Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Ç’duhet të kuptojnë turistët për protestën e shqiptarëve
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Aktualitet > Ç’duhet të kuptojnë turistët për protestën e shqiptarëve
Aktualitetopinion

Ç’duhet të kuptojnë turistët për protestën e shqiptarëve

Published: August 25, 2026
Shpërndaje

Ndoshta një nga gjërat më të zakonshme që kanë bërë ndonjëherë Ivanka Trump dhe Jared Kushner, ka qenë mahnitja nga bukuria e Shqipërisë dhe pyetja e vetes se si është e mundur që ky vend të mos jetë ende i mbushur me turistë nga e gjithë bota.

Për shumicën e njerëzve, një mrekulli e tillë do të përfundonte me një mesazh për miqtë apo me një postim në rrjetet sociale. Për Kushner-in, gjithçka mori një tjetër drejtim: ai mblodhi një grup investitorësh dhe u përfshi në projektin për zhvillimin e ishullit të Sazanit.

Problemi është se ishulli, dikur një bazë ushtarake, ndodhet brenda një zone të mbrojtur mjedisore. Megjithatë, ndryshimet e fundit ligjore u kanë hapur rrugë investimeve të huaja në turizmin luksoz, duke u dhënë projekteve të tilla përjashtime të veçanta.

- Publicitet -

Në maj, kur rrethimet nisën të ngriheshin në zonat e brishta të Sazanit dhe në terren u shfaqën buldozerët, banorët e Zvërnecit dolën në protestë. Si simbol zgjodhën flamingon, një prej shpendëve më karakteristikë të kësaj zone. Ajo që nisi në jug u përhap shpejt edhe në Tiranë.

Prej gati 3 muajsh, çdo mbrëmje, qytetarë të moshave të ndryshme mblidhen në protesta paqësore. Flamingot prej letre, pankartat dhe figurat rozë janë bërë simboli i një mesazhi të thjeshtë: “Shqipëria nuk është në shitje!”.

Por protesta nuk ka të bëjë vetëm me Sazanin. Shqetësimi lidhet edhe me projekte të tjera turistike, me ndërhyrjet në zona të mbrojtura dhe me mënyrën se si po shfrytëzohet bumi turistik i Shqipërisë. Kjo s’do të thotë se shqiptarët janë kundër turizmit.

Përkundrazi. Shumë prej tyre duan më shumë turistë, më shumë investime dhe një ekonomi më të zhvilluar. Ajo që kërkojnë është që vendimet e mëdha për territorin dhe pasuritë natyrore të merren hapur, me transparencë, në mënyrë që përfitimet të mos përqendrohen vetëm te investitorët e mëdhenj.

Nga izolimi te bumi turistik

Shqipëria ndodhet përballë Italisë, në anën tjetër të Adriatikut, dhe kufizohet në jug me Greqinë. Ajo ka klimën, detin, malet dhe peizazhet që e kanë kthyer në një prej destinacioneve më të kërkuara të viteve të fundit.

Por, ndryshe nga fqinjët e saj mesdhetarë, Shqipëria ka hyrë seriozisht në industrinë e turizmit vetëm gjatë dekadës së fundit. Numri i vizitorëve të huaj është më shumë se dyfishuar në 5 vitet e fundit dhe është 3-fishuar gjatë dekadës së fundit.

Sot vendi pret rreth 12.5 milionë turistë në vit, një shifër e jashtëzakonshme për një popullsi prej vetëm 2.3 milionë banorësh, e cila vazhdon të tkurret kryesisht për shkak të emigracionit ekonomik. Kjo rritje vjen pas një historie jo fort të favorshme për turizmin.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kaloi 45 vjet e izoluar nga bota, nën një diktaturë komuniste të ashpër. Në vitet 1990, vendi u përball me varfëri të thellë dhe trazira të dhunshme. Edhe sot mbetet ndër vendet më të varfra të Evropës.

Megjithatë, Shqipëria ka diçka që vështirë se mund të krijohet me investime: natyrën. Plazhe të gjata, ujëra të kaltërta, male, lumenj, liqene dhe peizazhe që vazhdojnë të duken të paprekura. Shumë prej tyre janë kthyer në pamje të preferuara të rrjeteve sociale.

Por ata që e vizitojnë Shqipërinë, zakonisht kujtojnë edhe diçka tjetër, që nuk fotografohet aq lehtë: mikpritjen. Në pjesën më të madhe të vendit, turistët mund të udhëtojnë pa u shqetësuar për vjedhje të vogla apo grabitje.

Përtej disa pikave bregdetare që mbushen gjatë sezonit të lartë, ende mund të gjesh qytete të vogla, fshatra dhe bujtina ku mikpritja është pjesë e përditshmërisë. Mund të qëndrosh në një bujtinë për më pak se sa do të kushtonte një drekë në Venecia dhe të përfundosh duke marrë ftesa për darkë nga njerëz që i ke takuar vetëm pak minuta më parë.

Mund të ecësh në shtigje të vetmuara mbi Liqenin e Komanit dhe të kuptosh pse një vend i tillë duket ende i jashtëzakonshëm. Pikërisht këtu qëndron edhe një prej shqetësimeve kryesore të protestuesve.

Ata druhen se natyra që e ka bërë Shqipërinë tërheqëse për turistët po kthehet në mall për t’u shitur, përmes marrëveshjeve që shpesh mbeten larg transparencës dhe ku përfitimet nuk u kthehen domosdoshmërisht komuniteteve që jetojnë pranë këtyre zonave.

Për shumë shqiptarë, kjo nuk është thjesht një çështje turistike. Është pyetja se kush ka të drejtë të vendosë se si do të duket vendi në të ardhmen.

Protesta që bashkoi njerëz të ndryshëm

Kryeministri Edi Rama e ka paraqitur protestën edhe si një reagim të nxitur nga çështja Kushner. Në një deklaratë për Politico, ai tha se, po të mos ishte Jared Kushner, askush nuk do të merrej me atë që po ndodh në Shqipëri.

Rama ka lënë të kuptohet në raste të ndryshme se protestat ushqehen edhe nga dezinformimi në rrjetet sociale, Irani, antisemitizmi apo propaganda serbe. Por protestuesit nuk pajtohen me këtë shpjegim. Për ta, Sazani ishte vetëm shkëndija që nxori në sipërfaqe një pakënaqësi më të vjetër dhe më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe marrëveshjeve që lidhen me territorin.

Në thelb, protesta është kthyer në një lëvizje kundër qeverisë dhe kërkesa kryesore është dorëheqja e Edi Ramës. Nuk ekziston një organizatë e vetme që e drejton këtë lëvizje. Në të marrin pjesë aktivistë mjedisorë, grupe kundër korrupsionit dhe qytetarë të zakonshëm.

Të rinjtë janë veçanërisht të pranishëm. “Ne shkojmë të gjithë. Kemi një vend, kemi një orar dhe shkojmë”, thotë Linda Alia, themeluese e Albanian Food Tours. Ajo tregon se ndonjëherë i çon edhe turistët në protesta, në fund të tureve në Tiranë, kur ata duan të kuptojnë më mirë se çfarë po ndodh.

Sipas saj, aty mund të gjesh njerëz të çdo moshe: të moshuar, çifte të reja me fëmijë, të rinj dhe familje. Ka edhe hapësira ku fëmijët mund të pikturojnë. Por mesazhi i protestuesve nuk është “jo” ndaj turizmit. Është “po” ndaj një mënyre tjetër zhvillimi.

“Ne duam që njerëzit të vijnë dhe të investojnë në ekonominë tonë”, thotë Alia. Dhe është e vërtetë se shumë prej investimeve të viteve të fundit kanë sjellë përmirësime të dukshme: rrugë të reja, zgjerim të aeroporteve, më shumë linja ajrore dhe më shumë fluturime direkte. Por, bashkë me zhvillimin, janë shfaqur edhe probleme të reja.

“Shumë para kanë hyrë dhe hyjnë në vend dhe ne nuk e dimë nga vijnë. Dhe në fund kemi inflacion të madh”, thotë Alia, duke e lidhur këtë me bindjen e saj se korrupsioni mbetet një problem i madh i politikës shqiptare.

Ajo sjell si shembull Bregun e Gjelbër, në jug të vendit, pranë Dhërmiut. Sipas saj, zona dikur ishte e bukur dhe e lirë për t’u shijuar nga vendasit, ndërsa sot është mbushur me vila private dhe resorte, ku banorët e zonës kanë shumë më pak mundësi të kenë qasje.

Një tjetër mënyrë për ta zhvilluar turizmin

 

Në restorantin “Roshniku”, pranë Beratit, menaxheri Ardit Fiska e sheh problemin nga një kënd tjetër. Për të, ajo që do t’i ndihmonte më shumë bizneset lokale nuk janë domosdoshmërisht resortet e mëdha, por infrastruktura: rrugët, transporti dhe veçanërisht mungesa e trenave.

Familja e tij e ka kthyer prej vitesh kantinën e verës në një aktivitet agroturizmi. Vizitorët shkojnë për të provuar verën, mësojnë të gatuajnë, hanë produkte vendase dhe qëndrojnë në bujtinën e familjes. Në tavolinat e Roshnikut ka djathëra vendas, ushqime tradicionale dhe gatime që lidhen me sezonin.

Në pranverë, vizitorët mund të provojnë edhe kec të pjekur. Modeli i biznesit është i thjeshtë dhe familjar. Çdo vit shtohen disa dhoma të reja dhe banorët e fshatit po i kthejnë gradualisht shtëpitë e tyre në bujtina.

Por Fiska nuk kërkon një zgjerim pa fund. “Shpresojmë të mos rritemi shumë. Duam të mbetemi kështu, duke u zhvilluar ngadalë”, thotë ai. Protestat nuk kanë ndikuar shumë te biznesi i tij. Në fshatin malor ku ndodhet restoranti, ato duken larg dhe turistët vazhdojnë të vijnë.

Sipas tij edhe në Tiranë, protestat nuk kanë ndryshuar ndjeshëm përvojën e vizitorëve.

Këshilla e tij për turistët është e thjeshtë: mos qëndroni vetëm në destinacionet më të famshme. Shkoni në fshatra, qëndroni një ditë më shumë dhe njihni Shqipërinë përtej resorteve. Pikërisht aty, thotë ai, gjendet ajo që e bën vendin të veçantë: mikpritja shqiptare.

Shqipëria që duan shqiptarët

Në fund, shumë nga gjërat që e bëjnë Shqipërinë tërheqëse për turistët vazhdojnë të jenë aty: peizazhet, deti, malet, qytetet e vjetra dhe, mbi të gjitha, njerëzit. Në restorante dhe hotele, mikpritja vazhdon të jetë pjesë e përvojës.

Një turist mund të ulet për të ngrënë, dhe pa e kuptuar mund të përfundojë duke provuar rakinë e bërë në shtëpi nga babai i pronarit. Por në mbrëmje, në rrugët e Tiranës, po dëgjohet një tjetër zë.

Turma njerëzish mblidhen çdo natë dhe i thonë qeverisë së tyre se duan një vend që të vazhdojë të jetë i bukur, i hapur dhe mikpritës, por jo me çmimin e humbjes së natyrës dhe të së drejtës së qytetarëve për të vendosur për të ardhmen e tyre.

Rama nuk ka pranuar të largohet. Edhe sikur të jepte dorëheqjen, askush nuk mund të garantojë se qeveria që do të vinte pas tij do të ishte domosdoshmërisht më e mirë. Por protestuesit shohin një arsye për të shpresuar te vetë fakti që mijëra njerëz kanë dalë në rrugë.

Në një vend ku korrupsioni është normalizuar prej vitesh dhe ku përpjekjet për ta luftuar shpesh janë dukur të pafuqishme, fakti që kaq shumë njerëz vazhdojnë të dalin dhe të flasin është një ndryshim më vete.

“Ndoshta, nëse punojmë shumë, flasim hapur, i themi gjërat publikisht dhe dalim çdo ditë, mund të ketë ndryshim”, thotë Alia. Ndoshta ndryshimi nuk do të vijë menjëherë dhe ndoshta nuk do të zgjidhë këtë rast konkret.

Por mund të krijojë një Shqipëri, ku vendimet merren më hapur, dhe ku korrupsioni e marrëveshjet e bëra pas dyerve të mbyllura nuk mund të bëhen më kaq lehtë në sytë e të gjithëve.

 “CN Traveler”

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Trump planifikon anulimin e vizave të 200 mijë azilkërkuesve në SHBA
  • Resorti në Shqipëri, demokratët në SHBA zgjerojnë hetimin ndaj dhëndrit të Donald Trump
  • Ç’duhet të kuptojnë turistët për protestën e shqiptarëve
  • Paratë e krimit pas bumit turistik në bregdetin shqiptar
  • Droga e fshehur në makarona, gjendet kokainë dhe kanabis në burgun 313

Komentet e Fundit

  1. demo on Resorti në Shqipëri, demokratët në SHBA zgjerojnë hetimin ndaj dhëndrit të Donald Trump
  2. Simon Bender on VIDEO: Incident në koncertin e Dua Lipës, plagosen disa persona
  3. 1thundrak on Fëmijëria e një pene të rrallë: Fotot dhe kujtimet e pabotuara të Nasho Jorgaqit në 4 vjetorin e ikjes
  4. Një banor I Tiranës on Si po e rigjallëron Trump demokracinë
  5. Kaden Lester on VIDEO: Incident në koncertin e Dua Lipës, plagosen disa persona

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?