Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Gjimnazi historik i Shkodrës dhe studenti Nasho Jorgaqi, në vitet 1947-1951
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Gjimnazi historik i Shkodrës dhe studenti Nasho Jorgaqi, në vitet 1947-1951
Kulture

Gjimnazi historik i Shkodrës dhe studenti Nasho Jorgaqi, në vitet 1947-1951

Published: October 28, 2022
Shpërndaje

Jovan Bizhyti

 

Shkrimtari dhe studiuesi Prof. Nasho Jorgaqi, ka pak javë që është ndarë nga jeta, por veprat dhe kujtimet e tij, kjo e fundit në dorëshkrim, janë një thesar me vlera historike e kulturore, që evokojnë periudha e mjedise të veçanta, të cilat shfletojnë kohën mbi 75 vjeçare, duke na sjell në ditët e sotme ngjarje e personalitete historike të kohës. Në rrugëtimin e tij të shkollimit, ishte dhe gjimnazi historiki Shkodrës, një institucion me shumë emër në ato kohë, ku ai hodhi bazat e arsimimit dhe ku në kujtimet e mbresat e tij, na sjellë të gjallë kohëne mbarsur me histori dhe personalitete të kohës.

- Publicitet -

Ndërsa makina shkonte drejtë veriut, nëpër një rrugë të pa njohur për të, studenti 16 vjeçar, Nasho Jorgaqi, rrinte i ulur në sediljen e një autobuzi dhe mendonte për rrugëtimin e ri të tij, vitet e shkollimit që e prisnin dhe për qytetin e Shkodrës, ku nuk njihte jo vetëm qytetin, por asnjeri veç nënë Lokes, një mikeshë e familjes, që e kish takuar vetëm njëherë dhe kishte me vete adresën e saj, që ia kish dhënë babai dhe dy letra për miqtë e tij shkodranë, njeri mysliman dhe tjetri katolik, që siç i tha babai, do t’i drejtohej atyre për çdo hallë e nevojë që do kishte.

Kur po i afrohej urës së Bunës, iu shfaq madhështore Kalaja e Rozafës, ndërsa në dy krahët rrethues, dy lumenjtë Buna dhe Drini, që veç bukurisë mjedisore, sillnin dhe begati me ujin e pa shtershëm të tyre. Por kjopamje iu turbullua sapo autobuzi hyri në qytet, pasi gjithçka që shihtepoi dukej krejt e panjohur. Fiksoi në mendjen e tij, mbresën e papritur që i la madhështia e qytetit, rrugët e rrugicat e shumta, shtëpitë karakteristike, kambanoret e kishave dhe minaret e xhamive, pa harruar ndërtesën e madhe të selisë së Komitetit Ekzekutiv dhe një ndërtesë gjatoshe përkarshi, që mesa mori vesh më vonë, ishte Gjimnazi i Shtetit, “29 nëntori”. Kjo do të ishte shkolla që ai do studjonte, për të cilën kish ardhur nga larg, nga Myzeqeja.

Kur zbriti nga autobuzi, me një valixhe dërrase në dorë, qëndroi dhe vështronte gjithë habi. Ai shkruan në kujtimet e tij:“Nuk dija ç’të bëja! I habitur siç isha, ndjehesha krejt i huaj si në një vend të pa njohur. Hodha vështrimin rreth e qarkë dhe nuk po vendosja nga t’ianisja. Asnjëherë nuk kisha ndjerë kësisoj peshën e vetmisë dhe të braktisjes në këtë situatë ku gjendesha. Më dukej sikur isha rrethuar nga një mjergull e dendur dhe qendroja në vend pa lëvizur, pa arritur të orientohesha, aq sa nuk guxoja të pyesja njeri, sepse mesa dëgjoja, njerëzit përqark flisnin një shqipe të rëndë, që unë herë-herë s’e merja vesh”.

Mendoi të shkonte drejtë shkollës, por në duar i rëndonin bagazhet. Atëhere, eci nga t’a çonin këmbët dhe kështu doli në rrugën kryesore, që më vonë e mori vesh se atë e thërrisnin “Rruga e Madhe” dhe çuditërisht, ajo ndante lagjen katolike nga lagja myslimane. Ishte habia e parë, e padëgjuar ndonjëherë, por kjo s’ishte e fundit. Shkodrën si qytet do t’a zbulonte dhe njihte vërtetë në vitet më pas dhe kjo qëlloi në moshën kur po hidhte shtat dhe po niste formimi i tij. Ai në këto kujtime shkruan: “Shkodra, kështu u bë fati im i adoleshencës dhe rinisë sime të parë. Ndoshta asnjë qytet nuk do të më jepte atë që më dha Shkodra. Një qytet me histori mijëra vjeçare, kryeqendra e shtetit të parë Ilir, qyteti i mbretit Genti dhe mbretëreshës Teuta, qendra e institucioneve të para shtetërore e dokumentuar me statute e ligje laike-qytetare e jo fetare, vatër e fiseve të shquara të Balshajve, më vonë dhe të Bushatllinjve, që kristalizuan feudalizmin e tyre shqiptarë, për të mos harruar kryengritjet antiosmane nëpër shekuj, kalaja e fundit e rezistencës shqiptare kundër pushtimit otoman dhe një nga trevat kryesore të Rilindjes sonë Kombëtare. Shkodra do të bëhej një nga trevat më të hershme e më pjellore të kulturës, të arteve dhe letërsisë dhe e fjalës së shkruar shqipe”.

E pra, ai po vinte në këtë qytet të lashtë të historisë e të qytetrimit shqiptar, pa i ditur këto e sa e sa vlera të tjera, që do t’i mësonte me kohë dhe do të ushqehej e formohej duke u rritur. Ndërsa kur shkeli si adoleshent, vetëm sa do të ballafaqohej me madhështinë e atij qyteti sa të hijshëm aq dhe hijerëndë, që s’i kishte parë e ndjerë deri atëherë.

Sigurisht, këto ishin mbresa kalimtare, sepse gjithë vëmendja dhe preokupimi atë ditë, ishte si të gjente shtegun në morinë e rrugëve dhe rrugicave që të çonin në konviktin e shkollës. Dhe më në fund pas shumë mundimesh, pasi përshkoi “Rrugën e Madhe” dhe arritinë “Dugajtë e Reja”, aty i treguan një rrugicë relativisht të ngushtë, me dyqane në të dy krahët që quhej “Gjykadol”, që të çonte te “Kisha e Madhe”. Në atë rrugicë do të hynte për të gjetur konviktin. Dhe me të pyetur, nga mezi i “Gjykadolit”, një grua i tregoi një rrugicë në krahë të djathtë, ku në fillim të saj ngrihej ndërtesa e konviktit, që para çlirimit kish qenë “Kuvendi i Motrave Stigmatine” dhe tani ishte konvikti i gjimnazit të shtetit.

Kështu, studenti Nasho Jorgaqi, u gjendë para një porte të madhe të mbyllur, që iu desh të trokas disa herë sa ia hapi një burrë gjataman, që në heshtje e ftoi brenda. Ai ishte portieri dhe të vetmen fjalë që i tha ishte:

-Pse kaq vonë more djalë?- dhe i mori valixhen nga dora eia nxori në oborrine rrethuar me një mur të lartë. Në kujtimet e tij, Nashua shkruan: “M’u duk sikur po hyja në një manastir, kur pa pritur u dëgjuan tingujt e zhurmshëm të një kambane dhe pas saj zëra të gëzuar të konviktorëve, që dilnin në pushim pas orës së studimeve të pasditës. Menjiherë u gjenda në vështrimin e tyre aq sa u hutova. Veç kur dëgjoj disa zëra të njohura, që më thërrisnin me emër. Ishin shokë të mi nga Fieri si: Viktori, Rustemi, Kastrioti e tjerë, të cilët erdhën më përqafuan e më uruan mirëseardhjen. Pas tyre erdhën dhe të tjerë që s’i njihja, por më erdhi mirë dhe u qetësova. Ndjeva se tash e tutje s’do të isha më vetëm”.

Pas tyre, u prezantua kujdestari i konviktit, i cili e mori dhe e sistemoi në një nga dhomat e mëdha të gjumit, në një krevat afër derës. Pastaj, Nashua u bashkua me shokët, ata i treguan ambjentet e konviktit dhe ambjentet e tjera për rreth.-”Ishte një ngrehinë e madhe,- shkruan ai,- sikur të ishte manastir, me ca koridore të ngushta e kënde që s’dija se ç’ishin, me dhoma e salla gati pa fund, që plotësonin nevojat e konviktorëve djem dhe vajza nga gjithë vendi. Pjesë e tyre u bëra dhe unë. Sigurisht, ditët e para nuk ishin të lehta, binim e zgjoheshim me kambana, studionim me orë të caktuara, kurse liri-dalje kishim vetëm ditët e pushimeve. Në shkollë niseshim në rresht dhe përshkonim “Rrugën e Madhe”, duke kënduar këngë revolucionare”.

Kishte disiplinë të rreptë dhe veç kujdestarëve, ndihmonte dhe këshilli i kulturës i zgjedhur prej nxënësve. Konviktorët ishin të moshave të ndryshme. Nga adoleshentë të klasave të para, e deri të rritur mbi njëzetë vjeç, kryesisht maturantë, disa nga të cilët kishin qenë dhe partizanë. Atmosfera e konviktit ishte gazmore,ku zotëronte rinia, po këtë e gjallëronte më shumë autoparlanti,aty në një kënd të oborrit, që jepte muzikë në orë të caktuara, por dhe humorë në orën gazmore.

-“Ditët e para ndjeja mall për familjen,- shkruan Nashua. Shokët më thoshin se duhet të shkëputesha nga e kaluara, të shkarkohesha nga malli për shtëpinë dhe shoqërinë e vjetër fëminore. I vetmi kontakt ishte letërkëmbimi dhe rrallë herë komunikimi me telefon në kabinat e postës. Letrat e babait qenë të përmbajtura, plotë këshilla dhe porosi e në mes tyre dhe nota malli që i zgjohej nga distanca që tani na ndante. Kujdesi dhe meraku i shtëpisë arrinte deri atje, sa nuk vonoi që të arrinin pakot e para me ushqime dhe veshmbathje, deri dhe bukë të thatë, nga që buka atëhere ishte me triska dhe s’na mjaftonte.Mallin e Fierit, ma lumturonin dhe letrat e shokëve, sidomos të Harillas dhe Pipit, i pari më qante hallin e babait të tij, që e kishin futur në burg me që s’kish paguar tatim-taksat e luftës, kurse i dyti, më shkruante për dashurinë e tij që s’po i ecte mbarë. Merrja dhe ndonjë letër rekomande nga një mike e ime plotë dashuri e mall, madje nuk i mungonin dhe lotët që kishin rënë mbi fjalët e shkruara aq bukur”.

Në muajin e parë, mërzitjen ia shtonin ditët dhe netët me shi, që s’kishin të sosur në Shkodër, për të cilën tregonin dhe një anegdotë për një të ardhur që pat ndenjur pak kohë në Shkodër dhe pasi ishte larguar, disa vjet më vonë takon një shkodran dhe e pyet:

-Pashë zotin, a ka pushuar shiu në Shkodër? Këtë situatë po përjetonte dhe Nashua në fillim. Erdhën pastaj muajtë e dimrit me ngrica e dëborë, me shira dhe erë të ftohtë dhe kjo situatë nuk ishte e lehtë për djaloshin adoleshent që vinte nga Myzeqeja plotë diell e me klimë të butë. Në këtë klimë të egër dhe atmosferë të zymtë, shtohej dhe ushqimi i pakët dhe i dobët.-“Na mbinë lakrat dhe fasulet në stomak,- shkruan ai në këto kujtime. Për më tepër, buka ishte me racion, sepse ishte në fuqi sistemi i triskëtimit. Isha gjithnjë i uritur dhe e mbaja veten me gështenja të zjera që shiteshin në rrugë”.

Por kish disa konviktorë që u vinin rregullisht pako me ushqime të bollshme nga shtëpia, që dhe i ndanin me shokët e dhomës, por ishte dhe një ekzemplar i veçantë, që ngrihej natën kur të tjerët flinin dhe i hante ushqimet në errësirë, ose rasti i T. që shkonte e i hante ato në WC, fshehurazi nga shokët dhe kur u diktua, u bë gazi i konviktit për ditë të tëra.

Personeli i konviktit përbëhej nga njerëz të zgjedhur, të kujdesshëm dhe të sjellshëm. Nashua nuk i harroitë kujtoj drejtorët e konviktit, që nga Terezina Ashta, një grua e pjekur dhe e dashur, që u bë nëna e tyre e përbashkët, e deri tek Melo Beci, një burrë shkodran serioz dhe kërkues, por i thjeshtë dhe komunikues me konviktorët. Por më i dashur ishte krye kujdestari, Ahmet Spaho, një burrë i vjetër i shkolluar, ish partizan, që nuk dinte kurr të bërtiste apo të ndëshkonte, por gjithnjë me fjalë të buta atërore si prind për çdo gjë.

Personazhi më original i personelit, që i kish lënë mbresa, ishte portieri i konviktit, një burrë i shkuar në moshë, nga familje e njohur shkodrane e Gjylbegasve të Shkodrës, që kish studiuar në Austri dhe gjithë kohën e kalonte duke lexuar libra gjermanisht dhe rrinte në dhomën e tij të portjerit me xhamllëk pranë portës hyrëse të konviktit. Fliste pak ose aspak, me një zë të ulët e të mekët, që as sytë nuk i ngrinte sa herë hapej e mbyllej porta, e aq më tepër nuk u dëgjua asnjëherë të qortonte njeri. Gjithnjë kështu me librat mbi tavolinë.

Megjithëse liridalja ishte me ditë dhe orë të caktuara, por dëshira e studentave ishte të dilnin më shpesh për të njohur qytetin. Nashos në fillim iu gjend një shok Shkodran, Keli, që kish ardhur në konvikt nga “Shtëpia e Fëmijës”.-“Ai u bë rrëfyesi i parë me rrëfimet e tij për t’u njohur me Shkodrën,- shkruan Nashua. Aq shumë u tërhoqa nga eskursionet që bënim nëpër qytet, sa shkelnim dhe rregulloren dhe futeshim në konvikt duke kapërcyer dhe murin e oborrit. Kishte raste që na çonin të organizuar në kinema, që ndodhej në anën tjetër të rrugës sonë, ku kemi parë plotë filma të huaj, në radhë të parë ata sovjetikë si: “Më pritë”, “A. Nevski”, “Pushkini” e tjerë, por dhe ndonjë filëm jugosllavë”.

Afër konviktit, gjëndej ish “Salloni i Jezuitëve”, që atëhere shërbente si teatër ku jepeshin shfaqje dramatike dhe koncerte.-“Atje,- shkruan Nashua, kam dëgjuar për herë të parë muzikë klasike, siç do të shihja në skenë dhe kryevepra të dramaturgjisë botërore si: “Kopraci” i Molierit, “Fejesa” e Çehovit e tjera. Madje më futën dhe në korin e gjimnazit, ku shkoja çdo pasdite për të marë pjesë në prova që dirigjonte Prenk Jakova. Me këtë rast u njoha me mjeshtrin shkodran, me pasionin e këtij qyteti për muzikën dhe artet, me humorin dhe natyrën e tyre gazmore, por dhe me vajzat shkodrane, aq të hijshme dhe të shoqërueshme”.

Nashua, nuk e pati të lehtë të ambjentohej dhe me të folmen shkodrane, aq më tepër të kuptonte disa fjalë e shprehje që përdornin shkodranët. Që në kontaktin e parë në klasë, u ndeshë me përshëndetjen, “Si ke njeh”? (Si u gdhive)? Ose, “E paske tabaren e bukur”! Ishte fjala për pallton e gjatë të dimrit e tjera. Nisi të ndryshoj në ndonjë rast dhe të folmen, duke zëvëndësuar foljen, “është” me “ashtë”, aq sa shokët vendas filluan të buzëqeshnin, siç do të qeshnin dhe njerëzit e familjes kur u kthye për pushime në shtëpi.

“Mua më pëlqente që isha bërë pak shkodran,- shkruan Nashua,- kisha pasuruar shqipen time me element të shkodranishtes. Dhe të them të drejtën, për këtë do të më ndihmonte shoqëria me vajzat e klasës. Ky ndryshim gjuhësor i imi u duk dhe me letrat që i shkruaja familjes dhe miqëve. Pasurimi i gjuhës sime vinte në radhë të parë nga mjedisi i shkollës, po akoma më shumë nga atmosfera gazmore e qytetit. Nuk besoj të ketë qytet tjetër në Shqipëri më gazmor se Shkodra. Do të më tërhiqte që në fillim gjallëria dhe mjedisi shkodranë, bisedat me tone gazmore, gazi spontan, humori i pa përsëritshëm dhe tepër karakteristikë”.

Në këtë atmosferë, ndikonin dhe lokalet e natës që vlonin nga muzika shkodrane, serenatat e të rinjëve, shfaqet teatrale, akoma më shumë shfaqet e estradës plotë humor, mbrëmjet e vallëzimit e tjera. Rodio Shkodra, që jepte aq shumë muzikë dhe e shpërndante nëpërmjet autoparlanteve vendosur në qendër të qytetit dhe gjetkë.-“Unë,- shkruan Nashua, u dashurova pas zërave të B. Ndojës, M. Sokoli, N. Hoxha, L. Milotit e tjerë. Siç ndiqja me aq qejf emisionet humoristike të djelave në mesditë që jepte Radio Shkodra dhe i bënte njerëzit të ndaleshin para autoparlanteve”.

Por, ai në kujtimet e tij, nuk rri pa evokuar dhe anën tjetër të realitetit të Shkodrës të viteve të para të pas luftës. Pas atmosferës së jetës qytetare, ndihej ftohtësia dhe reagimi i brendshëm i shtresave të përmbysura, e indiferenca dhe heshtja e një pjese të intelektualëve, ku ndiheshin gjurmët e zonave të ftohta që kish zotëruar reaksioni gjatë pushtimit nazi-fashist. Një pjesë e elmentëve kolaboracionistë ishin tërhequr në fshahtësi dhe qenë bashkuar me forcat konservatore e patriarkale në zona të Malësisë së Mbi Shkodrës.

Ndërkaq, dilnin në bankën e të akuzuarëve në gjykatë, rebelët e revoltës së Postribës, dënoheshin me vdekje krerët e reaksionit të Kelmendit si, Preng Cali, apo ish komandanti i xhandermarisë kuislinge të Shkodrës, Mirash Mirashi. Por pjesa më e madhe e të pandehurve, ishin krerët e Kishës Katolike si, Alfons Troksi, Domët Kurti e tjerë. Por plaga më e madhe e Shkodrës atëherë, ishte burgimi në masë dhe dënimi i disa figurave intelektuale të njohura të klerit si, publicisti, L. Shandoja, dramaturgu N. Radoja, romancieri N. Nikaj, folkloristi M. Sirdani, poeti B. Palaj e tjerë. Situata bëhej më e zymtë me burgosjen dhe të disa intelektualëve shkodranë si, Gj. Kokoshi, A. Pipa, Q. Dreçini, Z. Zorba e tjerë. Ishin mbyllur të gjitha institucionet kulturore të klerit, siç ishte mbyllur dhe shtypi opozitar.

Në qytet qenë marr masa të forta sigurie, prej këndej niseshin ekspeditat ndëshkuese kundër reaksionit në viset e mbi Shkodrës, e në radhë të parë kundër grupeve të diversantëve. Vendi më famëkeq i qytetit, ishte Dega e Brendëshme, të cilën shkodranët e anashkalonin kur u binte rruga.

Konviktorët, për hirë të së vërtetës, pa dashur bëheshim dëshmitarë, por nuk e ndjenin e aq më shumë ta përjetoninkëtë situatë.Ata vinin nga familje, vise dhe qytete që kishin marrë pjesë aktive në rezistencën antifashiste, që kishin derdhur gjak dhe kishin bërë sakrifica të panumurta. Kjo s’do të thotë se Shkodra s’kish qenë pjesë e luftës antifashiste, apo s’kish derdhur dhe ajo gjak, duke patur heronjtë e dëshmorët e saj, sidhe formacionet partizane me emër e tjera. Përkundrazi, Shkodra pa dyshim ishte pjesë e pandarë e luftës, e Shqipërisë së lirë dhe e idealeve popullore.

Këtë e tregonte veçanërisht brezi i ri dhe shtresat që e kishin mbështetur luftën për çlirim. Nga ana tjetër, konvikti i studentëve të gjimnazit ishte një nga vatrat dhe bastionet e realitetit dhe e frymës së re të Shkodrës, që plotësohej dhe nga një kontigjent të rinjësh shkodranë, që të gjithë së bashku i jepnim tonin dhe fizionominë gjimnazit “29 nëntori”, i cili dikur kish qenë çerdhe e revolucionarëve të rinj si, Q. Stafa, V. Kushi, Sh. Alimani me shokë. Këtyre u bashkoheshin dhe komunistët e rinjë si, H. Beqja, I. Gjylbegu, Xh. Dini, E. Halili, vëllezër e motra dëshmorësh e tjerë.

-“Unë,- shkruan Nashua në kujtimet e tij, dua të them se nuk i takojë fanatikëve politikë, s’isha dogmatik dhe kjo vinte nga natyra ime e përmbajtur, nga edukata familjare, nga shëmbëlltyra e tim eti patriot e demokrat i ndershëm dhe i matur, i drejtë dhe i vërtetë, i dashur me shokët dhe i mirësjellshëm, i prerë për të bërë mirë dhe jo keq, larg fanatizmit, ndaj kjo më dallonte ndër të tjerët, më bënte të gëzoja simpati, sidomos në klasë, por dhe në rrethin e ngushtë të konviktorëve”.

 

STUDENTI NASHO JORGAQI, NE BANKAT E GJIMNAZIT TE SHKODRES 1947-51

Në ato vite të para, pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashist, ushtari i fundit i të cilëve u largua nga Shkodra në 29 nëntor 1944, çdo cep i vendit ende përjetonte pasojat katastrofike të luftës, por nga ana tjetër fitorja e çlirimit dhe liria, nxitën kudo entusiazmin dhe aksionet popullore për zhdukjen e pasojave që ajo luftë la pas. Të parat ishin ngritja e shkollave, që sinë gjithë vendin dhe ato përjetuan tmerrin njerëzorëdhe shkatërrimet e luftës. Gjimnazi i Shkodrës i mbijetoi atij shkatërimi dhe u bë ndër institucionet e para të pas çlirimit, që hapi dyertë për studentat djem e vajza nga e gjithë Shqipëria.

Njeri ndër ta, ishte dhe studenti myzeqar, djaloshi adoleshent Nasho Jorgaqi.Të nesërmen e mbritjes në Shkodër, u paraqitë në ambjentet e shkollës, që si konvikti dhe ato iu dukën hijerëndë.Fillimisht, u radhitë në rreshtin e konviktorëve sipas rregullit, të cilët në mëngjes, niseshin të organizuar nga konvikti duke kënduar këngë partizane dhe kaluar nëpërmjet “Rrugëssë Madhe”, duke u gjendur në oborrin e gjimnazit.Aty, Nashua u shkëput nga shokët dhe me të pyetur shkoi në sekretari në katin e dytë.

Ndërtesa e gjimnazit, ishte madhështore, gjatoshe me dy dhe tre kate. Dikur ajo ishte ngritur prej turqëve si kazermë ushtarake dhe më pas, si seli e administratës së pushtuesve nazi-fashist. Qëndronte në mes të qytetit, rrethuar nga një oborr i madh dhe brenda saj me ambjente të bollshme plotë hapësira, që të ngjallte respekt dhe ndjeheshe që në kontaktin e parë nën pushtetin e saj. Nga kjo shkollë kishin kaluar disa breza. Dikur kish qenë shkollë “Popullore laike” për të tre sektet e besimtarëve, pastaj shkollë “Qytetëse” dhe më vonë shkollë “Normale”. Vetëm në tetor të vitit 1922, me rimëkëmbjen e shtetit shqiptar, u ngritë “Gjimnazi”,me degë reale dhe klasike, si dhe degë normale, falë kërkesave këmbëngulëse të rretheve intelektuale shkodrane, në luftë të ashpër me elementët konservatorë. Themelimi i këtij institucioni, do të përbënte një ngjarje të rëndësishme, jo vetëm për Shkodrën që kish një traditë të hershme arsimore, por dhe për mbarë vendin. Sivjet ky gjimnaz, festoi 100 vjetorin e ekzistencës së tij, si një institucion që ka nxjerr qindra e qindra breza studentësh, që kanë shërbyer anë e kend vendit në sektor të ndryshëm.

Gjimnazi shtetror i Shkodrës ka bërë histori, si një nga institucionet më serioze të arsimit shqiptar. Në kujtimet e tij, Prof. Nasho Jorgaqi shkruan: “Unë dhe gjithë bashkënxënësit që kaluam nga bankat e asaj shkolle, nuk mund të mos ndjeheshim krenarë për ata që drejtuan e dhanë mësim në këtë shkollë kombëtare. Në analet e atij gjimnazi, mbeten të nderuar emrat e drejtorëve që ishin nga figurat e arsimit e kulturës sonë si, Mirash Ivanaj, Aleksandër Xhuvani, Xhevat Korça, Anton Deda, Kolë Kamsi, Mark Ndoja, Skënder Vila e tjerë. Shkollës sonë do t’ia risnin vlerën dhe trupat pedagogjike, që dhanë mësim si personalitete dhe specialistëtë shquar në degët e tyre. Në auditoret e atij gjimnazi u dëgjuan zërat e pedagogëve: K. Cipës, H. Laçajt, E. Çabej, S. Luarasit, P. Gjeçit, F. Fishtës, S. Rrota, K. Ashta, G. Poli e tjerë”.

Në fillim ai quhej, “Gjimnazi Shtetror”, pastaj “Liceu Gjergj Fishta”, për t’u pagëzuar në vitin 1947, në kohën kur Nasho Jorgaqi u ulë në bankat e tij, “Gjimnazi 29 nëntori”, në kujtim të datës së çlirimit të vendit, që Shkodra ishte dëshmitarja e parë e kësaj ndodhie, që përjetoi largimin e çizmes së fundit të ushtarit nazist.

-“Mbaj mend,- shkruan Nasho Jorgaqi, që këtë emër e lexova që ditën e parë në pllakën e vendosur në faqen ballore të shkollës, kur shkova për t’u regjistruar. Fillimisht u vërtita nëpër koridoret e mugëta për të gjetur sekretarinë e vendosur në katin e dytë. Ndërsa nxënësit u futën në klasë, unë kreva regjistrimin, ku më priti dhe më regjistroi një grua e mirësjellëshme dhe e hijshme, që më foli me një shkodranishte që më tingëlloi e këndëshme. Nga fjalët e saj u informova, pasi shfletoi dokumentet, se e drejta e studimit më kish dalë në degën normale që funksiononte brenda gjimnazit. Unë nuk e dija që më kishin dhënë këtë degë, ndaj u preka dhe e kundërshtova, duke arsyetuar me argumentin se isha letrar i ri, prandaj erdha këtu që të studjoja në gjimnaz. Ajo buzëqeshi dhe më tha:

-S’ka gajle, mos i ven kasavet vetes se dhe në degën normale bëhet letërsi bukur fort. Mandej, sa me e ditë ti, dega ashtë caktue zyrtarisht dhe unë s’kam gja në dorë me e ndryshu. Boll të kesh talent, siç the, se sa për mësimet janë të njinjishme për të gjitha degët, veç ju të degës normale, keni dhe disa lëndë pedagogjike-didaktike. Kështu pra, djalosh, duke më zgjatur një copë letër më tha:- Do të ndjekësh klasën e parë A, të cilën e ke në këtë kat, në fund të koridorit, djathtas. Mund të paraqitesh qysh tash.

-“Unë i dhashë dorën, duke e falnderuar,- shkruan Nashua,- por me zemër të thyer. Nuk e kisha menduar ndonjëherë këtë degë. Me këto mendime kalova nëpër koridor dhe trokita në derën e klasës A, nga më erdhi zëri i mësuesit që shpjegonte. Pa pritur dera u hap dhe unë u gjenda në klasë para mësuesit, që m’u duk sikur po rrinte prapa derës. Pa fjalë i zgjata copën e letrës, ai i hodhi një vështrim të shpejtë e më tha:

-Vonë djalosh, vonë! Ulu andej nga fundi se kenke dhe i gjatë. Kalova i hutuar midis bankave dhe s’dija ku të ulesha, se e gjithë klasa ishte me vajza. Vetëm dy banka qenë me djem dhe qenë ata që më bënë vend. U ula dhe fillova të dëgjoja vazhdimin e mësimit që kish të bënte me historinë e Ilirëve. Ndërsa të gjithë mbanin shënime në fletore, shoku në krah më pëshpëriti:

-A prej Toskënije po vjenë? U bllokova për një çast nga pyetja e çuditëshme dhe pastaj pohova me kokë me sytë nga mësuesi që shpjegonte”.

Kur mbaroi ora e mësimit, të gjithë u ngritën në këmbë. Et’hemi dhe Mehmeti, dy shokë të klasës, i dhanë dorën Nashos dhe u prezantuan. Pastaj hodhi sytë nga klasa dhe pa se të gjitha ishin vajza dhe vetëm dy-tre djem. Gjatë pushimit, lëvizninnëpër oborr duke shkëmbyer ndonjë fjalë, aq sa Nashos iu ndërrua humori dhe sikur iu çelëdhe iu zgjua një hare e brendëshme të cilën përpiqej t’a përmbante.Me këtë humor u kthye në konvikt, ku në oborrin e rrethuar me mure të larta, konviktorët prisnin orën të hynin në mencë për drekë. Me ta u bashkua dhe ai, kur pa pritur iu afrua Kristuli, një shok nga Fieri dhe e pyeti:

-Hë, si vajti sot dita e parë? Nashua ia tregoi, por iu ankua për degën. Ai ia plasi gazit!- Ore qenke allasoj ti, po ka më mirë se në klasat e pedagogjikes mbushur me vajza të bukura e të kohës? Sa për degën s’ke pse qahesh, se fundi merr një zanat për mësues, kurse ne të gjimnazit një copë dipllomë marim.

Nashua bëra sikur buzëqeshi dhe nuk e zgjati, sepse nuk deshi t’i qante hallin dhe t’i thoshte se,“unë nuk dua të bëhem mësues, por letrar”. Madje, shoku vazhdoi më tej:-“Ore, po mblidh mend e kokës dhe futu me gjongël mësimeve, si themi ne andej nga Myzeqeja. Ato që mendon janë dëngla”. Nashua e njihte mirë natyrën e Kristulit, shakatë e tij të kripura, ndaj i ruheshin herë-herë dhe shokët. Ra kambana dhe të gjithë u drejtuan për nga menca.

-Hajde,- i tha shoku,- shkojmë e hamë atë pjatën me lakra, se të tjerat i lamë në shtëpitë tona. Ti që erdhe tani, a të kanë mbetur më nga ato zairetë e plakës? Nashua buzëqeshi dhe tundi kokën, për t’i thënë se ato u hëngrën që atë ditë që erdhën, bashkë me shokët.

Dalëngadalë Nashua e mblodhi mendjen dhe u bind se jeta e tij këtej e tutje ishte ndarë në mes konviktit dhe shkollës, por ajo që i bashkonte dhe i jepte peshë jetës së tij të re, ishte Shkodra dhe kjo përbënte gjënë më të rëndësishme të fatit të tij. Tanimë do të jetonte dhe studjonte në një qytet si Shkodra, që dallohej jo vetëm nga qyteti i tij i vogël, Fieri, nga ai vinte, por dhe pse jo, me aq sa dinteai, atëherë dallonte dhe nga qytetet kryesore të vendit, përjashto në këtë mes Tiranën.

Prandaj, dëshira e tij e parë pasi u sistemua, ishte të paktën të njihesh në përgjithësi pa humbur kohë me qytetin nga ana urbanistike, rrugët, sheshet, vendet historike, lagjet, institucionet shtetrore, shtëpinë e kulturës, kinematë, Radio Shkodrën,, kishat, xhamitë, bibliotekën publike, gjithçka që kishte dëgjuar dhe flitej me admirim. Ç’është e vërteta, i ishte fiksuar që konvikti fillimisht i ngjante më tepër si manastir, që nga ndërtesa mesjetare, muret e larta e të trasha, mjediset e mbyllura, koridoret e mugëta, me diellin e pakët dhe gjurmët e kuvendit të dikurshëm. Por ajo që e mbante dhe e lehtësonte, ishte gjallëria dhe atmosfera gazmore që kishin sjellë  konviktorët djem dhe vajza ardhur nga gjithë Shqipëria, duke e kthyer këtë institucion ish fetar, në një streh të brezit të ri për t’u strehuar e studjuar.

Nashua vinte nga një jetë familjare tradicionale në mes prindërve dhe vëllezërve, me një shoqëri shokësh disa vjeçare, i ngarkuar dhe i lidhur me sa e sa kujtime, por pak i shëtitur, zakonisht nëpër treva fushore, ku gjallonte një jetë zakonore tjetër, që flitej një e folme e përbashkët aq e dashur dhe intime për të. Kurse tani kishte ardhur në një trevë e ambjent krejt tjetër. Ishte si t’a çrrënjosje veten nga toka e të parëve dhe të hidhje rrënjë në një tokë tjetër.

Tani që kishte ardhur këtu për t’u shkolluar, shtëpia e tij ishte konvikti dhe shkolla, shtëpi të populluara nga një brez i ri, shumica e panjohur për të, në një mjedis me kushte dhe rregulla të tjera për një jetë normale kolektive. Kësaj jete duhet t’i përshtatejdhe ai, një adoleshent pak a shumë i përkëdhelur, me një edukatë të shëndosh familjare, por dhe me një natyrë disi individualiste, që duhej tani të integrohej në jetën kolektive të shkollës, me shumë shokë që s’i njihte fare, me formime dhe edukata nga më të ndryshmet, me zakone dhe mentalitete të tjera. Me ta do të hante në ca tavolina gjatoshe, me vende të caktuara, do të flinte në dhoma të mëdha me individë të natyrave të ndryshme.

-“Kështu,- shkruan ai,- më ra të flija në një sallë të madhe me 20 e ca vetë, që të kujtonte pavjonet e spitaleve, apo kapanonet e ushtrisë. Do të bija të flija dhe të zgjohesha nën çangën e kambanave çdo darkë e mëngjez. Të gjitha veprimet bëheshin me orar nga fjetja, koha e studimit, detyra e kujdestarisë e tjera. Kështu do t’a nisja jetën kolektive dhe do t’a harroja jetën e çlirët familjare. U bëra pjesë e një komuniteti të trazuar për nga prejardhja nga qyteti e fshati, nga veriu dhe jugu, me edukatë dhe formim të ndryshëm, me natyra dhe karaktere nga më të çuditshmet, nga klasa e parë dhe e fundit e gjimnazit. Kish nga ata që kishin ardhur nga lufta, djem dhe vajza nga jetimoret, ish kadet nga shkolla ushtarake e tjerë, të zgjedhur me kritere politike. Në mes nesh kishte dhe komunistë, të rinj komunistë, të rinj antifashistë e tjerë. Unë prej dy vjetësh militoja si i ri komunist. Ne e kishim të ndaluar që të tregonim se ishim komunistë, ashtu si dhe mbledhjet i bënim po ilegalishtë, fshahurazi në vende dhe orë që të mos diheshin nga të tjerët.

Kur erdha në konvikt, shoqëria ime fillimisht përbëhej nga shokë fierakë, por më vonë u njoha dhe u miqësova me shokë të tjerë si: Mehmet Myftarin nga Tirana dhe Burhan Çirakun nga Vlora, që ishim përafërsisht të një moshe, por në klasa të ndryshme. Mehmeti kish ardhur me një emër të njohur, si debatikas aktiv dhe i interrnuar gjatë luftës në kampin nazist të Prishtinës. Ai qe një djalë i zgjuar, gjithë temperament, i gojës, i lexuar dhe njihej si letrarë i ri e i talentuar.

Kurse Burhani kish një natyrë e formim tjetër, i qetë, fjalëpak, i matur dhe serioz. Vinte nga Vlora. Kish qenë ca kohë mësues fshati dhe kish përvojë jete që unë ia çmoja. Nga ana tjetër, në rrethin tim do të hynin dhe letrarë të tjerë të rinjë si, Dhori Qiriazi, Bardhyl Erebara, Shaban Vuni e tjerë, me të cilët do të më lidhte letërsia e leximet dhe fakti që botonim shkrime në shtypin qendror. Shoqëria që krijova ma zbuti vetminë dhe më ndihmoi të integrohesha e të ambjentohesha me jetën e konviktit. Tani isha konviktor i vërtetë, jo vetëm fizikisht, por deridiku dhe shpirtërisht”.

Sigurisht, jeta e tij e vërtetë ishte shkolla, ku do të fitonte dije, do të merte shkallë-shkallë kulturën dhe formimin e nevojshëm nga fusha të ndryshme. Kishte ardhur në një nga gjimnazet më të njohura dhe të çmuara të vendit për seriozitetin dhe nivelin e mësimdhënies, për trupën pedagogjike e përbërë nga figura të nderuara të arsimit shqiptar. Në vitin e parë do të jepnin mësim profesorë të lauruar në Universitetet perëndimore si, K. Kamsi, G. Jakova, R. Neziri, A. Gjana, L. Franja, Sh. Arra, J. Kone, G. Shehi, piktori i shquar J. Rrota, por dhe të rinjë si, H. Beqja, J. Kastrati, S. Gjoni, Z. Sokoli, T. Gjyshja, I. Fani, F. Podgorica e tjera. Nga drejtorët do të kujtonte me nderim të thellë, Skënder Vilën e Kristaq Qirjakon, sa autoritar aq dhe të dashur, të përgatitur në fushat e tyre, ligjërues dhe metodistë të aftë. Ishte ky një staf pedagogjik, që i bënte nxënësit të ndjeheshim me fat për shkollën që frekuentonin.

-“Ne të rinjtë që kishim ardhur në bankat e gjimnazit,- shkruan ai,- do të ishim krenarë që në to kishin kaluar disa breza gjimnazistësh, nga të cilët kishin dalë kuadro që kishin bërë emër të nderuar në fusha të ndryshme të jetës. Në gjimnaz, mësonin qindra djem e vajza, një brez i ri i një shoqërie që s’kish veç dy-tre vjet e dalë nga lufta, me një trashëgimni të varfër e të prapambetur e me plotë probleme.

Klasa e parë A, do të ishte nga klasat e para paralele të gjimnazit në degën normale-pedagogjike.-“Nuk e harroj,-shkruan Nashua,- pozicionin e saj në katin e dytë, me dritare që shikonin nga prapa shkollës. Pa dashur, bëja krahasimin në mes të gjimnazit tonë dhe shkollës unike nga kisha kaluar në qytetin tim dhe ndryshimi i tyre më bënte të mendoja, që jeta ime ishte ngjitur në një lartësi të re”.

Kaluan kështu muajtë e parë me ditë të ngarkuara me mësime pa fund e të vështira, si dhe me detyra jashtë klase. Lëndët ku Nashua dallohej ishin ato humanitare, veçanërisht në letërsi, por fillimisht klasa nuk e dinte që ai shkruante dhe botonte në shtyp. Ndryshe ndodhte në konvikt, që njihej në mes emrave të letrarëve të rinj, që jetonim nën një çati.

Një ditë, në gjimnaz u krijua dhe rrethi i letrarëve të rinj, ku nga klasa A, ishteNashua dhe Et’hem Bakalli. Ata do të nxirnin dhe një gazetë letrare, me kryeredaktor Shaqir Prizrenin, një nga drejtuesit e rinisë së gjimnazit, maturant që shkruante vjersha. Ai e futi dhe Nashon në redaksi, një detyrë që e bëri të aktivizohej dhe të njihej nga shkrimet e tij letrare, që afishoheshin në atë gazetë. Po në faqet e saj do të publikoheshin dhe skica letrare, vjersha e tregime të shkurtëra nga, Mehmet Myftari, Et’hem Bakalli, Dhori Qiriazi, Bardhyl Erebara, Fadil Kraja e tjerë. Në vitin 1948, erdhën edhe disa studentë të rinj, që nga radhët e tyre dolën më vonë, shkrimtarë, profesorë, mjekë e inxhinierë të talentuar si: Shaban Baxhaku, Alfred Uçi, Shyqyri Ballvora, Mehmet Myftiu, Luan Babameto, Vangjush Gambeta, Drago Siliqi, Hajro Shyti, Përparim Tepelena e shumë të tjerë.

-“Në vitin 1949,- shkruan Nasho Jorgaqi, konvikti i ynë u transferua në godinën e “Kuvendit të Jezuitëve”, po në lagjen katolike. Ajo ishte një godinë më e madhe dhe kishte pranë edhe kishën, si dhe ndërtesën e “Kolegjit Saverian”, themeluar në vitin 1877. Aty në atë “Kolegj”, kishin mësuar të rinj katolik, por dhe të besimeve të tjera si: Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Frederik Shiroka, Hilë Mosi, Injac Zamputi, Faik Konica, por më pas dhe Qemal Stafa, Selaudin Bekteshi e tjerë. Po ashtu në këtë kolegj, kishin dhënë mësim figura të shquara si: Ndre Mjeda, Justin Rrota, Mark Hrapi e tjerë. Me reformën arsimore të vitit 1933, kolegji pushoi së funksionuari. Pas çlirimit, me ligjet e pushtetit të ri komunist, “Kuvendi i Jezuitëve” u mbyll dhe gjithë trashëgimnia e tij, kaloi në përdorim për nevojat e arsimit popullor.

Eh, sa shumë kujtime shkruan ai për jetën e tij në atë gjimnaz historik të asaj kohe të Shkodrës Loke, mbresa të cilat i mbetën të pa shlyera në jetën e tij, ku këto rreshta të shkruara në gazetën Dita, janë disa prej tyre, jo pak të veçanta për t’iu bërë të ditur lexuesve tanë dhe si pjesë historie e Gjimnazit Historik të Shkodrës, ku kanë kaluar qindra e qindra intelektualë të fushave të ndryshme dhe në kohë të ndryshme, midis tyre dhe i ndjeri e i paharruari, Prof. Nasho Jorgaqi.

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
2 Comments
  • demo says:
    October 28, 2022 at 12:47 pm

    Ne vitet e para pas pushtimit komunist,Gjimnazi i Shkodres u be vater e rezistences rinore kunder komunizmit dhe terrorit te kuq.Vala e pushkatimeve dhe burgosjeve i perfshiu edhe Studentet gjimnaziste.
    Prandaj Nasho i gjeti klasat pa djem.Cdo shtepi e Bollshme ne Shkoder ishte kthyer ne Burg.
    Ne Shkoder ishte vendosur edhe Komanda e mbrojtjes se popullit.
    Ne 1947 Junta komuniste vendosi te ndryshoje gjendjen e gjimnazit duke derguar konviktore militante,anetare te partise komuniste si studente ne Shkoder.Keta do te ushtronin presion nepermjet formimit te organizatave te Rinise komuniste,,Demaskimit te te rinise qytetare vendas reaksionar(qe nuk pranonte komunizmin).Prandaj e pyet ajo vajza:A prej Toskenie po vjene?
    Sepse Toskenia per Shkrodranet ishte synonim i pushtuesit te eger,edhe me i eger se pushtuesi cernagore ne 1913,probatin sllavo komunist i Cernagores.

    Reply
  • xy says:
    October 28, 2022 at 5:39 pm

    o demo o këllirë naziste e qelbur.
    sllavokomunist thotë nazisti i qelbur. njëlloj siç thoshte edhe xhafer nazist deva.
    komunizmi nuk njeh rracë apo gjini.
    në komunizëm njerëzit janë të barabartë pavarësisht se secili është unik.
    pra të drejtat i kemi të barabarta.

    dhe në shekullin 20, tipat që kishin frikë nga fantazma e komunizmit siç thotë marksi, pa e ditur fare çështë komunizmi, si psh kadri cakrani që thonte për marksin çifuti që shpiku komunizmën, kadri cakrani kujtojmë është ai që bashkë me xhaferr devën bënë masakrën 4 shkurtit dhe po së bashku u larguan si maskarenj nga shqipëria për tu strehuar në amerikë e cila shkeli rregullat ndërkombëtare duke mos i rikthyer në shqipëri këta kriminelë lufte, dalin e i thonë komunistëve me prejardhje sllave sllavokomunistë.
    ai që thot sllavokomunist nuk ka nevojë për argumente se që aty kuptohet intelekti i tij

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Flamingoja si metaforë e zgjimit qytetar
  • “Mos ma prek Nartën”, qindra protestues me pankarta në Zvërnec
  • Mazniku në Berat: Komisioni do të marrë në konsideratë veçoritë e çdo zone, identiteti nuk humbet nga bashkëpunimi
  • UNESCO shpall Liqenin e Shkodrës Rezervë të Re të Biosferës Botërore
  • Rama nxjerr fotot nga ishulli në Katar i zhvilluar nga bashkëinvestitorët e “Zvërnecit”

Komentet e Fundit

  1. Ppsh on Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)
  2. Berati on Rezulton me 1.2 milionë metra në zonën e mbrojtur, biznesmeni i lidhur me Zvërnecin fiton koncesionin Milot-Balldren
  3. habili on Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur
  4. Ethem Lalaj on “Pse na zhgënjeve ne që të besuam?”, Mevlan Shanaj letër të hapur Ramës
  5. Qerratai on “Pse na zhgënjeve ne që të besuam?”, Mevlan Shanaj letër të hapur Ramës

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?