Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Anna Kohen, si një “përmendore” e shpirtit human vlonjate dhe hebre
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Anna Kohen, si një “përmendore” e shpirtit human vlonjate dhe hebre
Kulture

Anna Kohen, si një “përmendore” e shpirtit human vlonjate dhe hebre

Published: November 26, 2022
Shpërndaje

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Luftërat, veçmas Lufta e Dytë Botërore, e cila vuri dhe mbajti nën një ankth mes jetës dhe vdekjes gjithë globin dhe njerëzimin, produktuan ngjarje dhe marrëdhënie të natyrave të ndryshme të shoqërisë njerëzore, të cilat vazhdojnë të shpalosen kohë pas kohe dhe në shumë vende të botës. Përveçse lufta rrënoi ekonominë botërore, ajo krijoi disekuilibra popujsh, racash, vendesh dhe besimesh, të cilët në trashëgiminë e njerëzimit kanë luajtur rolin e tyre kryesor. Bombat bërthamore, të lëshuara mbi Nagasaki apo Hiroshima nga njëra anë dhe kampet e nazizmit në Dahau apo Mathhauzennga ana tjetër, përndjekja e tmerrshme e hebrenjve për t’i zhdukur në të gjithë vendet e Evropës, eliminimi i tyre aty ku ata gjendeshin,përbëjnë një bilanc të trishtueshëm dhe një njoftim të kobshëm, për të kuptuar se deri ku mundet të kapërcejë mendja e mbrapshtë njerëzore, e cila u aplikua nga nazizmi gjerman gjatë kësaj kohe. Shoqëria njerëzore kurrë nuk do të mundë të justifikojë një ndërmarrje të tillë antinjerëzore dhe kriminale.

Shqipëria dhe shqiptarët gjatë gjithë zhvillimeve historike janë përfshirë në baticat dhe zbaticat historike të Evropës, veçmas kur ajo (Evropa) është përfshirë në luftëra të çdo natyre qoftë, ashtu si ka qenë dhe ka mbetur një udhëkryq, një kryqëzim erërash, kulturash, rrugëtimesh, dhe një nyjë, ku ngjarjet kanë pasur mjedisin e vet të këtyre zhvillimeve. Me mijëra dokumente që nga antikiteti e deri vonë, dëshmitë e udhëtarëve, shtegtimeve nga Lindja në Perëndim dhe anasjellas, Shqipërinë e referojnë si një nyjë e rëndësishme e “kapërcimit të urës” në dy anët e njohura të kontinentit.

- Publicitet -

Anna Kohen, duke botuar librin “Lulja e Vlorës”, natyrshëm ka vënë në lëvizje kujtesën e kohës, jo vetëm atë të Luftës së Dytë Botërore, por edhe më herët, lidhur me historinë e udhëtarëve të huaj në Shqipëri, por jo vetëm kaq, ku një vend të rëndësishëm zë kujtesa dhe tradita e shtegtimeve të hebrenjve, të cilët falë aftësisë për të njohur kohën, tregtinë, kulturën e komunikimit të popujve, nevojën për të vënë në punë intelektin e tyre në çdo kohë dhe çdo veprimtari ekonomike më së dukshmi, shtegtimet e të cilëve evidentohen shekuj më parë. Kjo, jo vetëm rrëfimin e Kohen e bën të rëndësishëm, por të gjithë historinë e shtegtimit të çifutëve në Shqipëri, të cilët u trajtuan si qytetarë, e për më tepër në mbrojtësit më të rëndësishëm të jetës së tyre. Kjo traditë e hershme e shqiptarëve, duket se zë vend që opinionin e shkrimtarit të madh të shekullit II p.e.s Apollodari apo gjeografit të lashtësisë Scymni, të cilët sjellin fakte interesante mbi marrëdhëniet  iliro-hebraike, por dhe Zaharia Majani, i cili shënon se “filistinët i përkasin trungut ilir”.

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Njoftime interesante vijnë përmes historianëve Meillet dhe Kohen, të cilët thonë se në Epir (Iliri) ka ekzistuar një qytet i quajtur Paleiste (Palasa e sotme në Himarën e Vlorës), ndërsa njoftime të tjera iliro- hebraike vijnë në Dhiatën e Vjetër te filistinët, ndërsa gjurmë të tjera hebrenjsh në Shqipëri gjenden në zbulesën e hershme të emrit Finiq dhe shumë njoftime të tjera autentike të historianëve si Josephus Flavius (viti 135 të mbretit të Laqedemonisë), prani të heronjve hebraikë në kohën e sundimit romak, apo njoftime të tjera të vitit 1281 në arkivat e Raguzës. Pastaj në vitet e fundit të shekullit XV dhe burimet e Historisë së Shqipërisë që njoftojnë për gati 528 familje hebraike në Vlorë, po ashtu dhe 25 familje hebrraike në Berat e gjetkë. Këtë kronikë të pranisë së vazhdueshme të hebrenjve në Shqipëri, veçmas në Vlorë e sjellin edhe burime të tjera si diplomati amerikan Herman Bernstein, po ashtu dhe në Elbasan, Berat, Krujë, Janinë dhe ndonjë qytet tjetër shqiptar.

Interesantë janë faktet që vijnë mbi praninë  e vazhdueshme të hebrenjve në qytetin e Vlorës, një nyjë nevralgjike e këtyre shtegtimeve sa me të drejtë besohet “se në një shesh të vogël në rrugën Ceno Sharra kishte pas qenë një sinagogë” e pajisur me Libra të Shenjtë të shkruar në hebraisht, madje në një burim shënohet, se “Bashkësia hebraike e Janinës, që tani zyrtarisht i përket Greqisë, pjesë e Shqipërisë, ka një Sefer Tora shumë të vjetër që i përket sinagogës së Vlorës, rreth 500 vjet më parë…”, gjë të cilën e konfirmon dhe Enciklopedia e Përgjithshme Hebraike, duke njoftuar praninë e hebrenjve në Vlorë rreth 500 vjet më parë, ku natyrisht ka pasur një mjedis komunikues madje miqësor me popullsinë vendase, duke shkëmbyer miqësi dhe bashkëpunim të ndërsjellë.

Studime të shumta njoftojnë një lëvizje të vazhdueshme të grupe të caktuara hebrenjsh, të cilët siç njihen në traditën e tyre të shtegtimit dhe të krijimit të jetesës në vende dhe me popuj që mund të bashkëpunojnë, e reflektojnë në këto këndvështrime historike dhe burime të rëndësishme Vlorën dhe bregdetin shqiptar një vend të lakmueshëm, ndërsa popullsisë e tyre një popullsi të hershme me fizionomi sociale të formuar dhe të qëndrueshme. Kronika e Vlorës, si e tillë është shumë e pasur me historinë e shtegtimit të hebrenjve në qytetin  lashtë të Vlorës, por edhe të rrethinave përreth, jo vetëm në kohët e hershme, kur hebrenjtë nuk përndiqeshin, por edhe më vonë, kur ata Lufta e Dytë Botërore i vuri në shënjestër për t’i zhdukur nga faqja e dheut.

Shqipëria dhe shqiptarët shkëlqyen, madje me të drejtë ata u ekspozuar ndër popujt me një vlerë të çmuar humanizmi në kontinentin e vjetër, ku hegjemonia naziste kishte vënë në shënjestër për të zhdukur popullin dhe kulturën më të vjetër të botës, hebrenjtë, të cilët i kanë dhënë njerëzimit dhe kulturës së tij kryesore jetike të dijes, qytetërimit, shkencës dhe mbijetesës. Shqiptarët u vunë në anën më të vështirë të ngjarjeve tragjike, duke u vënë në anën e mbrojtjes së jetëve të hebrejve, ata rrezikonin të përballeshin me tërbimin nazist, i cili përndiqte dhe çonte në plumb këdo që u vinte në mbrojtje të hebrejve, por te shqiptarët, veçmas te familjet e njohura vlonjate triumfoi kultura e hershme dhe kulti i jetës.

Gjatë kësaj kohe, jo vetëm nga burimet shkrimore, por edhe të qytetarëve të Vlorës të shumta janë familjet vlonjate që u erdhën në ndihmë familjeve hebreje që në momentet e para ku heretizmi nazist u shfaq në të gjithë Evropën kundër tyre. Në kujtesën qytetase përmenden ende Muhedin Haxhiu (djali i Osman Haxhiut), një familje me tradita të njohura patriotike dhe atdhetare, kryetar i Bashkisë së Vlorës, i cili bashkë me Qemal Xhuherin  i pajisën çifutët me pasaporta, ku shënohej emri i tyre si myslimanë apo i krishterë, siç ishin Matheo Josefi, Mateo Matathia, Pepe Levin, Nesim Levin; rastin kur Shqipërinë e pushtuan nazistët gjermanë, në ditët e Betejës së Drashovicës, në shtatorin e vitit 1943, Froni Antifashist Nacional – Çlirimtar i këshilloi hebrenjtë të largoheshin nga Vora dhe të strehoheshin në fshatrat Trevllazën, Babicë, Llakatund, Lubonjë Nartë, madje dhe në Bashaj e Vermik.

Në këtë situatë tragjike për hebrenjtë kudo ku ata ishin, populli i Vlorës iu kthye në mbrojtje jetës së tyre. Familja e Jakov Solomonit u strehua te Kasëm Koçerri në Vermik, duke i siguruar jetën. Vajza e tij, Zhaneta, u vesh me çitjane, djali, Miosi, u vesh me rroba fshati dhe me qylaf. Ndërsa mësuesi Nuro Hoxha nga Tërbaçi strehoi familjen e Ilia Solomonit si dhe ata të Moise dhe Elizar Negrinit. Ilia Solomoni u arrestua nga nazistët, por ai u shpëtua nga vlonjatët, ashtu siç Qamil Xhyheri shpëtoi nga nazistët Vitori dhe Eftimi Jakool, Jose Jakool, kurse familja Kohen u strehua në Trevllazër,  te familja Lazaj, një histori e cila zë një vend të rëndësishëm edhe në librin “Lulja e Vlorës” e shkruar nga Anna Kohen, për të cilin do të flitet posaçërisht më poshtë.

Në këto kushte, libri “Lulja e Vlorës” e ka kapërcyer “cakun” e të qenit një monografi apo një jetëshkrim. Anna Kohen ka jetuar një kohë të rëndësishme të jetës së saj në Vlorë dhe në Shqipëri, pikërisht kur ajo arrinte të kuptimësonte në një plotësi të qartë fëmijërinë dhe moshën rinore, kohën kur arrinte të kuptonte dhe të ruante kodet e komunikimit mes familjes dhe mjedisit, po ashtu dhe të nxënit të edukimit mbi origjinën dhe historinë e familjes së saj. Duke qenë një libër më shumë se i tillë, sepse ai ka një kontekst të gjerë të nënkuptuar dhe (jo) të shkruarl, Anna Kohen përçon një realizëm të qartë në tregimet e saj, natyrisht ajo shfaqet e mirinformuar për gjithçka vjen familja dhe ajo. Po ashtu edhe si ku ajo jeton, libri merr një vlerë të çmuar, pasi në të rrëfehet për një familje hebreje, në kohën e një antisemitizmi të shpallur nga fuqia më e madhe e kohës, nazizmi, i cili kishte ngritur krematoriumet e vdekjes për çdo hebre të kapur kudo dhe kurdo.

Përballë kësaj furtune vdekjeprurëse Kohen na tregon mrekullisht mbi mbijetesën e një pjese të familjes së saj në një vend të vogël, të varfër dhe të pazhvilluar, ku kryqëzatat e kulturave, luftërave dhe reformacioneve të besimit kristjan kishin lënë shenjat e veta, pra Shqipëria e vogël, e cila përmasohet jo vetëm nga Anna Kohen, por gjithë kujtesa e mbijetesës së hebrenjve, vendi dhe njerëzit e të cilit arritën të tejkalojnë “heretizmin” e besimit, arritën të refuzojnë praktikisht dhe shpirtërisht fuqinë e vdekjes më të madhe të kohës së nazizmit, duke mbrojtur çdo hebre që i rrezikohej jeta. Pra, siç edhe mund të kuptohet, libri ka një kontekst të gjerë, që autorja është përpjekur ta sendërtojë në detaje të shumta jetësore dhe të nevojshme për të krijuar një komunikim të besueshëm dhe të dëshiruar prej saj.

Libri “Lulja e Vlorës” është shkruar në kohën më optimale nga Anna Kohen, ku kuptohet lehtësisht, pasi në të sundon një arsyetim i thellë, një pjekuri e nevojshme për të reflektuar kohën në të gjithë marrëdhëniet që ajo kishte me hebrenjtë në Greqi dhe në Shqipëri me familjen Kohen dhe vetë Anna Kohen. Familja e saj i përket një dege të njohur dhe të madhe hebraike të romaniotëve të Greqisë, një degë e njohur e dyndjeve hebraike prej kohësh në zemrën e kontinentit të vjetër. Mjedisi hebre në Shqipëri, veçmas në Vlorë, e bën rrëfimin dhe librin e autores dëshmi dhe relikte të çmuar. Përmes tregimeve, pasi libri është detajuar mjaft mirë në njëzetë e shtatë thyerje komunikuese, veçmas detajet “Qyteti im i lashtë”, “Ardhja nga Greqia në Shqipëri”, “Shpëtimtarët myslimanë”, “Të gjithë në gjirin e familjes”, “Traditat tona familjare”, “Jeta në familje”, “Shkollë ose Shiduh” (martesa alla-hebraike me mblesëri), ku zbulohet dhe simbolika brilante mbi të cilën Anna Kohen ka menduar të titullojë dhe librin e saj “Lulja e Vlorës”,”Ikja jonë nga Shqipëria”, “Rikthimi në Shqipëri”, “Hebrenjtë e harruar të Shqipërisë” dhe detaje të tjera që sjellin një pamje interesante për Shqipërinë, Vlorën përmes këndvështrimit të një hebraikeje që e njeh mirë vendin, libri në pjesën më të madhe të tij në dritare nga shikohet jeta në familjen çifute në Vlorë.

Psikologjia dhe praktika hebraike për të ndërtuar një raport jetësor me vendin ku banojnë, edukimi tradicional hebraik në një qytet bregdetar, ku kohët kanë lënë shenjat e tyre, ruajtja e raportit me besimin si një veti dhe kod mbijetese më së shumti për hebrenjtë, gjithashtu dhe triumfin e shpirtit hebraik. Në të gjithë larminë e thyerjeve dhe ngjarjeve jetësore, induksionet dhe deduksionet që  Kohen sjell për lexuesin e saj, ajo nuk i shmanget realitetit shqiptar. Një realitet i veçantë, herë i ashpër dhe herë i propozuar si sfidë për shqiptarët dhe çifutët.

Duke zënë një kohë të konsiderueshme, libri është gjithashtu edhe një memorie për të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët, është një ftesë për të njohur njerëz, kohë, kulturë, traditë, mjedis social dhe familjar, psikologjinë e një populli i cili më mirë se çdo popull tjetër në botë di ta përdorë besimin e tij si humanizëm, një ftesë për të njohur kodet e lashta të familjes shqiptare mbi parimet humane mbi të cilët është ngritur. Është një ftesë për të njohur Trevëllezërin e malësisë së Vlorës, streha ku familja Kohen arriti t’i mbijetojë “murtajës” naziste. Përmes një raporti të tillë, më së pari jetësor, pastaj dhe mjaft intelektual, Anna Kohen ka përçuar me realizëm një kronikë të kohës, e cila kurrsesi nuk është e kufizuar në perimetrin e saj fizik, por në të ka kaq shumë kulturë nga trashëgimia e lashtë dhe ajo historike që popujt e Ballkanit kanë pasur me kulturën e lashtë antike, veçmas shqiptarët, paralelet e njohura iliro- çifute, iliro- greke, ku kodet  lashta klasike u përthithën shoqërisht dhe ishin vepruese brenda familjes gati gjithmonë, ndryshe grekëve të mëvonshëm, pasi kodet e shprishura të besës dhe të humanizmit bënë që pjesa më e madhe e hebrenjve, gjatë Luftës së Dytë Botërore t’u dorëzoheshin nazistëve për t’i eliminuar, siç ndodhi me pjesën tjetër të familjes Kohen në Greqi, e cila u eliminua nga furtuna naziste.

Një libër i shkruar nga një hebreje për një temë dhe një çështje të mprehtë, e cila vazhdon të jetë ende një raport i rëndësishëm diplomatik i botës së qytetëruar, sjell në vëmendje një mjedis shqiptar, për shumë arsye thith vëmendje dhe përcjell një vlerë të çmuar në të gjithë botën e qytetëruar. Anna Kohen duke respektuar sakrificën dhe jetën e familjes dhe jetën e saj, i bën një shërbim të çmuar Vlorës dhe Shqipërisë, sakrificës dhe mendjes së kulluar të shqiptarëve, të cilët arritën që në një kohë plotë mjegull dhe të errët të shohin përtej saj.

Ajo ndjen përkushtim për Shqipërinë, pasi ajo i lejoi asaj t’i mbijetojë shpirti hebre romaniot, i rëndësishëm për një familje tregtare, pasi siç shkruan Anna Kohen: “Familja ime shiste pëlhura dhe gjithashtu i lyente copat me bojë”, ashtu siç ajo kujton mbijetesën fizike të familjes së saj, pasi “Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin po të njëjtat familje myslimane (shqiptare shën.im B.G)  që fshehën familjen time nga Holokausti – ata (shqiptarët) na dhanë emra myslimanë dhe na ndihmuan për t’u hequr sikur ishim të tillë. Anëtarët e familjes sonë, të cilët në Greqi, përfshinë të gjithë familjen e nënës, u vranë në kampet naziste të shfarosjes”, një përkushtim që e përshkon të gjithë librin e saj.

Duke kujtuar dhe sjellë në vëmendje lëvizjet e para hebreje në Shqipëri që nga “revolta hebraike në Jude” (vitet 66-73 të erës sonë) dhe përgjatë kohëve të mëvonshme, ku ajo i përshkruan si qytetet mikpritëse Vlorën Beratin, Elbasanin, Tiranën, Shkodrën, Sarandën dhe Kosovën gjithashtu, ajo nuk harron të përshkruajë tipare dhe cilësi shqiptare të kodifikuara madje si besën e shqiptarëve, por dhe unitetin e besimeve fetare, pavarësisht masës në të cilën ata janë në vend, njërin nga motivet që ajo e konsideron të rëndësishëm është besa, për të cilën shënon: “Besa përmban disa kuptime, duke filluar nga besimi, besimi i pathyeshëm dhe traktati, deri “fjala e nderit”. Ajo do të thotë, që dikush ka bërë një zotim të shenjtë për të mbajtur premtimin e tij si dhe për të ofruar mirëseardhje dhe siguri”.

Në libër nuk mungojnë konstatimet e qarta, mjaft të rëndësishme për kohën, por edhe raportet e popujve në Ballkan. Rëndësi merr konstatimi i saj kur shkruan: “Ndryshe nga Greqia, Shqipëria arriti t’i shpëtonte hebrenjtë e vet gjatë Luftës së Dytë Botërore,...”, e cila gjithashtu i kishte krijuar familjes së saj mundësi mbijetese dhe integrim social gjatë gjithë kohës kur ajo ka jetuar në Vlorë dhe është arsimuar në kushte të barabarta me të tjerët në Shqipëri. Janë mjaft të rëndësishëm mjediset fshatare që përshkruan Anna Kohen në fshatin Trevllazën të Vlorës, në familjen Kadri Lazaj, ku ndër të tjera ajo arrin ta përçojë mjaft mirë sakrificën e kësaj familjeje përmes një pasazhi të tillë: “Kadriu dhe gruaja e tij, Vera, morën në dorëzim dhe strehuan me vetëmohim familjen time në shtëpinë e tyre. Në atë shtëpi jetonte edhe gjyshja e tyre, Ankoja, së bashku me dy fëmijët e çiftit Lazaj, Dalipin edhe Nailen,… Musa Sinani, i vuri të gjithë pjesëtarëve të familjes sime nga një emër mysliman…” dhe në sakrificën përballë pushtimit nazist kjo ishte sublime për këtë familje tradicionale myslimane shqiptare, e cila detyrimisht kishte sakrifikuar vetveten për të mbrojtur dhe fshehur familjen çifute Kohen.

Ashtu siç shkruan edhe Anna Kohen, se familja e saj “e ndjen plotësisht të mirëpritur në atë fshat bujar shqiptar”, sakrificën dhe bujarinë e të cilëve Kohenët nuk do ta harronin kurrë, do të kujdesej të shkonte dhe pas shumë vitesh në Trevllazën, rast për të cilin shkruan ndër të tjera: “…munda të takoj djalin e Kadriut dhe Verës, Rokon. Ai dhe nipërit e tij kishin ruajtur traditën e kultivimit dhe përpunimit të ullirit në Trevllazër. Rokoja më çoi në shtëpinë e vjetër ku jetuan prindërit  e mi duke u fshehur, e cila tani ishte e lirë dhe e rrënuar. Ishte përtej lëvizjes për mua të hyja në shtëpinë dhe dhomën e saktë ku ishte fshehur familja ime”.

Shqipëria dhe Vlora nuk i ka penguar aspak që familja e Anna Kohen dhe ajo vetë të bënin jetën e tyre me traditat dhe zakonet çifute romaniote greke ku ata jetuan, mjaft e rëndësishme për edukimin  tyre sipas traditës çifute, aq sa ata i kanë quajtur edhe “Lulja e Vlorës”, pasi siç shkruan vetë Anna: “Gjatë gjithë fëmijërisë sonë, ne dukej se lulëzonim si lule, duke thithur nga dielli entuziazëm si dhe duke sjellë hare dhe gjallëri në çdo vend apo veprimtari në të cilën morëm pjesë”.

Libri “Lulja e Vlorës” ka një rezonim të gjerësishëm të kohës, ku flitet me një përkujdesje të veçantë për familjen, mjedisin social dhe bashkëkohor ku u rrit vetë Anna e lidhur fort me kohën, familjen, veprimtarinë e saj, punën, përkujdesjen e traditës së familjes së saj, shkollimin, vështirësitë që kishte krijuar sistemi politik i Hoxhës, por edhe marrja e të drejtave të tyre, shkollimi, lidhjet martesore dhe me familjet e tjera hebraike në Vlorë dhe në Shqipëri dhe shumë detaje të tjera, të cilat marrin vlerë jo vetëm për familjen Kohen, vetë Anna Kohenin, por dhe Shqipërinë, Vlorën, të cilën ajo e respekton dhe e do si qytetin  saj të lindjes.

Libri “Lulja e Vlorës” prek një dimension të gjerë tematik, ai është një sy i mprehtë dhe i hollë i një intelektualeje çifute, e cila zbulon jetën dhe marrëdhëniet e familjes së saj në një mjedis ku më së pari i është dashur të mbijetojë nga nazizmi dhe pastaj të jetojë në harmoni dhe marrëdhënie të mira më shqiptarët, deri kur arrin të largohet nga Shqipëria për të jetuar në vendet e tjera të Evropës dhe në SHBA, ku ajo jeton aktualisht, por duke mos e harruar kurrë Vlorën dhe Shqipërinë. Nëse libri më së pari është një kronikë jetësore për familjen, ai është një dëshmi dashurie për Vlorën, Shqipërinë dhe njerëzit e saj.

 

Tiranë- Vlorë, nëntor 2022 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
1 Comment
  • Xhamadani via-via, sa e madhe eshte ARNAUTO-OSMANIA. says:
    November 26, 2022 at 12:30 pm

    Palestinian life matter.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Shqipëria e bukur është në shesh
  • Turistë të huaj i bashkohen protestës: Përvojë transformuese
  • “E keni kokën e mbushur plot me gënjeshtra”, Rama përplaset me gazetaren nga Rumania
  • MPJ e Iranit këshillon Ramën “të qetësohet”: Trego respekt për popullin tënd, mos na përdor ne si kokë turku
  • Zbardhet zhdukja e 34-vjeçarit në Tiranë, u mor peng dhe dyshohet se është ekzekutuar

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Rama: Projekti i Zvërnecit nuk do ndalet, pavarësisht protestave
  2. nastradini on Rama: Projekti i Zvërnecit nuk do ndalet, pavarësisht protestave
  3. Shko mër debil on Shqipëria e bukur është në shesh
  4. Bruno on Rama i përgjigjet Iranit: Ju nuk mund ta falni Shqipërinë për atë që bëmë
  5. Toni on Rama kapet sërish me influenceret: Nxisin racizëm ndaj emigrantëve filipinezë

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?