Detaje nga marrja në pyetje e portugezit, Ruben Saraiva janë publikuar së fundmi. Saraiva akuzohet për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin. Portugezi u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu ka siguruar procesverbalin e marrjes në pyetje të Saraivas nga prokurorët e Lezhës fund-vitin e shkuar. Ky është i vetmi moment për më shumë se 1 vit nga ekstradimi kur ai është përballur me organin e akuzës.
Saraiva ka thënë se ai kishte lindur në Portugali dhe ishte banues në Londër me profesion trajner futbolli. Ai ka pranuar se kishte vetëm një dënim në Angli atë të vitit 2013 për shpërndarje droge, ndërkohë ka refuzuar të tregojë qytetin e lindjes në Portugali dhe emrin e nënës. I vendosur përballë provave filmike dhe shkencore Ruben Saraiva është shprehur se ai i kupton akuzat dhe se i ka të qarta por nuk i pranon ato.
“Unë akuzat i kuptoj. I kam të qarta dhe nuk i pranoj“, mësohet të ketë thënë portugezi.
Ruben Saraiva pasi ka mohuar se e njihte britanikun Harry James Simpson, prokurorët e kanë pyetur si ai e shpjegonte faktin se në bagazhin e automjetit me targa AA837ZM i përdorur nga Edmond Haxhia, janë gjetur gjurmë, prova biologjike pështymë që i përkisnin atij dhe Harry Simpson, për të cilin prokuroria thotë se luante rolin e vëzhguesit të viktimës.
“Unë nuk e kam një përgjigje për pyetjen”, ka thënë Ruben Saraiva.
Prokurorët i kanë vendosur përpara Ruben Saraivës një foto të nxjerrë nga një kamera sigurie e datës 19.04.2023 ku është fiksuar momenti i largimit të tij nga Shqipëria. Prokurorët e kanë pyetur nësë e njihte drejtuesin e mjetit. Saraiva në përgjigjen e tij është shprehur se nuk e sheh mirë foton dhe se nuk e dallon kush drejton mjetin
“Unë nuk e shoh mirë këtë foton. Unë nuk e dalloj se kush është në drejtim të mjetit”, u përgjigj ai.
Prokurorët kanë këmbëngulur të marrin një përgjigje nëse personi në foto ngjason me Edmond Haxhinë për të cilin prokurorët kanë arritur në përfundimin se ishte truri organizues i kësaj vrasje.
“Unë nuk e dalloj pra nuk e qartësoj dot”, është përgjigjur Saraiva.
Më tej portugezi i pajtuar në Angli për të vrarë Ardian Niklulajn, ka kyçur gojën kur prokurorët i kanë treguar provën tjetër shkencore gjetjen në garazhin e shtëpisë së Edmond Haxhisë të një çamçakëzi, nga ku është përftuar ADN e tija”. Megjithatë Ruben Saraiva deri diku, zbehtas, përpara prokurorëve ka pranuar njohjen me Edmond Haxhinë kur është pyetur se pamjet filmike e tregojnë duke marrë karburant me automjetin AA837ZM.
“Unë mund të kem qenë duke udhëtuar me Edmondin,” është përgjigjur i akuzuari për vrasje në bashkëpunim Ruben Saraiva.
Në javët në vazhdim pritet nisja e procesit gjyqësor në gjykatën e Lezhës vetëm me Ruben Saivën në pritje të ekstradimit nga Britania e Madhe të Edmond Xhaxhisë dhe katër britanikëve të cilët ishin në rolin e vëzhguesve në këtë vrasje. Haxhia dhe të tjerët kanë aplikuar në Gjykatën e Lartë Angleze “Royal Court of Justice” për të marrë leje për të apeluar vendimin e Gushtit 2024 ku lejohej ekstradimi i tyre për në Shqipëri.
Si ndodhi vrasja?
Ardian Nikulaj u vra më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin. Porositës dhe organizator është Edmond Haxhia i cili ka rënë në pranga, së bashku me tre britanikë Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman. Të katër këta janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit. Për këtë ngjarje mbetet në kërkim Harry Simpson, i akuzuar gjithashtu si bashkëpunëtor.
Ruben Saravia iku nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë. Nuk dihet se çfarë rruge ka ndjekur portugezi për të mbërritur deri në Marok. Britanikët dyshohet se kanë qenë informatorë, ata kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, ata kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit Ruben Saraiva.
j.l./ dita
Pirth pirth,,,,e hengre per jete ti shoku,,boke kllounin para hetuesve,,e kishe pranuar,merj denim te shkurtuar,25 vjet,ca’ amnistia,ca’ falje per sjefhje te mire,etj,dilje aty Ke 15 vjet,,