Nga Romelda Bozhani
Botuar në DITA
Guidoja është regjisor e po kalon një krizë ekzistenciale. Ndihet i brishtë, i humbur, i përhumbur e në përpëlitje e sipër për të puqur bashkë ca copëza të lëna rrugës, bën një zhytje vertikale në fëmijëri. E sheh veten të rrethuar nga dashuri të thjeshta si ajo e nënës, e vëllezërve dhe e motrave, kokolepsur prej kohësh, atje brenda, në errësirën e trupit, ku as ai nuk arrin më të shohë.
Sheh kameran të vrapojë pas tij, dikur një çamarrok katërkëmbësh e pas një gruaje të gëzueshme me flokët topuz e me ca karfica si qëmotit mbi krye. Përzihen ca skena me pëlhura të bardha që i merr flladi si nëpër ëndrra, sheh nënën që ngatërrohet nëpër to në përpjekje për ta kapur e t’i bëjë banjë, sheh veten që ia mbath e që, këmba-doraz, futet qorrazi poshtë tryezës me një kanotierë në kokë.
Në mur, vazhdon projeksioni i një ngazëllimi të harruar, forma hijesh të mëdha e të vogla, që aty lëshohen e aty ngërthehen me gaz e hare. Një rrëmujë e një lëmsh, që pas ca çastesh të tjera kalon në plan të dytë.
Në plan të parë tani del një plakë e moshuar me shami në kokë, që e ka zënë gjumi në karrige dhe botën përreth, as e ndjen, as e përcjell. Ky është i vetmi çast i ngrirë, i vdekur, ngërç i përjetshëm, që të mban frymën për nga realizmi dhe vërtetësia, përballë dinamizmit shpërthyes të skenës së mëparshme.
Në këtë çast-kujtim, rikthim (flashback), në të kaluarën, Guidoja gjen prehje dhe zgjidhje në pafajësinë fëmijërore. Aty zbulon edhe thelbin e filmit, që i ka mbetur në fyt dhe i është kthyer në lëmsh zjarri, mu aty ku djeg më shumë, në stomak e, s’po del dot.
Çelësi magjik është një lojë fëmijësh, një formulë e përsëritur e së motrës, që dremit në nënndërgjegjen e tij: Asa Nisi Masa e që, në të folurën e tyre, do të thotë: Shpirti (Anima (it.)). Ajo e shpëton.
Gjetja e atij zemreku të vogël, që rregullon gjithçka e nuk shihet gjëkundi, si shpirt violine, e ndriçon dhe e kthjellon. Kriza e identitetit mbaron dhe filmi del.
Filmi quhet “8 e gjymë”, regjisori është Federico Fellini, ndërsa Guidon, alter egon e tij, e luan Marcello Mastroianni. Gjuha, aktrimi, skenat bardh e zi, përshkruajnë Italinë e së shkuarës, mbyllur në një kaleidoskop marramendës, ku ngjyrat veç do ta zbehnin.
Mendoj se nuk ka metaforë më të goditur se kjo, për të përshkruar Europën e sotme. Kontinenti ynë, ka ca kohë që ka humbur Asa Nisi Masa-n e vet dhe lufta në Ukrainë e ardhja në pushtet e Trump-it, i ka dhënë veç goditjen përfundimtare. Këto, s’janë as shkaku, as pasoja e gjetiu duhet gjetur fillimi i rënies.
Ndërsa, sot, dukshëm, ndodhemi në një çast të brishtë kur Perëndimi duket sikur ka humbur veten e s’po e gjen dot më. Pse thuhet kjo?! Po, ja, sepse Europa s’është më ajo zonja e rëndë që ulej gjithmonë në kolltukun e nderit. Dhe këtë na e tregoi ashiqare dashuria e re që ka plasur mes Trump-it dhe Putin-it.
Kontinentit tonë i ka mbetur pak (ose aspak) fuqi vendimarrëse në arenën botërore dhe këtë po e tregon zhvendosja e akseve dhe aleancave politike e ekonomike. Janë ndërruar rolet, aktorët, planet. Europa po shfaqet e copëtuar, e përçarë, këngë sirenash të veçuara, po aq e ndarë në mendësi e në vizion, sa ç’mund të ketë qenë para se të vihej në jetë projekti për Bashkimin Europian.
Çoroditjen, përballë trazirave të botës së madhe, që mendonim se ishte bërë tashmë e vogël dhe e njohur për ne, e tregojnë ca vendime të marra këto ditë në rrëmujë e sipër nga Parlamenti Europian. U miratua një rezolutë jodetyruese për Mbrojtjen, që Komisioni Europian do të prezantojë për riarmatosjen e një ushtrie të përbashkët të të gjitha vendeve pjesëtare.
“Plani i RiArmatosjes”, e ka qujatur Ursula von der Leyen dhe është votuar me 419 vota pro, 204 kundër dhe 46 abstenime. Përse e gjithë kjo ngutje?! Sepse “ky është një çast historik për mbrojtjen europiane”, sipas mendjeshumtëve dhe fondet e sigurisë e të mbrojtjes duhet të rriten e të bëhen në nivele të denja për “luftën që e kemi te pragu”.
Pra, për ata që deri dje ishin “ndërtues të ekonomisë së tretë më të madhe në botë”, për ata që ndërtuan një Europë të Bashkuar, të denjë për çmimin Nobel për Paqen, dhënë në vitin 2012 për “një meritë të padiskutueshme, për më shumë se gjashtë dekadash, në çuarjen përpara të paqes, të përputhjes së demokracisë me të drejtat e njeriut”, do të derdhen rreth 800 miliardë euro, për armë, tanke, bomba bërthamore, gaze helmuese, dronë, tynele nëntokësore, bunkerë të betonuar e çdo mjet tjetër që zhargoni ushtarak na lejon të përdorim.
A na ndih të gjejmë Asa Nisi Masa-n, kjo rrugë?!
Sigurisht që jo. Përkundrazi, perdet e një shpirti të humbur e të çorientuar do na i zënë sytë akoma më keq. Ndoshta, është më kobndjellës se një çast krize, është humbje identintiteti.
E keni parasysh atë plakën e rrëgjuar e të përgjumur te Fellini që s’ndiente gjë, edhe pse bota e përqeshte dhe i hipte sipër? Ja, kjo është Europa e planit të parë, sot. Është bërë një moçal ploooot me teknokratë e burokratë, që s’dinë ç’të mbrojnë e s’dinë të ndezin më idealin brenda teje.
Pas një periudhe 80-vjeçare paqeje, zhvillimi dhe rritjeje, Europa gjendet sërish në një udhëkryq ekzistencial. Që luftën e kemi harruar së bashku me kujtimin e gjyshërve e gjysheve tona, me sa duket qenkërka një perceptim i gabuar. I kemi thënë “jo” luftës qysh nga Lufta e Dytë Botërore, duke e parë se ç’përbindësh është.
Por, ndoshta plumbat e pushkët, mitralozët e tanket, vrasjet, mizoritë, gjaku e djersa, të bëra së bashku, i kemi brenda, janë në natyrën tonë njerëzore dhe s’ka revolucion në botë t’i çrrënjosë. Vetëm evolucioni bën punë.
Bota ka ndyshuar. Edhe Lufta e Ftohtë ka mbaruar, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë më aleati ynë shpëtimtar. Në ç’botë jetojmë?! Sërish në botën e arrogantëve dhe të fortëve, kuptohet. Është kaq e dukshme ndasia, sa ideali i vetëm që na hedh në të njëjtën llogore lufte të përbashkët është paraja dhe epërsia e një grabitqari.
Kishte ca kohë që politika e jashtme dhe zaret e hedhura nga të tjerët, nuk kishin zënë vend kaq parësor në vëmendjen tonë.
Qëndrimet e shteteve themeluese të BE-së, janë bërë publike tashmë, por ajo që mungon, është një zë i vetëm, unik, në përgjigje të sfidave të sotme. Nga pozicionimet e tanishme të Francës, Gjermanisë, Italisë, Belgjikës, Luksemburgut e të ca vendeve të tjerëve më minorë, vëmë re se muret e ndarjes: Lindje-Perëndim, E majtë-E djathtë, ende nuk janë shembur. Dhe s’është vetëm ideologji, si ajo e djeshmja që ne e njohim mirë.
Por më shokuesja, është përçarja e vetë vendeve perëndimore, të atyre që gjetën idenë brilante të bashkonin Europën e të ndanin ca ideale të përbashkëta, të krijuara me mund, gjak e punë. Atëherë kur Asa Nisi Masa i Europës ekzistonte, kuptohet.
Të shtunën, 50 mijë italianë u mblodhën në “Piazza del Popolo” në Romë për t’i thënë stop “RiArmatosjes” dhe atmorsferës së luftës, që po mëkohet jo vetëm nga projekti i fundit europian. Manifestimi mbarëkombëtar, “Një shesh për Europën”, organizuar nga e majta në katërmbëdhjetë qytete italiane, ka mbledhur bashkë: popull, artistë e poltikanë, që kanë valëvitur vetëm flamurin blu të Europës, flamurin e paqes, pa asnjë ngjyresë partie.
Giuseppe Conte, leaderi i Lëvizjes “5 Yjet”, një nga kundërshtuesit më të flaktë të një Europe të armatosur, të kryeministres Meloni dhe të çdo ere të Trump-it, e ka qujtur “çmenduri kolektive” gjithë këtë mobilizim ushtarak, që përligjet vetëm nga ata që Europën e shohin dhe duan ta shohin të përçarë.
“Të gjithë duam paqe, por nuk ka paqe pa liri. Askush nuk është i lirë kur këcasin bombat dhe pushkët të drejtohen mu në lule të ballit”, ka thënë gazetari Michele Serra, i cili edhe ka hedhur idenë e këtij tubimi.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, ka theksuar me të madhe se me një Europë të dobët, ose të vdekur politikisht, vihen në lojë, një herë e mirë, edhe të drejtat e njeriut.
Ajo, që njëzëri kërkohet, të paktën në Itali, është fuqizimi i një kontinenti të paqtë, me strategji të mirëmenduara për mbrojtjen dhe mirëqënien e qytetarëve, pa tradhtuar idealet pacifiste të Europës.
Po cili është cikloni që po na merr kësaj radhe?! Ende s’dihet, përderisa jemi në fillim të këtij teatri marionetash. Duke shpresuar në një fund sa më paqësor, si gjithë njerëzit që luftën e kanë parë dhe luftën s’e duan, le të mendojmë se do të fitojnë tezat universale të tipit: “kufijtë janë për t’u hapur e për t’u shkrirë”, apo “luftrat e vetme të përligjura janë ato që bëhen pa armë”, edhe në çastet kur historia merr vendime “jo aq të pafajshme”.
Në fund, mund të themi se, një nga zgjidhjet largëpamëse e jo luftënxitëse, për shembull, është zgjedhja e ca leaderve botërorë, të cilëve duhet t’u vendosim te koka ca nuska e t’u këndojmë në latinisht “mens sana, mens sana!!!”. Po, kjo s’ka lidhje me të sotmen se, ndoshta, e sotmja është ditë dështimi dhe sytë s’na bëjnë dritë.
Shpirti, Asa Nisi Masa ynë, ai kthim fenilian në pafajësi, që na bën të ndërgjegjshëm e na kthjellon, është zhytur edhe më thellë, më brenda, më poshtë.
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016