Nga Përparim Isufi
Njëzet pjesëtarë të forcave serbe janë paditur për krime lufte të kryera në Gjakovë gjatë vitit 1999. Mes tyre është edhe Milan Radoiçiq, figurë e njohur me ndikim në mesin e serbëve të Kosovës
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të enjten se ka ngritur aktakuzë ndaj 20 personave, të cilët dyshohen për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile në qytetin perëndimor të Gjakovës gjatë vitit 1999.
BIRN ka mësuar se ndër të dyshuarit është edhe Milan Radoiçiq, biznesmen dhe politikan i njohur serb nga Kosova.
Prokuroria bëri të ditur se, sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999, të dyshuarit, duke vepruar në funksione të ndryshme në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “akuzohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni ushtarako-policor në shkallë të gjerë”.
“Gjatë këtij operacioni… të pandehurit fillimisht ndanë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë u plaçkitën, duke u marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat u ekzekutuan, disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, e disa në një vend të njohur si ‘Ura e Taliqit’. Gjithashtu, shtëpitë u dogjën,” shtoi Prokuroria.
Ajo propozoi që gjykimi i të pandehurve të zhvillohet në mungesë, pasi të gjithë ndodhen jashtë mundësisë së autoriteteve të Kosovës për t’i arrestuar.
Në prill të vitit 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë lëshoi urdhër arresti ndaj Radoiçiqit dhe 19 personave të tjerë të dyshuar për krime lufte të kryera në maj të vitit 1999 në Gjakovë.
Gjykata deklaroi se Prokuroria Speciale po heton dyshimet se, nga 7 deri më 10 maj 1999, të dyshuarit ishin pjesë e forcave ushtarake dhe policore serbe të uniformuara, të cilat “hynë nëpër shtëpi dhe, me përdorim force dhe kërcënimesh, nxorën jashtë të gjithë personat që ndodheshin aty, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët. Më pas vranë 106 civilë të kombësisë shqiptare.”
“Pas luftës, trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë,” shtoi gjykata.
Gjykata tha se dyshon se Radoiçiqi dhe 19 të tjerët “arrestuan dhe burgosën edhe 300 civilë të tjerë nga komuniteti shqiptar dhe komunitete të tjera etnike, të cilët fillimisht u mbajtën në burgje të improvizuara” dhe u trajtuan në mënyrë çnjerëzore.
Shumë prej këtyre të burgosurve u transferuan në burgje në Kosovë dhe më pas në Serbi, për t’u liruar pas qershorit 1999 me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, thuhet në urdhërarrest.
“Të gjithë civilët shqiptarë dhe civilët e kombësive të tjera që jetonin në Gjakovë u dëbuan nga shtëpitë e tyre me forcë dhe kërcënime. Fillimisht, të gjitha shtëpitë e shqiptarëve në Gjakovë u plaçkitën dhe më pas u dogjën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale,” shtohet më tej.
I akuzuar në disa raste
Radoiçiqi është një emër i njohur për autoritetet e Kosovës. Ai është akuzuar disa herë për vepra të ndryshme penale ose është përmendur si i dyshuari kryesor në një sërë rastesh, por deri më tani nuk është nxjerrë para gjykatës.
Së bashku me 42 persona të tjerë, ai është akuzuar për terrorizëm dhe cenim të rendit kushtetues të Kosovës në lidhje me sulmin e kryer nga serbë të armatosur ndaj një patrulle policore në fshatin Banjskë të Kosovës në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.
Vetëm tre serbë të Kosovës janë arrestuar në lidhje me këtë sulm. Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm. Radoiçiqi, i cili më pas u arratis në Serbi, mori përgjegjësinë për udhëheqjen e sulmit, por këmbënguli se e kishte bërë këtë pa i njoftuar autoritetet në Beograd.
Në kohën e sulmit, Radoiçiqi ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila vepron në koordinim të ngushtë me Qeverinë e Serbisë.
Serbia nisi një hetim ndaj Radoiçiqit në shtator të vitit 2023, kur Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njoftoi se po e hetonte për organizimin e një grupi të armatosur, grumbullimin e paautorizuar të një sasie të madhe armësh që ai dyshohet se i kishte transportuar në Kosovë, si dhe për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Prokurorët në Beograd e morën në pyetje në tetor të vitit 2023, kur ai, sipas raportimeve, deklaroi se ishte i pafajshëm.
Në prill të vitit 2024, autoritetet e Kosovës sekuestruan pjesën më të madhe të pasurisë së Radoiçiqit në Kosovë.
Prokurorët në Kosovë e kanë implikuar gjithashtu në një aferë korrupsioni në Brezovicë, në Parkun Kombëtar “Sharri”. Ai i shpëtoi arrestimit në vitin 2022, kur tentoi të hynte në Kosovë nga Serbia, por u kthye mbrapsht në momentin e fundit.
Duke komentuar urdhërarrestin e lëshuar ndaj tij, Radoiçiqi deklaroi se ishte viktimë e një fushate kundër serbëve në Kosovë.
Më herët, Radoiçiqi ishte përmendur si një nga drejtuesit kryesorë të grupit kriminal që organizoi vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në vitin 2018, së bashku me biznesmenin Zvonko Veselinoviq. Megjithatë, ndaj tyre nuk u ngrit asnjëherë aktakuzë.
Në një intervistë për BIRN, disa muaj para se të vritej, Ivanoviqi e përshkroi Radoiçiqin si personin që ushtronte pushtetin real në veriun e Kosovës me shumicë serbe.
