Nga Adrian Thano
Deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili përpiqet t’i veshë protestat e sotme rinore me petkun e “terrorizmit transnacional të ekstremit të majtë” duke iu referuar lëvizjes ANTIFA, zbulon një nga paradokset më groteske të politikës shqiptare.
Partia Socialiste ka ndërtuar për dekada me radhë një pjesë të madhe të identitetit dhe trupës së saj elektorale mbi trashëgiminë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ). Janë me qindra mijëra pasardhës, bij, bija, nipër e mbesa të dëshmorëve dhe veteranëve antifashistë, ata që kanë votuar dhe mbështetur tradicionalisht këtë forcë politike, duke e parë atë si ruajtëse të idealeve të barazisë, dinjitetit dhe rezistencës ndaj shtypjes.
Sot, lideri i kësaj partie e përdor termin “Antifa” si një etiketë kriminalizuese e demonizuese për të arsyetuar dhunën policore ndaj të rinjve që protestojnë në sheshe.
Për të mbrojtur pushtetin e tij nga pakënaqësia e brendshme shoqërore, Kryeministri nuk heziton të huazojë retorikën më ekstreme të krahut konservator amerikan dhe të administratës Trump.
Është sa ironi therrëse që një kryeministër që vetëquhet “socialist” apo “i majtë” përdor saktësisht të njëjtat argumente që përdoren nga qarqet më të djathta ndërkombëtare për të shpallur çdo formë proteste apo revolte rinore si “kërcënim terrorist”.
Ndërsa vetë diplomatët dhe inteligjenca perëndimore (siç raporton The Washington Post – lexoni shkrimin përbri) shprehin habi dhe skepticizëm për trajtimin e lëvizjeve antifashiste apo të majta si kërcënime madhore globale, qeveria shqiptare nxiton ta përqafojë këtë lloj qëndrimi.
Në rrugët e Tiranës nuk po marshojnë “rrjete transnacionale anarkiste”. Por sigurisht është më e thjeshtë ta paraqesësh revoltën e të rinjve si një “sulm të jashtëm me orkestrim global” sesa të pranosh se rinia po proteston për arsimin e nënfinancuar, korrupsionin, mungesën e meritokracisë dhe pamundësinë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet.
Paradoks i dhimbshëm dhe qesharak. Një pushtet që merr legjitimitetin e tij historik nga simbolika e antifashizmit dhe e majta politike, sot e përdor fjalën “Antifa” si shprehje primitive për të trembur qytetarët dhe për të shmangur llogaridhënien përpara atyre që kërkojnë të drejtat e tyre minimale.
