DR. JORGJI KOTE
Këto tre muajt e fundit vendet anëtare dhe institucionet kryesore të BE-së kanë intensifikuar debatet dhe diskutimet lidhur me përgatitjet për bisedime të mundshme për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës.
Në këtë linjë, pas Samitit të G – 7 në Evian të Francës më 15 – 17 Qershor dhe të NATO-s më 7 – 8 Korrik në Ankara, Presidenti Macron mikpriti më 13 Korrik në Elize edhe Samitin e 16-të të 35 vendeve të Koalicionit të Vullnetshmve për Ukrainën me vendimet e tij të njohura.
Kjo «erë» e re ndryshimi drejt paqes vjen pas premtimit të SHBA-ve për një riangazhim të saj në mbështetje të Ukrainës, çka u konfirmua edhe në takimin e përzemërt Trump-Selenski në Uashington më 28 Korrik. Padyshim që merita kryesore për këtë i takon Ukrainës, sukseseve dhe përparimeve të saj mbresëlënëse në frontin e luftës dhe shtimin e kapaciteteve mbrojtëse të BE-së.
Debatin në BE me kërkesën për një paqe diplomatike me Rusinë e çeli 3 muaj më parë Kryeministri i Belgjikës Bart de Wever. Mirëpo, megjithë mbështetjen nga disa vende të tjera, ky propozim ka mbetur pezull dhe në parim, me hezitime dhe kundërshti, sidomos nga vendet balltike por jo vetëm. Kjo çështje u trajtua edhe në Samitin e BE-së në Bruksel më 14 – 15 Qershor por pa arritur në konsensus. Madje, pati kritika mbi disa demarshe fillestare të paautorizuara të Presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa për kontakte diplomatike me Moskën.
Ashtu siç u përmend edhe më lart, idenë e bisedimeve për paqe e kanë nxitur më shumë humbjet dhe disfatat ruse në frontin e luftimeve në muajt e fundit. Kështu, nga 13 km që përparonte më parë ushtria ruse, tani ajo ecën vetëm 2,5 km në ditë. Ndërkohë, çdo muaj vriten dhe plagosen rreth 20.000 ushtarë, çka është bërë shqetësim i madh për Ruisinë.
Akoma më keq po është ekonomia ruse e luftës, rritja e të cilës nga 1,3 për qind e parashikuar për vitin 2025 ishte vetëm 0,4 për qind.
Ndërkohë, ka krijuar panik shtimi i deficitit të buxhetit të luftës në shumën rekord prej 136 miliard Dollarë.
Krejt ndryshe po ndodh me Ukrainën, e cila muajt e fundit po shënon përparime domethënëse në të gjitha fushat, sidomos me sulmet e saj të suksesshme me dronë në thellësi të territorit rus, duke shkaktuar frikë deri në Moskë dhe në Kremlin. Në mëngjesin e datës 3 Qershor, dronët ukrainas sulmuan depo të mëdha nafte dhe armësh në Saint Petersburg, vetëm 16 km larg sallës ku do të fillonte punimet Forumi Eonomik Ndërkombëtar ose ” Davosi i Putinit”; ndërsa më 20 Qershor u shkatërruan rafineri nafte pranë Moskës.
Gjithashtu ato kanë marrë nën kontroll aeroportin strategjik të Donetskut, që përdorej si bazë nga ushtria ruse; ata po bëjnë sulme shkatërruese edhe në Krime dhe kudo gjetkë, duke goditur me shumë sukses rafineri të madha nafte dhe objekte të rëndësishme ushtarake ruse.
Në këto kushte më të favorshme luftarake, në parim, shqetësimi dhe interesi europian për t’u përfshirë në bisedime paqeje është i drejtë dhe i kuptueshëm.
Gjithsesi, kjo çështje është ”thikë me dy tehë”, ndaj kërkon kujdes dhe maturi, pa shpresa dhe pritshmëri jashtë realitetit gjeopolitik. Madje, shqetësimi mbetet prapë i madh për shkak të përshkallëzimit të agresionit rus në Ukrainë që i bën tejet të vështira, për të mos thënë të pamundura demarshet e tanishme për armëpushim dhe paqe diplomatike.
Sipas ekspertëve, këto demarshe diplomatike do të bëhen në formatin e duhur kur të vijë momenti i duhur, gjithsesi më shumë për të akomoduar pozicionet dhe dëshirat e shumë vendeve për t’ia hequr Rusisë nga duart argumentin se « ja, ne duam bisedime për paqe, por Europa jo »!
Mirëpo, realisht kjo fazë është ende larg; madje, megjithë humbjet e lartpërmendura ruse, prapë iniciativën luftarake e ka ende në dorë Rusia. Pavarësisht nga humbjet e javëve të fundit në teatrin e luftimeve, Moska vazhdon të ashpërsojë qëndrimet e saj, duke bombarduar me egërsi qytetet ukrainase dhe vetë Kievin. Ajo synon ta mbajë në tension dhe të shkatërrojë infrastrukturën energjitike dhe furnizimin me ujë atje, me qëllim që dimri i ardhshëm i ftohtë të jetë shkatërrrues për popullsinë civile, kjo si pjesë e luftës hibride ruse në proces.
Në këtë drejtim, Putini vepron dhe kërkon rrugëdalje nga kjo luftë pa mbarim duke u mbështetur në aleatët e tij të jashtëm, sidomos Kinën, Korenë e Veriut, etj.
Edhe këto javët e fundit, pas vendimeve në samitet e lartpërmendura historike, Putini dhe Lavrovi kanë sulmuar BE-në si luftënxitëse; sipas tyre ato po nxisin Ukrainën për luftë, po shtojnë buxhetet për armatimet, etj. Në fjalën e tij më 23 Qershor në Akademinë Ushtarake në Moskë, Putini e konsideroi Europën kërcënim serioz për sigurinë e Rusisë dhe atë ndërkombëtare.
Veç sa sipër, ndërkohë që flet për paqe, Rusia ka kaluar në sulme hibride në shkallë të gjerë edhe ndaj vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s, duke filluar nga tri shtetet balltike, por edhe ndaj Polonisë, Rumanisë dhe vendeve të tjera.
Tregues tjetër domethënës i agresivitetit rus janë qëndrimet e saj të ashpra armiqësore ndaj Gjermanisë, objektivi kryesor i luftës sëtyre. Aty janë përqëndruar propaganda, sulmet dhe planet e saj, duke e konsideruar Gjermaninë si shtetin më të rrezikshëm për sigurinë ruse.
Ndaj Gjermania po përgatitet seriozisht për të përballuar një sulm rus qysh përpara vitit 2030, përpara se ajo të ketë krijuar ushtrinë më të madhe në Europën e riarmatosur tani edhe si Bashkim Mbrojtës.
Nisur nga sa sipër, Ministri i Jashtëm estonez Margus Tsahka në një intervistë të datës 23 Qershor thekson se “ Putini ndodhet në pozita shumë më të vështira dhe tani po lufton për mbijetesën e vet, por prapë ai mbetet shumë rrezikshëm.“
Këtë fakt e konfirmoi në prononcimet e tij publike ditët e fundit edhe
Ambasadori gjerman në Moskë, Aleksandër Graf Lambsdorf në mbarim të mandatit të tij tre vjeçar, kur pohon se « nuk ka shenja që Putini të tërhiqet; përkundrazi, prej tij pritet vetëm përshkallëzim i mëtejshëm i situatës.
Madje pas zgjedhjeve për Dumën, në tetor ai pritet të bëjë mobilizimin e dytë të madh ushtarak, se Putini kërkon domosdoshmërisht fitore. Ja pse paqja mbetet vetëm dëshirë e mirë ».
Lidhur me këto diskutime, me të drejtë BE-ja ka shmangur debatet mbi emrin e personit apo vendeve që do përfaqësojnë BE-në në këto bisedime. Sepse asnjë emër dhe vend nuk mund të caktohet përpara se BE-ja të ketë miratuar zyrtarisht përmbajtjen dhe axhendën e këtyre bisedimeve me objektivat e duhura “tavan dhe dysheme“. Ndryshe, nëse vazhdojnë debatet për emra, me siguri do të lindin fërkime mes vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së.
Për pasojë, procesi mund të kompromentohet përpara se të fillojë, çka do të ishte “dhuratë“ për Moskën. Ca më tepër se shqetësimi më i madh sot nuk është se si dhe çfarë procedurash duhen ndjekur për « ta futur Rusinë në vallen diplomatike të paqes » por si ta mbrojmë dhe ta ndihmojmë Ukrainën që të fitojë mbi Rusinë në frontin e luftës!
Sepse kushti i panegociueshëm për një paqe të tillë është që Rusia të ndërpresë agresionin dhe të japë garancitë e nevojshme se nuk do të përsërisë sulme të tilla ndaj asnjë vendi tjetër. Çka do të thotë njohje dhe respektim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, jo paqe me disa “Jo” në NATO, “Jo” në kufijtë e vitit 2014, “Jo” me ushtri, “Jo me Donetskun” dhe Jo të tjera. Ndryshe, siç shprehet Nobelistja ukrainase Oleksandra Matviichuk “ kjo lloj paqeje do ishte kapitullim dhe pushtim i ri për Ukrainën“.
Me një paqe të tillë, me siguri që oreksi ekspansionist rus do të rritej akoma më shumë, për ta gllabëruar më vonë gjithë Ukrainën dhe për të thyer edhe NATO-n.
Këtu lind me të drejtë pyetja që përse Putini e ka me aq shumë merak Ukrainën dhe bën çmos për ta marrë atë? Sepse për disa shkaqe dhe arsye thelbësore, Ukraina ka patur rëndësi strategjike qysh gjatë Perandorisë Cariste dhe asaj Sovjetike. Ajo është vendi i dytë më i madh sllav pas Rusisë, me popullsi katolike, shumë e rëndësishme për të balancuar popullsinë myslimane; ajo ka pasuri marramendase natyrore nëntokësore, sidomos qymyr në pellgun gjigand të Donbasit, çelik dhe minerale të rralla. Ajo është edhe hambar i vërtetë gruri dhe drithrash, duke mbizotëruar edhe në tregjet botërore.
Nisur nga këto asete të pallogaritshme, Stalini e bashkoi me detyrim në BS, ndërsa më vonë bëri çmos për ta përzier atë me popullsi ruse në Ukrainë dhe duke i degdisur miliona ukrainas në Siberinë e largët. Ndërkohë, edhe Hitleri e pushtoi Ukrainën, duke e përdorur si bazë ushqimore, mbasi pa Ukrainën gjermanët do të ngordhnin për bukë.
Por, tani, krahas këtyre aseteve të çmuara, Ukraina përfaqëson edhe modelin perendimor të politikës, ekonomisë dhe demokracisë, një sfidë dhe alternativë e padurueshme për Putinin. Historiani i njohur gjerman Martin Schulze Wessel, në librin e tij më të ri “Putini nuk të ndalë“ që do ta promovojë në shtator thekson se për Putinin Ukraina është si ajo dilema hamletiane “të jesh apo të mos jesh“ !
Në këto kushte, siç ka pohuar Alexander Rhotert, ndër ekspertët më të njohur gjermanë të fushës ”mësimi i parë i madh është që diplomacia dhe negociatat nuk mund e nuk duhet të bëhen gjatë procesit të luftimeve.
Ato lihen për në fund, mbasi kanë mbaruar veprimet në teatrin e luftimeve, kur agresori është dobësuar në kulm, duke e ulur atë në tryezë; sepse vetëm trysnia ushtarake i detyron diktatorët dhe agresorët të pranojnë paqen, veçse me kushtet tona, jo të tyret”.
Po ashtu, nisur nga këto faktorë gjeopolitikë, eseisti dhe filozofi i shquar francez i kësaj fushe, Nicolas Tenzer me librin e tij më të ri “Lufta jonë – (Notre Guerre) kërkon me zë të lartë zbatimin nga Perëndimi të “diplomacisë së luftës“. Sipas tij kjo është e pashmangshme kur tjetri të kërcënon hapur se do të të shkatërrojë; atëhere këtu nuk ka më vend për diplomacinë klasike, takime, propozime dhe ulje në tryeza diplomatike dhe plane paqësore; përkundrazi, gjithçka duhet kthyer dhe vënë në dispozicion të përgatitjeve për luftë pa kompromis kundër agresorit.
Këtë realitet e ka sintetizuar disa herë edhe ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe tani së fundi Shefi i saj, Mark Rutte, duke paralajmëruar Aleancën Perëndimore që “të përgatitet për një luftë e cila nuk dihet sa mund të zgjasë” e duke garantuar mbështetje të vazhdueshme sidomos ushtarake për Ukrainën, sepse vetëm kështu “Putini do të bindet se nuk mund të fitojë dot as në fushën e luftimeve”.
Në terma më konkretë, ajo çka kjo fitore kërkon është përshkallëzimi i ndihmave ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën dhe deklarimin e qartë se Perëndimi është i vendosur për fitoren e Ukrainës dhe disfatën e Rusisë.
Ndaj, vendet perendimore me të drejtë po i përshpejtojnë ritmet e dërgimit të armatimit të fuqishëm dhe vendimtar në Ukrainë ; BE-ja sapo miratoi 70 Miliard Euro ndihmë për Ukrainën dhe Paketën e 21 të sanksioneve ekonomike ndaj Moskës, me masa akoma më të ashpra, të cilat po japin efektet e tyre në rrënimin e ekonomisë ruse. Po ashtu angazhimi i ri amerikan në favor të Kievit, dhënia e licensës për prodhimin e sistesit të raketave « Patriot » për Ukrainën dhe shumë masa të tjera efektive janë me rëndësi përcaktuese për fatet e fitores së Ukrainës.
Ja pse, sot përparësore nuk janë demarshet, propozimet dhe konferencat për paqen, por vazhdimi dhe intensifikimi i ndihmës dhe mbështetjes ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën; si kërkesë përparësore për të treguar se NATO dhe BE-ja e kanë seriozisht kur deklarojnë se duke mbrojtur Ukrainën, ato mbrojnë të gjitha vendet e tjera sovrane dhe pro-perendimore si dhe ” forcën e ligjit kundrejt ligjit të forcës” në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Nisur nga sa sipër, vazhdon të kumbojë akoma më fort aforizma e famshme latine “ nëse do paqe, përgatitu për luftë !»
DITA
