Kastriot Kotoni
Dita e verës e zbuti disi gjithë atmosferën politiko shoqërore të vendit. Ajo vinte mbas disa aksidenteve që shkuan aq keq me marrje jete dhe me atentate pa autor. Duke qenë se muaji shkurt njihet si muaji me më pak ditë , por me një memorie të fuqishme me ngjarjet e këtyre 32 viteve, nuk është nevoja t’i kujtojmë ato, por zakonisht kanë ndodhur, ose vdekje të personaliteteve të politikës, artit dhe sportit, ose demonstrime të ashpra politike, por edhe ngjarje të rënda të kronikës së zezë. Por sot në këtë ditë festive të “Ditës së Verës” si rrallë ndonjëherë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë ajo i kaloi përmasat e pjesëmarrjes. Vetëm një institucion si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte në aktin e tij final për t’i dhënë përgjigje Partisë Demokratike zyrtare. Përgjigja disi e pritshme nuk ishte çështje proceduriale, as lojë nervash mes avokatëve dhe zotit Celibashi. Precedenti që të ndodhte ndonjë shkarje, për hir të pluralizmit u shmang dhe me të drejtë kërkohej firma e kryetarit. Duhej 48 orë që të ishte prezent kryetari, i cili me gojë ka dhënë dorëheqjen, këtu qëndron thembra e Akilit. Historia që vijonte me Gjykatën e Apelit për rigjykim të çështjes nga e para, nuk të çonte automatikisht në të njëjtën logjikë. Sepse ngjarjet zhvillohen në kohë dhe hapësirë, ku tejshtyrja e procesit në Gjykatën e Apelit, bëri një lëmsh që nuk ka zot ta shkokolepsi. Secili shikon të jetë në rregull me standardet dhe rregullat e ligjit. Komponenti kohë, ose siç njihen afatet ligjore nuk mund të jenë të parashikueshme, sepse ndryshe do kishim një regji tejet profesionale që e drejton lojën politike si t’i dojë e për kë të dojë.
Po e zbukuroj pak të vërtetën me një histori që ndoshta edhe është aktuale, por që në shkollat tona ndodh rëndom. Një vajzë gjimnaziste nga ato që mbajnë në çantën e shkollës dy palë veshje. Një veshje që t’u pëlqejë prindërve dhe tjetrën t’i pëlqejë shoqërisë, e ku ndër të tjera të bëjë dallimin ndaj shoqeve e shokëve, apo adhuruesve. Gjimnazistja si duket kishte rënë nga mësimet, por edhe kishte rritur numrin e mungesave pa arsye. Prindërit gjithmonë e pyesnin vajzën si shkove në shkollë e çfarë të pyetën e çfarë note more. Gjimnazistja kish filluar të besonte më shumë tek vetja edhe fillon t’u përgjigjet prindërve me përtesë e si gjithmonë me tundje koke anash lart e me zë të ulët, sikur punët shkonin vaj. Drejtori i shkollës kish kontaktuar me mësuesen kujdestare dhe kjo e fundit i kish thënë se e kishte problem gjimnazisten që kishte mungesa të pajustifikuara e i propozon drejtorit mbase do ishte më mirë të kontaktoni ju me prindërit e saj. Thërrasin nxënësen e i kërkojnë që ditën e nesërme të paraqitet në drejtori së bashku me prindërit. Gjimnazistja me intuitë e fantazi në mënyrë aktoreske shkon në zyrën e drejtorit me një person të cilin e prezanton si babain e saj. Fillon biseda me shtrëngim duarsh e me vajzën kokulur dhe “babain” i cili i kish mësuar përmendësh fjalët, “Po drejtor keni shumë të drejtë”, por ja që nuk kam qenë në Tiranë dhe të lutem do ta bësh për mua, jepi edhe njëherë dorën e mos ta humbas vitin vajza. Drejtori i përcjell bashkëbiseduesit dhe kthehet në zyrë duke fërkuar kokën, sikur tjetri i kish lënë një hije dyshimi. Nuk e lë t’i iki momenti dhe nxjerr nga sirtari i tavolinës bllokun e shënimeve me emrat e prindërve dhe numrat e tyre të celularit. Merr në telefon të atin e vajzës që sapo kish dalë nga zyra dhe nga përgjigja e tjetrit kupton se personi në fjalë po i thoshte se nuk ishin takuar bashkë para pesë minutave dhe as që nuk e dinte emrin e drejtorit të shkollës së vajzës, sepse për punët e shkollës së saj kujdesej gruaja.
-Po si nuk jeni ju babai? U meit drejtori e ndërkohë tjetri i nervozuar po i dërdëlliste, -Pse nuk jeni në terezi, e ne ju besojmë fëmijët e të tjera e të tjera.
– Më prit se erdha u përgjigj më së fundi babai. -Jo duhet që vajza të mos e marr vesh që ju po vini në shkollë e kur të jeni në zyrën time do ta thërrasim.
Drama fillon kur i ati i vajzës ndeshet me drejtorin e shkollës. Drejtori hutohet e pyet të atin si është mundur, ku si me kë, kush ka qenë ai tjetri që erdhi e mu paraqit, sikur të ishit ju? Vjen vajza në zyrën e drejtorit e shokohet kur shikon babain të skuqur nga nervat e nuk kapërdihet dot. I ati nuk përmbahet e qëllon në sy të drejtorit vajzën e tij dhe marrin rrugën për në shtëpi.
Besoj se do ta keni kuptuar që vajza kishte kaluar përtej çdo caku besimi dhe indinjata e prindit kish shpërthyer në dhunë, sepse edhe imagjinata kish bërë punën e vet, aq sa vajza nuk u pa për gati 4 ditë në shkollë. Përtej kësaj kohe zhvillohej një bashkëbisedim i heshtur i një burri i cili prej katër ditësh sillej tek muri i shkollës pa ditur kë të pyeste e si ta pyeste. Drejtori nga dritarja e zyrës gati sa nuk u hodh përpjetë, tek pa “babain” e rremë e t’i afrohet rojes së shkollës e i thotë
– O Sherif më thuaj kë pret ai burri atje pas murit të shkollës? Sherifi trupmadh i afrohet tjetrit dhe e pyet- Si jeni zotëri a keni ndonjë fëmijë në këtë shkollë, apo njihni ndonjë mësues?- Jo more mik. Po përpara disa ditësh solla me taksi një vajzë e cila më ka ngelur nja 5 mijë lekë e nuk po e shikoj qysh prej 4 ditësh.
Përtej kësaj fabule udha e Partive Demokratike nuk varej nga ligji që kërkon emrin e një vulëhumburi, apo seanca gjyqësore pambarim. Cikli i një politike bashkë me të edhe i një individi ose organizate politike si për Bashën dhe për Berishën ka mbaruar. Ka disa cikle kohore që nuk varet nga dëshira e njërit apo tjetrit, qoftë edhe me nxitje nga faktorë të tjerë. Kjo dyshe dhe njerëzit që i ndjekin ata nuk kanë asnjë lidhje me filozofinë politike, ata po shkojnë tek origjina e tyre tribale e do bien në qorrsokak, sa edhe Celibashë të tjerë nuk kanë çfarë t’i shpëtojnë. Krenaria që jam unë parti zyrtare, apo jam unë që kam më shumë mbështetës ndaj dhe jam partia e vërtetë, janë si puna e atij që tregova më lart, nuk është vetëm punë “babai”. Besoj se ato po korrin atë çfarë mbollën. Një parti që erdhi si shpresë për Shqipërinë dhe u atrofizua në pak vite, u bënë më keq se ish bllokmenët, jo për 45 vjet po për 5 dhe 10 vjet, pa respektuar ligjet e degraduan vendin aty ku nuk mbante më. Dhe sado që bënë make up politik me gjoja “Kopin” asgjë nuk ndryshuan, sepse nuk kishin pse të ndryshonin kur në thua kishin tribalizmin, korrupsionin e nocionin e destabilitetit të vendit në dëm të çështjes kombëtare.
