Nga Auron Tare
Kishin kaluar vetëm 10 vjet nga arritja më e madhe e njerëzimit. Vëllezërit Montgolfier në Paris kishin tentuar diçka të paimagjinueshme duke fluturuar përpara një turme të madhe që ishte mbledhur për të parë këtë spektakël të pabesueshëm.
Në afërsi të Pallatit të Ali Pashës në Janinë, i gjithë qyteti ishte mbledhur për të parë një spektakël të organizuar nga sundimtari i famshëm shqiptar Ali Pasha i Tepelenës. Një Balone me ajër të nxehtë do të fluturonte në Janinë.
Ishte viti 1803 dhe djali i preferuar i Ali Pashës, Sali Beu, po martohej me një vajzë shqiptare vendase. Sundimtari i famshëm i Vilajetit të Janinës dhe Trikallës (Greqia Veriore dhe Shqipëria e Jugut) kishte organizuar nje shfaqje për të gjithë nënshtetasit e tij.
Fluturimin me një balonë me ajer të nxehtë në këtë krahinë osmane ishte diçka e përmasave të mëdha që nuk kishte ndodhur as në kryeqytetin e perandorisë, Stamboll.
“Aliu kishte dëgjuar se nje fluturim i tille është bërë në Paris dhe donte të bëhet edhe në vendin e tij…” Falë dëshmitarit të kësaj dite, poetit të njohur të oborrit Ioannis Vilaras, dimë dicka më shumë pasi ngjarja nuk është regjistruar dhe nuk dihet mjaftueshem për këtë spektakël madhështor.
Qyteti dhe personalitetet, përfshirë Haremin e Aliut, ishin mbledhur në fushën jashtë kalasë rreth kishes Agiou Nikolaus, ndoshta në të njëjtin vend ku ndodhet tani aeroporti i Janinës. Njerëzit e zgjedhur për këtë mision ishin Papahamos, një minator argjendi nga Kalavrytes, dy nga argjendaret e Aliut, Kontojani dhe Kurti, një i afërm i Ioannis Koletti, mjeku i Ali Pashës dhe spiuni i famshëm Aliut, Nikola Iagos.
Balona me ajer ishte përgatitur per shfaqen e mezipritur por për shkak të papërvojës dhe ndoshta mungesës së njohurive teknike nga ata qe po merreshin me te, ka marrë flakë dhe në pak minuta është bërë hi. Spektatoret duke pare zjarrin filluan të ikin me vrap dhe sipas Vilaras i cili ndodhej mes turmes nusja nisi të qante pasi djegia e balonës mund te ishte marrë si ogur i keq për dasmën e saj.
Ali Pasha i zhgënjyer thellë u largua nga fusha dhe u kthye në pallat. Vilaras shkroi një poezi satirike për të gjithë këtë çështje, por as ai dhe askush tjetër nuk e dinin se në fakt përpjekja për të fluturuar me Balonë në Janinë ishte një arritje e madhe e bërë nga Ali Pashë Tepeleni.

Ndonëse Balona në Janinë dukej si një spektakël dasme për turmën, në Evropë dhe më gjerë ideja e balonës me ajer të nxehte përdorur në luftë po fermentohej me shpejtësi. Një nga figurat kryesore të kohës që i kushtoi një vëmendje të veçantë balonave me ajer të nxehtë ishte jo më pak por vete Benjamin Franklin, i cili kishte qenë i pranishëm në spektaklin mbretërore në Versaje nga vëllezërit Montgolfier.
Jo shumë kohë më vonë, ai i shkroi një miku në Amerikë: “Pesë mijë balona, të afta për të ngritur nga dy burra secila, nuk mund të kushtonin më shumë se sa të kishin anije; dhe ku është ai gjeneral që mund të përballojë një gjë të tillë për të mbuluar vendin e tij me trupa për mbrojtjen e tij, pasi dhjetë mijë burra që zbresin nga retë mund të bëjnë nje dem të pafundme, përpara se të mblidhej një forcë për t’i zmbrapsur ata”
Megjithatë, ideja e një force ajrore vazhdon të përhapet në Evropë. Në vitin 1803, John Money, një nga aeronautët e parë të Anglisë, i kërkoi Ushtrisë Britanike të adoptonte balona në operacionet e tyre në terren. Në pamfletin e tij të përhapur gjerësisht, “Një traktat i shkurtër mbi përdorimin e balonave dhe Observatorit në terren në ushtri” ai argumenton për përdorimin e balonave me ajër të nxehtë në luftërat e ardhshme në Evropë.
Duhet thënë se fluturimi i parë në Amerikë kishte ndodhur vetëm 10 vjet më parë nga përpjekja e Ali Pashës për të fluturuar me balonën e tij në Janinë. Fatkeqësisht, përpjekja për fluturim në Janinë u ndërpre nga aksidenti, megjithatë vizioni i tij për të pasur një balonë të nxehtë në oborrin e tij e bën atë një nga pionierët e hershëm të fluturimit në historinë shqiptare.
