Albert HABAZAJ
Hajredin Bylyshi është figurë historike e kombit shqiptar, Hero i Luftës ANÇ, trajtuar edhe në botimet e nivelit akademik. Bibliografia e tij është e pasur, me dhjetëra e dhjetëra shkrime, reportazhe, këngë e poezi i janë kushtuar atij ylli të pashuar, Heroit të Lirisë, Hajredin Bylyshi. Publicisti Kleo Lati, me origjinë nga Dhërmiu i të madhit Petro Marko ka botuar monografinë “Heronjtë e Topanasë”, e cila, në vitin 1978, u nderua me Çmimin Parë, në konkursin kombëtar letraro – artistik të shpallur për nder të 35 vjetorit të krijimit të Ushtrisë.
Publicisti veteran Hysni Berdaj, qysh në vitin 1974, përgatiti dhe botoi librin “Ata janë të pavdekshëm”, me materiale të mbledhura për 60 dëshmorët e Tërbaçit dhe e cilëson ballin e djemve të Tërbaçit, Hajredin Bylyshin, “shembull i lartë heroizmi”. Ndër katër heronjtë e Tërbaçit, që nderojmë sot, në kuadër të 78 vjetorit të Çlirimit të Atdheut: Halim Xhelo vdiq në Moskë, nga operacioni për meningjit (nga sëmundja apo i helmuar?!…) në moshën 43 vjeçare; Hysni Kapo u plagos në luftën e Drashovicës dhe ajo plagë është vulë trimërie, por vdiq në Paris dhe mori dhè në Shqipëri më 23. 09 1979 (nga sëmundja apo i helmuar?!…); Vehbi Hoxha luftoi, jetoi, drejtoi dhe pleqëroi, duke bërë një vdekje natyrore; ndërsa Hajredin Bylyshi, ndryshe nga tre të parët, vetëm 22 vjeç, si lule e lirisë bëri sakrificën më sublime që mund të bëjë njeriu, fali gjakun për Atdhe, ra në luftën për Çlirim. Me Dekret Nr. 4600, Tiranë, më 22.11.1969, Presidiumi i Kuvendit Popullor i jep (pas vdekjes) TITULLIN “HERO I POPULLIT” Hajredin Bylyshit, Mumin Selamit, Barjam Tushit dhe Hiqmet Buzit: me këtë motivacion: “Në një shtëpi të vogël në lagjen e varfër të Topanasë në Vlorë katër të rinj komunistë Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Bajram Tushi e Hiqmet Buzi, shkruan një epope të vërtetë. Të rrethuar nga më shumë se 400 fashistë ata nuk iu dorëzuan armikut, por iu përgjigjën thirrjeve dhe plumbave të tyre me plumba dhe granata. Me luftën, trimërinë dhe guximin e tyre, duke dhënë jetën për çështjen e madhe të partisë, për popullin dhe Atdheun ata bënë heroizma dhe janë të pavdekshëm”.
Emrin e Hajredin Bylyshit dhe jetëshkrimin e tij të shqueshëm trimëror e gjejmë qysh në botimin e parë të nivelit akademik “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH, Tiranë, 1985, f.137, me kryeredaktor të ndritshmin Aleks Buda.
E gjejmë dhe në botimin më të ri, më të fundit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në librin “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, vëll.1, 2008, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë janë rivështruar, ripunuar e plotësuar zërat persona me vlerë reale ose veprimtari të spikatur. Aty shkruhet: “Bylyshi, Hajredin (1920-1942). Pjesëmarrës i Luftës ANÇ, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Tërbaç (Vlorë). Pushtimi fashist e gjeti nxënës në Shkollën Tregtare të Vlorës, ku u aktivizua në lëvizjen antifashiste të rinisë shkollore ndaj u përjashtua nga shkolla për një kohë. Me themelimin e PKSH përqafoi idetë e saj dhe u përfshi në radhët e organizatës së Rinisë Komuniste të Shkollës Tregtare (1942). Punoi për mobilizimin e të rinjve të qytetit e të fshatit në luftën çlirimtare. Shtëpia e tij në lagjen Tophana u kthye në një bazë të PKSH dhe të teknikës së saj. Ra në sy të armikut dhe u detyrua të hidhej në ilegalitet (1942). U vra më 18. 10. 1942”. Katër Diva të bukur lirie me katërqind ciklopë të zinj pushtimi e kthyen në fortesë të pamposhtur shqiptare atë shtëpi prej qerpiçi në Topana dhe u futën në histori.
Historia e Shqipërisë njeh e vlerëson edhe heronj në grup, të cilët memoria sociale i ruan në kujtesë dhe transmenton respektin e nderimin brezave për ta, duke i cilësuar: 4 Heroinat e Mirditës, 3 Heronjtë e Shkodrës, 5 Heronjtë e Vigut, 3 Heronjtë e Kodrës së Kuqe (në fakt, ishin 4 me gjithë vranishnjotin Muharrem Llanaj, që fatlumturisht shpëtoi, por e heshtën…), 4 Heronjtë e Topanasë… “Të rinjtë H. Bylyshi, M. Selami, B. Tushi dhe H. Buzi ishin pjesëmarrës të Luftës ANÇ, Heronj të Popullit. Natën e 18-19 Tetorit 1942 u gjendën të rrethuar nga forcat fashiste në një shtëpi në lagjen Tophana të Vlorës, bazë ilegale e PKSH. Të rinjtë vendosën të çanin rrethimin dhe përmes zjarrit të dendur të armikut u sulën njëri pas tjetrit kundër fashistëve me revolverë e bomba dore. Të katër u vranë duke luftuar. Akti i tyre pati jehonë jo vetëm në Vlorë, por në gjithë Shqipërinë”.
Vjeshta për shqiptarët, për Shqipërinë ka një simbolikë të veçantë. Vjeshta për ne ka ngjyrë lirie, është simbol i lirisë dhe si e tillë meriton mirënjohje e nderim, si dhe na kërkon realizim të detyrave, që na takojnë secilit më vete e të gjithëve së bashku.
Ata ishin 4 shokë, u bënë 4 dëshmorë, janë e do të jenë në jetë të jetëve 4 heronj.
Është një këngë që këndohet: “Lule, more trima, që ratë për Atdhe!..”, unë e vijoj sotmërisht: “Ju e bëtë detyrën/ Çfarë po bëjmë ne?!”
Ne i dimë fatet e heronjve tanë, ndaj edhe vendosja e bëmave dhe e veprës së tyre në të njëjtin rrafsh, mbetet kryesisht një mirëdashje për heroizmin dhe ekzistencën e tyre, si pjesë e së tërës, por jo si pjesë e trajtimit në një ligjërim kritik, mbështetur në vlerat dhe veprat diturore, çka do të bëhet i vlefshëm për të ndërtuar pjesë të historisë apo të kulturës sonë të vërtetueshme.
Heroizmi i Hajredin Bylyshit ishte me përmasa tronditëse, krahasuar me biografinë e tij të thjeshtë. Atë ditë tetori, 18 ishte data, pikërisht 80 vjet më parë. Vetëm 22 vjeçar, ç’pjekuri e parakohëshme?! Duket paradoksale thënia “Ishte më i madhi në moshë nga bashkëluftëtarët, të ndodhur në atë çerdhe dhe strehë ilegalësh, që u bë kështjellë në atë ndajtëgdhire: me Muminin, Bajramin, si dhe të voglin, Hiqmetin vetëm 15-vjeçar…
Katër shokë ideali, në lule të rinisë, me ëndrrën më të bukur për kohën dhe moshën, për një Shqipëri të lirë, për një shoqëri vëllazërore, pa shtypës dhe shfrytëzues. A kishte ëndërr më të bukur?! A ka?! Vallë, a do të ketë bij në këtë planet?!..
Po përcjellim për lexuesin e “Ditës” një jetëshkrim të thjeshtë të tërbaçiotit idealist me ëndrra të kaltar lirie, tonit Hajredin Bylyshi:
- i pari dëshmor i fshatit;
- lindi në një familje të thjeshtë fshatare, në vatrën e Merushe dhe Nuro Bylyshit;
- i shkathët, i zgjuar nga natyra;
- shkollën fillore e mbaroi me nota shumë të mira;
- me dëshirën për ta shkolluar familja shtrëngoi rripin dhe e dërgoi në Shkollën Tregtare në Vlorë;
- bujtte në lagjen Topana, në një familje të varfër dhe nënë Duda e mbante si birin e saj, duke i vlerësuar karakterin e tij të drejtë, dhembshurinë dhe çiltërsinë;
- përfshihet në veprimtari revolucionare;
- përjashtohet nga shkolla me motivacion “i rrezikshëm politik”;
- në kërkim të pak të ardhurave shkon në Kuçovë dhe punon për një kohë, për t’u kthyer përsëri në Vlorë, më 1941;
- ribashkohet me grupin revolucionar, është ndër aktivistët kryesorë të demonstratës së 28 Nëntorit; e ndjekin, e arrestojnë, e torturojnë, por zjarrin e lirisë s’ia fikin dot dhe ai vijon veprimtarinë për çlirimin e vendit, duke u bërë shembull vetmohimi.
- Nata e 18 Tetorit 1942, pasi ra këmbana e sahatit të qytetit tre herë, u nxi më zi nga thirrja e fëlliqur e spiunit: “Hapeni, se jemi shokë”, sepse spiunët u prinin 400 karabinierëve fashistë. Hajredini me shokë e kuptuan, se ishin të rrethuar, I dhanë besën njeri – tjetrit dhe idealit të lartë të lirisë. Ata e shkruan me gjakun e tyre historinë, se ‘mbi kockat e martirëve ngrihet Atdheu”.
Hajredin Bylyshi është edhe një emër i dashur e i kulluar në gjirin e gurrës popullore, sepse ai fluturon si një legjenë në krahët e këngës labe të Tërbaçit: “Këndon birbili në majë/ për të gjithë ata dëshmorë/ kush ësht’ vrarë më i pari/ Aredin Nurua në Vlorë…!”. Populli i kujton me nderim Heronjtë e Topanasë dhe i këndon: “Katër diva trimërie/
Flakë e ndezën Topananë,/ Katër zemra, zjarr stuhie,/ peshë e ngritën kasahbanë”.
Ata janë të pavdekshëm si vetë populli: “Përdhesë e vogël në Topana/ Kishte mure kallamash, por u bë kala,/ Se zemra e trimit që di pse vdes/ Është më e fortë se çdo fortesë.”. Poeti partizan Hamdi Hodo, qysh kur mori mandatën e shokëve të tij, i qau me këngë: “Një dhomë e vogël në Vlorë,/ Më kujtohet ajo natë./ Lufton Hajredin Bylyshi,/ Vet’ i tret’si një brigadë./ Fashizmit i humbtë fara,/ Ç’i rrethoi në mesnatë/ Luftojn’ heronjt’ e rinisë/ Me revole, me granatë./ O shtëpia e vegjëlisë,/ Ç’u ktheve në barrikadë./ Bien si kallëz armiqtë,/ Ndizet Vlora tym e flakë,/ Pa derdhet çelik mbi djemtë,/ Përdoret murtajë e tank./ S’jepen heronjt’ e Shqiprisë,/ Mbi armiqtë marrin hak,/ Lapidarë të lirisë,/ Rrënjët e balli në gjak,/ Hajredini me Muminë,/ Hiqmet Buzi i Vlonjat./ Bashkë me Bajram Qamilë/ Të katër, yje të zjarrtë”.

Mirënjohje për botimin e këtij shkrimi nderimtarie për 4 Heronjtë e Topanasë, që, si gjithë yjet e pashuar, janë të pavdekshëm në kujtesën tonë. Ata dhanë jetën për liri, se ishin të pastër dhe kishin një ideal të lartë, ndërsa derrat e dosat ta marrin lirinë për jetën dhe monopolet e tyre se kanë gjak të fëlliqur dhe janë pa ideal.
Paç shëndet e mirësi, o Xhevdet Shehu!
Bravo Berti..kush punon guxon dhe kush eshte me i zoti e tregon ..lavdi heronjve te Topanase. Te mos harrojme nga vijme..qofshi mire
0