Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Dervish Hima – dishepull i shqiptarizmës, orator dhe publicist
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Dervish Hima – dishepull i shqiptarizmës, orator dhe publicist
Kulture

Dervish Hima – dishepull i shqiptarizmës, orator dhe publicist

Published: January 23, 2023
Shpërndaje

Prof. Hamit Boriçi

 

I. Kronikë,  jetëshkrim dhe përkushtim atdheut, çështjes kombëtare

- Publicitet -

Dervish Hima (Ibrahim Mehmet Naxhi Spahiu), atdhetar i shquar i periudhës së dytë të Rilindjes Kombëtare, lindi në Ohër në vitin 1872. I mitur mbeti jetim. Për te u kujdesua vëllai i madh, Abdurrahmani, zyrtar i ushtrisë turke në Selanik.

Në Selanik kreu shkollën fillore dhe Ruzhdije (shkollë gjysmë e mesme turke). Në Stamboll konviktor ndoqi mësimet në shkollën e mesme mjeksore ushtarake “Kulelli”. Më 1892 fillon studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Shkollës së Lartë Ushtarake Mjekësore “Gjylhane” në Stamboll.

Në vitin 1895, student i vitit të katërt e la fakultetin për të shpëtuar nga ndjekjet dhe arrestimet e policisë ushtarake të studentëve dhe oficerëve të përfshirë në lëvizjen e xhontuqëve. (Shkolla e Lartë Mjekësore ishte një nga qendrat e rëndësishme të asaj lëvizjeje, që kishte filluar në vitin 1888. Në atë mjedis kishte edhe studentë shqiptarë. Njeri prej tyre ishte Ibrahim Temo nga Struga, eksponent kryesor, bashkëthemelues i Komitetit të fshehtë “Bashkim e Përparim”.

Ndërkohë bashkatdhetari Dr.Temo, i diplomuar në atë shkollë. punonte në spitalin “Hajdar Pasha”, institucion mjekësor me emër në Stamboll. Ai e kishte tërhequr Dervishin në lëvizjen politike të Xhonturqëve që në vitin e parë të shkollës. (Në Stamboll jetonin rreth 50 mijë shqiptarë dhe rilindasit vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Kostantin Kristoforidhi e …)

Dervishi nuk i shpëtoi bastisjes së egër policore, që e arrestoi me akuzen si një nga komplotistët kundër jetës së Sulltanit. Por Komiteti i Fshehtë Xhonturk e rrëmbeu nga burgu dhe e strehoi në një bazë të sigurtë.

Në moshën 23-vjeçare, më 1895 u largua fshehtas nga Stambolli për në Bukuresht dhe prej andej në Shqipëri, ku zhvilloi për dy vjet një fushatë të gjerë kundër dhunës turke. Me oratorinë e tij bënte për vete qytetarë e fshatarë. I njohur si Doktor Dervishi përndiqej nga policia turke, prandaj detyrohej të qarkullonte i veshur, herë si hoxhë, herë si prift, herë si fshatar nëpër katundet e qytetet e Shqipërisë.

Në ato rrethana, në vitin 1897 u detyrua të arratisej nga Shqipëria. më 1897. Gjeti strehim e mirëpritje nga Nikolla Naço dhe bashkëpunëtorët e tij në Rumani. Në vitet 1897-1899 vepron midis shqiptarëve në Bukuresht. (Siç bën me dije publicisti Jani Lehova, në grupin politik të të rinjve të komunitetit shqiptar në Bukuresht merrnin pjesë Jani Mihail Lehova, Dervish Hima, Dr. Ibrahim Themo, Jani Mihail Lehova, Jashar Erebara, Kristo Luarasi, Kosta Jani, Adam Shkaba, Nuçi Naçi, Kostë Jani Trebicka, Sotir Babatasi, Andrea Alizozi, Aleks Çikozi, Pandeli Dyrmishi dhe të tjerë shqiptarë dhe arumunë. )

Veprimtaria patriotike e Dervish Himës mbetet e paharruar. Ai ishte edhe kryetar i Shoqërisë “Qerthuli i studentëve shqiptarë” në Bukuresht, që më vonë merr emrin “Shpresa”. (Shih: “La Nazione Albanese”, viti 1899, nr. 5, f. 7. )

Në Bukuresht, më 22 prill 1897 botoi në gjuhën turke broshurën “Ujanallëm” ( “Të zgjohemi”), një thirrje, drejtuar bashkatdhetarëve, 26 faqe osmanisht, ku trajton me një frymë luftarake problemet e lëvizjes shqiptare dhe orienton drejt Lidhjes së Pejës.

Dervish Hima ishte një nga nismëtarët e organizimit të e Kongresit të Kolonive Shqiptare të Rumanisë në Bukuresht. (Kongresi me një pjesëmarrje prej më shumë se 2000 shqiptarë i zhvilloi punimet më 13 nëntor 1898.U shquan për oratorinë politike me frymë kombëtare Dervish Hima, Visar Dodani, Jorgji Meksi, Murat Toptani etj. ) Në ligjëratën e tij Doktor Hima polemizoi edhe me Faik Konicen, që, gjatë drejtimit të punimeve të kongresit, shfrytëzonte rastin për të informuar për politikën austrohungareze ndaj Shqipërisë.

Dervishi i shoqëroi gazetarët e huaj pjesëmarrës në kongres, duke u bërë të qartë platformën politike kombëtare dhe qëndrimin kundër qeverisë së Stambollit.

Më 1901 nis një turne propagande në Itali, Belgjikë, Zvicër, Francë dhe në shtetet e Ballkanit, duke botuar gazeta e shtypur broshura dhe takuar me politikanë të shquar:

Më 17 shkurt 1901 takohet në Romë me Ismail Qemalin, që vinte nga Brukseli ku ishte stacionuar. Vendosen të bashkëpunonin. Dervish Hima shfaqi dëshirën të shkonte në Bruksel pranë tij për të nxjerrë një gazetë.

Në mars 1901 niset per në Kairo (Egjipt). Ismail Qemali kishte dhënë porosi të mirëpritej. Arrin nga mezi i marsit 1901 dhe fton në hotel: Dr. Turtullin, Adhamudhin, Hasan Fehmi Dibrën etj. U propozoi të krijonin një shoqëri shqiptare dhe të nxirrnin një gazetë (Myslimanë dhe të Krishterë).

Më 28 mars 1991 i shkruante Ibrahim Temos se arriti të thrmrloi “Vëllazëria shqiptare” me kryetar Dr. Adhamidhin, sekretar Filip Shirokën dhe dy nënkryetarë: Abedin Beun dhe Hasan Fehmi Dibrën.

Më 13 prill 1901 këthehet në Romë ku takohet përsëri me Ismail Qemalin. Në muajin shkurt 1902, si delegat, së bashku me Jashar Erebaren mori pjesi në Kongresin e Turqëve te Rinj në Paris.

I dëbuar nga Italia Dervish Hima kaloi në Zvicër ku qëndroi nga muaji maj 1902 deri në nëntor 1903.

Në qershor 1903 merr pjesë në Kongresin e Arbëreshëve të Italisë. Ditën e katërtë do të referonte, por të shoqëruar nga 2 policë e nxorën në kufi.

Në fillim të shkurtit 1904 merr pjesë në konferencën e oganizuar nga princi rumun Albert Gjika me parullën: “Pavarësi Shqipërisë”. Për këtë event shkroi edhe në revistën “Albania” të Konicës. Dervish Hima nuk i përkrahte ambicjet e tij. Më 8 shkurt 1904 i shkruante Ibrahim Temos: “Albert Gjika po mendon të bëjë një aventurë”.

Më 1904, krahas veprimtarisë publicistike, zhvillon aktivitet të gjerë diplomatik. Beogradi, Sofja, Cetina dhe Athina bashkëpunonin “Për të penguar e përçarë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke përdorur shkollat, kishat dhe bandat e armatosura që hidhin në Shqipëri. Pjesë e veprimtarisë diplomatike të Dervish Himës ishte edhe udhëtimi në Vjenë në nëntor 1904. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme vjeneze bisedoi edhe rreth shtypit shqiptar.

Në fillim të dhjetorit 1904 shkoi në Frankfurt. Dha një intervistë për gazetën “Frankfurter Zaitung”. Takoi edhe Gjergj Pekmezin.

Më 25 qershor 1907 i shkroi Temos se kryeministri grek ka deklaruar në shtyp se Mbreti i Italisë, Viktor Emanueli foli për të drejtat e saj imagjinare në Shqipëri.

Në fillim të gushtit 1907 shkoi në Hagë. Qëndrimin e komunitetit shqiptar ndaj Turqisë, Dervish Hima do t’a parqiste edhe në Kongresin e Paqës në Hagë si delegat i shoqërive shqiptare “Bashkimi” të Konstancës së Rumanisë si dhe të Sofjes e Misirit. Memorandumi i shoqërive shqiptare, që përfaqësonte Hima, bëri jehonë edhe në mediat europiane: Turqia t’i japë Shqipërisë autonomi me të katër vilajetet. Ky do të ishte edhe propozimi i Kontit Berthold, Kancelar i Austro-Hungarisë.

Pas shpalljes e Kushtetutës, Dervish Hima u kthye në Shqipëri. Qeveria turke urdhëroi burgosjen e tij më 26 gushtit 1908. Akuza ishte: fjalimi i tij me temë “Të zgjohemi” dhe kërkesa e autonomis. Pas 2 muajsh, më 12 tetor 1908 doli përpara gjykatësve, ku për 4 orë u mbrojt me një retorikë mbreslënëse. . Gazeta shqiptare dhe europiane i dolën në krah. Midis tyre ishin gazetat “Korça”, “Besa” e Stambollit, “Rrufeja” e Egjiptit, “Dielli” i Bostonit etj. “La Nazione Albanese”botoi shkrimin me titull “Një arrestim i pajustifikuar” (Buletini “La Nazione Albanese”, Pallagorio (Katanzaro, Itali), 30 shtator 1908) dhe e përkohshmja “La gazetta” e Parisit që dilte me titull “Dervish Hima”. ( “La gazetta”, Paris, 16 nëntor 1908 )

Viti i ri, 1909 e gjeti Dervish Himën në burgun e Selanikut, por me ndërhyrjen e Dr. Ibrahim Temos do të lirohej,.

Në vijim të veprimtarisë së tij atdhetare merr pjesë në Kongresin e II të Manastirit (1910), në kongresin e Dibrës (1908); me 1912 vihet në krye të çetës së studentëve të Selanikut e të Stambollit, që veproi në rajonet e Beratit, të Vlorës, të Delvinës dhe të Gjirokastrës.

Dervish Hima ishte edhe një nga pjesëmarrësit aktivë në mbledhjen e çetave atdhetare të Shqipërisë së jugut, mbajtur në Manasatirin e Cepos më 21 korrik 1912. Edhe në Kuvendin e madh kombëtar të 28 Nëndorit figuron emri i tij si delegat i Ohrit dhe i Strugës, por nuk arriti të marrë pjesë.

 

2. Sistemi dhe historia çerekshekullore e gazetarisë himjane

Nuk është rastësi hyrja e Dervish Himës në publicistikë. Si shumë pararendës e bashkëkohës, ideologë e luftëtarë të Rilindjes sonë Kombëtare, edhe Dervish Hima do të vlerësonte gazetarinë si një institucion përmes të cilit rrahen dhe përcillen ide e mendime për çështje politike e shoqërore, kulturore etj.

Ndër shkrimet e parë të Himës është një hartim politik, konceptuar si letër, botuar në tetor të vitit 1896 në gazetën “Meshveret” (“Debatet”), një nga organet e shtypit të Turqëve të Rinj, që dilte në Paris. Padiste ai qeveritarët e Turqisë për krimet në Shqipëri.

Emri i tij si themelues gazetash e revistash del në vitin 1898, kur, së bashku me Jashar Erebaren, botoi në Bukuresht (Rumani) fletoren “L’Independanc Albanaise” (“Pavarësia shqiptare”), në gjuhët frëngjisht, shqip e rumanisht. ( Revista- “Studime historike”, Tiranë, 1971, nr. 3. f. 155  )

Në vjeshtën e vitit 1899 Dervishi dhe Mehmet bej Frashëri morën pjesë në Kongresin e Orientalistëve në Romë. Aty u lindi idea për një gazetë kombëtare. Këtë propozim ia bëjnë arbëreshit Anselmo Lorekios, që mori përsipër përgjegësinë ligjore ndaj shtetit Italian. Dhe më 10 dhjetor 1899 në qytetin e Romës qarkulloi numri i parë i gazetës politiko-shoqërore “Zen’i Shqipenisë” (“Echo Albania”) në gjuhën shqipe me alfabet të Stambollit dhe frëngjisht: Nehmet bej Frashëri kryeredaktor, Dervish Hima (me pseudonim Ibrahim Naxhiu), redaktor (Palok Daka, revista “Studime historike”, Tiranë, 1971, nr. 3, f. 156 )

“Qëllimi i shqiptarëve – thuhej në editorialin programor – është: Shqipëria e shqiptarëve…autonomë nën sovranitetin e Sulltanit…Bashkimi i gjithë Shqipërisë në një Vilajet të vetëm me administrim autonom e me një guvernator me kombësi shqiptare”.

Gazeta hyri edhe në Shqipëri, por për pamundësi financiare nuk pati jetë të gjatë. Dolën vetm 2 numra. Dervish Hima ahkoi përsëri në Bukuresht për t’u kthyer më vonë sërish në Itali, jo në Romë, por në Napoli për të nxjerrë një gazetë tjetër.

Fjala është për fletoren trigjuhëshe, turqisht, italisht dhe frëngjisht, “Arnautluk” (“Albania”, “Shqipëria”), numri i parë i së cilës doli më 15 prill 1901. Ajo, veç versionit turqisht, u shpërnda falas: në Itali, në Bullgari, në Malin e Zi, në Serbi, në Dobruzhë, (Dibër, Tiranë, Berat, Elbasan, Starovë, Shkup, Manastir, Strugë, Ohër). Finanaciarisht, përveç Ibrahim Temos, ndihmonin edhe Refik e Murat Toptani. Botimi i kësaj të përkohshmeje shqiptare vijoi gjatë viteve 1901 – 1902, kur drejtorin përgjigjës Ibrahim Naxhi (Dervish Himën) e dëbojnë nga Italia. (Revista “Studime historike”, Tiranë, 1971, nr. 3, f. 158 )

E përkohshmja u tërhiqte vëmendjen autoriteteve italiane dhe përfaqesisë zyrtare turke në Itali për shkrime si ai që, në faqen turqisht në rubrikën “Kolonë e veçantë” bënte fjalë për përpjekjet e popullit shqiptar, të Rilindasve, për shkollën shqipe; apo si artikulli kritik “Disa fjalë bejlerëve tanë”. Këto shkrime dhe të tjerë të kësaj natyre i dhanë shkas policisë italiane, që, në emër të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, të urdhërojë që, kryeredaktor, përpara se ta çonte gazetën në shtyp, do ta paraqiste në Drejtorinë e Policisë dhe në Ambasaden Turke në Romë.(Ggazeta “Arnautluk”,ndonëse adresën e kishte në Napoli, shtypej në Romë  )

Dervish Hima u thirr disaherë në drejtorinë e policisë në Romë, ku kritikohej “për gjuhën e ashpër në gazetë për shtete me të cilët Italia kishte marrëdhënie.

Numri i fundit qarkulloi më 13 prill 1902. Në faqen e parë Dervish Hima me shkrimin “Letër e hapur” i drejtohej ambasadorit turk në Romë: ti mund të më ndalosh të nxjerr një gazetë në Romë, por mos kujto se ky do të jetë fundi i përpjekjeve të mia. Do të vazhdoj në çdo vend të Europës.

Dhe ashtu veproi.

Më 27 maj 1902, Dervish Hima, i ndjekur nga qeveria italiane u detyrua të kalojë në Bruksel ku më 1903 nisi botimin e revistës, emërtuar “L’Albanie”, për t’a “transferuar” dhe vijuar po atë vit, si “Organ i interesave kombëtare shqiptare” me tri gjuhë: frëngjisht, turqisht dhe shqip, në fillim në Lucern, pastaj në Gjenevë.

Editoriali i “L’Albanie”-s të marsit 1904, “Kryengritja shqiptare”, i kushtohej qëndresës së antiosmane, që shpërtheu në janar 1904 dhe u shtri në Gjakovë, në Pejë, në Lumë dhe në Rekë.

–  Më 1904 Dervish Hima botoi edhe Memorandumin për çështjen shqiptare, drejtuar Nikolla Pashiqit. (Shih “Gjurmime albanologjike”, Seria Shkencat Humane, Prishtinë, III, 1975, f.207 )

E përkohshmja “L’Albanie” e Gjenevës qarkulloi edhe në vitet 1905-1906, ku do të ndeshej pësëri me xhonturqët. Dervishi i shkruante Ibrahim Temos një letër, që duket se siguronte mjetet financiare për “L’Albanie: “…Këta turq…janë të gjithë kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë”. (Shënime: ky numër gjëndet në Biblioteken Shkencore të Institutit Histori-Gjuhësi në Tiranë. Shih edhe P. Daka – revista )

Siç shihet kemi të bëjë me të njëjtën të përkohshme që Dervish Hima e boton në kohë e shtete të ndryshme.“…Në anën e brendshme të mbulesës së “L’Albanie”-s, numri 5-7 të vitit 1906, jepet ky njoftim: “L’Albanie” nën titullin “L’Independance Albanaise” u themelue në Bukuresht më 1898 po ndërhyrja e qeverisë turke e mbylli. Më 1899 u botua në Romë me titull “Echo d’Albania” (“Zen’i Shqipenise”); nga viti 1903 filloi të botohet në Bruksel me titull “L’Albanie”. (Shënime: ky numër gjëndet në Biblioteken Shkencore të Institutit Histori-Gjuhësi në Tiranë. Shih edhe P. Daka – revista “Studime historike”, Tiranë, 1971, nr. 3, f. 161 )

Kudo që i shkelte këmba në mërgim, që në takimet e para me veprimtarë politikë të komuniteteve shqiptare, Dervish Hima do të fliste për rolin e e shtypit në jetën kombëtare dhe do të sugjeronte e punonte për ndonjë gazetë a revistë të re shqiptare. Kështu veproi edhe në vjeshtën e vitit 1909 në Stamboll. Në ato kohë në Stamboll, gazeta “Besa Bashkimi”, vazhduese e “Besë”-s. kishte hyrë në vitin e dytë të jetës së saj (1908-1909). Në të njëjtën kohë Kasim Frashëri me Hiqmet Sali Delvinen botonin një të përjavshme me emrin “Shkumbi”.

Ai ndërgjegjësoi të rinjtë shqiptarë të një lagjeje të Stambollit, që, me statusin e një Komiteti Organizator, moren përsipër “Qeverimin e gazetës si organ i lirë” dhe më 31 dhjetor 1909 nxori në qarkulllim numrin e parë të së përjavshmes “Shqiptari” (1909-1911), gazetë politike, shoqërore e kulturore. Botohej në tri gjuhë: shqip, turqisht dhe frëngjisht. E drejtonte Dervish Hima (Ibrahim Naxhi) me kryredaktor Hil Mosin. (Revista “Studime historike”, Tiranë, 1971, nr. 3, f. 194. )

Në editorialin programor “Parathënie” dhe “Disa fjalë për bashkatdhetarët”, në gjuhën shqipe e turqisht thuhej: “Fleta “Shqiptari s’është gjë tjetër, përveçse Shqypnia”.

Gazeta u muar me problemet më qenësorë dhe, si “Organ i lirë”, mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, dha ndihmesë për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të atyre kohëve, duke shqetësuar autoritet zyrtare të Stambollit. Prandaj, disa herë e ndaluan shpërndarjen e saj që në shtypshkronjë .

Censura osmane, pasi gazeta “Shqiptari” botoi në numrat 31 e 38 dy shkrime për “prishjen e vëllazërimit që ekzistonte midis kombeve osmane”, e ndaloi loi për muajt tetor e nëntor 1910.

Megjithëkëto, kur “Shqiptari” rifilloi botimin, herë pas here, publikonte shkrime të padëshiruar për autoritet zyrtare, si “Letër e hapur”, drejtuar Ministrit të Brendshëm Talat beut” (Më 4 dhjetor 1910), “Gjuha” ( 25 dhjetor 1910 ), “Mjerim në Shqipëri”), etj.

Por artikulli i Dervish Himës do t’i “zemëronte” tejet qeveritarët. Ai shkruante: “… gazeta “Shqiptari” është e lidhur me shqiptarët dhe do të rrojë sa të rrojë Shqipëria. Atë e boton një grup intelektualësh me mendime të lira e të përparuara, që janë bij të atdheut të tyre”. (Gazeta “Shqiptari”, Stamboll, nr. 59, dt. 26. 05. 1911)  Prandaj si paralajmërim u dha urdhër për ndërprerjen e botimit deri më 26 maj 1911 dhe u padit në Gjykatë Ushtarake të Stambollit, e cila me vendim të prerë urdhëroi mbylljen e fletores“Shqiptari”, e cila u shpall me program e kërkesa kulturore kombëtare dhe arriti të shndërrohet në një organ politik kombëtar. Në këto rrethana Dervish Hima detyrohet të arratiset. Në muajin gusht gjëndet në Vjenë, në nëntor 1911, në Bruksel.

 

3. Kthimi përfundimtar në atdhe…

Dervish Hima nga viti 1913 deri më 1918 vazhdoi veprimtarinë kombëtare në mërgim e pastaj në atdhe luftoi për mbrojtjen e shtetit të pavarur dhe për zhvillimin e arsimit, të kulturës e të shtypit”.(Fjalori Enciklopedik shqiptar, T. 2008, f. 926 )

I mirënjohur dhe i vlerësuar për rolin e përvojën shumëvjeçare në fushën e gazetarisë shqiptare, madje me kryeqeveritarin Sulejman Delvina, kur, në të njëjtën kohë kishin drejtuar e publikuar në Stamboll (Turqi) të përkohshmet “Shkumbi” dhe gazetën “Shqiptari”, më 1920 iu besua detyra e drejtorit të shtypit, të sapokrijuar pranë Ministrisë së Punëve të Brndëshme.

Ajo drejtori, e themeluar dhe vijëzuar nga Dervish Hima, në vitin 1921, u nda në dy zyra shtypi: njëra pranë Minsitrisë së Punëve të Brendëshme dhe tjetra në Ministrinë e Punëve të Jashtme. U pa e arsyeshme që Dervishi, si njohës dhe ushtrues i politikës ndërkombëtare, të drejtonte zyrën e diplomacisë.

Ngjarjet e zhvillimet e pranverës 1922 e vunë ate në provë me pasoja që i ndryshuan statusin politik zyrtar të Himës. Ai edhe pse nëpunës i rangut të lartë rrjedhat e praktikat e qeverisë i shihte me sy kritik dhe u doli në krah Elez Isufit e Bajram Currit, duke rënë në një mendje me ata për dorëheqjen e qeverisë dhe ngritjen e një kabineti të ri nga parlamenti. Kundërshtoi kërkesën ftesën e grupit qeveritar, kryesuar nga myftiu i Tiranës, për një takim, së bashku me ta, me Elez Isufin për ta bindur që të hiqte dorë nga veprimet kryengritëse.

Ngjarjet rrodhen shpejt. Më 8 mars 1922 kryengritësit dibranë të Elez Isufit sulmuan kryeqytetin. Qeveria u trondit dhe disa ministra shkuan në Elbasan. Të nesërmen, më 9 mars 1922, në sheshin përpara bashkisë së Tiranës u organizua një tubim populllor pro kryengritjes, ku foli edhe Dervish Hima, që deklaroi: “vëllezërit tanë ndodhen në zjarr dhe që të mos derdhej gjak, qeveria duhej të jepte dorëheqjen ose të rrëzohej”. (A.Q.SH., Fondi 258, Viti 1922, dosja 30, f/ 9-11 )

Kryengritja u shtyp më 13 mars. U arrestuan më shumë se 300 kryengritës, bashkë me ta edhe zyrtari Dervish Hima.Mbas 40 ditë hetime ata dolën përpara Gjykatës Ushtarake të Tiranës dhe të gjithë u dënuan. Me vëndim të asaj gjykate, më 21 prill 1922 Dervish Hima u dënua me 5 vjet burgim në Kështjellën e Gjirokastrës. (Shih: Fletore Zyrtare nr.23, 14 qershor 1923, faqe 3 )

Por pas amnistisë, që u bë më 9 qershor 1923, u lirua nga burgu. Me interesimin dhe kërkesën këmbëngulëse të përkrahësve të tij, Këshilli i Naltë i Shtetit, më 16 janar 1924 do ta emëronte Dervish Himën Drejtor i Shtypit në Ministrinë e Punëve të Brëndshme. ( A.Q.SH., Fondi 147, Këshilli i Naltë i Shtetit, viti 1924, dosje I-58, faqe 8 )

Përsëri, i vetëdijshëm dhe i përgjëgjshëm, do të ishte korrekt në kryerjen e detyrës. Ai formuloi me saktësi lajmin për vrasjen e Avni Rrustemit, u dha leje gazetave për kronika e lajme për protestat në shumë qytete, informoi opinionin publik për ceremoninë mortore të Avni Rustemit, edhe pse “Gjëndja e jashtëzakonshme” ndalonte publikimin e të rejave politike të ditës.

Si drejtor shtypi ai menaxhoi edhe informacionin mediatik për revolucionin e qershorit 1924, duke mos i penguar gazetat e revistat për të përmbushur detyrën misionare për të drejtat e lirinë e informimit dhe komunikimit publik.

Lexuesit e interesuar u informuan për përparimin e kryengritësve drejt Tiranës, për arratisjen e Ahmet Zogut, për formimin e qeverisë së Nolit dhe përgatitjet e Zogut për t’u kthyer me forcat ushtarake nga Beogradi në Shqipëri.

Revista autoritare “Shqipëria re” , e cila prej vitit 1919 botohej rregullisht në Konstancë (Rumani), duke shkruar për “reformën e nëpunësve” që do të bënte qeveria e Nolit, në krye të listës sugjeronte për t’u mbajtur në detyrë Dervish Himën “si një nga nëpunësit më të ndërgjegjshëm, sepse rregulloi zyrën e shtypit sipas sistemit europian”. (Rev. “Shqipëria e re”, Konstancë, 24 korrik 1924, faqe 2 )

Dihej dhe pritej, që, ardhja e Ahmet Zogut në fuqi, ashtu siç erdhi ai, do të vështirësonte jetën e Dervish Himës, ashtu si edhe për atdhetarë të shquar, besnikë të idealeve të Rilindjes, disa prej të cilëve duke i zhdukur nga jeta.

Dervishi u hoq nga puna, u la mënj’anë e qitur në harresë.Dalëngadalë gjendja shpirtërore dhe ajo fizike morën teposhten. Ai zuri shtratin nga një sëmundje e rëndë nefrite dhe kardiake.

Por miqtë e dashamirët, disa edhe funksionarë të lartë, që ja dinin vlerat veprës kombëtare të atdhetarit të shquar Dervish Hima, me autoritetin e tyre, ndikuan që të çohej për kurime disamujore në klinikat e qytetit Bari të Italisë me shpenzime shtetërore.

Dervish Hima vdiq më 21 maj 1928 në moshën 57-vjeçare.

Dhe përsëri funksionarë të lartë ndikuan që trupi i tij të përcillej në banesën e fundit me nderime të merituara shtetërore e qytetare. Në ceremoninë mortore folën Mati Logoreci, Mehdi Frashëri, dhe Leonidha Naçi.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  • Protesta si Ftesë dhe Festë
  • Çfarë përfaqëson 10 qershori për Kosovën
  • Shqipëria e bukur e sheshit
  • Turistë të huaj i bashkohen protestës: Përvojë transformuese

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Shqipëria e bukur e sheshit
  2. Emigranti on Shqipëria e bukur e sheshit
  3. Vëzhgimi on Shqipëria e bukur e sheshit
  4. Sazan Svernica on Shqipëria e bukur e sheshit
  5. Skypion on Shqipëria e bukur e sheshit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?