INSTAT ka publikuar një vazhdim të raportit “Gratë dhe Burrat” ku tregohen disa ndryshime për të dhënat të ndryshme.
Në botim janë evidentuar disa gjetje kryesore si në vijim:
Lindshmëria në adoleshencë është zvogëluar në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2021, janë regjistruar 12,1 lindje për çdo 1.000 vajza të grupmoshës 15-19 vjeç nga 13,3 lindje që ishin në 2020.
Gjithashtu edhe norma e martesave të grave ndër vite, tregon një rënie të martesave deri në moshën 24 vjeç dhe rritje të moshës mesatare në martesë të vajzave. Sipas të dhënave të përvitshme prej 5-vitesh gratë tashmë martohen relativisht rreth 0,7 vite më të mëdha.
Më tej shifrat tregojnë se raporti i abortit është përmirësuar krahasuar me vitet e fundit. Për vitin 2021 shënohen 164 aborte për çdo 1.000 lindje.
Por mbetet i lartë për moshat teke kryesisht ato 18-vjeç, për çdo 1.000 lindje ka 140 aborte.
Ndërkohë në raportin e mëparshëm, thuhej se abortet në moshën e adoleshencës të analizuar veçmas pjesa më e madhe e aborteve është kryer në moshën 17 vjeçare, 104 aborte për 1000 lindje të gjalla.
Të dyja së bashku këto të dhëna tregojnë se abortet në adoleshencë janë të larta.
Gjetje të tjera vijojnë me kategorinë “Krimet dhe drejtësia penale”, të dhënat tregojnë se një problem i madh mbetet dhuna fatale në familje.
Nga 61 vrasje të regjistruara në vitin 2021, 26,2 % e tyre kanë ardhur si rezultat i vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare.
Rreth 62,5 % e viktimave nga vrasjet për shkak të marrëdhënieve familjare janë gra.
Ndërkaq, gratë e burgosura për “Vrasje” ose “Mashtrim” zënë përqindjen më të lartë të grave të burgosura, përkatësisht 22,2 % dhe 20,6 %.
Më tej në raportin e INSTAT përcaktohet se gratë e burgosura përbëjnë 1,3 % të të burgosurve gjithsej në vitin 2021, shumica e tyre janë me arsim 9-vjeçar dhe i përkasin grup-moshës 30-39 vjeç.
Të dhënat e për “Treguesit social nga anketat në familje” rezultojnë që përfitues të moshuar në qendrat sociale për vitin 2021 janë 55,4 % burra dhe 44,6 % gra.
Lidhur me shpenzimet vetja duket se gratë janë përqendruar tek blerjet online. Të dhënat tregojnë se kanë kryer më shumë blerje online për veshje/pajisje sportive në krahasim me burrat (59,1 % për gratë dhe 40,9 % për burrat).
Sipas të dhënave në strukturën e policisë, numri i punonjëseve gra është rritur. Për gradën “Inspektor” përqindja e grave është më e lartë (43,5 %).
Abortet në moshën 17 vjeçare më të lartat në Shqipëri. Ekspertët shpjegojnë pse
Aborti është një moment i vështirë si nga ana psikologjike ashtu edhe fizike. Kjo gjendje është dhe me e vështirë në momentet kur mosha e nënës është tepër e re.
Në raportin vjetor burra-gra thuhet se abortet në moshën e adoleshencës janë analizuar veçmas dhe pjesa më e madhe e aborteve është kryer në moshën 17 vjeçare, 104 aborte për 1000 lindje të gjalla.
Sipas gjinekologes Moza Keta, të gjitha abortet janë të dëmshme, por më të vështira janë ato në moshë të re.
Ajo thotë se abortet ndikojnë negativisht në riprodhim.
Ndërkaq abortet në moshë të re lidhen me disa faktorë.
Sociologia Marsi Simo shpjegon se ky fenomen ndikon dhe lidhet fillimisht me adoleshencën e hershme, një dukuri sa biologjike aq edhe sociale.
“Është vënë re se dy dekadat e fundit adoleshenca nis në një moshë më të hershme. Sipas studimeve vajzat zakonisht fillojnë pubertetin midis moshës 8 dhe 13 vjeç dhe mesatarisht djemtë arrijnë pubertetin dy vjet më vonë se vajzat. Nisja e hershme e adoleshencës mund të shoqërohet me marrëdhënie seksuale të hershme. Duke qenë se po jetojmë në një shoqëri të hapur ku informacioni është i pandalshëm sidomos në zonat urbane, adoleshentët priren të nisin aktivitetin seksual ende pa njohur veten”, shpjegon Simo.

Në raport shkruhet se pjesa më e madhe e aborteve (31.1%) ndodh nga gratë që kanë edukim 9-vjeçar dhe të mesëm. Ndërkaq në tërsi grupmosha më e predispozuar e grave për abort është 20-34 vjeç.
Psikologja Entela Binjaku thotë se kjo temë është mjaft e gjerë dhe kërkon një forcë përgjithësuese serioze, sepse çdo shifër ka pas një histori jete, ka një histori marrëdhënieje njerëzore.
Binjaku shton se 17 vjeç është mosha kur shumë vajza e djem i afrohen moshës madhore, kur planet për të ardhmen nisin të ravijëzohen më qartë, por është edhe mosha kur energjia seksuale është në kanalizimin e vetë dhe kur jeta afektive nuk mund te anashkalohet.
“Abortet, pra ndërprerja e shtatzanisë në një moshë të re mund të ndodhin si pasojë e një papërputhshmërie midis pjekurisë fizike dhe pjekurisë mendore. Kur aborti është pasoja, shkaku janë marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Kjo mund të ndodhë si rezultat i kulturës së ulët të të rinjve për përgjegjësinë që ka akti seksual i pambrojtur, sikundër mund të tregojë së dëshirojnë seksin por nuk njohin, nuk thellohen, ose injorojnë dhe neglizhojne përgjegjësitë që vijnë me të”, shpjegon Binjaku.

Binjaku shton se kur janë 107 aborte nga vajza 17 vjecare, kjo tregon mungesa e edukatës seksuale është e lartë, niveli kulturor i vajzave dhe djemve nga ky ngjizet një embrion është i diskutueshëm. Sipas psikologes edhe pse mjekët flasin shpesh për pasojat që ka në shëndetin e vajzës apo gruas ky proces, sërish ky aspekt nuk merret seriozisht.
Ndërsa sociologia Simo shpjegon se sipas një studimi nga “Sistemi i Mbikëqyrjes së Sjelljes së Rrezikut të të Rinjve” ku u anketuan rreth 130,000 nxënës të shkollave të mesme në 40 shtete, rezultoi se në nivel kombëtar, 38% e adoleshentëve thanë se kishin pasur marrëdhënie seksuale.
“Nga këto marrëdhënie të hershme, shpesh dhe të pambrojtura dhe pa informacion çojnë në shtatzëni të padëshiruara. Në këtë mënyrë vajzat i drejtohen abortit si zgjidhje.
Megjithatë nuk mund të përjashtohen edhe rastet e abortit në këtë moshë të vogël edhe për shkak të shtatzënive të krijuara si pasojë e përdhunimeve apo incesteve,”shton Simo.
Të dhënat e raportit nga INSTAT tregojnë se numri i aborteve në total gjatë vitit 2020 ishte 4540, ndërkaq abortet spontane përbëjnë 80.8% të totalit. Një tjetër e dhënë shqetësuese është se raporti lindje-abort tregon se për 6.2 lindje ka ndodhur paralelisht një abort.
Binjaku shton se në shumë raste varfëria është përcaktuese për abortet.
“Vajza apo djem të varfër ose nga familje të varfëra që nuk kanë mundësinë të çojnë përpara një shtatzëni sepse nuk janë gati për të dhe nuk kanë as edhe mundësinë të marrin përsipër përgjegjësi të tilla. Por pranojnë të ndërpresin një shtatzëni sepse nuk kanë mundur ta parandalojnë atë,” shprehet Binjaku.
Më tej psikologja shton se shpesh traumat pas një aborti nuk trajtohen, për shkak se ky proces kryhet në heshtje dhe pa u këshilluar me askënd dhe ato mund të vijnë e thellohen me kalimin e kohës dhe e gjitha kjo pasqyrohet edhe në marrëdhëniet me të tjerë.

INSTATi genjen!