Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Intelektualët e fisit Dani, aristokratë të arsimit në Lushnjë
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Histori > Intelektualët e fisit Dani, aristokratë të arsimit në Lushnjë
Histori

Intelektualët e fisit Dani, aristokratë të arsimit në Lushnjë

Published: November 16, 2022
Shpërndaje

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

 

Mësues që prej gjashtë brezash, disa syresh ende vazhdojnë t’i kontribuojnë arsimit në Myzeqenë e Lushnjes

- Publicitet -

Në qoftë se fshati Bubullimë i ish rrethit të Lushnjes është “kampion” përsa i përket numrit të arsimtarëve që ka pasur brenda banorëve të tij (mbi 200 të tillë), Danët nga fshati Bishqethëm i po këtij rrethi janë “kampion” për numrin e mësuesve brenda familjes e fisit.

Filluar nga Prof Dani i çerekut së parë të shekullit të kaluar e deri te Themi e Miço Dani i ditëve tona, ky fis ka shumë të drejtë të ndihet krenarë për kontributin që ka dhënë brenda dy shekujve për shpërndarjen e dritës së diturisë në Myzeqe.

Danët, të bredhur e të shkolluar siç ishin, dalloheshin nga bashkëfshatarët e tyre edhe për kulturën e jetesës. Biografi i fisit Dani, shkrimtari Kozma Gjini në librin “Aleks Dani – personalitet i shquar i Arsimit dhe i Leksikologjisë shqipe” shkruan: “Danët qëndronin moralisht lart për hir të shkollimit që kishin dhe ishin në gjendje të orientoheshin më mirë në jetë”.

Në vend të greqishtes, Prof Dani u mësonte shqipen nxënësve

Zbritur shumë poshtë në kohë, qëndrojmë te Prof Dani, mësues i viteve të para të shekullit të kaluar. Ky pat marrë titullin “mësonjës” që në vitin 1906.

Në Bishqethëm që herët funksiononte një shkollë ku mësohej në gjuhën greke. Me të ardhur Profi, që kishte qenë nxënës i Babë Dudë Karbunarës në Berat, nisi ta jepte mësimin në gjuhën shqipe.

Babaj i autorit të këtij shkrimi, ish nxënës i mësuesit Prof Dani, kujtonte: Shkrim e këndim mësova nga Prof Dani. Qefi i tij ishte të na bënte bukurshkrim. Po të mos ia shkruaje bukur shqipen, siç dëshironte ai, ishe i detyruar ta rishkruaje fjalinë një herë, dy herë, tri herë… deri sa ta pëlqente ai… Një herë më dha një letër për të lexuar, letër që gjasme dikush ia dërgonte familjes së vet. U mundova ta lexoja, keq e keq, sikur ta “përktheja” nga një gjuhë e huaj. Mësonjësi buzëqeshi dhe, ashtu siç e kishte zakon, m’u drejtua: “Herës tjetër, Toni, edhe më mirë!” Dhe vazhdoi: “Këto që mësojmë këtu, duhet t’i nxini shumë mirë, sepse do t’ju vijnë nëpër shtëpia për t’iu lexuar letrat që u vijnë nga të dashurit apo nga të njohurit e tyre”.

Sikur ta dinte mësonjësi ynë i paharruar, se pikërisht ajo që na mësonte do të na hynte në punë më vonë. Gjatë kohës që isha ushtar në vitin 1940 në batalionin “Shpiragu” m’u desh t’iu lexoja disa prej shokëve të mi letrat që u vinin nga familjet e tyre.

Rrethi i shokëve e i miqve të Prof Danit përbëhej nga njerëz me shumë emër në krejt Myzeqenë. Ai komunikonte sistematikisht me atdhetarë të tillë, si me Ikonom Kozma Dhimën, Uan Ndrekën, Jorgji Dhamon, Llazar Bozon e të tjerë.

Papa Lluka, klerik autoritar në ish rrethin e Lushnjes

Në vitet e para të shekullit të kaluar nga fisi Dani vazhduan e mbaruan  gjysmëgjimnazin në Berat Lluka, Profi, Mitri, Marku, Hilli dhe Pjetri.

Le të ndalemi vetëm te njëri prej tyre, te Lluka Dani.

I lindur në Bishqethëm në vitin 1880, Lluka do të ishte nxënës i zellshëm i Babë Dudë Karbunarës,.Veç leximit e shkrimit shqip, ai përvetësoi aty edhe grqishten e frëngjishten.

I veshur me teshat e priftit, Lluka do të shërbente së pari në Mitropolinë e Beratit gjatë viteve 1905 – 1915, domethënë për një periudhe dhjetëvjeçare. Në vitin 1915 vjen me shërbim kishtar në kishën e Bishqethmit.

Nevojat familjare erdhën të atilla, sa Llukës iu desh të merrte rrugët e kurbetit. I ndihmuar edhe nga gjuhët që njihte, mori rrugët e Evropës e deri më tej. Shkoi e punoi në Mal të Zi, në Bosnje, Austri, madje edhe matanë oqeanit. Gjithsesi, u kthye sërish në vendlindje, me dëshirën e mirë që të shërbente edhe si prift i fshatit, por edhe si bujk.

Unë, autori i këtij shkrimi, e mbaj mend shumë mirë papa Llukën. I hipur mbi një pelë, autoritar siç ishte, teksa futej në oborrin e shtëpisë sonë e afronte kafshën pranë ndonjë sendi të lartë dhe zbriste ngadalë.

– Ju flisni greqisht, papa Lluka, – mbaj mend ta pyeste në një rast babaj, –  çfarë duhet të kuptojmë?

Papa Lluka vuri buzën në gaz dhe nuk vonoi ta jepte përgjigjen:

– Nuk është e vështirë për t’u kuptuar ajo që them: Të keni besim dhe vetëm besim. Besim te Perëndia; besim te Atdheu; besim te nderi; besim te puna; besim te…

Dhe shtoi:

– Asnjëherë nuk duhet humbur besimi te e mira. Këtë mos e harro!

Vërtet nuk kishte qenë e vështirë të merrej me mend ajo çka thoshte papa Lluka i paharruar.

Ardhja e tij nëpër familje, krejt natyrshëm krijonte atmosferë kënaqësie.

Aleks Dani, një nga aristokratët më të shquar të arsimit në Lushnje

Intelektualë të shumtë dhe me mjaft sqimë kanë dalë nga gjiri i fisit Dani.

Djali i madh i papa Llukës, quhej Aleks Dani. Padyshim, pikërisht ky ka qenë aristokrati kryesor i Arsimit në Myzeqenë e Lushnjes.

I lindur më 13 mars të vitit 1908, falë kujdesit të të atit, Llukës, që e njihte mirë rëndësinë e shkollimit, Aleksi nisi e vazhdoi t’i ngjit bindshëm shkallët e dijes: në klasën e parë do të kishte mësues Prof Danin, në klasën e dytë – Rrapi Mërtirin, ndërsa në të tretën – Llambër Dedën nga Daullasi i Libofshës. Pas disa kohësh ndërprerjeje, vazhdoi edhe klasën e katërt, këtë në Plotoren e Lushnjes, ku drejtor ishte Izet Libohova.

Me shumë peripeci mundi të marrë të drejtën për ndjekjen e mësimeve në Normalen e Elbasanit, por… pa bursë! Shokë shkolle do të kishte Harun Sefën, Kristo Viden dhe mjaft të tjerë.

Me mbarimin e shkollës Aleksi do të fillonte aventurën e bukur të detyrës. Emërohet mësues në Bularat, ku krijon miqësi me Vasil Dalanin, babanë e Minella Dalanit, që do të bëhej mbas çlirimit një publicist i njohur. Viteve 1930 – 1931 do të ishte mësues në Fier, një vit më pas do të kryente shërbimin ushtarak. Në vitin 1931 shkolla e Bishqethmit qe mbyllur nga Qeveria dhe edhe për këtë problem Aleksi shkoi drejt e te ministri i Arsimit, Hil Mosi. I kërkoi të transferohej nga Fieri, në Lushnje, ndërkohë që i kërkoi të hapej edhe shkolla e fshatit të vet. Të dyja kërkesat ia plotësoi ministri.

Aleksi ishte i mendimit, por edhe i gojës.

I përfshirë familjarisht në krahun të duhur të historisë, më 25 nëntor 1944 Aleksin do ta gjejmë në Korçë, delegat në Kongresin e Arsimtarëve Antifashistë. Dy vitet e para të pasçlirimit do ta shikojmë mësues në shkollën e vendlindjes së vet. Në shtator të vitit 1946 caktohet drejtor didaktik dhe inspektor i Arsimit në Qarkun e Beratit, ku punonte edhe i vëllaj, Pali. Pak më pas, ca muaj në Lushnjë e më tej – kuadër për drejtimin e Arsimit në Fier. Në vijim, sërish në Lushnje, vetëm në detyra drejtuse.

Mik i ngushtë me Aleksandër Xhuvanin

Veç se si mësues i dalluar, Aleks Dani ishte edhe një kërkues i pasionuar i fjalës së rrallë e të bukur shqipe. Kudo që ndodhej qëmtonte floririn e gjuhës shqipe. Këtë e dinte Aleksandër Xhuvani, sepse në shkollën Normale e kishte pasur nxënës të shquar në mësime e kërkime.

Në një letër që Aleksandër Xhuvani i dërgonte më 25 shtator 1948 mësuesit  myzeqar Aleks Dani shkruante: “I dashur Aleks! Po të shtie brenda nja gjashtë faqe me udhëzime për mbledhjen e folklorës. Për fjalët që ke mbledhë, simbas një norme që kemi për të tilla punë do të marrësh njëmijë e treqind e ca lekë, mbasi t’u hiqet taksa etj.

Për këtë do të bajsh një faturë simbas modelit që ke këtu në faqen tjetër dhe pastaj t’ia dërgojsh faturën Seksionit të Llogarisë, se unë do të dal jashtë mbas disa ditësh e nuk më gjen këtu letra.

Udhëzimet e Folklorës përdori vet, ose edhe me ndonjë anë të ndonjë mësuesi të zot, si asht ma mirë”.(Kozma Gjini “Aleks Dani – personalitet i shquar i Arsimit dhe i Leksikologjisë shqipe”, faqe 30)

Xhuvani i madh nuk e ndërpreu lidhjen me ish nxënësin e tij të kahershëm, Aleks Dani. Herë mbas here nuk mungonte t’i jepe edhe udhëzime. Interesante është një letër me tone shumë miqësore: “Mbani vazhdimisht në xhep një katëroshe (bllok xhepi) dhe një kalem kopjativ. Fjalosni sidomos me të moshuarit, të cilët trashëgojnë prej etërve të tyre fjalë origjinale të qëmotshme. Të mbani veshët kapëz kur llafosen ata, ose kur t’ia marrin këngës”. (Po aty)

I pasionuar mbas folklorës, siç shprehej ai, Xhuvani porosiste tërë merak: “Puna juaj dhe e jona si gjuhëtarë është që t’i marrim trajtat e fjalëve ashtu siç i gjejmë në gojën e popullit, t’i studiojmë ato dhe jo t’i ndryshojmë sipas mirakandes ose hamendjes sonë”. (Po aty)

Kërkues këmbëngulës në minierën e gjuhës së popullit

Si mjaft Normalistë që e kishin edukatë çështjen e mbledhjes së fjalëve të rralla, të gjëagjëzave a të proverbave, edhe Aleks Dani nuk iu nda kësaj pune të vyer gjatë tërë jetës. Dhe pati botuar shkrime të kësaj natyre në “Edukata  e re”, “Shkolla kombëtare” dhe, kohë më pas, edhe në revistën “Studime filologjike”.

Edhe pse nuk i qe dhënë shumë publicitet kësaj ane të veprimtarisë së tij, e vërteta është se studiuesi Aleks Dani pat mbledhur mijëra e mijëra materiale  folklorike e gjuhësore. Në botimin interesant të shkrimtarit Kozma Gjini kushtuar leksikologut Aleks Dani gjen shumë proverba, shprehje e njësi frazeologjike, si dhe idioma, sikundër që gjen edhe shumë e shumë këngë popullore tradicionale, këngë kurbeti, këngë trimërie, këngë pune e familjare, si dhe këngë humoristike. Për nga kjo anë, ai, Aleks Dani,  rreshtohet denjësisht krahas folkloristit tjetër të njohur lushnjar, Jani Nushi.

Është e tepërt të flasim më gjatë për zellin e veçantë me të cilin mësuesi i shkëlqyer Aleks Dani punonte për grumbullimin e nektarit të gjuhës së popullit, sepse po mjaftohemi me një deklarim të tij: “Mbledhjen e fjalëve të rralla e kam pasur amanet nga Xhuvani. Edhe sikur të isha duke ngrënë bukë, do ta lija në mes, kur të më vinte ndërmend të shkruaja ndonjë fjalë të rrallë.

Pali Dani, vëllai i Aleksit, një emër që ka mbetur në kujtesën e një brezi të tërë në Lushnjë

Sipas të ndjerit Petraq Dhana, që ka shkruar një libër të plotë për historinë e zhvillimit të Arsimit e të Kulturës në ish rrethin e Lushnjes, “Në vitet 1952 – 1959 shkolla e Gorresë në rrethin e Lushnjes, e drejtuar nga i talentuari Pali Dani, u bë një qendër pelegrinazhi. Ajo u vizitua nga qindra a mijëra nxënës, mësues e kolektiva pedagogjike, nga individë të veçantë të ardhur nga rrethi i Lushnjes e nga rrethet e tjera të Republikës, nga punonjës e specialistë të Ministrisë së Arsimit e të disa prej dikastereve qendrore, të ambasadave të huaja në Tiranë e deri nga personalitete të ardhura nga jashtë vendit. Në librin e përshtypjeve të shkollës gjen falënderimet e tyre për shkollën e Gorresë, për kolektivin pedagogjik, personalisht edhe për drejtorin e saj, Pali Dani. (Vitet e fundit, shkollës së mesme të Gorresë i është vënë emri i Pali  Danit)

Djali i papa Llukës, domethënë vëllaj i Aleksit, Pali Dani i lindur në vitin 1922, Normalen e mbaroi në vitin 1942. Mësues dhe inspektor Arsimi në Berat. Mbas vitit 1960, tashmë i madh në moshë, nisi e mbaroi fakultetin e Mjekësisë. Dhe shërbeu me shumë devotshmëri për mjaft vite përgjegjës i seksionit të Shëndetësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit.

Pali Dani do të mbahet mend edhe për veprimtarinë e pakursyer shoqërore. Në vitet gjashtëdhjetë pat shkuar familje për familje në të gjitha fshatrat e zonës së Gorresë, duke u kërkuar kryefamiljarëve që fëmijët e tyre t’i dërgonin në shkollat e mesme të vendit. Vetëm nga fshati Pirrë ai “shkuli” nga shtëpia dhe dërgoi në shkollën pedagogjike dyvjeçare “Ndrecë Ndue Gjoka” të Tiranës pesë vajza që e kishin mbaruar shtatëvjeçaren prej vitesh.

Mbas daljes në pension Pali nuk u nis për në shtëpi për t’u rehatuar, por shkoi në spitalin e qytetit. Dhe aty u mor, vullnetarisht, me kujdesin ndaj fëmijëve të sëmurë.

Piro Aleks Dani, ish drejtor i Filialit të Institutit të Lartë Bujqësor në Lushnje  

Piro Dani është lindur në vitin 1933 në Lushnje. Nisi e vazhdoi rrugën e bukur të të atit. Erdhi një ditë dhe mbaroi për bio – kimi në Universitetin Shtetëror të Tiranës me rezultatin “Shkëlqyer”. Kuptohet, ishte e natyrshme të mbahej pedagog në këtë Universitet. Leksionet e tij plot informacion shkencor dhe të interpretuara me profesionalizëm ndiqeshin me shumë vëmendje dhe interesim nga studentët.

Në vitin 1967 Piro Dani kthehet në Lushnje, tashmë me detyrën e kryeinspektorit në seksionin e Arsimit. I thjeshtë si rrallëkush tjetër, modest si vet ai, i qetë dhe i dashur me këdo, Piroja kontribuoi shumë për intensifikimin e shkollës në rrethin e Lushnjes. Gjatë veprimtarisë së tij u krijuan kabinete biologjie, si dhe kopshte botanike në shumë shkolla.

Erdhi një kohë, kur nevoja e kërkonte që të bëhej me arsim të lartë një ushtri e tërë specialistësh të mesëm që kontribuonin nëpër kooperativa bujqësore. Pra, shtrohej nevoja e krijimit të një filiali të Institutit të Lartë Bujqësor në Lushnjë. E kush më mirë se sa Piro Aleks Dani mund ta drejtonte këtë filial?

Për Piro Danin edhe një monografi do të ishte e pamjaftueshme. Sepse ai ka jetë të mbushur plot veprimtari studimore, shkencore dhe shoqërore.

Edhe pse me banim në provincë, në Lushnje, nga ku nuk është leht të bësh emër në Tiranë në mjediset shkencore, prapëseprapë Doktori i Shkencave Piro Dani ka kryer veprimtari të thelluar studimore, sikundër ka botuar sistematikisht edhe artikuj e deri libra me shumë vlera njohëse e shkencore.

Myzeqeja e Lushnjes ka të drejtë të mburret me një intelektual të tillë, elitë, si Piro Dani, të cilit me shumë të drejtë i është akorduar titulli “Mësues i merituar”, sikundër i janë dhënë edhe titujt “Qytetar Nderi” i Lushnjes dhe “Mirënjohje qytetare”.

*     *     *

Bashkëshortët e nderuar Aleks e Dhoksie Dani (Gjermeni) lindën e rritën gjashtë fëmijë, që u bën intelektualë me emër në Lushnje e më gjerë.

Vajza e madhe, Liria, mbasi mbaroi për mësuese në shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” shërbeu në vendlindje, në Elbasan (ku qe martuar me Jorgji Papën, ish korrespondent i “Zëri i popullit”) dhe në Tiranë.

Vajza tjetër, Antigoni, mbasi mbaroi shkollën e mesme pedagogjike në Berat, shërbeu në Krutje, në Lushnje e pastaj në Korçë, ku u martua me inxhinierin e njohur Dhimitër Bimbli.

Djali i madh, Piroja, mbaroi arsimin e lartë po për mësues.

Vajza tjetër, Tefta, pasi mbaroi shkollën e mesme u kualifikua si specialiste për klasat e para.

Djali i dytë i Aleksit, Genci, ka mbaruar për farmaci. Edhe ky është me kontribut të njohur në fushën e vet falë studimeve të kryera, duke merituar gradën shkencore “Doktor i shkencave mjekësore”. Edhe bashkëshortja e tij, Doloreza, vajza e Gjeneral Nexhip Vinçanit “Nderi i Kombit”, është me kontribute në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Djali i këtyre, Floriani, një tjetër filizë në rritje, mjaft i suksesshëm edhe në politikë. Për ca kohë shërbeu me përkushtim me detyrën e nënprefektit të Lushnjes.

Djali i tretë i Aleksit është Minella, i cili ka mbaruar në degën e fizikës me rezultatin “Shkëlqyer” dhe ka shërbyer me devotshmëri e profesionalizëm në Lushnje deri edhe inspektor i seksionit të Arsimit.

Në parathënien e monografisë “Aleks Dani – personalitet i shquar i Arsimit dhe i Leksikologjisë shqipe” Prof. Koli Xoxi shkruan, se “…figura të tilla si Aleks Dani meritojnë më shumë se një libër, pasi janë zëdhënës të arsimit dhe të kulturës sonë”.

Mësuesi i merituar Aleks Llukë Dani
Pali Llukë Dani
Liri Aleks Dani (Papa)
Antigoni Aleks Dani (Bimbli)
Tefta Aleks Dani (Neço)
Piro Aleks Dani
Genci Aleks Dani
Minella Aleks Dani
Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
1 Comment
  • Halit Haliti says:
    November 16, 2022 at 7:16 pm

    Respekte pa fund,për këtë familje,që nderon Lushnjën pse jo edhe të gjithë Myzeqenë!
    Respekte edhe për Dhimitrin me këtë shkrim me shumë vlera!!

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Nis gjyqi për Veliajn, kryebashkiaku nuk merr pjesë në seancë, avokati: SPAK s’ka dorëzuar fashikujt e munguar
  • Hungaria kufizon mandatet e kryeministrit në 8 vjet, bllokohet rikthimi i mundshëm i Orban
  • Në 10 vite, qarqet e mëdha të Veriut humbën një të katërtën e popullsisë, ja kush kryeson
  • Matura Shtetërore, mbi 26 mijë maturantë i nënshtrohen sot provimit të Matematikës
  • I lindur në Irlandë me mbiemër latin, kush është mbrojtësi që u grumbullua me Kepin e Gjelbër nëpërmjet LinkedIn

Komentet e Fundit

  1. K R on “Çfarë po kurdisin Kushner dhe Ivanka”, BBC reportazh për ngjarjet në Shqipëri
  2. Lumi Vlores on “Çfarë po kurdisin Kushner dhe Ivanka”, BBC reportazh për ngjarjet në Shqipëri
  3. Dashi on “Çfarë po kurdisin Kushner dhe Ivanka”, BBC reportazh për ngjarjet në Shqipëri
  4. Telniku on “Çfarë po kurdisin Kushner dhe Ivanka”, BBC reportazh për ngjarjet në Shqipëri
  5. Lirim on “Çfarë po kurdisin Kushner dhe Ivanka”, BBC reportazh për ngjarjet në Shqipëri

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?