Komisioni Europian po harton plane për tu dhënë vendeve kandidate të BE-së përfitime ekonomike përpara se ato të bëhen anëtare. Këto përfitime përfshijnë më shumë fonde nga BE-ja, marrëveshje më të favorshme tregtare dhe akses të kufizuar në tregun e përbashkët evropian dhe çdo vend do t’i marrë këto përfitime sipas përparimit që bën në procesin e anëtarësimit.
Qëllimi është që vendet kandidate të mbahen afër, duke u dhënë atyre stimuj për të çuar përpara reformat e vështira politikisht edhe nëse anëtarësimi i plotë mbetet vite larg. Ndryshe nga idetë e mëparshme, të cilat do tu jepnin vendeve të drejta politike para anëtarësimit në BE (por që u refuzuan nga vendet anëtare), integrimi gradual u jep atyre përfitime ekonomike pa u bërë pjesë e BE-së derisa të jenë gati për anëtarësim.
Ky propozim po mbështetet më shumë se planet e mëparshme. Franca dhe Gjermania, dy vendet më të fuqishme të BE-së, kanë mbështetur edhe më parë ide të ngjashme për një ‘anëtarësim më të lehtë’ të vendeve që presin gjatë për tu anëtarësuar. Zyrtarët besojnë se kjo qasje do të pranohet më lehtë nga vendet anëtare të BE-së sesa propozimet e mëparshme.
“Duhet të ketë një integrim ekonomik paralel, por të domosdoshëm. Parimi më shumë për më shumë është i testuar mirë dhe duhet të përqafohet si mbështetje për ata kandidatë që përparojnë më mirë se të tjerët,” tha Petras Auštrevičius, eurodeputeti lituanez i cili hartoi strategjinë e zgjerimit të Parlamentit Europian.
Komisioni do të kërkojë mbështetje nga kryeqytetet e BE-së për iniciativën, me zyrtarët që shpresojnë se udhëheqësit do të miratojnë punën për një kornizë më të gjerë në një Këshill Evropian në tetor ose dhjetor. Nj zyrtar tha se sipas planeve, qasja në përfitime do të jepet hap pas hapi, varësisht nga sa është përafruar secili vend me rregullat e BE-së dhe sa reforma ka zbatuar. Kjo do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm nga sistemi aktual, sipas të cilit shumica e përfitimeve janë të rezervuara për anëtarët e plotë.
Propozimet vijnë në një kohë kur qeveritë bien dakord gjerësisht se zgjerimi duhet të ecë më shpejt, veçanërisht në dritën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por mbeten të kujdesshme për pranimin e vendeve përpara se ato të jenë plotësisht të përgatitura. Prandaj, Brukseli po përpiqet të përshpejtojë procesin, ndërkohë që ndërton masa mbrojtëse më të forta për të siguruar kryeqytetet skeptike.
Qasja është hartuar gjithashtu për t’i mbajtur vendet kandidate si Ukraina, pranimi i së cilës mund të zgjasë me vite pavarësisht mbështetjes së fortë politike. Vendet do të duhet të “ndërtojnë” akses në përfitime ndërsa zbatojnë reformat, tha një zyrtar, duke ndihmuar në sigurimin e qeverive të shqetësuara për zgjerimin e përfitimeve të anëtarësimit edhe për jo-anëtarët.
Pas një takimi me zyrtarët moldavë të hënën, Komisioni tha se do të ndjekë si anëtarësimin e vendit ashtu edhe “thellimin e integrimit gradual të Moldavisë në Bashkimin Evropian”. Moldavisë tashmë i është ofruar qasje në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, marrëveshjet e roaming-ut celular të BE-së dhe programet e mbështetjes kulturore.
Ndërsa udhëheqësit e BE-së ranë dakord në një samit në Mal të Zi në fillim të këtij muaji se procesi i pranimit duhet të përshpejtohet, diskutimet se si të arrihet kjo kanë humbur vrullin që atëherë. BE-ja aktualisht ka nëntë vende zyrtare kandidate. Mali i Zi shihet gjerësisht si favorit për anëtarësim, ndërsa Ukraina dhe Moldavia kanë hapur bisedimet e pranimit. Të tjerë, përfshirë Serbinë, Turqinë dhe Gjeorgjinë kanë ngecur.
Integrimi gradual synon ta bëjë procesin e anëtarësimit më tërheqës. Megjithatë, Ukraina dhe Mali i Zi kanë kundërshtuar idenë e “anëtarësimit të lehtë”, të propozuar nga Franca dhe Gjermania, duke theksuar se ai nuk duhet të zëvendësojë anëtarësimin e plotë në BE. Meqenëse propozimet e mëparshme të Komisionit për “zgjerim të kundërt” nuk kanë arritur të fitojnë mbështetje nga vendet e BE-së, Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos tha se tani u takon qeverive të vendosin se si ta çojnë përpara debatin.
Kancelari gjerman Friedrich Merz është ndër udhëheqësit që po shtyjnë përpara qasje alternative dhe kishte ndërmend ta ngrinte çështjen në samitin e Këshillit Evropian të javës së kaluar. Por rendi i ditës u tejkalua, duke mos lënë kohë për një diskutim thelbësor, sipas tre zyrtarëve. Në vend të kësaj, udhëheqësit pritet t’i rikthehen çështjes në takimin e tyre të tetorit.
Një diplomat i përfshirë në bisedime tha se zyrtarët po përpiqeshin të kompensonin një “dekadë të humbur” të reformës së zgjerimit, ndërkohë që kapërcenin rezistencën nga qeveritë e vendosura për të siguruar që vendet kandidate të përfundojnë reforma kuptimplote përpara se të bashkohen.
Marta Kos tha për POLITICO se Komisioni Evropian po përgatit masa të reja për të kontrolluar nëse vendet e reja anëtare respektojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit edhe pas anëtarësimit. Kjo synon tu japë siguri vendeve të BE-së se zgjerimi mund të përshpejtohet pa ulur standardet e Bashkimit Evropian.
j.l./ dita
