Nga Fatos TARIFA
Duket se me kohë kryeministri i vendit ka bërë një coup de partie, një “grusht shteti” në Partinë Socialiste, për të mbetur në krye të saj e për të ushtruar mbi të një kontroll total, sikur ajo parti të ishte territori i një prone private të tij.
Si kryetar i PS-së, partisë politike më të madhe në vend, i parivalizuar nga askush tjetër në radhët e saj për postin e kreut të partisë, z. Rama ka mundur ta mbajë funksionin e kryeministrit për tre mandate radhazi. Nëse ai dëshiron—i shtyrë nga tundimi për të qenë i pushtetshëm, nga zelli për ta mbajtur pushtetin që ka, ose nga pasiguria e frika prej divorcit me të—z. Rama mund të mbetet kryeministër edhe për një mandat të katërt pas zgjedhjeve të vitit 2025, duke thyer çdo rekord të njohur deri më sot nga në cilindo sistem republikan qeverisjeje në botë.
Nëse arsyet e mësipërme qëndrojnë, nëse Partia Socialiste fiton edhe në zgjedhjet e katër viteve më pas, nëse z. Rama gëzon edhe atëherë shëndet të plotë (ia uroj) dhe vazhdon të ketë dëshirë dhe energji (të cilat sot i ka të pashterrshme), ose kërkon, për çdo eventualitet, ta mbajë pushtetin si një mburojë (uroj të mos jetë e nevojshme), ai mund të dojë të qëndrojë në postin që mban edhe më gjatë ose, në një kohë e në rrethanat të volitshme për të, të negociojë të marrë postin e kreut të republikës.
DIVORCI ME PUSHTETIN
Divorcin e vështirë (në dukje të pamundur, ose të padëshiruar prej tij) të kryeministrit me karriken që mban mund ta mundësojnë, ose afrojnë në kohë një nga këto katër arsye:
1. Dëshira e vetë z. Rama për ta lënë postin e kryetarit të Partisë Socialiste dhe, bashkë me të, postin e kryeministrit. Kjo do të mundësonte—për herë të parë në 20 vitet e fundit të kësaj partie—një garë reale mes sociastëve për drejtimin e PS-së e të qeverisë pas fitores në zgjedhjet parlamentare të radhës.
Deri më sot, kryeministri nuk ka dhënë asnjë shenjë—as ka lenë vend të nënkuptohet—se një gjë e tillë mund të ndodhë në një të ardhme që mund të parashikohet. Ai duket se e sheh veten të pazëvendësueshëm në krye të Partisë Socialiste, në krye të qeverisë dhe në mesin e gjashtë drejtuesve kryesorë të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kësaj çështjeje i kthehem më vonë.
2. Një hapje reale e Partisë Socialiste
Kjo nënkupton demokratizimin e procedurave e të marrëdhënieve mes anëtarëve të saj, sidomos në forumet dhe në organet drejtuese të PS-së, krijimin e një atmosfere kolegjiale inkurajuese për ballafaqim idesh e propozimesh, për kritikë racionale dhe autokritikë, si dhe për një garë të lirë, të papenguar, në forumet drejtuese të asaj partie.
Deri më sot, kjo nuk ka ndodhur për shkak të autoritarizmit me të cilin kryeministri e ka drejtuar Partinë Socialiste dhe ipso facto frikës—reale ose të imagjinuar—të bashkëpunëtorëve të afërt në forumet drejtuese të asaj partie prej tij.
Edhe ndonjë përpjekje disi kurajoze për të shprehur mendime heterodokse, të ndryshme nga ato të kryetarit të partisë, ose ndonjë shenjë sado e vogël mospajtimi me të, janë mbytur në zanafillë dhe, në një mënyrë a në një tjetër, “disidentët” brenda PS-së janë ndëshkuar, për t’u bërë mësim për të tjerët. Sepse kryetari do që të vetët t’i binden dhe i pelqen që ta duartokasin e të brohorasin për të, jo ta kundërshtojnë.
Z. Rama i di të gjitha këto. Ai e di se si mund ta mbajë nën kontroll Partinë Socialiste dhe bën pikërisht këtë. Nga ky aspekt, ai pak dallon nga Sali Berisha, ose nga socialisti renegat Ilir Meta. Këta i kanë parë dhe i shohim partitë e tyre si pronën e vet, me të cilën mund të bëjnë ç’të duan. Shembullin e tyre e kanë imituar edhe kryetarët e partive politike lilipute, atyre që unë i quaj parti-individ (ose individ-parti), parti-familje, ose parti-fantazmë.
Në zenitin e karrierës politike të saj, si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli—tashmë e humbur “pa nam e pa nishan”—ka konfirmuar pikërisht këtë tipar leninist të partisë së saj, duke deklaruar se “nuk ka Parti Demokratike pa Sali Berishën; Berisha është Partia Demokratike”. Majakovski: “Kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini; kur themi Lenini, nënkuptojmë Partia”.
Unë do të dëshiroja që në radhët e socialistëve shqiptarë, me të cilët ndaj simpatitë e mia politike, veçanërisht në radhët e atyre që bëjnë pjesë në forumet dhe në organet drejtuese të kësaj partie, ky mentalitet leninist të ishte i huaj. Një parti politike nuk është kryetari i saj dhe as kryetari i një partie nuk është vetë partia.
Sidoqoftë, nga jashtë, siç e njoh unë atë, në Partinë Socialiste shoh reminishenca të një mentaliteti të tillë. Kryetari nuk gabon. Kryetari nuk mund të kritikohet. Duket se në këtë parti nuk është krijuar ende një klimë e tillë e shëndetshme për demokracinë brenda radhëve të saj, çka do të reflektohej drejtpërsëdrejti në shëndetin e demokracisë dhe në mënyrën e qeverisjes së vendit. Është koha që një klimë e tillë të kultivohet.
3. Humbja e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
Disfata e PS-së në zgjedhjet e ardhshme do e ngarkonte kryetarin e saj me barrën e përgjegjësisë për dështimin në ato zgjedhje dhe do e nxirrte PS-në në opozitë.
Sidoqoftë, mendoj se kjo është realisht e vështirë të ndodhë, për dy arsye kryesore: Së pari, pavarësisht pakënaqësisë në rritje të një pjese të gjerë të popullsisë ndaj mënyrës së qeverisjes, mbështetja popullore për socialistët nuk ka rënë; së dyti, opozita është sot në ditët e saj më të këqija dhe nuk ka as vullnetin, as programin, as kredibilitetin moral e politik, as mënyrat dhe as numrat për t’u bashkuar e për ta kontestuar e rrezikuar seriozisht Partinë Socialiste në zgjedhje.
Duket se ky realitet do të vazhdojë edhe për disa kohë nëse Partia Socialiste nuk gabon në llogaritë e saj dhe nëse kjo qeveri socialiste, ose qeveria socialiste që mund të krijohet pas zgjedhjeve të ardhshme, do të dëshmojnë me prova, jo me fjalë, se di të qeverisë, se politikat e saj orientohen nga—dhe synojnë—mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të mirën publike për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Vendosmëria për të luftuar pa asnjë kompromis korrupsionin në nivelet më të larta të administratës shtetërore dhe në parlament, krimin e organizuar dhe, nga sot e tutje, rezultatet në këtë luftë, do të jenë kuti me të cilin do të maten puna e çdo qeverie dhe shkalla e legjitimitetit të saj.
4. Largimi i detyruar i kryeministrit nga detyra që mban për shkaqe ligjore.
Kjo është diçka që nuk mund ta parashikojmë dhe unë nuk do të dëshiroja që asnjë kryeministër shqiptar të detyrohej të linte detyrën për shkaqe ligjore.
Njëlloj si kryeministri Rama, unë besoj se cilido individ i veshur me pushtet—ministër, anëtar parlamenti, anëtar i cilitdo organ të lartë në institucionet e drejtësisë, ose në administratën shtetërore—që provohet se është i korruptuar, ose i përfshirë në veprimtari kriminale, mban përgjegjësi personale dhe duhet të japë llogari para drejtësisë si një individ.
Por, ndryshe nga kryeministri Rama, unë nuk mendoj se ai vetë, si No. 1 i partisë në pushtet dhe si kreu i qeverisë, është i zhveshur nga çdo përgjegjësi politike e morale për korrupsionin e anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar, të anëtarëve socialistë në parlament dhe të socialistëve që drejtojnë organet e pushtetit vendor në mbarë vendin.
Ata deputetë të korruptuar që kanë përfaqësuar ose përfaqësojnë Partinë Socialiste në organin më të lartë legjislativ, nuk kanë hyrë në parlament nga dritarja; ata kanë hyrë në atë tempull të demokracisë nga lista e partisë së tyre, hartuar, firmosur e vulosur nga kryetari i partisë. Ata ishin—siç janë edhe të tjerët—zgjedhja personale e kryetarit, beniaminët e tij.
Ata anëtarë të kabinetit qeveritar që janë akuzuar, provuar e dënuar për korrupsion nuk u bënë ministra rastësisht (edhe pse në politikë mund të kenë hyrë rastësisht, ndonjë edhe pa pasur fare lidhje me Partinë Socialiste). Ata janë zgjedhur me dorë nga vetë kreu i qeverisë. Ata kanë qenë—siç janë të gjithë anëtarët e kabinetit—zgjedhja personale e kryeministrit, beniaminët e tij.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata kryetarë socialistë të disa bashkive, që janë akuzuar e dënuar për korrupsion. Ata gjithashtu, hynë në zgjedhje me bekimin e kryetarit të Partisë Socialiste dhe fituan me mbështetjen e tij.
Pretendimi i z. Rama se ai nuk mban asnjë përgjegjësi politike e morale për korrupsionin dhe veprimet e jashtëligjshme të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në qeveri, në parlament dhe në bashkitë e vendit është krejt i papërgjegjshëm. Ai është më shumë sesa një tautologji; është kokë e këmbë një sofizëm protosokratik.
MITI I KRYETARIT DHE E VËRTETA QË S’THUHET
Nuk mbaj mend sa vite kanë kaluar nga koha kur z. Rama u rizgjodh kryetar i Partisë Socialiste, pasi fitoi për herë në vitin 2005. Në atë kohë, unë jetoja e punoja në Shtetet e Bashkuara. Ah, po, m’u kujtua. Ai u rizgjodh në krye të PS-së në vitin 2009, në një garë fake me një kandidat të dëshpëruar e të pashpresë, si Maqo Lakrori.
Viti i largët 2009 ishte hera e dytë dhe e fundit që z. Rama ka provuar të kalojë testin e zgjedhjeve për postin e kryetarit të PS-së. Për 15 vite me radhë ai e ka justifikuar e “legjitimuar”—dhe vazhdon ta përligjë—refuzimin për të garuar në zgjedhje përballë kandidatëve të tjerë me argumentin se, “nën udhëheqjen e tij, PS ka fituar shumë beteja elektorale”.
Pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013, kur u bë kryeministër, z. Rama ka mundur ta mbajë drejtimin e qeverisë në duart e PS-së, c’est-à-dire, në duart e tij i pa kontestuar seriozisht jo vetëm nga ndonjë parti politike opozitare, por edhe brenda partisë së tij. Ai krijoi një mit për veten e tij. Mitin e kryetarit të pamposhtur e të pazëvendësueshëm.
Si çdo mit, ai nënkupton një besim, një farë force, ose aftësi të veçanta, të pazakonta, të dallueshme nga ato të njerëzve të tjerë dhe superiore në krahasim me to, që vetëm pak njerëz i kanë, ose mund t’i kenë. Berisha krijoi për veten e tij një mit të ngjashëm, por më malinj.
Mitet krijohen e ruhen sepse gjithnjë ka njerëz që besojnë në to, pa e vënë në punë arsyen kritike. Mitet besohen sepse ata krijohen mbi bazën e disa të vërtetave të pjesshme. Në këtë rast, e vërteta është se Partia Socialiste ka fituar në të gjitha zgjedhjet kombëtare e lokale qysh nga viti 2013.
Miti i krijuar mbi këtë fakt të vërtetë është ai, sipas të cilit, në këto zgjedhje, PS ka fituar sepse në krye të saj ka qenë Edi Rama. Ndërkohë, e vërteta është se, PS do të kishte fituar në të gjitha ato zgjedhje, edhe nëse në krye të saj do të kishte qenë një tjetër njeri, një tjetër socialist që mund të ishte më socialist se Rama.
Me fjalë të tjera, nuk është Partia Socialiste ajo që ka fituar—dhe përfituar—nga prania në të e Edi Ramës dhe nga drejtim i saj prej z. Rama; është z. Rama ai që ka fituar në këto zgjedhje—dhe ka përfituar prej tyre—për shkak të Partisë Socialiste.
Nuk i ka çuar z. Rama—me aftësitë dhe për meritat vetëm të tij—socialistët shqiptarë në disa fitore elektorale radhazi, nga viti 2013 e këtej, por është partia e tyre, Partia Socialiste që e ka ulur z. Rama në karriken e kryeministrit.
Votat e së majtës në Shqipëri nuk janë kryesisht vota për Edi Ramën, ashtu sikurse votat e së djathtës nuk kanë qenë e nuk janë kryesisht vota për Sali Berishën. Ato kanë qenë e janë vota për ato parti politike, në emër të të cilave këta individë kanë konkurruar për pushtet.
BAZA DHE MAJA E PS-SË
Direktiva dhe kërkesat e fundit të z. Rama për të analizuar punën e organizatave bazë të Partisë Socialiste në terren krijojnë përshtypjen se ai synon të afrojë forumet dhe organet drejtuese të PS-së, si dhe politikat e qeverisë së tij, me kërkesat, propozimet dhe nevojat e masës së gjerë të popullsisë.
Unë dyshoj nëse kjo është një dëshirë dhe një përpjekje e sinqertë. Organet drejtuese të PS-së janë elitare dhe vetë marrëdhëniet e z. Rama me bazën e PS-së karakterizohen nga një qëndrim laissez-faire. Ato nuk janë marrëdhënie organike, të qëndrueshme e të vazhdueshme. Kjo mund të mos thuhet për disa nga drejtuesit e lartë të PS-së, që punojnë me bazën në qarqet që janë ngarkuar të drejtojnë, si Erion Braçe apo Fatmir Xhafa.
Kreu i Partisë Socialiste interesohet për bazën dhe “zbret” në bazë shumë rrallë dhe, kryesisht, kur afrohen zgjedhjet e radhës e në kohë fushatash. Atëherë po, ai është unstoppable, i jashtëzakonshëm, por vetëm për sezonin, jo pas tij e jo në vazhdimësi.
Ndërkohë, mënyra dhe mjetet e tij të komunikimit me “bazën”, me qytetarët, me fshatarët, me të rinjtë e këtij vendi, janë kryesisht batutat dhe shakatë (për hir të së vërtetës, disa herë “me kripë”, por shumë herë edhe krejt pa kripë e pa shije)
Së fundmi, batutave të kryeministrit me “bazën u janë shtuar edhe podkastet e tij, ku shqiptarët mund ta kenë parë kreun e qeverisë së tyre të bashkëbisedojë me Luis Ejllin, një personazh “VIP” i konkursit televiziv, si “Big Brother”, një këngëtare si Elvana Gjata, një arqipeshkv apo një “çifti të lumtur”.
Deri më sot nuk kam parë e as kam dëgjuar që kryeministri të angazhohet në një debat serioz e substancial me ekspertët më të mirë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, të kulturës e të jetës shoqërore, me grupet kryesorë të interesit dhe, aq më pak, me masën e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi.
MIRËQENIA E SHQIPTARËVE
Partia Socialiste ka fituar e do të fitojë edhe më tej në të ardhmen, por kjo nuk është reflektuar sa duhet në një rritje të ndjeshme të mirëqenies ekonomike e shpirtërore të masës së gjerë të popullsisë.
Pasi anëtarët e parlamentit e të qeverisë i dyfishuan pagat e tyre në qershorin e vitit të shkuar, qeveria vendosi të rrisë edhe pagat e punonjësve të administratës e të arsimtarëve. Në rastin e parë veproi tinëzisht, duke dëshmuar egocentrizëm dhe duke shkelur Kodin Etik të parlamentit. Në rastin e dytë veproi shumë mirë.
Punonjësit e administratës dhe arsimtaret janë dy grupet më të mëdha të punonjësve buxhetorë në vend dhe nuk është e pamundur të mendohet—e të besohet—se rritja e pagave të tyre ka pasur e ka një prapamendim elektoral. Këto paga më të larta, si dhe ato të ushtarakëve, të punonjësve të policisë e të mjekëve, mund ta ngrenë vërtet nivelin mesatar të pagave në Shqipëri në 900 euro, siç ka premtuar kryeministri.
Ky është një objektiv i mundshëm dhe i mirëpritur, por një tregues i tillë, i mesatarizuar, nuk ndryshon thuajse asgjë për ata mbi 700,000 pensionistë që jetojnë me pensione shumë të ulët, aspak dinjitozë e shumë herë poshtërues për punën dhe sakrificat e tyre të disa dekadave në shërbim të ekonomisë e të zhvillimit të këtij vendi, ndërsa paga minimale vijon të jetë tejet minimale.
ME RAMËN DHE PA TË
Askush, madje as tifozët dhe ndjekësit më fanatikë të z. Rama, nuk mund të jetë aq naivë sa të besojë se, pa të nuk ka Parti Socialiste, ose nuk ka të ardhme për këtë parti; se pa z. Rama PS nuk mund të fitojë dot zgjedhjet; se pa të Shqipëria nuk mund të zhvillojë infrastrukturën e saj, nuk mund të ndërtojë rrugë, ura e tunele, nuk mund të digjitalizohet, nuk mund të bëjë progres në procesin e integrimit europian, nuk mund të luajë atë rol që luan në rajon, nuk do vlerësohet njëlloj në Uashington, nuk do të vizitohet nga miliona turistë të huaj etj., etj.
Të gjitha këto kanë ndodhur e mund të ndodhin edhe pa të. Në fund të fundit, të gjitha këto janë bërë të mundura me paratë, me dijet, me talentet, me mundin dhe me punën e shqiptarëve.
Me këtë nuk dua të them se kryeministri Rama nuk ka meritat e tij në gjithçka të mirë e të dobishme që është bërë dhe është arritur në këta 11 vite që është në kryes të qeverisë. Në asnjë mënyrë jo.
Madje, unë kam shprehur entuziazëm sa herë është bërë, ose është arritur një gjë e mirë për Shqipërinë dhe popullin tonë, brenda vendit dhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën e jashtme, sa herë kam parë e kam prekur ndryshimet pozitive që janë bërë në infrastrukturën e vendit dhe në shërbimet për qytetarët.
Ajo që them—dhe që kam vene re se te shumë njerëz ngjall irritim—është se kryeministri, me narcizmin dhe arrogancën e tij, beson sinqerisht se është Ai—dhe vetëm Ai—të cilit i përket çdo meritë, për çdo arritje, se pas Ismail Qemalit, askush tjetër në këta 112 vite nga koha kur u bëmë një shtet i pavarur, nuk ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët (brenda dhe jashtë Shqipërisë) më shumë se sa ai.
Këto nuk e them unë; këto i thotë dhe i beson vetë kryeministri. Këtu pikërisht unë shoh—me shqetësim—problemin më të madh. Sepse kjo mendësi, ky kult i individit, ky lloj self-aggrandisement të shpien, ose të mbajnë mbërthyer, në mitin për të cilin fola më sipër: Pa mua, Partia Socialiste nuk fiton. Pa mua, socialistët përfundojnë një parti në opozitë. Pa mua, Shqipëria nuk anëtarësohet në BE. Pa mua, faktori shqiptar në Ballkan dobësohet. Pa mua, nuk ka progres.
IRREPLACEABLE IS NO ONE
Ky mit shkërmoqet para një truizmi fare të thjeshtë, të vjetër sa njerëzimi: Nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm. Vërtet një tjetër Leonardo nuk është përsëritur, as një Shekspir, as një ekonomist e një sociolog si Marksi, as një tjetër filozof si Hegeli, as një Darvin, as një Ajnshtajn apo një tjetër Frojd, as një Wilson, një Rusevelt apo një Çërçill, por artet, shkencat, filozofia, teknologjia, format demokratike të qeverisjes nuk kanë mbetur në vend. Progresi i shoqërisë nuk është ndërprerë, as nuk është ngadalësuar. Përkundrazi, është përshpejtuar si kurrë më parë.
Po njëlloj, shoqëria shqiptare—arsimi, ekonomia, shkenca, kultura—kanë bërë përpara. Sistemi i sotëm arsimor nuk është ai që lanë Berisha dhe ministri i tij i arsimit, Myqerem Tafaj.
Ekonomia e vendit, të cilën Berisha e rrënoi në themel, lejoi të shkatërrohej më keq nga sa historia mban mend që nga koha e lëvizjes ludiste në Anglinë e shekullit të 19-të dhe të grabitej nga “të fortët” dhe nga kushdo që mundi, në periudhën e parë marramendëse të tranzicionit, dhe që u desh shumë kohë të rimëkëmbej, ka njohur zhvillim dhe ritme të ndjeshme rritjeje nga viti në vit.
Shkenca shqiptare po integrohet (edhe pse në mënyrë ende modeste) me zhvillimin shkencor e teknologjik botëror; kultura ka marrë më shumë vëmendje e rëndësi.
Por, meritat e individëve të veçantë, sado të shquar të kenë qenë ose të jenë ata dhe sado që t’i kenë ndihmuar progresit ekonomik, kulturor e shoqëror—në asnjë rast nuk përcaktojnë fatet e shoqërisë ose të një vendi.
ÇDOKUSH NGA NE ËSHTË I PAZËVENDËSUESHËM
Askush nuk është i pazëvendësueshëm—ose, në një mënyrë a në një tjetër, çdokush është i tillë.
Në vend që të vazhdojë të mendojë e të besojë se është i pazëvendësueshëm, kryeministri Rama sugjerohet të mendojë e të veprojë në atë mënyrë, që të mbahet mend për mirë, nga shumica e shqiptarëve, jo të mbahet mend sa gjatë qëndroi në pushtet.
Të mbahet mend për mirë nga pjesa më e madhe e këtij populli, që duke votuar për Partinë Socialiste, si edhe vetë autori i këtyre radhëve, kanë bërë të mundur që ai të bëhet kryeministri i Shqipërisë, duke i besuar administrimin e nevojave e të fateve tona si qytetarë.
Unë besoj sinqerisht se në radhët e Partisë Socialiste ka individë, të cilët, njëlloj si z. Rama, ndonjë edhe më mirë se ai—sepse mund të jenë më mirë të arsimuar ose më të talentuar—dinë dhe mund të bëjnë për Shqipërinë dhe shqiptarët, mbështetur në gjithçka të mirë që është arritur deri më sot, çfarëdo që është në të mirë të tyre dhe një imperativ i kohës që jetojmë. Dhe i kohëve që presim të vijnë.
(15 shkurt 2024)
Shënim i Redaksisë: Këtë analizë kritike Prof. Tarifa e ka shkruar afërsisht dy vite më parë, më 15 shkurt 2024, por nuk e botoi në atë kohë. Vendosi ta botojë sot. Kjo Redaksi vë re se analizat dhe parashikimet e autorit në këtë artikull, si edhe më parë, janë të sakta dhe tingëllojnë mjaft aktuale edhe sot.
