli i këtij shkrimi kujtesë dhe homazh, sjellë me nderime dhe respekt krejt të veçantë në këtë 50 vjetor të ndarjes së Tij nga jeta!

*Autori është nënkryetar i SHPK “Myslim Peza”

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
7 Comments
  • chp says:
    December 26, 2025 at 9:53 pm

    Për Iljaz Rekën nuk ka njeri që nuk ja ka ndëgjuar emrin flase
    ne Golden Generation pra pe ata qe sot jane 70-80 vjecare..
    Kam njohur komuniste ne ate kohe qe ishin me zi se nje hitlerian ( si Salihi Shiqeres)
    Kam njohur komuniste ne ate kohe qe ishte gjynah ti quaje komuniste..Nje nga keto ka qene dhe Iljazi
    *
    verejtje per zotin Xheladin…Artikulli eshte shume shume i gjate…
    .Botimi i nja 10 fotografive do ishte nder per heroin e shkrimit

    Reply
  • demo says:
    December 27, 2025 at 11:02 am

    Intelekt mesatar,.Ne Shkolle dhe profesor,nje mediokerr,Ne Parti sektar,Kerkon te imponohet .Ka krijuar kliken e tij.Me pare ka bere jete jo te rregullt.Aty ku e njohin nuk gezon reputacion te mire,,etj.
    Kjo eshte SKICA qe i ben Enver Hoxhes Durrsaku me i lavdishem ne Historine e atij Qyteti,,NAKO SPIRU.
    Keto penelata per nje kokebosh te fryre,Fasade e lustruar,servil,lapangjoz,arrogant,frikacak,kriminel,Atdheshites,serbofyl,i ka shkruar ne kulmin e Terrorit serbo-jugosllav,Ekonomisti gjenial,Nako Spiru.Biri me i mencur i Durresit kundershtoi i vetem planin ogurzi te Aneksimit Ekonomik-te Shqiperise nga Jugosllavia,.mu ne Beograd.Ky plan ishte Kopje e Ultimatumit qe Musolini i dergoi Ahmet Zogut para pushtimit,Nako Spiru refuzoi ta firmose.Kundershtoi Bashkimin monetar te Lekut shqiptar prej floriri me dinarin leter bythe jugosllav,qe coi ne zbrazjen e Magazinave plot me drithe,ushqime,bageti,konfeksione,lende ndertimi,mall italjan,te tregtareve dhe sipermarresve shqiptare.I gjithe prodhimi shqiptareve per dhjetra vjet shkoi ne Jugosllavi.Pllakosi Zia bukes,1947 koha e terrorirt dhe urise.
    20 vjet plot ju desh qeverrise te shpalle fundin e rracionimit te ushqimeve ne 1969,kur Enver Hoxha fiilloi te vjedhe Kinen.
    Ky iljaz Reka i dashur me shoket dhe shoqet,gojemjalte,tylyyn e bakllava,ne 1950 paska qene minister Bujqesie.
    Ishte koha kur manekini vitrinave te kafeneve te Monpeliese(ka pas sherbyer si zhigolo me pagese per pleqte e Monpeljese,E ka deshmuar Foto Bala,qe e kishte ne dhome),shpalli shpronesimin,grabitjen e fshatareve punetore,blegtore me pleng e shtepi,ara e bahce,.Keta mbanin popullsine me buke,mish e raki.I shoi bashtua Gjirokastres,.I shpalli kulake,.
    Fshataret rreckamane,parazite i veshi kapterra.Doli Triska e Frontit dhe Triska e bukes.Kush nuk kishte triske fronti nuk merrte triske buke.Vdiste.
    Ky Ministri Bujqesise shume i dashuri me shoket dhe shoqet Iljaz Reka nuk e shihte gjendjan ne Terren?1% te trimerise intelektuale te Nako Spirut te kishte pasur,,ose do perplasej me Enver maskarain,ose do jepte doreheqjen,si Manol Konomi qe u dorehoq si minister drejtesie,kur Enver Hoxha pushkatoi pa gjyq viktimat e Bombes ne Ambasaden Sovjetike.
    pas 50 vjetesh fjalet me te mira do shkruajne per Taulant Ballen,I dashur me shoket dhe shoqet,Goja mjalte,Nuk eshte fundosur ne vjedhje rrugesh e tunelesh,Pi kabernet librazhdi 1000 leke te vjetra,Zullume me tendera nuk ka,Ndihmon miqte nga Zgjoshi dhe armiqte nga Tirana.Mbahet mend per mire,.Para Edit dhe prapa mushkes,mos rri.

    Reply
  • Mallkimi i Shqiperis Myslymanizmi.Vari i shqiptaris Ortodoksizmi says:
    December 27, 2025 at 12:48 pm

    Te lartesosh nje nazist, eshte krim kunder njerezimit,te lartesosh nje komunist, eshte krim kunder brezave qe vine.Nazistet vrisnin individin kundershtar,komunistet cfarosnin deri ne shtate breza.Hija e kadavres orthokomuniste qendron si re e zeze mbi shqiptari.Filo-orthosllavizmi rus ne ballkan, vdes me vdekien e ifluences ruse,me futien e ballkanit perendimor ne Europe. Per cdo te burgosur, ne sistemin kriminal, merej aprovimi i sekretarit te pare te rethit(sekretari i pare ishte kryekrimineli i rethit),

    Reply
  • Remo says:
    December 27, 2025 at 1:13 pm

    Mallkimi i Shqiperise, si thua ti; “nazistet vrisnin individin kundershtar, komunistet cfarosnin deri ne shtate brezza”! Po ti qenke akoma gjalle more bastard. Qe te dyja, pollen nje ideologji kriminale, as qe diskutohet, por qe te thuash se nazistet “vrisnin vetem individin kundershtar” eshte poshtersi e shpirtit tend katil o me sakte, e tirkospermes qe fsheh mbas “mallkimit”. Nazistet, per 1 vrisnin 10 e ne vende te ndryshme, edhe 50 e shfarosnin familje te tera ne vend ose i dergonin ne kampet e shfarosjes. Nuk diskutohet qe andej nga shtepia jote, s’kane bere kete po e kane kaluar me ndonje te palluar, por kjo s’do te thote se ka qene keshtu ngado. Po ti plehre e ke me “Orthot” a te shkerdhefte gjithe Rusia rracen. Ne ballkan, dhe ne hapsiren shqipfolese, ideologia qe i largon nga Europa, nuk eshte influenca ruse, po ajo turke apo me sakte, ajo neo-otomane e Erdoqenit, ajo qe mundoheni te fshihni ju korrake me koken perdhe e sumen perpjete si struci.

    Reply
  • fshatari.pafshat says:
    December 27, 2025 at 2:40 pm

    Perkujtimi i veprimtarise se ndritur, ne te mire te popullit dhe shtetit shqiotar, te Iljaz Rekes eshte nje nisme per tu lavderuar sepse, ai dhe shume e shume te tjere si Iliazi bene Luften dhe konsoliduan me vepra thellesisht patriotike sovranitetin e Shqiperise. Pa ata Shqiperia sot do te ishte shkrire se bora e maleve ne pranvere…Kujtimi i Tij padyshim qe do te mbetet i perjetshem – si vete Shqiperia dhe populli shqiptar.

    Reply
  • Ilir says:
    December 27, 2025 at 8:52 pm

    Iliaz Rekën një herë e ka bërë nëna!💔🙏

    Reply
  • Enver isufi says:
    January 2, 2026 at 3:54 pm

    Shume analizë e saktë e njeriut të mire ILJAZ REKA, në artikullin e prof. XHELADIN CEKA

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • 16 qershor 2026
  • “Organizuan dhe nxitën qytetarët për të bllokuar rrugën drejt aeroportit të Rinasit”, Policia procedon penalisht 19 protestues
  • SONDAZHI / 57 përqind shohin përjashtim dhe grabitje në bregdetin si mall luksi
  • Mesazhi i SHBA në kulmin e protestave: Investitorët duan rregulla të qarta dhe garanci, jo klientelizëm
  • Gazetarja: Emri i Berishës dhe i familjes vijon të jetë në listën “non grata”

Komentet e Fundit

  1. Protestuesi on SONDAZHI / 57 përqind shohin përjashtim dhe grabitje në bregdetin si mall luksi
  2. Arbër on SONDAZHI / 57 përqind shohin përjashtim dhe grabitje në bregdetin si mall luksi
  3. Vlora 97 on SONDAZHI / 57 përqind shohin përjashtim dhe grabitje në bregdetin si mall luksi
  4. pap on SONDAZHI / 57 përqind shohin përjashtim dhe grabitje në bregdetin si mall luksi
  5. nona on SONDAZHI / 57 përqind shohin përjashtim dhe grabitje në bregdetin si mall luksi

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?