Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: INTERVISTË: Drejtshkrimi mbrohet duke saktësuar parimet
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > INTERVISTË: Drejtshkrimi mbrohet duke saktësuar parimet
Kulture

INTERVISTË: Drejtshkrimi mbrohet duke saktësuar parimet

Published: November 19, 2025
Shpërndaje

Nëntori është muaji i gjuhës shqipe. Sivjet përkon me 53-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Gazetari Xhevdet Shehu ka zhvilluar bisedën e mëposhtme me gjuhëtarin dhe përkthyesin Aristotel Spiro.

Profesor Spiro është një figurë e njohur në fushën e gjuhësisë albanologjike dhe greke, me kontribut të madh në studimin dhe ndërthurjen e këtyre dy kulturave gjuhësore. Më poshtë, intervista e botuar nga gazeta DITA:

 

- Publicitet -

Xhevdet Shehu: Nëntori është muaji i gjuhës shqipe. Sivjet përkon me 53-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. A është kjo një ngjarje për ta përkujtuar apo për ta festuar?

Aristotel Spiro: Para 3 vjetësh është përkujtuar 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Gjithë atë festime prodhuan një festë kombëtare, 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit. Kjo tregon rëndësinë e madhe që i kushton politika gjuhës shqipe. Përtej kësaj, këto festime nuk duhen shndërruar në parada tiradash lëvduese, por të shërbejnë si raste që të reflektojmë për çështjet që mundojnë gjuhën shqipe dhe drejtshkrimin shqip në fazën e sotme. Është për të ardhur keq që bashkësia gjuhësore mbetet vetëm tek festimet dhe tek riciklimi i një ligjërate shterpë që nuk prodhon asnjë zgjidhje drejtshkrimore.

Xhevdet Shehu:  Z. Spiro, ju keni shkruar dhe folur publikisht për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, duke e cilësuar si një çështje ende të hapur. Një nga qëndrimet tuaja më të spikatura është kritika ndaj parimit morfologjik, të cilin nuk ia njihni drejtshkrimit të shqipes,si dhe vërejtja se drejtshkrimi aktual mbështetet kryesisht në një parim që ju e quani fonologjik. Çfarë ju ka shtyrë të angazhoheni kaq fort në këtë debat dhe si është pritur ky qëndrim në qarqet akademike e gjuhësore?

Aristotel Spiro:Kam marrë shkas nga gjithë ai pasion i pashpjegueshëm i disave që duan ta ndryshojnë drejtshkrimin e shumë fjalëve me forma që shpeshherë janë të çuditshme. Këta e gjejnë mbështetjen në ato parime që Kongresi i Drejtshkrimit i ka formuluar si “parimi fonetik” dhe “parimi morfologjik”. Duket qartë se parimet e drejtshkrimit nuk mund të jenë të tilla që t’i krijojnë problem drejtshkrimit. Nëse ne jemi mësuar të shkruajmë me një mënyrë që na duket normale, ashtu siç ka vendosur Kongresi i Drejtshkrimit, dhe del dikush që argumenton se duhet ta ndryshojmë mënyrën e të shkruarit të mjaft fjalëve, atëherë e përdorim drejtshkrimin për të vështirësuar komunikimin dhe jo për ta lehtësuar. Unë e kam studiuar këtë çështje si teorikisht ashtu edhe praktikisht dhe kam parë që në gjuhën shqipe, ashtu si në gjithë gjuhët e tjera, parimi themelor i drejtshkrimit formulohet si parim fonologjik dhe jo si parim fonetik. Parimi fonologjik shpreh një marrëdhënie më të thellë midis tingujve dhe shkronjave dhe nuk mbetet në sipërfaqen e shqiptimeve që ndikohen nga shumë faktorë gjuhësorë dhe jashtëgjuhësorë. Kjo mënyrë argumentimi përdoret deri tani në mënyrë të gabuar për drejtshkrimin e shqipes duke e interpretuar si “parim morfologjik”. Ky është në të vërtetë parim fonologjik. Pra, është çështje perceptimi të drejtë ose të përthyer. Ka shumë rëndësi të kuptohet kjo sepse drejtshkrimi duhet mbrojtur dhe nuk duhet ta mendojmë si një gjë që duhet ndryshuar. Por si mund të mbrohet pa saktësuar më parë parimet e tij? Kjo çështje ka mbetur pezull qyshse parimet u formuluan në këtë mënyrë në Kongresin e Drejtshkrimit. Prej asaj kohe e deri tani është krijuar një hendek midis qasjes praktike dhe asaj teorike të drejtshkrimit. Për nevojat praktike i është kushtuar rëndësi ngulitjes së normës drejtshkrimore si element bazë për përvetësimin e rregullave gjuhësore në përgjithësi. Mirëpo, ja që edhe qasja teorike e drejtshkrimit ka rëndësinë e vet, sepse dalin në dritë çështje që duhen zgjidhur dhe këto nuk zgjidhen me qasje teorike të gabuara apo me konsiderata personale.

Xhevdet Shehu:Drejtshkrimet e gjuhëve të tjera janë përpunuar shumë kohë para daljes së teorive për drejtshkrimin. Mos ndoshta i jepni teorisë më shumë rëndësi sesa duhet? Ç’vlerë ka teoria kur kemi probleme praktike për të zgjidhur? 

Aristotel Spiro: Teoria ka vlerë shumë praktike se na ndihmon ta orientojmë diskutimin për drejtshkrimin në drejtimin e duhur. Njerëzit dhe shoqëritë i zgjidhin problemet e tyre të shkrimit kur paraqitet nevoja. Por gjërat ndryshojnë, shoqëria ndryshon dhe bashkë me të ndryshon edhe vendi i shkrimit në kulturën e popujve që e përdorin. Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Matranga, Kuvendi i Arbnit, Anonimi i Elbasanit, Gjirokastriti, Kristoforidhi etj. kanë shkruar me shkrime e drejtshkrime të ndryshme, por vetëm në Kongresin e Manastirit u njësua shkrimi. Njësimi i shkrimit do edhe njësimin e drejtshkrimit, domethënë normën drejtshkrimore që është themeli i normës gjuhësore, që e mban një shoqëri të bashkuar në komunikim. Ndryshimet që sjell koha në drejtshkrim duhen interpretuar saktë dhe jo me konsiderata e përshtypje vetjake. Për këtë ndihmon përgatitja teorike e shkencës së grafematikës. Me përjashtime shumë të pakta, ne nuk kemi studime të grafematikës në shqipe. Studiuesit që shkruajnë për drejtshkrimin nuk e kanë të qartë se cila është njësia themelore e drejtshkrimit. Disa thonë është fjala, disa morfema. Ne e kemi thënë qartë se njësia themelore e drejtshkrimit është grafema, në kuptimin praktik shkronja. Të tjerë thonë se është ortograma. Mirëpo, ortograma është njësi drejtshkrimore, por e një niveli më të lartë. Kur nuk i kanë të qarta këto koncepte, si mund të kuptojnë se si funksionon drejtshkrimi?Si mund të kuptojnë se cili është parimi themelor i drejtshkrimit?

Xhevdet Shehu:E përmendët edhe ju më lart se Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe ka përcaktuar se parimi themelor i drejtshkrimit shqip është parimi fonetik dhe se ekziston edhe një parim tjetër i quajtur parimi morfologjik. Pse ju keni mendim të ndryshëm? A kanë gabuar gjithë ata burra duke marrë një vendim të kritikueshëm? 

Aristotel Spiro:Për hir të së vërtetës, duhet thënë se për parimet e drejtshkrimit nuk ka pasur një qëndrim të njëjtë qysh në punimet e Kongresit të Drejtshkrimit. E kanë kundërshtuar mjaft gjuhëtarë të shquar, midis tyre Bari Beci dhe Fatmir Agalliu, të cilët me argumentimin e tyre mbroni në thelb parimin fonologjik (pavarësisht se dikush e quante “fonematik” e dikush “morfologjik”). Mirëpo kaluan përfundimisht ato dy formulime të pasakta, të cilat, për kohën kur janë shkruar nuk kanë dëmtuar, sepse, siç e thashë, përparësi në atë kohë ka qenë përvetësimi praktik i rregullave të drejtshkrimit. Ishte më e rëndësishme të mësoheshin praktikisht trajtat e rregullta e shkrimit të fjalëve. Mësimi i normës drejtshkrimore u identifikua me mësimin e normës gjuhësore, të standardit të gjuhës shqipe në përgjithësi. Drejtshkrimi u përdor edhe për të mësuar normën gramatikore, normën morfologjike. Për këtë arsye dukuritë fonologjike që ndodhin në rrafshin morfematik, në pjesët përbërëse të fjalës, u interpretuan nga këndvështrimi gramatikor morfologjik. Për shembull, ku them shkruaj fjalën “punëtorë” atje ka dy “ë”. Këto dy ë i shkruaj si pasqyrim të tingullit “ë” që ekziston realisht, pavarësisht se për arsye të ndryshme fjalën mund ta shqiptoj “punëtor” ose “puntor”. Por meqenëse ë-ja është në një rast pjesë e rrënjës së fjalës dhe në rastin tjetër mbaresë e shumësit, kjo ka krijuar mitin e pavërtetë se ne e shkruajmë ë-në meqenëse dimë rregullin morfologjik të shumësit apo të përbërjes së fjalës. Ajo që ndodh është përmbysja e logjikës dhe e marrëdhënieve reale midis tingujve dhe shkronjave, që interpretohet si marrëdhënie midis tingujve dhe pjesëve të ndërtimit të fjalës. Mirëpo, kjo është thellësisht e gabuar. Pjesët e fjalës, temat, parashtesat, prapashtesat, mbaresat analizohen në kokën e njerëzve pa qenë nevoja që ata të përdorin shkrimin. Domethënë, njerëzit kanë ndjenjën e sistemit gjuhësor edhe kur nuk dinë shkrim e këndim. Sigurisht, shkrimi dhe drejtshkrimi ndihmojnë që të konkretizohen grafikisht shumë anë të gramatikës dhe morfologjisë, por kjo nuk na jep të drejtë që të shohim një parim morfologjik në drejtshkrimin e shqipes. Parimet e drejtshkrimit ekzistojnë objektivisht dhe zbulohen nga lloji i marrëdhënies që tingujt krijojnë me shkronjat.

Xhevdet Shehu:Prapë mua kjo më tingëllon teorike. Ç’më duhet mua si përdorues se çfarë  parimi ekziston në drejtshkrimin shqip. Fonetik apo fonologjik, siç e quani ju. Dhe ç’të keqe ka që të përdorim termin parim morfologjik, kur ky term na ndihmon të kuptojmë gramatikën? 

Aristotel Spiro: Nëse do të kemi të qartë se si funksionon drejtshkrimi – dhe këtë duhet ta kenë të qartë në radhë të parë gjuhëtarët, studiuesit – atëherë do të orientohemi drejt në çështjet drejtshkrimore. Problemi i gabimeve drejtshkrimore që vërehet në një masë të madhe përdoruesish duhet interpretuar nga njëra anë si një dobësi e sistemit arsimor dhe e kulturës shqiptare në përgjithësi dhe nga ana tjetër si një e metë e gjuhësisë shqiptare për të ofruar zgjidhjet e duhura teorike. Nëse ti më thua se fjalën “punë” e shqiptoj [pun] dhe më kanë thënë që parimi i drejtshkrimit shqip është fonetik, atëherë mua më lind e drejta që të kërkoj ndryshimin e drejtshkrimit të kësaj fjale, domethënë që ta shkruajmë këtë fjalë *pun, ose fjalë të tjera si luftë, djalë, kalë, derë etj. t’i shkruajmë *luft, *djal, *kal, *der. Kuptohet që kjo është e gabuar.

Xhevdet Shehu:  Z. Spiro, për shumicën e përdoruesve të gjuhës shqipe, dallimi mes “parimit fonologjik” dhe “parimit morfologjik” duket si një debat teorik. Çfarë rëndësie praktike ka kjo për ne? Dhe nëse përcaktimi i termit “parim morfologjik” nuk na dëmton të kuptojmë gramatikën, pse duhet ta refuzojmë? A nuk po komplikojmë më shumë sesa po sqarojmë? Dhe, në fund të fundit, ç’vlerë ka teoria kur kemi probleme praktike për të zgjidhur?  

Aristotel Spiro:Këtu keni bërë një pyetje shumë të bukur. Ka shumë rëndësi ta kuptojmë se si funksionon drejtshkrimi dhe se si ndryshon ai. Ndryshimi i drejtshkrimit është një proces objektiv, që ndodh si një prirje e përbashkët e përdoruesve të gjuhës me ndërgjegje të zhvilluar gjuhësore. Detyra e gjuhëtarëve nuk është të gjejnë argumente për të ndryshuar drejtshkrimin apo të përdorin arsyetime se si duhet shkruar kjo apo ajo fjalë. Kjo i çorienton njerëzit. Prandaj ka rëndësi të formulojmë saktë parimeve e drejtshkrimit. Propozuesit e zellshëm për ndryshime në drejtshkrim mbështeten mbi parime drejtshkrimore të formuluara gabim. Një pjesë mbështeten mbi parimin fonetik, domethënë vërtetojnë se kjo ose ajo fjalë shqiptohet pa “ë” dhe prandaj propozojnë të shkruhet pa “ë”, pra, siç thamë më lart *luft, *djal, *kal, *der, *thash, *tham, *that etj. Të tjerë mbështeten mbi të ashtuquajturin “parim morfologjik”, që në fakt nuk është morfologjik, por fonologjik dhe propozojnë trajta drejtshkrimore gjoja të arsyetuara gjuhësisht, por që duken të çuditshme. Për shembull,  *pasëkam, *gjithëçka, *nevojëtar, *qëndresëtar, *patsha, *patshi etj.

Xhevdet Shehu:Pra, as kjo as ajo? Çfarë duhet të ndryshojë sipas mendimit tuaj? 

Aristotel Spiro: Mendoj se detyra e gjuhëtarit nuk është të propozojë ndryshime, por të shpjegojë se çfarë ndodh. Por këtë mund ta bëjë vetëm në qoftë se ka kuptuar më parë se si funksionon drejtshkrimi, se cili parim e udhëheq. Për sa kohë që një gjuhëtar thotë se parimi themelor i drejtshkrimit shqip është parimi fonetik ose parimi morfologjik (!) (po, po, edhe këtë na e dëgjuan veshët dhe na e panë sytë!), atëherë ky “gjuhëtar” ose kjo “gjuhëtare” ka rrahur ujë në havanin e një ligjërate pa asnjë fryt.

Për hir të së vërtetë, duhet thënë se shumica e gjuhëtarëve e kanë pranuar tashmë që parimi fonologjik është parimi themelor i drejtshkrimit. Por nuk mjafton vetëm të pranosh këtë. Është kundërthënëse nëse pranon parimin fonologjik në drejtshkrimin shqip pa hequr dorë nga pikëpamja se krahas tij vepron parimi morfologjik.

Xhevdet Shehu:Por paska, me sa kam kuptuar, edhe disa kolegë reagojnë me panik, kur supozohet se ju, studiuesit e shqipes, punoni e studioni të gjithë për të mirën e gjuhës shqipe dhe drejtshkrimit të saj? A mos ekziston ndonjë mendësi “për të bërë ligjin” edhe në çështje të drejtshkrimit? 

Aristotel Spiro:E vlerësoj qëndrimin e një pjese të anëtarëve të Komisionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë që e kanë pritur me hapje dhe respekt mendimin ndryshe. Ata nuk mbështesin një individ, por argumentin shkencor, sepse e shohin se debati për parimet e drejtshkrimit i shërben gjuhës shqipe. Diskutimet në Tryezën e 2 tetorit me titullin domethënës “Parimi themeleor i drejtshkrimit” zgjatën dyfishin e kohës së ligjëratës dhe ishin vërtet të frytshme. Është e vërtetë se disa ndihen të shqetësuar sa herë që tronditet rutina e tyre intelektuale. Kjo sjellje më kujton, për fat të keq, praktika të vjetra ku autoriteti mbivendosej mbi argumentin, një sjellje që në kohën e sotme duket më shumë komike se e frikshme.

Historia e gjuhësisë shqiptare njeh raste të ngjashme, siç është rasti i Eqrem Çabejt, i cili është përballur me sugjerime absurde se si “duhej” të shkruante veprat e veta. Sot askush nuk do ta besonte se në një ambient akademik mund të përsëriten forma të tilla ndërhyrjeje, por, për fat të keq, ato duken ende të gjalla, edhe pse në versione më të sofistikuara.

Xhevdet Shehu:Në njoftimin për mbledhjen e Komisionit të Përhershëm të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë thuhet se aty u bë një parashtresë  “Mbi nevojën e ndërhyrjeve plotësuese e përditësuese në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973)”, ndërsa emëruesi i përbashkët i diskutimeve ishte “nevoja e ngutshme për të patur një kod drejtshkrimor që u përgjigjet nevojave që kanë sot përdoruesit e shqipes”. Cili është qëndrimi juaj për këtë? 

Aristotel Spiro: Shqetësimi i çdo studiuesi për drejtshkrimin është i justifikuar. Ajo me të clën nuk pajtohem është dëshira e papërmbajtur për ndërhyrje në drejtshkrim. Vetë fjala “ndërhyrje” më duket shumë e rrezikshme. Aq më tepër kur jam i sigurt se ata që kërkojnë protagonizëm në çështje të drejtshkrimit nuk kuptojnë ende se cili është parimi udhëheqës i tij. Drejtshkrimi nuk është fushë diletantësh, por një çështje serioze, ku nuk mund të shkarkosh egoizmin tënd dhe dëshirën për vëmendje.

Për mua nevojë urgjente nuk është hartimi i një manuali për drejtshkrimin një rishpjegim i drejtshkrimit. Një manual i ri është i domosdoshëm, por ai nuk mund të hartohet në shërbimin e urgjencës. Drejtshkrimi nuk është kozmetikë gjuhësore.Nuk ndryshon thelbin e vet duke zëvendësuar “Evropë” me “Europë” apo duke shkruar emrat e festave me shkronjë të madhe. Nuk është kjo që kërkohet në drejtshkrim. Drejtshkrimi duhet t’u japë zgjidhje problemeve që kanë lindur nga zhvillimi politiko-shoqëror dhe kulturor i shoqërisë shqiptare dhe i kombit shqiptar. Por diskutimi për drejtshkrimin ndikohet edhe nga kriza e vlerave që po përjeton shoqëria shqiptare. Kjo krizë vlerash bën subjekt edhe vetë diskutuesit, që janë të gatshëm të vënë dorë mbi drejtshkrimin pa sqaruar më parë se cili është parimi i tij themelor. Është për të qeshur dhe për të qarë kur qarkullojnë zëra se iks gjuhëtar përgatit drejtshkrimin e vet, ypsilon gjuhëtar po përgatit një drejtshkrim tjetër (!). Pa e kuptuar më parë mekanizmin e funksionimit të drejtshkrimit si mund ta rregullosh këtë mekanizëm? Nuk kemi nevojë për aventura, por për zgjidhje rigorozisht shkencore. Kemi provuar me argumente se parimi themelor i drejtshkrimit është parimi fonologjik, duke e argumentuar sipas teorisë grafematike me marrëdhënien fonemë – grafemë, por edhe me argumentin analogjik se të gjitha drejtshkrimet e botës, dhe sidomos të gjuhëve alfabetike, bazohen mbi këtë parim. Po ashtu kemi provuar me argumente se në drejtshkrimin shqip nuk vepron parimi morfologjik. Na sjellin si kundërargument formulimin e tejkaluar tashmë nga koha për veprimin e parimit fonetik dhe atij morfologjik. Qëndrim në vend numëro. Kur paaftësia profesionale përpiqet të mbulohet me arrogancën e ofiqit, kuptohet që problemi nuk është drejtshkrimi, por kultura e debatit. Prandaj u them këtyre kolegëve: Hapni librat dhe lexoni!  Studioni grafematikën, që është themeli i çdo sistemi drejtshkrimor. Nuk mund të diskutojmë për drejtshkrimin duke ricikluar dy paragrafë nga doracaku i vitit 1973. Mos e shikoni drejtshkrimin si dogmë, por si një organizëm dinamik, ku risia i nënshtrohet konservacionit dhe kodifikohet vetëm kur perceptohet natyrshëm si normë.

Xhevdet Shehu:Atëherë ta ndajmë mendjen. Sipas jush, duhet të mbështetemi mbi parimin fonologjik për të diskutuar mbi drejtshkrimin?  

Aristotel Spiro: Siç e thashë më lart, parimi fonologjik është parimi themelor i drejtshkrimit shqip. Ky parim na shpjegon mënyrën se si funksionon drejtshkrimi. Njerëzit, kur i shkruajnë fjalët marrin parasysh shkronjat në veçanti, por e përdorin fjalën edhe si një fotografi, si një tërësi të përbërë prej disa shkronjash. Nëse heqim ose shtojmë një shkronjë, ne e perceptojmë sikur kemi prekur figurën e fjalës. Një fjalë në “zhargonin” drejtshkrimor quhet logogramë. Logogramat janë forma të ngulitura në kokën e përdoruesve, janë figurat e fjalëve. Parimi që i sheh fjalët si logograma quhet parim logografik. Ky parim lejon të përdoren përjashtimet nga rregullat drejtshkrimore, sepse përdorimi i përgjithshëm është ai që përcakton zakonisht drejtshkrimin e një fjale të perceptuar si normativ. Prandaj, kur flasim nëse një fjalë duhet konsideruar normative nga ana drejtshkrimore, marrim parasysh në radhë të parë përdorimin e saj të përgjithshëm, vëmë në lëvizje parimin logografik dhe pastaj parimin fonologjik. Parimi logografik përfaqëson sintezën, ndërsa parimi fonologjik përfaqëson analizën. Të dy janë të rëndësishëm për drejtshkrimin.

Xhevdet Shehu:Dhe tani një pyetje të fundit: Cili është vendi i drejtshkrimit në epokën digjitale? A është Inteligjenca Artificiale mallkim apo bekim për drejtshkrimin?

Aristotel Spiro: Unë e shoh me një optimizëm të përmbajtur Inteligjencën Artificiale. Nëse e përdorim me maturi, ajo na ndihmon ta përmirësojmë komunikimin dhe ta nxisim krijimtarinë. Nëse e përdorim në mënyrë abuzive, ushqejmëplagjiarizmin. Një tekst i prodhuar nga Inteligjenca Artificiale është një tekst që nuk të emocionon, ndjenjat dhe mendimet në të janë të ftohta. Është si një pjesë muzikore e prodhuar nga kompjuteri. Megjithatë, në pikëpamje të drejtshkrimit e shoh si një bekim. Është një fat i madh për përdoruesit e shqipes ekzistenca e Inteligjencës Artificiale, pasi përdorimi i saj shndërrohet në një shkollë të vërtetë të mësimit të drejtshkrimit. Me pak kujdes, edhe përdoruesit pa përvojë drejtshkrimore mund të shkruajnë tekste dhe të dërgojnë mesazhe të shkruara pa gabime.

Xhevdet Shehu:Ju faleminderit për intervistën!

Aristotel Spiro: Edhe unë ju falënderoj.

—-

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
3 Comments
  • demo says:
    November 19, 2025 at 3:28 pm

    Pershendetje profesor Spiro!
    Mendoj se ne fushe te drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit,gjuhetaret duhet te paraprijne Turmen dhe jo turma te terheqe zvarre gjuhetaret. Ne Kongresin e Drejtshkrimit ishin gjuhetaret qe i vendosen rregullat e shkrimit dhe drejt shqipotimit,turmes.Dhe bene mire,sepse po te mos ishte Ai Kongres,sot gjuha shqipe do te ishte nje mish mash nga jugu ne veri.

    Reply
  • Aldrinp says:
    November 19, 2025 at 4:14 pm

    Jam dakort me Profesorin, dhe me verejtjen me vlere te demos. Turma gjysmake thote pun, pune e thote i sakti
    Kjo nuk eshte absolutisht baze per ndryshim te drejtshkrimit.
    Ceshtja e “e” ne fund ka te beje me raportin zanore bashktingellore qe percakojne fjalen shqipe sipas drejtshkrimit
    Fjala ka te beje me trajten e shquar dhe te pashquar
    Ne Jug nuk themi pun, po puneeeee
    As kal, po kale, e-ja eshte e bute
    Dhe, format e buta ekzistojne ne cdo fjalor te botes se qyteteruar
    Ne frengjisht psh, est, bie ne e..
    Shembujt jane te panumert
    Nuk mund te themi “jan”
    Jane idiotet ata qe synojne ndryshimin e drejtshkrimit sipas paaftesise se tyre
    Ne parim jam shume dakort me Profesorin. Dhe, jo shum
    sic e thone idiotet
    Mbi drejtshkrimin nuk duhet te vihet dore.
    Te pakten disa qindra vjet, sa te zhduket fara e budallenjve qe kane vetem nje synim, te vjedhin dhe te vjedhin.
    Po vjedhin dhe te cmuaren gjuhen shqipe, mire te tjerat
    po e lene kete popull gjysmak, pa gjuhe..

    Reply
  • Dash Amiri says:
    November 19, 2025 at 5:47 pm

    Bëni ç’të doni më drejtëshkrumin, por mos e ndryshoni! Ata që s’dinë të shkruajnë, le të mësojnë.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • “Pse na zhgënjeve ne që të besuam?”, Mevlan Shanaj letër të hapur Ramës
  • Rama vijon të relativizojë temën e pronësisë: I ka dalë pronari edhe Teatrit të Butrintit
  • Totalisht e dështuar, por RTSH kërkon rritje të tarifës e buxhet shtesë në Kuvend
  • Asfalia greke, UDB, rusët, Albin Kurti dhe iranianët: A është kjo e vërteta e protestës së Tiranës?
  • Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur

Komentet e Fundit

  1. sadiku on Protesta dhe analiza e deklaratave të Edi Ramës për Zvërnecin
  2. Ke parajsa e satëme on A po e sjell Zvërneci fundin e tranzicionit shqiptar?
  3. Glaukias on Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)
  4. Glaukias on Rreth 200 milionë euro për Zvërnecin, nga vëllezërit sirianë, drejt llogarive të Artur Shehut
  5. Futja kot on Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?